PËRVJETORI/ Datëlindja e 100-të e një “zonje” të futbollit shqiptar në një libër domethënës
Agron KAJA
Këtë fundjavë, pikërisht të shtunën e 25 tetorit 2025, Sport Klub Besa feston 100 vjetorin e krijimit të saj. Historia nis më 25 tetor 1925 kur fillimisht u themelua me emrin “Shoqata Kulturore-Sportive Adriatiku” si një klub shumsportësh me seli në Kavajë. Në vitin 1930, klubi e ndryshoi emrin duke e bërë “Sport Klub Kavajë”, emër të cilin e mban edhe sot në këtë 100 vjetor të krijimit të saj. Për këtë klub futbolli me histori në futbollin shqiptar, dhe për Besën që e ka përfaqësuar me dinjitet në fushën e lojës, disa radhë vijnë edhe si një detyrim profesional. Sepse historia duhet mbajtur si një pishtar i ndezur brez pas brezi, pishtar që e ka nisur si festë gazetari sportiv kavajas, Fatmir Efica, i cili me mjeshtëri ka shkruar librin historik “100 vjet BESA”. Dje në Korçë, skuadra kavajase e bëri mbylljen këtij rrugëtimi shekullor me ndeshjen ndaj Skënderbeut, për tu mbajtur mënd si ndeshja e përvjetorit të 100-të të historisë.
Por Besa në këtë histori vjen me madhështinë e saj edhe si një skuadër elite. Që në parathënien e tij, ky libër shpalos shumë vlera, sepse aty ka ndeshje, ngjarje, data, gola e gjithçka që ka prodhuar topkëmba kavajase, natyrisht të përpunuara me mjeshtërinë e Fatmirit, edhe si një staticien e koleksionist që gjithkush në këtë fushë do ta merrte për shembullin më brilant. Në rrugëtimin shekullor, kavajasit kanë qënë skuadër elitare, ku Besa ka dalë dy herë Nënkampion në Superioren shqiptare, ka dalë kampione 4 herë në Kategorinë e Parë, ka fituar 2 herë Kupën e Shqipërisë dhe 6 herë ka qënë finaliste e saj, si dhe ka fituar 1 herë Superkupën e Shqipërisë. Dhe gjithë këto arritje e me këta trofe, nuk janë pak për ta thënë se Besa ka qënë dhe mbetet një ndër skuadrat elitare në futbollin shqiptar.
Rreshtat në këtë “Libër themeltar” të historisë shekullore të Besës së Kavajës, e sjellin këtë histori në një realitet që pak e mendojnë historinë si themel i të sotmes dhe i së ardhmes. Por njëherësh, aty kavajasit dhe e gjithë Shqipëria sportive do ta prekin këtë histori, dikush me nostalgji dhe të tjerë me kërshëri. Datëlindja e 100-të e një “zonje” të futbollit shqiptar me një libër domethënës “100 vjet Besa”, e sjell natyrshëm edhe urimin më të mirë, këtë herë edhe me një diçiturë mirënjohje: “Besa-Efica, “binom” i historisë së topkëmbës kavajase”. Dhe këtu, autori Fatmir Efica mbetet “arkiva” që gazetaria i ka të rrallë, por që me këtë vepër ai meriton të quhet një MJESHTËR I MADH me shumë vlera. Edhe gazeta “Telegraf” e uron autorin për këtë libër, njëherësh edhe Sport Klub Besën për vlerat në historinë e saj shekullore.
KATEGORIA E PARË
Skënderbeu “hidhëron” Besën në përvjetorin e klubit

