Anglia, në prag të lamtumirës

462
Sigal

 “Tre luanët” dështojnë me Uruguain, i ndëshkon Suarezi i Liverpulit. Kualifikohet Kolumbia

 Anglia është shumë afër lamtumirës në Botërorin e Brazilit, pasi humbjes 2-1 me Uruguain, çka do të ishte një dështim total i një prej skuadrave që parashikohej të paktën të ishte në gjysmëfinale. Atë e mban në lojë vetëm matematika. Humbja e dytë e Runit e kompani, pas asaj me Italinë po me të njëjtin rezultat. Luis Suarez shënoi një gol të bukur për Uruguain në minutën e 39-të, pas një rreshtimi të gabuar të mbrojtësve të “tre luanëve”. Pas shumë përpjekjeve, Anglia gjeti golin në minutën e me anë të sulmuesit të Mançester Junaitid, Uejni Runi, i cili shënoi nga një distancë e afërt pas një kundërsulmit të shpejtë të Glen Xhonsonit. Ky ishte goli i 40-të i Uejni Runit me Anglinë, duke u bërë kështu golashënuesi i katërt më i mirë i të gjitha kohërave në vendin e tij, po aq sa Majkell Ouen. Por, në minutën e 85-të ishte sërish Luis Suarez ai që theu zemrat e anglezëve, me lojtarin e Liverpulit, të votuar edhe si lojtari më i mirë i Premier Ligës që shënoi një gol të bukur, duke mposhtur Hartin dhe i lënë “tre luanët” në buzë të “humnerës”. Një tjetër Botëror i dështuar për “shpikësit” e futbollit. Në takimin tjetër të ditës së djeshme, Kolumbia preu biletën, për në turin e dytë të Kampionatit Botëror, falë fitores 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë. “Los Cafeteros” dëshmuan forcën e tyre, teksa pesë ditë më parë kishin mposhtur 3-0 Greqinë. “Unë jam shumë i lumtur me paraqitjen e lojtarëve të mi. Ata treguan një kurajë të madhe dhe i dhuruan vetes një fitore të madhe”, – tha trajneri argjentinas i Kolumbisë, Hoze Pekerman. Ylli i ri Xhejms Rodriguez shënoi me kokë në minutën e 64-t (goli i tij i dytë në Botëror), ndërkohë që “xhokeri” Huan Kuintero (70’) dyfishoi avantazhin e Kolumbisë. “Unë jam shumë i gëzuar për golin tim, por përcaktuese e suksesit ndaj një kundërshtari të vështirë ishte skuadra”, – tha Rodriguez. Golin e vetëm për Bregun e Fildishtë e shënoi Gervinjo në minutën e 73-të. “Ne luftuam fort deri në fund të ndeshjes. Ishte një ndeshje e mirë, pasi që të dyja ekipet donin ta fitonin ndeshjen, por ekipi më me fat fitoi”, – tha trajneri Sabri Lamushi. Gjithsesi, “Elefantët” e Afrikës kanë ende shanse për të kaluar në turin tjetër, në rast se ata fitojnë kundër Japonisë në ndeshjen e 24 qershorit. Deri tani janë larguar nga Botërori, Spanja (kampione e botës në fuqi), Kameruni, Australia. Janë kualifikuar për në raundin e 1/8-ve Holanda, Kili dhe Kolumbia.

 Lotët që prekën botën

 Lotët e lojtarit të Kombëtares së Bregut të Fildishtë, Xheofroi Serej Die gjatë ekzekutimit të himnit të vendit të tij në ndeshjen e humbur kundër Kolumbisë (1-2) prekën gjithë botën. Babai i mesfushorit të Bazelit ndërroi jetë vetëm dy orë para se të niste ndeshja. Lajmin të ditur trajneri Sabri Lamushi.

“Spraj”, arma e njerëzve me të zeza

 Diccitura: Arbitri Çakir, duke përdorur sprajin gjatë Meksikë-Brazil, 17 qershor 2014

 I përdorur prej disa vitesh në Amerikën e Jugut, spraji, të cilin e shohim të aplikohet gjerësisht nga arbitrat për të respektuar distancën e përcaktuar ën rregullore gjatë goditjeve të lira është një nga kuriozitetet më të mëdha gjatë këtij Botërori. Ka qenë Stefan Lanu, arbitri ndërkombëtar që e zyrtarizoi atë gjatë Botërorit 2010, duke e shndërruar atë në një armë të re për të respektuar rregullat e lojës. “Nuk është një risi për arbritrat në Botëror. Ata e kishin përdorur tashmë në kuadër të kompeticioneve të moshave të organizuar nga FIFA, si në Kampionatin Botëror U-21 të zhvilluar në Turqi në vitin 2013. Kur ne kemi qenë në seminar vitin e fundit në këtë njëjtën kohë (arbritrat ishin në Brazil për t’u aklimatizuar) u përdor pikërisht ky spraj. Lënda është e tillë, që jo ajo zhduket pas një minute pas përdorimit në fushë”, – tha gjyqtari Lanu për mediat franceze. Në fakt, tani gjyqtarët mund t’i përcaktosh si njerëz “hi-tech”, pasi i sheh me mikrofona dhe kufje, me një pajisje të veçantë në krah që merr mesazhin kur topi kalon vijën e portës.

