Meta, letër Trump-it: Keqardhje për votën e Shqipërisë!

676
Presidenti i Shqipërisë i shkruan shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe shprehet se do të kërkojë sqarime nga qeveria “Rama”
Presidenti shqiptar, Ilir Meta, i ka shprehur dje keqardhjen e tij presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me votën e Shqipërisë në në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Në një letër dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku fillimisht e falënderon për urimet e dërguara prej tij me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë, Meta shkruan se “vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me Parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-ve në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”. Presidenti shqiptar bën më tej të ditur në letrën e tij se “do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë, që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesave tona kombëtare”.

Edhe më herët gjatë ditës së djeshme, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, Kreu i Shtetit kishte theksuar ndër të tjera se “ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”. “Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar. Presidenti thekson se nuk duhet të harrojmë, se SHBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara”, theksohet në deklaratën e zëdhënësit. Ai nënvizoi se “populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”.

Shtëpia e Bardhë kërcënoi se do të mbajë shënim emrat e të gjithë atyre vendeve që votuan pro rezolutës në OKB, duke kundërshtuar qëndrimin amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet. Qeveria e mori vendimin për votën e Shqipërisë pa konsultuar Kuvendin dhe Presidentin e Republikës, ndërsa kryeministri prej një jave ndodhet jashtë vendit. Për të evituar problemet diplomatike, një pjesë e vendeve anëtare në OKB vendosën të mos merrnin pjesë në votim ose të abstenonin. 
Letra e plotë
I nderuar Zoti President,
Ju falënderoj shumë për urimet e përzemërta që më dërguat me rastin e kremtimit të 105-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së vendit tim!

I vlerësoj jashtëzakonisht shumë mesazhet Tuaja inkurajuese, veçanërisht për marrëdhëniet tona të forta, të mishëruara në partneritetin strategjik e dëshiroj, me këtë rast, të shpreh sërish mirënjohjen për mbështetjen e vyer që Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i jepni Shqipërisë në rrugën e reformave, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e kontrollit të kufijve, sfida që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare të vendit tim, të rajonit të Ballkanit dhe të pellgut të Mesdheut.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për miqësinë e fortë që SHBA i ka ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull dhe Ju siguroj se Shqipëria do të vijojë të jetë aleat e partner besnik në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe do të kontribuojë gjithmonë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Si anëtare në NATO, Shqipëria do të vijojë të jetë aleate aktive, kudo ku kërkohet kontributi i saj.

I dashur President Trump,
Dëshiroj të shpreh keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë dje në OKB kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij.

Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare.

Me urimet më të mira për festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri 2018, për shëndetin e lumturinë Tuaj dhe të familjes Tuaj, për më shumë begati, zhvillim e përparim për Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Me respekt,
Ilir Meta
Sigal