Edhe Kategoria e Parë nisi dje ndeshjet e javës së 8-të, teksa u luajtën tre prej tyre. Në mesditë, Apolonia mposhti Lushnjen në fushën e saj 0-1, Iliria e fitoi sfidën me Korabin në Fushë Krujë 2-1, dhe në mbrëmje Skënderbeu bëri detyrën ndaj Besës duke fituar minimalisht 1-0 me golin e shënuar nga Janaqi në minutën e 75-të. Natyrisht që sfida në Korçë pritej me më shumë interes, jo vetëm për ecurinë pozitive të korçarëve, por edhe për pretendimet e Besës për ndryshim kursi për të dalë nga situata në vëndet e fundit të renditjes. Por për skuadrën kavajase, kjo ndeshje veçohet si e fundit e këtij shekulli, që kjo skuadër e feston sot në Kavajë. 100 vjetori e gjeti skuadrën kavajase në pozita jo fort të mira të historisë së saj. Por në ndeshjet e djeshme veçohet fitorja e Ilirisë së Fushë Krujës, skuadër debutuese që po tregon se do jetë më shumë se aq. Lushnja po e vazhdon kampionatin me shumë vibrime, ndërsa Apolonia morri tri pikë që e veçojnë si një nga pretendentet për vëndin e dytë. Sot luhen tre takimet e tjera të javës së 8-të

KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java e tetë
E premte, 24 tetor 2025
Iliria-Korabi 2-1
Lushnja-Apolonia 0-1
Skënderbeu-Besa 1-0
E shtunë, 25 tetor 2025
Kukësi-AF Luftëtari 14:00
Laçi-Burreli 14:00
Pogradeci-Kastrioti 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 8 22
2.Iliria 8 14
3.Laçi 7 13
4.Apolonia 8 12
5.Burreli 7 11
6.Korabi 8 10
7.Pogradeci 7 9
8.Lushnja 8 8
9.AF Luftëtari 7 7
10.Besa 8 4
11.Kastrioti 7 4
12.Kukësi 7 4
Programi i larmishëm i veprimtarisë jubilare
Atmosfera festive në Kavajë në kuadrin e 100 vjetoriit të krijimit të Sport Klub Besa, ka ditë që ndjehet në qytetin e Kavajës. Zbukurimet sportive kanë sjellë nostalgjinë e Besës ndër vite, ndërsa ceremonitë nisin të shtunën, datë 25 tetor në orën 18:00. Mes ish-futbollistëve që kanë shkruar historinë, aty do të jenë edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Me 11 më të mirët e shekullit do të mbyllet kjo veprimtari e madhe sportive në Kavajë.

Sukseset e Besës në një shekull
Abissnet Superiore 2 herë nënkampione: (1958, 2009-2010); Kategoria e Parë: Kampione 4 herë (1932, 1977-1978, 1985-1986, 2004-2005; Nënkampione 2 herë: 1999-2000, 2001-2002; Kupën e Shqipërisë 2 herë: 2007, 2010, Finaliste e Kupës 6 herë: 1961, 1963, 1971, 1972, 1982, 1992; Superkupën e Shqipërisë 1 herë: 2010

CV E KRIJIMTARISË
FATMIR EFICA
Datëlindja: 13 dhjetor 1961
Vendlindja: Kavajë / Vendbanimi: Kavajë
Arsimi: Të lartën
Profesioni: Inspektor në Drejtorinë e Kulturës e Sporteve, Bashkia Kavajë
Hyrja në gazetari: Më 16 dhjetor 1978
Mediet ku ka bashkëpunuar: Radio Tirana, Gazeta “Adriatiku” në Durrës, Gazeta “Sport Ekspres”, Gazeta “Sporti”, Gazeta “Sporti Shqiptar”, Gazeta “Sport Plus”, Gazeta “Sot Sport”, Gazeta “Ballkan”, Radio e TV lokale në Kavajë, Gazeta “Kavaja Progres”
Librat që ka shkruar: “Besa një histori” (1995), “Historia e futbollit shqiptar për të Rinj” (1998), “Legjenda me emrin Partizani” (2016), “Erzeni-85 vite histori dhe…emocione” (2017), “Luzi 2008-10 vite futboll dhe sfida” (2019), “Egnatia nderi i Rrogozhinës” (2020), “Yjet e futbollit kavajas” (Vëllimi parë 2022), “Yjet e futbollit kavajas” (Vëllimi dytë 2023), “100 vjet BESA” (2025)
Aktualisht: Komentator në Radio-Tirana për Besën, Egnatian dhe Luzi 2008




