Tre parashikimet e ndeshjeve të sotme

 Kompanitë më të mëdha të basteve parashikojnë fitoret e Italisë ndaj Kosta Rikës, Francës me Zvicrën dhe Ekuadorit me Hondurasin. Kështu, fitorja e Italisë ndaj Kosta Rikës parashikohet me koeficientin 1.51 kundrejt 6.93 të kostarikanëve (barazimi 4.02). Fitorja e Francës është parashikuar me koeficientin 1.81 kundrejt 4.60 të Zvicrës (barazimi 3.50). Edhe fitorja e Ekuadorit ndaj Hondurasi kuotohet 1.86. Fitorja e Hondurasit është kuotuar me 5.38. Barazimi është 3.79.

 Parashikimet e basteve 1X2

18:00     Itali-Kosta Rika  1.51       4.02       6.93

21:00     Zvicër-Francë           4.60       3.50       1.81

00:00     Honduras-Ekuador   5.38       3.79 1.86

Parashikimet e “Telegraf”

18:00 Itali-Kosta Rika               (fiton Italia)

21:00     Zvicër-Francë           (fiton Franca)

00:00     Honduras-Ekuador   (fiton Ekuadori)

Mevlan Murati largohet nga Partizani

Mevlan Murati largohet zyrtarisht nga Partizani, edhe pse ishte nën kontratë me klubin e kuq. Palët arritën marrëveshjen për ndërprerjen e parakohshme të bashkëpunimit, pas kërkesës së vetë lojtarit. Në faqen zyrtare të klubit të kuq, mbrojtësi 20-vjeçar dha një deklaratë për shtyp, ku i falënderon tifozët për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë sezonit të fundit, por zgjedhja e tij ka të bëjë me faktin se ishte i detyruar të qëndronte pranë familjes. Futbollisti i përfaqësueses U-21 të Shqipërisë do t’i bashkohet Shkëndijës së Tetovës nga kampionatin maqedonas, ndërsa vendin e tij te Partizani pritet ta marrë mbrojtësi tetovar Ardian Cuculli, marrëveshja me të cilin mbetet çështje ditësh. Cuculli njihet mirë edhe nga trajneri Shpëtim Duro, që nuk e ka fshehur dëshirën për të pasur nën urdhrat e tij lojtarin që spikati me Shkëndijën e Tetovës gjatë sezonit që lamë pas.

Teuta rinovon me Nikën

Edhe për një sezon tjetër, Ansi Nika do të veshë fanellën e Teutës. Mesfushori 23-vjeçar arriti akordin me drejtuesit e klubit për të rinovuar me 1 sezon kontratën duke i vënë kapakun zërave për një rikthim të mundshëm te Vllaznia për sezonin 2014-2015. Lojtari shkodran kështu do të qëndrojë ende në Durrës nën urdhrat e trajnerit të ri Hasan Lika duke u konfirmuar kështu pjesë e rëndësishme ashtu si 4 sezone më parë.

Mersin, ofertë Sadikut

Me kontratën në skadencë te Helsinborg, Loret Sadiku është shndërruar në një lojtarët më të kërkuar për shumë ekipe europiane. Duke nisur nga Gjermania e Italia, për Sadikun oferta më e fundit vjen nga Turqia, me ekipin Mersin Idmanjurdut që ofron 1 milionë Euro për kartonin e Loretit. Kjo ofertë duket se josh Helsinborgun për faktin se ekipet e tjera duan ta marrin me parametër zero lojtarin kosovar pa shpenzuar asnjë euro.

U-17, zbor në Durrës

Ekipi Kombëtar U-17 i drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç. Sipas një programi të detajuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Ekipeve Kombëtare, kandidatët e kësaj skuadre, të datëlindjes 1998-1999, vazhdojnë seancat stërvitore, nën vëzhgimin e stafit drejtues të ekipit. Ky zbor, që ka nisur në datë 12 dhe do të vazhdojë deri më 22 qershor. Në shtator, në qytetet Vlorë dhe Fier, do të zhvillohen eliminatoret e Kampionatit Europian U-17.