ASAMBLEJA E KOKSH/ Olimpiku analizoi vitin 2023. Projektet e reja, muzeum, stadium dhe pistë skie në 2024

51

Fidel Ylli jep lajmin: Muzeum, stadium dhe pistë skie në 2024

Sigal

Në punimet e Asamblesë së 29-të të KOKSH-it që u zhvilluan fundjavën e shkuar, gjithçka u përqëndrua jo vetëm tek arritjet në të gjitha sportet që atashohen brenda tij, por edhe me syrin kritik të atyre që nuk janë bërë sipas synimeve. Për Presidentin Fidel Ylli, dhe gjithë pjesëmarrësit që e morrën fjalën në këto punime, dukej se fokus do të jenë përmirësimet e vitit 2023, por edhe çuarja përpara e arritjeve gjatë vitit 2024. Në fjalën e tij të hapjes së këtyre punimeve, zoti Ylli i dha sportit shqiptar disa lajme të mira, ku në fokus janë ngritja e objekteve sportive të standarteve evropiane e botërore. Me një organizim model të kësaj veprimtarie, pjesëmarrësit votuan edhe kalendarin e punimeve, por edhe antarësinë sipas ligjeve e normave olimpike.

Agim Çiraku “ngroh” notin shqiptar: Dy pishina të reja në 2024

Agron KAJA

“Kemi bashkëpunimin e KOKSH-t, madje besojmë të kemi edhe mbështetjen edhe të Qeverisë shqiptare, që gjatë vitit 2024 të ngrejmë dy pishina të reja, në Shkodër e Vlorë”

Person i qetë, i thjeshtë por i komunikueshëm, Presdenti i FSHN-së Agim Çiraku tërhoqi vëmendje mediatike gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së 29-të të KOKSH-it. Jo vetëm për arritjet që noti shqiptar ka arritur nën drejtimin e tij, duke ju referuar kryesisht vitit 2023, por edhe për synimet që kjo federatë ka për vitin 2024. Madje duhet thënë që në fillim për gazetën “Telegraf”, se edhe Presidenti i KOKSH-it Fidel Ylli, u tregua entuziast dhe bashkëpunues, që këto synime të bëhen realitet. “Duke e nisur këtë komunikim mediatik me ju, unë do tu thoja si fillim se çfarë ne synojmë për vitin e ardhshëm, 2024. Kemi bashkëpunimin e KOKSH-t, madje besojmë edhe të kemi edhe mbështetjen Qeverisë shqiptare, që gjatë këtij viti të ngrejmë dy pishina të reja, në Shkodër e Vlorë. Janë qytete që kanë dhënë shumë për notin shqiptar, me rezultate të larta e me mjeshtra që koha sot i kujton me nostalgji. Në Shkodër kërkohet një rehabilitim i pishinës që vuan prej vitesh nga mosfunksionimi, dhe këto do ti bëjmë realitet”, ky ishte lajmi që Agim Çiraku në cilisinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit e shpalosi gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së 29-të të KOKSH-it. Po çfarë është arritur gjatë vitit që po mbyllim? “Gjatë vitit 2023, në kuadër të Olimpizmit shqiptar edhe FSHN-ja ka kontribuar e bashkëpunuar, që edhe sporti i notit në Shqipëri të jetë në rritje jo vetëm të rezultateve. Gjatë këtij viti që po mbyllim, veç financimit nga Ministria e Arsimit e Sporteve, ndihmë kemi patur edhe nga KOKSH-I, kryesisht nga Presidenti Fidel Ylli. Në vitin e kaluar, ne si federatë kemi organizuar periodikisht veprimtari kombëtare në të gjitha stinët e viti, e njëherësh kemi marrë pjesë në evente ndërkombëtarë europianë e botërorë. Me pjesëmarrjen tonë, tashmë noti shqiptar ka filluar të ndjehet dhe të tregojë se është një sport në zhvillim”. Natyrisht që për Presidentin Çiraku, vëmëndje iu kushtua edhe paraqitjes së veprimtarive kombëtare, ku sipas tij, ato po kthehen në evente rekordesh kombëtare. “Unë mendoj se serioziteti dhe puna që bëjnë trajnerët në të gjitha ekipet e notit, kanë sjellë përmirësim të dukshëm në garim me cilësi. Në çdo veprimtari që u zhvillua gjatë vitit 2023, janë thyer periodikisht rekorde kombëtare, ku kujtoj Kampionatin e fundit në pishinën 25m, në të cilin u thyenë 11 të tillë. Po në 2024-ën do thoni ju? Patjetër që masivizimi dhe organizimi do të rrisin më shumë nivelin e garimit, njëherësh do sjellin e rekorde të reja kombëtare”, kështu e mbylli Agim Çiraku bisedën për arritjet në 2023-in, dhe synimet për vitin 2024.

