Sigal

Trajneri i ri i Tiranës, Ardian Mema, e ka nisur prej disa ditësh punën e tij me bardheblutë duke zhvilluar disa seanca stërvitore, të cilat i kanë shërbyer teknikut, për t’u njohur me lojtarët e skuadrës. Mirëpo dalja e tij e parë për mediat është zhvilluar vetëm ditën e djeshme, pasi Mema nuk ka pritur prezantimin zyrtar për të nisur punën e tij me Tiranën. Në fakt prezantimi i zakonshëm në konferencë për shtyp në prani të mediave dhe presidentit, sërish nuk ka ndodhur, por në vend të saj, Ardian Mema ka folur me gazetarët në terrenin e stërvitjes të bardhebluve, tek kompleksi “Skënder Halili”.

Gjatë fjalës së tij me gazetarët, 48-vjeçari ka treguar për gjendjen se si e ka gjetur ai skuadrën dhe për atë çfarë ai kërkon të ndryshojë tek bardheblutë. Tekniku kryeqytetas është i mendimit se lojtarët duhet të njohin historinë e Tiranës dhe se ai do të përpiqet për të futur një frymë tjetër në këtë skuadër.

Si e pritët ftesën për të drejtuar Tiranën, në këtë situatë delikate?
Tirana është klub i madh. Unë kam dalë nga ky klub. Ftesën e prita me skepticizëm, pasi situata që po kalonte nuk ishte e mirë. Pashë dhe kalendarin dhe është shumë i vështirë, pasi kemi 3 ndeshje jashtë. I gjithë grupi vetëm së bashku mund ta kalojmë këtë situatë.

Me aq sa keni parë tek ekipi, çfarë ndryshimesh mund të bëni?
Nuk m’u desh shumë kohë për të kuptuar anën psikologjike të lojtarëve, vetëm 10 minuta. Lojtarët nuk janë mirë. Unë kam folur shumë me ta këto dy ditë dhe më ka mjaftuar për të kuptuar të gjithë problematikën që ka kjo skuadër përbrenda. Duhet kuptuar se ndryshimi nuk ndodh vetëm, por duhet të ulim kokën të gjithë bashkë dhe të punojmë për të arritur rezultatet dhe të dalim nga situata ku ndodhemi. Tifozët e bardhebluve janë shumë sensibël dhe e duan gjithmonë Tiranën në vendet e para.

Çfarë mendimi keni për lojtarët e shumtë të huaj në skuadër?
Duhet që grupi të kuptojë historinë e Tiranës, se si ka qenë ky klub dhe se si duhet të jetë. Do të mundohemi të fusim frymë të mirë në ekip.

Si është situata me dëmtimet?
Nuk kam ardhur në kohë të mirë, pasi dëmtimet kanë bërë të veten. Blazhevski ishte i fundit që u dëmtua. Nuk ka probleme serioze, fatmirësisht!

Sa i kënaqur jeni me kontigjentin e lojtarëve që keni në dispozicion?
Kur je në kohë merkatoje, bën zgjedhjet e tua dhe vazhdon me filozofinë tënde. Në kushtet që jemi tani do të përshtatem unë me futbollistët. Disa nga lojtarët që gjej më pëlqejnë, disa mund të kenë probleme në filozofinë time.

A mund t’i arrijë kjo Tiranë, objektivat që ka klubi?
Nuk dua të flas për objektivat. Duhet të dalim nga kjo gjendje dhe pastaj mund të flasim për objektiva.

Presidenti Halili tha se do të vendosë vetë për gjithçka. Në merkaton e janarit do të vendosni ju, apo ai?
Unë kam një akord me presidentin. Për lojtarët që do thirren, do vendos unë. Kjo është e padiskutueshme.