PROFIL/ Pjesë e historisë së notit shkodran dhe atij kombëtar, në rrëfimin e karrierës së tij. E vlerësojnë Mjeshtri i Madh Sadik Mema, Gjon Shyti dhe Tonin Radovani
Agron KAJA

Duke qënë ish-notar i elitës, si e mbani mënd një shkrim apo një kronikë sportive që është folur për ju?
Më kujtohet dhe më ka bërë më shumë përshtypje si kur kam fluturuar, kur gazeta “Sporti Popullor” shkruajti për mua si notari më i mirë me 5 Medalje Ari në Spartakiadën e 5-të Kombëtare të vitit 1989. Ishte diçka e madhe, ku edhe shkrimi ishte shkruar bukur.
Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë dhe si i kujtoni rrethanat?
E kam nisur në moshën e re, në vitin 1983 me trajner Franc Nogën. Në Shkodër thonë “Më parë mëso Notin, se sa të flasësh”! Kjo shprehje është kthyer në traditë, ndaj edhe unë këtej u nisa, por mendoj se ishte edhe pasion për mua ky sport.

Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?
Pasi e nisa me moshat e vogla dhe të Rinjtë, në vitin 1985 me Vllazninë të Rritur. Në atë periudhë, Vllaznia kishte ekipin e notit nga më elitarë në Shqipëri. Dhe, me Vllazninë e nisa dhe e mbylla, njëherësh edhe me Kombëtaren disa vite.
Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?
Gara e para me të Rriturit ishte në vitin 1985 në Durrës, në 100 m dhe 200 m Shpinë. Kishte rivalitet me Tomor Dano, Shpëtim Muço, Tonin Radovani etj. Këtu ka qënë edhe rekordi im i parë në 100 m dhe 200 m stil Shpinë, garë mbresëlënëse.
Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?
Me fëmijët kisha Fatmir Halilin dhe Nazmi Cirilamin, ndërsa me të Rinjtë, Franc Noga. Me të Rriturit kisha Halim Zaganjorin, Ridvan Gjeçajn dhe Gjon Shyti. Të gjithë ishin të përkushtuar, por Fatmir Halili e përgaiste fidanishten e talenteve.
Po garat që ju keni bërë gjatë karrierës suaj, në cilat stile kanë qënë?
Për një dekadë në sportin e Notit, gara më e mirë për mua ka qënë ajo e zhvilluar në Spartakiadëne 5-të Kombëtare 1989. Në 100 m e 200 m e lashë notarin e dytë rreth 12 m pas. Atëhere thonin se Iliri na e “prishi” konkurrencën në sportin e notit.
Keni garuar në pishinë, në det të hapur dhe në maratonë, ku e keni patur më të lehtë?
Natyrisht që më e lehtë gara ishte pishinë, sepse në Shkodër stërviteshim në liqen dhe në lumë. Ndërsa në fundin e viteve ’80 u ndërtua pishina në Shkodër me përmasa 25 m, e cila na ndihmoi të përshtateshim me kushte që ajo afronte.
Cilët ishin rivalët tuaj në garën e Shpinës, apo edhe në thyerjen e rekordeve kombëtare?
Rivalët për mua kanë qënë Tomori, Tonini, Shpëtimi, Gentian Bleta etj, të cilët jo vetëm që i bënin garat më rivale, por u jepnin atyre bukurinë dhe na dhuronin kënaqësinë e garimit. Kishim rivalitet në garë dhe shoqëri jashtë gare.
Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notar, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?
Në periudhën 1982-1992 unë garova me të gjitha kategoritë e moshave me Vllazninë, dhe për një periudhë pesë vjeçare edhe në përbërjen e Kombëtares së notit. Vllaznia dhe Kombëtarja më dhanë bukurinë e karrierës.
Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notar i elitës?
Gara ime e fundit në sportin e notit ishte si një “Mirë u pafshim”, e ditur që nuk do vazhdoja. E lashë si kampion në garat 100 m dhe 200 m të stilit Shpinë, ku ishin rivalë edhe disa notarë të rinj, por kujtoj Dritan Bletën e disa të tjerë.
Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit?
Mendoj se në atë periudhë kur unë ushtrova sportin e notit, infrastruktura ka qënë pak e dobët, por ngritja e pishinave në Tiranë e Durrës sikur e ndryshuan gjëndjen. Më e mirë ka qënë në Tiranë, ku në garat që kam zhvilluar këtu kam patur suksese.
Gjatë kohës që ushtroheshit në not, jeni marrë edhe me sporte të tjerë?
Po, unë kam luajtur edhe basketboll dhe jam ushtruar në atletikë. Sepse atletikën e kishim si bazë në sportin e notit, ndërsa basketbolli për mua ishte pasion. Atëhere në Shkodër, sporti i basketbollit ishte në nivele të larta, e kujtoj Avenir Kalanë
E keni ndjerrë veten si pjesë e notarëve që kanë ditur të notojnë dhe të garojnë si kampionë?
Po patjetër që kështu e kam ndjerrë, mandje edhe sot ashtu ndjehem. Karriera ime kështu flet që nga viti 1986 me Kombëtaren e të Rriturve, aty kur barazova rekordin europian për të Rinj në garën 100 m Shpinë, garë që u zhvillua në Durrës.
Si e mbani mënd garën e fundit e karrierës suaj si notar, në cilën pishinë ka qënë?
Ka qënë një garë shumë mbreslënëse, një garë pa emocionin e zakonshëm për një vazhdimësi. Pra, për mua ajo ishte dhe mbeti një “mirupafshim të gjithëve”. Dhe u ndava si kampion në garat 100 e 200 m Shpinë.
Ju e ndiqni sot ritmikën e garave të notit në Shqipëri, në Europë e Botë?
Me mundësitë që më krijohen e ndjek. Në Athinë shkoj kur ka evente europianë e botërorë, kur vjen aty edhe Gjon Shyti si trajner i Turqisë. Unë në vitin 2021 dola kampion në Kampionatin Grek për Veteranët, në 50 m Shpinë. Nostalgji!
E keni dëshirën, apo mundësinë, që ende ju të notoni apo të trajnoni në një ekip noti?
Dëshirën e kam, por kohën jo. Kur gjej rastin, më shumë notoj në det, sepse kushtet të tilla janë këtu në Greqi. Ndoshta një ditë edhe mund të rikthehem, sepse është pasioni që më tundon, por në këto rrethana sot, jo.
Në këto vite dhe në këtë moshë, si ndjeheni që Vllaznia nuk ka një ekip elite si dikur në sportin e notit?
Së pari, falenderoj Kol Shirokën që po e mban ndezur pishtarin e notit në Shkodër. Por mendoj se Klubi i Vllaznisë e Bashkia kanë detyrimin ta mbështesin, sepse noti kërkon investim e mbështetje financiare, nuk ka ku ti nxjerrë si futbolli.
Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju veteranët e Notit?
Kjo shoqatë është diçka e mirë jo vetëm për ne që sot kemi statusin e veteranit të notit, por edhe për të rinjtë që garojnë në këtë sport sot. Jo vetëm që kujton historinë, por kjo shoqatë tregon se jemi ende të shëndetshëm në bazë të sportit të notit.
Ilir Ymeri ka qenë një talent i lindur, dhe me punën që ka bërë ai me trajnerët e tij ka arritur rezultate të larta. Historia e notit shqiptar kujton se njërin nga rekordet që ai ka arritur në vitin 1989, qëndroi i pathyer për më shumë se 30 vite

