Agron KAJA/ Shensoi “dogji” Kukësin, dënimi fundi i tij

490
Sigal

 OPINION/ Sekondat e “ngrëna” me Skënderbeun, “hëngrën” trajnerin dhe vetë skuadrën veriore!

Na u desh java e 14-të që të kujtohemi e t’i rikthehemi përsëri diskutimit të fenomenit të dhunës në fushat e stadiumet tona, pasi dukej se për një periudhë relativisht normale kishim rënë në qetësi nga ky element. Gjithsesi, duhej një njeri me statusin e një trajneri që ta prishte qetësinë dhe të na ripërsëriste për të disatën herë se në fushën e blertë është anormal në marrëdhëniet me gjyqtarët. Se kështu ka ndodhur me Naxhi Shensoin thuajse në çdo ndeshje që ai ka drejtuar skuadrat shqiptare, si me Bylisin në sezonin e kaluar, ashtu edhe me Kukësin në këtë sezon. Për këdo që merret me futbollin shqiptar, kur sjell ndër mend sa e sa protesta të këtij trajneri ndaj gjyqtarëve, ndeshje pas ndeshjesh, të duket sikur ky është një “UFO” që di gjithçka për fushën e lojës dhe do që kjo gjithçka të bëhet sipas mendjes së tij. Keq, shumë keq për këtë njeri që ka marrë edhe një liçencë trajneri diku në Europë, ndërkohë që në Shqipëri po na sjell një rrymë të zezë të trajningut, të cilën edhe spektatori më i thjeshtë e përqesh dhe e përbuz. Sepse kushdo që ka parë fundndeshjen Kukësi-Skënderbeu (1-1), qoftë në stadiumin “Zeqir Ymeri” apo edhe nëpërmjet ekranit të televizionit, ndoshta e ka nxjerrë një konkluzion personal se pse degjeneroi në dhunë kjo ndeshje. Parë me objektivitet, kjo dhunë duhet pranuar se erdhi pa shkak, por me një pasojë të rëndë. Dhe kur këto gjykohen të dyja bashkë, të adresojnë me të drejtë tek emri i trajnerit Naxhi Shensoi, i cili pasi protestoi si ndonjë ushtarak rebel humbës pas lufte, “gudulisi” edhe mendjet e disa çunave të Kukësit, që edhe ata nuk ditën të ndajnë mirë detyrën që kanë në kuadrin e një ndeshjeje futbolli me atë në administratën lokale. Të nxitur nga trajneri që e nisi protestën për të shfajësuar veten me barazimin, ata nuk kanë marrë parasysh edhe detyrimin që ia sjell ligji një tifozi, i cili kategorikisht nuk duhet të hyjë në fushën e lojës në çdo rrethanë që ndodh nga aktorët brenda saj. Pra, ish-trajneri Shensoi (kështu e meriton ai t’i thuhet me këtë rast), ishte shkaku dhe pasoja e kësaj dhune të dënuar nga Komisioni i Disiplinës i FSHF-së, i cili duhet të ishte edhe më i rëndë për teknikun. Sepse ky dënim që morri ish-trajneri i Kukësit (12 ndeshje pezullim nga aktiviteti), me atë performancë halabake që tregoi në fundin e ndeshjes, ndoshta është pak. Duke i mbledhur rastet e përsëritura të sjelljes së tij të dobët në bankinat ku ka drejtuar, duket se erdhi koha që futbolli shqiptar ta shpallë “non grata” Naxhi Shensoin dhe jo t’i dalë në krah atij për atë kulturë anti-sportive që po demonstron. Ndoshta do të ishte në të mirën e futbollit që asnjëra nga skuadrat shqiptare mos ta pranonte në bankinë këtë kloun. Sepse sot sjellja e tij prej të forti e prej një super të dituri për pozicionin e çdo aktori në fushën e lojës, tashmë ka dënuar gjithë qytetin e Kukësit, ku vetë kjo krahinë, qoftë në anën sportive, por edhe në atë kulturore, nuk veçohet për temperamente të tilla vulgare. Nëse qytetarët kuksianë e duan me të vërtetë futbollin e tyre, ata duhet të reagojnë me forcë ndaj veprimeve të këtij trajneri, ndërkohë që edhe vetë presidenti i skuadrës së Kukësit duhet të ndajë mirë shkakun e dhunës me pasojën e saj. Nëse në Kukës kanë të dhëna se kjo që ndodhi në fundin e ndeshjes Kukësi-Skënderbeu është bërë me urdhër nga Korça, mirë do të ishte që t’i vërtetonin me fakte, e më pas këto fakte t’i çojnë në trupat gjykuese të FSHF-së, pasi kështu do t’i bënin një shërbim shumë pozitiv vetes dhe futbollit tonë superior. Sepse FSHF-ja nuk shahet apo kërcënohet vetëm kur të ndëshkon për shkeljen e rregullave e ligjeve sportive, sepse kjo lloj proteste që po bëhet pas dënimit nga Komisioni i Disiplinës nuk hyn në asnjë cep të burrërisë e të kulturës kuksiane. Ndëshkimi i shkakut që solli këtë pasojë do të ndalë edhe pasoja të tjera të kësaj natyre, apo edhe elementë të tjerë të dhunës që “flenë” nën “rrogozin” e futbollit. E duke qenë se Shensoi me dënimin që morri nga FSH-ja e mbylli sezonin 2013-2014, do të ishte edhe në të mirën e tij që ai të largohej përfundimisht nga futbolli ynë, të shkojë e të qetësohet diku larg topkëmbës sonë. Sepse nuk ka nevojë askush për kokëfortët pa kokë logjike. Me këtë dënim që e “polli” sjellja e ish-trajnerit të Kukësit, tifozët kuksianë do të përmallen për të parë pak futboll në stadiumin e tyre. Ta gjejnë këtë të keqe te Shensoi, tek ata që pranojnë trajnerë me të tilla performanca njerëzore, por edhe tek vetja, sepse për ekipin e Kukësit ky është dënimi i dytë brenda një sezoni futbollistik.

