Arben Kokalari: Për këtë kategori, të ketë kritere të forta pranimi e licencimi

3191
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA E PARË/ Ja si e përshkruan ish-futbollisti i Tomorit rrugëtimin e skuadrave në 27 ndeshjet e Kampionatit që sapo përfundoi

Kategoria e Parë ka disa ditë që i mbylli ndeshjet e Kampionatit, por ka ende edhe tre të tjera, që sezonin 2017-2018 për këtë kategori të quhet plotësisht i përfunduar. Sot do të luhet finalja për Titullin Kampion, ku në “Elbasan Arena” do të ndeshen Tirana me Kastriotin, ndërsa të enjten, Shkumbini e Vllaznia B do të provojnë qëndrimin në kategori, pasi do të ndeshen në Play-off me Veleçikun e Orikumin. Për këtë situatë, por edhe për Tomorin në veçanti, dje për gazetën “Telegraf” foli ish-futbollisti beratas Arben Kokalari, i cili deklaroi se nuk ndjehet mirë që skuadra e tij e zemrës luan në kategori inferiore. “Kam kaluar rreth 20 vite me Tomorin, dhe këtë situatë as nuk e kisha provuar, por edhe nuk e kisha menduar në këtë periudhë. Nuk ndjehem mirë që po luan në Kategori të parë, por e pranoj se ky është realiteti, aq më shumë kur shikon renditjen. Sepse nuk ka arritur asgjë në këtë sezon, është treguar një skuadër modeste, duke paraqitur një situatë jo normale për historinë që Tomori ka në këto 85 vite që nga krijimi i tij”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij Arben Kokalari, i cili më pas u ndal edhe tek situata në këtë kategori, ku veçon nivelin e ulët. “Në të tria fazat, nuk mund të themi se kemi parë ndonjë rivalitet të prekshëm, apo ndeshje të spikatura. Për fat të keq, niveli nuk ka qenë i mirë, pasi, thuajse të gjitha skuadrat kanë pasur problematikat e tyre, që nga financat, stafet drejtuese, por edhe infrastruktura. Konkretisht, zbritën nga kategoria dy skuadra që kanë luajtur edhe në elitë, si Naftëtari e Korabi, ndërsa vjen në këtë kategori Vora, për herë të parë në historinë e saj. Të gjitha këto dritëhije, tregojnë se niveli nuk është në kërkesat që kjo kategori duhet të ketë”. E duke qenë se në Kategorinë e Parë hyjnë e dalin skuadra të Elitës, Kokalari këtë e sqaron me disa dukuri, që sipas tij, duhet të ketë kritere më të forta pranimi. “Duke zbritur e ngjitur këto skuadra, si Tirana, Partizani, Dinamo, apo edhe Vllaznia, e më pas kur Elbasani luan në të dytën dhe disa skuadra të tjera që kanë luajtur në Superiore janë në regres, niveli i futbollit bie në të gjitha kategoritë. Ka disa momente për këtë situatë, dhe unë do të veçoja sponsorët jo solidë në financa e në integritet, infrastrukturën jo në standardet e nevojshme, por edhe stafet teknike e drejtuese që nuk e menaxhojnë skuadrën në situatat e ekonomisë së tregut. Me skuadra Bashkie, futbolli shqiptar vetëm hapa prapa po bën”, kështu e përfundoi deklarimin e tij Arben Kokalari, ish-futbollisti i Tomorit.

 

Në të tria fazat, nuk mund të them se kemi parë ndonjë rivalitet të prekshëm apo ndeshje të spikatura. Për fat të keq, niveli nuk ka qenë i mirë, pasi, thuajse të gjitha skuadrat kanë pasur problematikat e tyre, që nga financat, stafet drejtuese, por edhe në infrastrukturë

1 finale

Sot, Tirana e Kastrioti do të luajnë ndeshjen finale për Titullin Kampion në Kategorinë e Parë 2017-2018

2 Play-out

Vllaznia dhe Shkumbini, do të luajnë ndeshje Play-out për Kategorinë e Parë, kundër Orikut e Veleçikut