5 MEDALJE
Ilir Ymeri ka hyrë në historinë e notit shqiptar me fitimin e 5 Meda;ljeve të Arta, të cilat i fitoi në garat e Spartakiadës së 6-të Kombëtare në vitin 1989. Këtë nuk e kishte arritur asnjë sportist më parë në historinë e këtij aktiviteti
33 VITE
Në garat e stilit shpinë, Ilir Ymeri i ka thyer të gjitha rekordet e mundshme, madje njëri prej tyre pati një jetëgjatësi 33 vjeçare, derisa u thye pak kohë më parë nga një notar shqiptar që aktualisht stërvitet në Austri.
Flet Mjeshtri Tonin Radovani
Ka qënë një ndër yjet e Shqipërisë në sportin e notit

Për Mjeshtrin e notit shqiptar Tonin Radovani, personaliteti i Ilir Ymerit si kampion dhe rekordmen në këtë sport, e zhvendos atë në këndin e një nga notarët më fantastikë që ka patur Shqipëria. “Mund të flas për Ilir Ymerin me sinqeritetin më të madh. Ai ka qënë një ndër yjet e Shqipërisë në sportin e notit, se Shqipëria ka patur shumë yje në këtë sport e një prej tyre është edhe Iliri. Unë kam bërë not me Ilirin në stilin Shpinë, ku pasi munda Tomor Danon, më mundi mua Iliri. Në karrierën e tij ai ka thyer shumë rekorde kombëtare, duke u futur në listën e notarëve më të mirë të Shqipërisë. Në karrierën e tij ai i ka dhënë notit shqiptar shumë, edhe pse me kushtet dhe përrkahjen kanë qënë jo të mira. E mendoj një nga notarët më fantastikë që ka patur Shqipëria. Me Ilirin, noti në stilin e shpinës mbeti me kampionët në Shkodër”.