3 pikë

Kaq pikë ju zbritën skuadrës së Kukësit nga renditja, pas dënimit nga Komisioni i Disiplinës në FSHF

  4 ndeshje

Pas dënimit nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, skuadra e Kukësit do të luajë 4 ndeshje jashtë stadiumit të vet

  2 dënime

Ky është dënimi i dytë që trupat gjykuese në FSHF i japin skuadrës së Kukësit gjatë sezonit në vazhdim

KATEGORIA SUPERIORE

Ndeshjet-Java e 15-të

Datë 14 dhjetor 2013

Bylis-Laçi           13:30

Skënderbeu-Tirana     14:00

Teuta-Kukësi          17:00

Datë 15 dhjetor 2013

Vllaznia-Lushnja    13:00

Kastrioti-Flamurtari  13:00

Partizani-Besa        13:30

RENDITJA

1    Skënderbeu      14   +10  27

2    Partizani       14   +2   23

3    Laçi            14   +1   22

4    Flamurtari      14   +3   20

5    Teuta           14   -1   20

6    Kukësi          14   +1   19

7    Besa            14   -2   18

8    Bylis           14   +2   18

9    Vllaznia        14   +2   18

10   Lushnja         14   -3   18

11   Kastrioti       14   -5   15

12   Tirana          14   -10  11

– Flamurtarit dhe Kukësit u janë zbritur nga tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

Drejtuesit kërkojnë heqjen e dënimit nga Komisioni i Apelit. Kërcënojnë me përshkallëzim

 Dënimet nga FSHF-ja, tifozët kuksianë në protestë

  Tifozët e Kukësit protestuan fuqishëm ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, duke mos i pranuar vendimet e Komisionit të Disiplinës, për zbritjen e tri pikëve nga klasifikimi, zhvillimin e katër ndeshjeve jashtë fushe dhe pezullimin me 12 ndeshje të trajnerit, Naxhi Shensoi. Qindra tifozët në Kukës protestuan sërish dje kundër dënimit të ashpër që FSHF-jam, pas incidenteve që shoqëruan fundin e ndeshjes Skënderbeun. “Është padrejtësi dhe një masë e ashpër që po merret në vazhdimësi ndaj ekipit tonë. Nëse kjo do të vazhdojë, ne do të protestojmë edhe në Tiranë”, tha një prej protestuesve. Menjëherë pas ndeshjes në Kukës, të dielën e kaluar me Skënderbeun e Korçës, ekipi kuksian u dënua ashpër nga Komisioni i Disiplinës, lidhur me ngjarjen pas përfundimit të ndeshjes, ku disa prej tifozëve kuksianë u futën në fushën e futbollit, në shenjë proteste ndaj arbitrit të ndeshjes. Protestuesit marshuan përgjatë gjithë bulevardit, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve për minuta të tëra. Protesta u ndoq nga forcat e Policisë.