KATEGORIA E PARË/ Ish-futbollisti lushnjar Artan Bano e shikon të plotësuar formulën me 12 skuadra
Agron KAJA

Kategoria e Parë e ka ulur siparin e sezonit 2024-2025, e tashmë skuadrat janë duke bërë llogaritë për sezonin e ri, 2025-2026. Në këtë sezon, në përbërje do jenë edhe Skënderbeu me Laçin që zbritën nga Abissnet Superiore, ndërsa janë ngjitur Luftëtari dhe Iliria nga Kategoria e Dytë. Së bashku me tetë skuadrat e tjera, për sezonin e ri do presim një kampionat më të luftuar. Por i këtij mendimi është specialisti i futbollit Artan Bano, i cili në karrierën e tij me trajningun në futbollin shqiptar, ka drejtuar skuadra të Superiores dhe Kategorisë së Parë, dhe në përshkrimin e sezonit 2024-2025, sipas tij kjo kategori është normale me skemën 12 skuadra dhe tre faza. “Duke ju referuar ecurisë së garës sezon pas sezoni, mendoj se për sezonin që mbyllëm, skema aktuale me 12 skuadra në përbërje dhe me tre faza, është më normalja. Sugjeroj këtë skemë, sepse duhet të kemi një shpërndarje gjeografike më të plotë, pasi duke e vështruar gjeografinë e Kategorisë së Parë, nga Jug-Lindja është vetëm Luftëtari i rikthyer pas disa viteve në inferiore. Të kemi shpërndarje gjeografike të mirë edhe në futbollin e traditës”, kështu e nisi dje bisedën Artan Bano, i cili u ndal edhe tek një analizë e shkurtër për skuadrat e sezonit që u mbyll. “Në sezonin e kaluar të Kategorisë së Parë, mendoj se më tepër spikati në anën profesionale tek trajnerët. Kishte trajnerë cilësorë këtë vit dhe dëshira e madhe e disa klubeve të mirëorganizuara e të mirëfinancuara si Vora, Flamurtari, Besa, Pogradeci e Burreli, i dhanë bukurinë e garës në 36 javë. Forma jo e mirë e disa skuadrave të tjera ndikoi në nivelin e cilësinë e garës, por mendoj se ishte një kampionat i fortë dhe me emocion. Ndaj e them se për nivelin dhe gjeografinë e saj, kjo skemë është e mirë për Kategorinë e Parë me 12 skuadra”. Për sezonin e ardhshëm, Bano mendon se gara do jetë edhe më e fortë, pasi sipas tij, janë Skënderbeu, Laçi, Besa e dy-tre skuadra të tjera që e bëjnë një Superiore brënda Kategorisë së Parë. “Për sezonin e ardhshëm, unë pres një garë më të fortë. Sepse do jenë edhe Skënderbeu me Laçin, duke shtuar Besën Pogradecin, Burrelin, Apoloninë, Lushnjën dhe pse ju Luftëtari. Duhet më shumë reklamë për të afruar sportdashësin e tifozeritë fanatike në këtë kategori. Kjo duhet të jetë si një detyrë shtëpie për gjithë drejtuesit e klubeve, trajnerë dhe vetë futbollistët”, kështu e mbylli bisedën Artan Bano për gazetën “Telegraf”.
TË FUNDIT NË FSHF
Sot në “Shtëpinë e futbollit” promovohet Euro U17
Kampionati Europian U17 do të luajë ndeshjet finale të Grupeve A dhe B, ndeshje, të cilat do të luhen nga data 19 maj e deri më 1 qershor në Tiranë. Tetë skuadrat pjesëmarrëse janë të ndara në dy grupe, Grupi A: Shqipëri, Francë, Gjermani, Portugali; Grupi B: Itali, Belgjikë, Angli, Çeki. Shqipëria që drejtohet nga italiani Andrea Tedesko, luan ndeshjen e parë më 19 maj kundër Portugalisë, ndeshjen e dytë më 22 maj ndaj Gjermanisë dhe ndeshjen e tretë më 25 maj ndaj Francës. Ky është eventi i parë i këtij formati që i besohet FSHF-së, për të cilin sot drejtuesit e futbollit shqiptar organizojnë një aktivitet promovues në ora 18:30 në Shtëpinë e Futbollit. Bilanci i skuadrës sonë është negativ me këto skuadra. Me Portugalinë 2 humbje, golavarazhi 0-7; me Gjermaninë 1 humbje 0-1 dhe me Francën 1 humbje me golavarazhin shumë negativ 0-10.
“Final 4” për Vajza dje përcaktoi kalendarin e finaleve
Apolonia-Vllaznia dhe Partizani-Gramshi, këto janë dy çiftet gjysmëfinale të fazës “Final 4” në futbollin shqiptar të vajzave. Ndeshjet e para do të zhvillohen në fushën e skuadrave të renditura në vazon e dytë, ndërsa ato të kthimit në fushën e skuadrave të vendosura në vazon e parë të shortit, i cili u hodh dje në “Shtëpinë e Futbollit”. Kështu, skuadrat u ndanë në dy vazo: Vllaznia dhe Gramshi, si skuadrat e renditura më mirë në klasifikim në vazon e parë, ndërsa Apolonia dhe Partizani, si ekipet e renditura në vendin e tretë dhe të katërt u vendosën në vazon e dytë. Në rast barazimi të rezultatit pas dy takimeve të lojës së rregullt, kualifikohet për në finalen e madhe skuadra e renditur më mirë në klasifikim. Ndërkohë, dy ekipet që nuk kalojnë në finale do të zhvillojnë një ndeshje me një takim për të përcaktuar vendin e tretë dhe të katërt.
Kukësi në Kategorinë e Parë, me merkato të bllokuar nga FIFA
Në sezonin që u mbyll në Kategorinë e Parë 2024-2025, skuadra e Kukësit qëndroi në këtë kategori falë fitores në ndeshjen Play-out ndaj skuadrës të Orikut. Por gjëja e parë që mbetet për t’u zgjidhur nga ana e drejtuesve është pikërisht zhbllokimi i merkatos nga FIFA, për shkak të problemeve me pagesat për lojtarë të ndryshëm që kanë fituar gjyqet. Këtu mbetet për t’u parë se si do të jetë Kukësi i sezonit të ri.
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Skuadrat pjesëmarrëse
1.SkënderbeuKorçë
2.Laçi Laç
3.Besa Kavajë
4.Burreli Mat
5.Pogradeci Pogradec
6.Apolonia Fier
7.Lushnja Lushnje
8.Korabi Peshkopi
9.Kastrioti Krujë
10.Kukësi Kukës
11.Luftëtari Gjirokastër
12.Iliria Fushë Krujë
VERDIKTET
U ngjitën në Superiore
Vora dhe Flamurtari
Zbritën nga Superiorja
Skënderbeu dhe Laçi
Zbritën në Kat. e Dytë
Erzeni dhe Valbona
U ngjitën në Kat. e Parë
Luftëtari dhe Iliria