Viti 1986, pranë rekordit europian
Me rastin e 55 vjetorit të lindjes së Ilir Ymerit, ish-trajneri që e ka stërvitur, Ridvan Gjeçaj është shprehur mediatikisht me konsidetarë të lartë për këtë notar, duke e u shprehur se ka qënë pranë rekordit europian për të rinj. “Në vitin 1986, Iliri ka thyer një rekord kombëtar, i cili ka qënë pak të qindrat e sekondave larg nga rekordit europian për të Rinj. Duke i shtuar këtu edhe titujt kampionë që ka fituar në karrierë, e kanë vlerësuar atë si një sportist të veçantë, një talent i lindur dhe me punën që kemi bërë me të, kemi arritur rezultate të larta”.
Të veçantat e karrierës si kampion dhe rekordmen

#Në vitet ’80 ai i ka dhënë Shkodrës dhe klubit Vllaznia rreth 80 tituj kampionë si individ. Ka thyer shumë rekorde kombëtare, ndërkohë që kulmet e tij në arritjet që shënoi e ka patur në vitet 1985-1992.
#Do të mbahet mend nga të gjithë për rezultatet e larta që ka arritur në Spartiadën e 6-të Kombëtare në vitin 1989 kur fitoi 5 medalje të arta, arritje kjo që nuk e kishte arritur asnjë sportist më parë në historinë e këtij aktiviteti.
#Iliri u shpall me të drejtë notari më i mirë i gjithë Spartakiadës 6-të Kombëtare, ku ka zënë vendin e parë në garën 100 m shpinë, 200 m shpinë, 200 m katërnotim, në stafetën 4 x100 m i përzier dhe 4x 200 m stil i lirë, stafetë.
#Në garat e stilit shpinë ka thyer të gjitha rekordet e mundshme, madje njëri prej tyre pati një jetëgjatësi 33 vjeçare, derisa u thye pak kohë më parë nga një notar shqiptar që aktualisht stërvitet në Austri.
#Në vitin 1986, rekordi i thyer prej Ilirit ka qenë pak të qindrat e sekondave larg nga rekordi europian për të rinj. Duke shtuar edhe titujt e shumtë kampionë që ka fituar, e ka bërë atë një sportist të veçantë.

KONSIDERATA E VLERËSIME
Sadik Mema, Mjeshtër i Madh
Iliri, notar i talentuar, vlerë e historisë së notit shqiptar

Në vlerësimin e tij për notarin Ilir Ymeri, Mjeshtri I Madh Sadik Mema, sjellë në kujtesë disa cilësi të tij, të cilat kanë bërë histori në sportin e notit. “Iliri është ndër notarët më të mirë të historisë së notit shqiptar. Shkëlqeu në periudhën 1980-1990 duke përmirësuar të gjitha rekordet kombëtare në stilin e Shpinës, në pishinat 50 dhe 25 m, si edhe në katërnotim. Ai ka qënë një sportist i talentuar, i tillë edhe si një njeri model. Ka qënë për disa vite edhe antar i ekipit kombëtar të notit, ku ka marrë pjesë në veprimtarinë ballkanike duke u klasifikuar në vënde kryesuese. Personalisht ruaj respekt për Ilirin, do kujtohet si një notar i “pa thyeshëm”, ku rekordi i tij në 200 m Shpinë u thye pas 15 viteve. Do kujtohet edhe si një talent, shumë puntor dhe një vlerë e historisë së notit shqiptar. Edhe Shoqata Kombëtare e veteranëve të Notit, kontributin e tij e ka dekoruar me medaljen “Nderi i Notit Shqiptar”. Pavarsisht se Iliri banon në Greqi, jeton me notin shqiptar duke qënë aktiv në Shoqatën tonë”, kështu e vlerëson Sadik Mema notarin Ilir Ymeri.
Gjon Shyti, trajner noti
Në shpinë, Iliri ishte një spektakël, ishte art dhe sinfoni