Fidel Ylli jep mbështetje nisiativës së FSHN-së

Ndërkohë që bisedonin së bashku dy presidentë, Fidel Ylli i KOKSH-it dhe Agim Çiraku i FSHN-së, një detaj shumë i rëndësishëm u shkëput nga ky bashkëbisedim, të cilin e organizoi sekretarja e notit shqiptar, Suela Haxhija. Pishina e Shkodrës dhe ajo e Vlorës, u bënë objekt i bisedës, por edhe i premtimit. “Si President i KOKSH-it, ju admiroj për nisiativën tuaj si federatë e notit. Ne do t’ju mbështesim që të rehabilitohet pishina e Shkodrës, dhe të ndërtohet ajo në Vlorë. Madje ju deklaroj se do kemi mbështetjen edhe nga Kryeministri Edi Rama. Ne e shikojmë ndryshimin e madh që është bërë nën drejtimin tuaj në FSHN, ndaj jo vetëm këto dy objekte sportive, por edhe në veprimtari të tjera jemi të gatshëm për bashkëpunim e ndihmë”, deklaroi Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli.

Viti 2024, edhe me qëndër Olimpike Kombëtare


“Fidel Ylli tregoi edhe disa nga lajmet e mira për vitin 2024, ku në fokus janë ngritja e objekteve sportive të standarteve evropiane e botërore: Një stadium modern, një Muze Olimpik Kombëtar dhe një Pistë skie gjigande”

Presidenti i KOKSH-it Fidel Ylli u dëgjua me shumë vëmendje nga të gjithë pjesëmarrësit që morrën pjesë në punimet e Asamblesë së 29-të të institucionit që ai e drejton. Një ligjëratë e gjatë, por në thelb konkrete, pasi u dëgjuan të gjitha arritjet, mosarritjet dhe federatat e individët, të cilët gjatë vitit që po mbyllim i kishin realizuar me sukses, ose jo, objektivat vjetorë të 2023-it. “Tirana e ka kryer misionin e saj si Qyteti europian i sportit në vitin 2023, e këtu gjej rastin të falenderoj Kryetarin Erion Veliaj për ndihmën e bashkëpunimin, si dhe drejtorin e sporteve në këtë bashki, Gjergji Muzaka. Dhe po në këtë vit që po mbyllim, dua të veçoj Projektin sportiv “Sporti për zhvillim”, i cili bashkoi federatat tona sportive për masivizimin e sportit në zonat rurale të dëmtuara nga tërmeti. Por në këtë hapësirë vjetore, projekti ynë i ekipeve sportive në shkolla, ishte një tregues që do flasë shumë shpejt në terren”, me këtë nisje Presidenti Ylli dha ekstraktin e punëve vjetore që po mbyllim. Ndërkohë, të tjera arritje u evidentuan gjatë materialit që ai e shpalosi në këtë Asamble të 29-të të KOKSH-it. Rezultatet e Luiza Gegës në Atletikë me 11 medalje vjetore, rezultatet e larta në veprimtaritë ndërkombëtare të Karatesë e Mundjes së Lirë me Kampionin e Botës Zelimkhan Abakarov, të Eklent kaçit si Kampion Bote në sportin e Bilardos, të Qitjes e Taivankdo, dhe në veçanti ardhja në Durrës e Tiranë të elitës europiane të Shahut me kampionë Bote, si edhe rezultatet e dy notarëve tanë të Olimpikut Special, këto ishin në fokusin e punimeve të kësaj asambleje, të cilat Presidenti Fidel Ylli i veçoi në materialin e analizës vjetore të institucionit që ai drejton. Por me interes u dëgjuan edhe disa nga piketat e punës për vitin 2024. “Natyrisht që viti 2024 ka më shumë hapësira në prioritetet e punës së KOKSH-it, ku në veçanti mbetet organizimi i Lojrajve të Europës Juglindore, duke i dhënë një mesazh politikës së këtij rajoni. Për këtë nismë, në Shqipëri do vijë për vizitë Presidenti i Komitetit Olimpik të Europës Juglindore, dhe lojrat e para mendohet që të zhvillohen në Tiranë. Do forcohet bashkëpunimi me homologët tanë në Kosovë e Serbi dhe shpejt do firmoset një marrëveshje me ta. Por KOKSH-i do ngrejë Muzeun Ulimpk të Shqipërisë, e për këtë ka bashkëpunuar me homologët e Çekisë. Ndërsa për vitin 2024, një nga projektet kryesore mbetet edhe ngritja e KAS-it të pavaruar, të ndihmuar kryesisht nga KAS-i i Lozanës”.

