KANDVËSHTRIM / Zonja dhe zotërinj, po luani keq me trajnerët!
Agron KAJA
Largimi të premten e kaluar i Gugash Maganit nga drejtimi i skuadrës së Lushnjës në Kategorinë e Parë, tregon për shumë mangësi në futbollin shqiptar. Por mbi të gjitha, po tregon se ky fenomen nuk e respekton institucionin e trajnerit, duke e prishur ritmikën e bazave të trajningut në futbollin tonë. Dhe ka një problem në këtë “turbullirë”: Vërtet je drejtues klubi, apo bashkie, por kur i jep besim një tekniku, jepi edhe kohën e mundshme. Sepse ka një kohë që mundet të mos rakordojë me synimet afatshkurtra. Por ka edhe një përvojë nga e cila duhet të mësojnë kur marrin vendime që prekin dinjitetin teknik të trajnerit. Po citoj të plotë njoftimin e Lushnjës për këtë shkarkim: “KF ‘Lushnja 1930” dëshiron të informojë të gjithë opinionin futbolldashës lushnjar për ndërprerjen e bashkëpunimit mes klubit dhe trajnerit Gugash Magani. Politikat dhe strategjia e klubit nuk u gjetën në vija të përbashkëta kooperimi me trajnerin, dhe për rrjedhojë, të dy palët dakortësuan ndërprerjen e kontratës! KF “Lushnja 1930” i përcjell falenderimet më të sinqerta trajnerit për gjithë kontributin e dhënë dhe i uron suksese të mëtejshme në karrierën e tij. Faleminderit Gugash Magani!”, kështu shkruante klubi i Lushnjës për këtë shkarkim. Por me pak vëmëndje, aty gjen kontradiktën e klubit me profesionin e trajnerit. P.sh: Kush janë personat që e shkruajnë këtë deklaratë? Sa ata janë në gjëndje që të mendojnë teknikisht më shumë dhe më mirë se trajneri Magani? Pse këta persona, bashkiakë, presidenta e drejtuesa klubi nuk e hapin një herë rregulloren e trajningut? Sepse kanë dalë zbuluar, dhe në tregun e trajningut nuk do gjejnë Murinjon, Guardiolën, Ançelotin apo Inzagin, që të largojnë Gash Maganin, trajner profesionist, njeri shembullor e korrekt. Në shtatë javët e para të këtij kampionati me 33 javë në gjithë sezonin, janë larguar katër trajnerë, dhe dukuria është se të katërt janë ekipe që renditen në gjysmën e dytë të tabelës. Që në këtë rast, edhe kjo është një dukuri tjetër, pasi duhet thënë se në këto skuadra i drejtojnë persona me njohuri të pakta menaxheriale të skuadrave të futbollit. Trajneri dhe skuadra janë të pandashëm nga njëri-tjetri, dhe së bashku me drejtuesit formojnë trekëndëshin e konsolidimit të skuadrës: Klub-Trajner-Lojtar. Dhe me këtë rast, po ju kujtoj të gjithëve atyre që merren me këto largime: Zonja dhe zotërinj, po luani keq me trajnerët!
LEGJIONARËT
Për golin e parë , Mario Mitaj shmangu pesë lojtarë

Fundjava la gjurmë të dukshme te Legjionarët e Kombëtares sonë, dhe së pari veçohet mbrojtësi Mario Miraj që luan te Al Ittihad në Arabinë Saudite. Mitaj ka shënuar golin e parë në fitoren 3-1 kundër Al Qadisiya, për raundin e shtatë në kampionat. Mitajn tërhoqi vëmendjen në minutën e 81-të, ku pasi shmangu 4-5 lojtarë kundërshtarë dhe me të djathtën e tij e dërgoi topin në rrjetën kundërshtare, goli i qetësisë. Kujtojmë se 21-vjeçari Mitaj kaloi në verë nga kampionati rus në Arabinë Saudite, ku është bashkëlojtar me Benzema dhe Kante. Për paraqitjen e tij në këtë përballje, mbrojtësi Mario Mitaj u vlerësua me notën 7.7 nga faqja e specializuar e statistikave “SofaScore”. Te skuadra Al Ittihad, Diabi dhe Kante morrën vlerësim më të lartë se se ai në këtë përballje. Në dy ndeshjet e Kombëtares, me Çekinë e Gjeorgjinë, Mitaj ishte titullar, por pa shumë shkëlqim.
Myrto Uzuni bën dopietë: Bashkë për në La Liga