Një nga figurat e mëdha në trajningun e notit shqiptar, Gjon Shyti, shprehet me vlerësime të larta teknike e profesionale për Ilir Ymerin si një notar elite. “Ilir e ka nisur aktivizimin e tij me Vllazninë e notit që në moshë të vogël, 10-11 vjeç. Që atëhere ai ka tërhequr vëmendjen për lehtësinë që e karakterizonte në ekzekutimin e teknikes në stilin Shpinë. Spostimi në ujë, ishte mbi normalen për moshën e tij dhe ku elegancën e notimit të tij mund ta shikonim te notarë 3-4 vjet me të mëdhej. Me kalimin e kohës, por gjithmonë shumë shpejt në krahasim me notarët e tjerë, Iliri permirsoi edhe teknikat e tjera të notimit që rriten në mënyrë të djeshëm kualitetin e tij si notar me një talent të padiskutueshëm. Shumë shpejt nisën të realizohen rekordet për moshat e kategoritë ku garonte. Një notar eklitik që kalonte me thjeshtësi nga gara e notimit shpinë, në katernotim e stil i lirë, veçanërisht notimi në shpinë ishte një spektakël, art dhe sinfoni. Për mua, ai mbetetnotari më i talentuar që vendi ynë kishte pasur që nga fillimet e notit e deri në atë kohë kur notonte”, ishte ky vlerësimi i trajnerit Gjon Shyti për notarin Ilir Ymeri.
CV Sportive Ilir Ymeri

Datëlindja: 25 prill 1970
Vendlindja: Shkodër
Vendbanimi: Athinë-Shkodër
Arsimi: Shkolla e masme e ndërtimit
Profesioni: Mekanik
Sporti që ka ushtruar: Notin
Starti i karrierës në elitë: Në vitin 1985
Skuadra e parë elitare në karrierë: Vllaznia në vitin 1982
Ekipet ku ka garuar: Me Vllaznië 1982-1992
Stili i preferuar në gara: Stil Shpinë dhe Katërnotim
Me Kombëtaren: Në vitet 1986-1992
Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1985 në Durrës
Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1984 në Stilin e Shpinës në 100 m dhe 200 m, thyeu rekordin e Tomor Danos
Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1991 në Lojrat Mesdhetare në Athinë
Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1992 në Tiranë, Kampionat Kombëtar
Fitues në gara gjatë karrierës: Në Stilin Shpinë dhe në Stafetë Katërnotim
Largimi nga Noti: Në vitin 1992
Tituj e trofe si notar: Mjeshtër Sporti, Nderi Notit Shqiptar, Medalje në Shkodër, si notari më i mirë në një shekull
Aktualisht: Në Greqi
Mendoj se në atë periudhë kur unë ushtrova sportin e notit, infrastruktura ka qënë pak e dobët, por ngritja e pishinave në Tiranë e Durrës sikur e ndryshuan gjëndjen. Më e mirë ka qënë në Tiranë, ku në garat që kam zhvilluar kam patur suksese
Mes Mjeshtrave të ujit, Ilir Ymeri në podiumin e historisë

Vllaznia eshte nje klub me nje histori mbishekullore, dhe padyshim që për lartësimin e këtij emri në vite kanë kontribuar shumë sportistë dhe trajnerë, të cilët kanë dhënë gjithçka për këtë fanellë, për këtë emër. Sporti i notit ka qenë ndër më të suksesshmit e këtij klubi në vite, dhe kjo nuk do të thotë se është anashkaluar, sepse nuk mund të harrohen emrat e mëdhenj të këtij sporti, nuk mund të harrohet familja Shestani, familja Muriqi, nuk mund të harrohet Selami Ibrahimi, Azem Plisi, Tonin Radovani, Sadi Anadolli, Ethem Avdia, Anila Egerçi, Mimoza Alia, Rovena Marku, Kudrete Kozmai, Flutura Shkenza, të trajnerëve të shquar të këtij sporti si Shuajp Mehmeti, Ridvan Gjeçaj, Franc Noga, Smajl Muriqi, Kudrete Kozmaj, Halim Zaganjori, etj. Dhe këtu hyn edhe Mjeshtri Ilir Ymeri, si një kampion i madh i këtij sporti.





















