Agim Çiraku: Kupa “Perspektiva”, sfidë për të rinjtë dhe vazhdimësi me rekordet

549
Nga Agron KAJA
NOT/ Në pishinën “Te Stela”, sporti i ujit mbyll veprimtaritë për vitin kalendarik 2017, flet për “Telegraf”Presidenti FSHN-së
Jemi në pikun e stinës së dimrit ndërsa noti shqiptar organizon veprimtari kombëtare, çfarë tregon kjo për këtë sport?
Së pari, kjo tregon seriozitet në zbatimin e kalendarit vjetor që FSHN-ja ka miratuar për vitin kalendarik 2017. Së dyti, tregon se noti në Shqipëri ka progres ë dukshëm, pasi prej shumë vitesh organizon veprimtari në të gjitha stinët e vitit. Dhe në këtë stinë dimri, falë pishinës së Resortit “Te Stela”, mbetemi në aktivitet, diçka e veçantë për kushtet tona.

Dhe sot, cila është veprimtaria e notit shqiptar në këtë pishinë dimërore 25m?
Do të zhvillohen garat e Kupës “Perspektiva”, një aktivitet që zhvillohet çdo fundviti, i organizuar nga Akademia e Notit “Te Stela”, por që mbështetet në të gjitha drejtimet nga Federata Shqiptare e Notit. Një bashkëpunim që ka funksionuar shumë mirë në vite.

Çfarë prisni ju si federatë gjatë kësaj veprimtarie?
Kupa “Perspektiva” do ti zhvillojë garat e saj në dy ditë, të shtunën dhe të dielën (23 dhe 24 dhjetor 2017). Kryesorja është që të kemi një pjesëmarrje të madhe të të gjitha grupmoshave nga ekipe që përfaqësojnë klube sportive nga e gjithë Shqipëria.

Vetëm kaq mendoni për efektet e kësaj Kupe, apo ka edhe të tjera?
Jo vetëm pjesëmarrja e gjerë që është një nga treguesit e kësaj veprimtarie, por ne si federatë kemi pritshmëri të mëdha. Sepse këtu e kanë mundësinë që të promovohen shumë notarë, të cilët nuk kanë dhënë më të mirën e tyre gjatë këtij viti. Njëherësh, këtu ne presim edhe rekorde të reja kombëtare, pasi është bërë traditë një fakt i tillë.

Që mund të nënkuptojmë, se Kupa “Perspektiva”është sfidë për të rinjtë dhe vazhdimësi e rekordeve kombëtare?
E thënë më troç, po. Sepse të gjithë ata notarë që nuk kanë gjetur hapësira, apo edhe formën e tyre më të mirë, gjatë zhvillimit të garave në këtë kupë, kanë pasur mundësi që të përgatiten, dhe jo vetëm për pjesëmarrje, por edhe për rezultate të larta. Ndryshe nuk mund të kuptohet.

Gjithsesi, duke qëndruar tek rekordet kombëtare në të gjitha veprimtaritë e vitit 2017, pse mendoni se do të ketë edhe këtu në Kupën “Perspektiva”?
Unë nuk i referohem vetëm traditës që noti shqiptar po formon në këtë veprimtari, të cilën e ka quajtur “Perspektiva”. Ka edhe një tjetër detaj që më bën optimist kur deklaroj se rekordet do të jenë pjesë e kësaj veprimtarie, sepse kjo vjen pas gjithë të tjerave, në të cilat rekordet janë thyer nga shumë notarë.

Cilët janë rekordet më të fundit të notarëve shqiptarë gjatë këtij viti kalendarik që po mbyllim?
Para një jave, pesë notarë shqiptarë morën pjesë në garat e Kampionatit Evropian në pishinë 25 m që u organizua në Kopenhagen të Danimarkës. Dy notarët, Franci Aleksi dhe Spiro Goga, thyen rekordet kombëtare për të rritur e të rinj në garën e 1500 metrave, por që pritshmëritë ishin për më shumë.

Cilat janë veprimtaritë ndërkombëtare ku do të marrin pjesë notarët shqiptarë gjatë vitit 2018?
Janë shumë, por disa po i përmend. Kupa COMEN në Qipro, Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Spanjë, Kampionati Evropian që do të zhvillohet në Angli, në të cilat ne synojmë që jo vetëm të përfaqësohemi e të thyejmë rekorde kombëtare, por të përmirësojmë nivelin e garimit në raport me më të përparuarit.