1 Muze

Në bashkëpunim edhe me Komitetin Olimpik të Sllovakisë, gjatë vitit 2024 do të ngrihet një Muze Olimpik Kombëtar

KAMPIONËT NË ASAMBLE

Luiza Gega synon sukses në Lojrat Olimpike

Gjatë vitit 2023 arritjet e altetes sonë Luiza Gega ishin të shumta. E pranishme në Asamblenë e 29-të të KOKSH-it, ajo deklaroi për gazetën “Telegraf” se ky vit që lamë pas do të mbetet për të frymëzim e pikë referimi për arritje të tjera gjatë vitit 2024. “Ne sot (dje) kemi dëgjuar një përshkrim të gjithçkaje që është organizuar dhe arritur nga KOKSH-i shqiptar gjatë këtij viti që po mbyllim. Edhe Atletika u veçua për rezultatet që janë arritur, e duke qënë brenda këtij sporti, unë reflektoj se gjatë vitit 2023 kemi bërë më të mirën, edhe pse mund të kishim të tjera rezultate të larta. Gjithsesi, në vitin e ardhshëm unë kam dy objektiva primarë: Të marr pjesë në Lojrat Olimpike Botërore dhe në Kampionatin Europian tëAtletikës që zhvillohet në Romë të arrij renditje të mirë”.

Izmir Smajlaj harron 2023, kërcim mbi 8m në 2024

Për atletin shqiptar Izmir Smajlaj, viti 2023 nisi dhe u mbyll me dëmtin, i cili e la jashtë çdo veprimtarie të atletikës që u zhvilluan gjatë 12 muajve të tij. Duke marrë pjesë në punimet e Asamblesë së KOKSH-it, Smajlaj deklaroi për gazetën “Telegraf” se viti 2023 do të mbetet i harruar për të, pasi kaloi një periudhë të “errët” të karrierës së tij. Por ai ka disa synime për vitin 2024, pasi kërkon që ti kalojë 8 metrat e kërcimit së gjati. “Për vitin 2023 që po mbyllim, me keqardhje nuk mund të flas për asnjë rezultat, sepse kalova një dëmtim që më la jashtë çdo veprimtarie. Tashmë po punoj fort për të marrë pjesë në Olimpiadën Botërore dhe në Kampionatin Europian të Atletikës. Në të dyja këto evente të mëdha unë do synoj që ti kaloj 8 metrat kërcim së gjati. Besoj se do t’ia arrij”.