Ditën e shtunë, një dygolësh me peshë për fitoren u shënua nga Myrto Uzuni, në sfidën e javës së 10-të ndaj Tenerife. Pas ndeshjes, Uzuni iu drejtua tifozëve me thirrjen: “Bashkë për La Liga-n”. Kujtojmë se sulmuesi beratas, me dy golat që shënoi, i hapi rrugën e fitores skuadrës së Granadës, e cila e fitoi këtë sfidë 4-0. Pas 3 pikëve të marra, Në tetë javët që ka luajtur, Uzuni shënoi golin e katërt të tij në këto 10 javë kampionat, duke e ngjitur skuadrën në vëndin e 6-të, në zonën Play-off për ngjitjen në La Liga. Në faqet e para të mediave sportive spanjolle, citohej e plotë thirrja që ai u bëri tifozëve pas ndeshjes, me një mesazh të shkurtër. “Shumë faleminderit që erdhët sot, kjo fitore dhe golat e mi janë gjithmonë për ju. Shumë faleminderit për mbështetjen dhe jam gjithmonë këtu për të shënuar gola”. Për dy ndeshjet me Çekinë e Gjeorgjinë, Uzuni ishte i dëmtuar dhe u largua.
Trajnerë të larguar
Sezoni 2024-2025, Javët 1-8
Skuadrat Larguar Afruar
Erzeni J. Bespalla E. Luga
Apolonia A. Mergjyshi Pajaziti
Kastrioti D. Bubeqi S. Nica
Lushnja G. Magani ?

Besa lëshoi kreun e renditjes pas tetë javësh kryesimi, Flamurtari ia morri kreun në javën e 8-të.
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 8
E dielë, 20 tetor 2024
Erzeni-Besa 0-0
Valbona-Korabi 0-1
Kukësi-Kastrioti 0-1
Vora-Lushnja 1-0
E hënë, 21 tetor 2024
Flamurtar-Pograde 4-0
Apolonia-Burreli 1-1
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Flamurtari 8 21
2.Vora 8 21
3.Besa 8 20
- Kastrioti 8 13
5.Burreli 8 12
6.Pogradeci 8 9
7.Lushnja 8 9
8.Kukësi 8 9
9.Korabi 8 8
10.Apolonia 8 6
11.Valbona 8 5
12.Erzeni 8 2
Mbyllet java e 8-të, Flamurtari merr kreun

Me dy ndeshjet e fundit, Flamurtari-Pogradeci 4-0 dhe Apolonia-Burreli 1-1, dje u mbyll java e 8-të e Kategorisë së Parë. Në Vlorë, Flamurtari vëndas tregoi se është në rrugën e kryesimit. Sepse jo vetëm që fitorja ishte bindëse dhe e pastër 4-0, por edhe se vlonjatët ishin superiorë gjatë gjithë takimit, ndoshta ishte edhe një Pogradec në ditën e tij më të keqe. Meritë kryesisht e gjithë skuadrës, e cila ka pesë ndeshje me fitore, ndërkohë që Pogradeci mbetet në “klasë” në ndeshjet e transfertës. Ndërkohë që Apolonia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në stadiumin e saj “Loni Papuçiu” në Fier. Madje ishte skuadra e Burrelit që shënoi e para, për ta bërë sfidën edhe më të fortë, pse jo, në disa raste edhe të ashpër, sidomos në pjesën e dytë. Interesante do jenë dy çiftet e javës së 9-të, Besa-Vora dhe Kastrioti-Flamurtari.






