Ndoshta ky ishte edhe urimi juaj si President i FSHN-së në këtë fundviti?
Në fakt, unë urimin e kam lënë t’ua them të gjithëve aty në pishinë. Është më bukur kur urimet vijnë nga pishinat dhe shkojnë te pishinat, kur vijnë nga rekordet dhe shkojnë për rekordet. Urimet më të mira janë për të gjithë aktorët e këtij sporti kaq të bukur.
Kupa “Perspektiva” është një kupë që zhvillohet çdo fundviti, ku veç garimit të notarëve, do të bëhen edhe bilancet vjetore të tyre, njëherësh edhe të ekipeve që përfaqësojnë. Do të ketë një përzgjedhje të më të mirëve, të cilët do të përbëjnë bërthamën e notit shqiptar në veprimtaritë ndërkombëtare për vitin 2018
Kryetrajneri i AN “Te Stela”, Sadik Mema: Mundësi e madhe garimi, dhe rekordesh
Për Sadik Memën, kryetrajnerin e AN “Te Stela”, në garat e Kupës “Perspektiva”, notarët kanë të drejtën të hyjnë në shumë gara, dhe mbetet një aktivitet më i plotë, duke qenë se do të zhvillohet në dy ditë. “Në datat 23 dhe 24 dhjetor 2017 (sot dhe nesër), këtu në pishinën 25 m “Te Stela”, në bashkëpunim me FSHN-në, ne organizojmë Kupën “Perspektiva”. Ky është një aktivitet më i plotë, i cili do të zhvillohet në dy ditë me tre seanca, dhe notarët do të kenë mundësinë që të garojnë në shumë gara. Për notarët e Akademisë së Notit “Te Stela”, pritshmëritë janë të mëdha, por nuk përjashtoj që edhe notarët e ekipeve të tjera të tregojnë nivele të mira garimi”.
Programi, Rregullorja, Vlerësimet
Akademia e Notit “Te Stela” Sport Center, me miratim e Federatës Shqiptare të Notit, organizojnë Kupën “ PERSPEKTIVA 2017”. FSHN dhe AN “Te Stela”, ftojnë të gjitha ekipet e notit në rang kombëtar, që të marrin pjese në këtë veprimtari, e cila do të zhvillohet në datat 23 dhe 24 dhjetor 2017 në Tiranë, në pishinën 25 m me gjashtë korsi “Te Stela” Sport Center. 

Rregullat: Aktiviteti do të zhvillohet konform rregullores së FSHN-së për aktivitet kombëtare.
Kategoritë e pjesëmarrjes: Kategoria A-Datëlindja 2002 e më të rritur, Kategoria B-Datëlindja 2003 dhe më të vegjël.
Pjesëmarrja: Çdo ekip aktivizon numër të pakufizuar notarësh në një garë. Çdo notar merr pjesë në 2 gara në një seancë. Kuota e pjesëmarrjes, 1000 lekë për çdo notar.
Vlerësimi: 8 notarët më të mirë në çdo garë klasifikohen me 10, 8, 6…….. 1 pikë. Tre fituesit e çdo gare vlerësohen me diploma. Fituesit për çdo kategori moshe, meshkuj dhe femra, vlerësohen me kupë. (Vlerësimi sipas tabelës së pikëve FINA, për dy garat më të mira).
Ekipet fituese për të dy kategoritë (M+F), vlerësohen me Kupën e aktivitetit.

ZHVILLIMI I GARAVE
Data 23 dhjetor 2017
(Paradite)
Nxehja e notarëve 08:30
Garat në ora 09:30
1.100 m stil i lirë M-F
2.50 m stil shpinë M-F
3.200 m stil delfin M-F
4.50 m stil bretkosë M-F
5.400 m miks M-F
6.1500 m stil i lirë M-F

Data 23 dhjetor 2017 
(Pasdite)
Nxehja e notarëve 15:00
Garat në ora 16:00
1.100 m stil i lirë F-M
2.100 m stil shpinë F-M
3.50 m stil delfin F-M
4.200 m stil bretkosë F-M
5.200 m miks F-M
6.800 m stil i lirë F-M

Data 24 dhjetor 2017 
(Paradite)
Nxehja e notarëve 08:30
Garat në ora 09:30
1.100 m miks M-F
2.400 m stil i lirë M-F
3.100 m stil bretkosë M-F
4.100 m stil delfin M-F
5.50 m stil i lirë M-F
6.200 m stil shpinë M-F
Sigal