INTERVISTA / Specialisti i futbollit Agim Canaj mendon rishikim total të formulës me “Final 4”
Agron KAJA

Abissnet Superiore ka hyrë në një fazë delikate, si i përshkruani 170 ndeshjet e luajtura në 34 javë?
Unë them se çdo skuadër ka patur ulje e ngritjet e saj, por në tërësi nuk ka patur stabilitet. Tani kemi ardhur në një pikë ku skuadrat nuk janë të kënaqura, ndaj qëndrueshmëria është moment thelbësor. Më shumë bonuse ka për skuadrat e “Final 4”.
Në javën e 34-t u shënuan rezultate edhe të papritura me transferta të fituara, i mendoni ndeshje me aromë trukimi?
Kemi folur për “Final 4”, që unë nuk isha dhe nuk jam dakord. Mendohej se po shkonte në një ecuri pa aleanca, por kjo formulë e solli këtë situatë. Skuadrat e kreut nuk japin maksimalen me skuadrat e fundit, ka hije dyshimi, jo bindje 100%. Cila skuadër mendoni se bëri realisht diferencën në ndeshjet e javës së 34-ët?
Fitorja e Dinamos me Egnatian, dhe ajo e Tiranës me Teutën, të dyja ishin ndeshje ku lufta sportive mbizotëroi në çdo episod të lojës. Fitore me vlera e Dinamo është më afër “Final 4”. Por disa rezultate të javës 34 shkuan kundër rrymës së Tiranës.
Egnatia humbi në javën e 34-ët por matematikisht është në “Final 4”, cila mund të jetë skuadra e katërt në këtë zonë?
Ndryshimet e shumta te Partizani kanë sjellë një situatë totale të kontraktuar. Largimi i trajnerit nuk i ka bërë mirë skuadrës ku Partizani filloi rënien e lirë, dhe në këto kushte më shumë shance janë për Dinamon që të jetë në “Final 4”.
Lufta për “Këpuca e Artë” e kampionatit po zhvillohet mes Balajt të Vllaznisë dhe Makustit të Flamurtarit, cilin e mendoni fitues?
Në këtë aspekt, do thoja se Balaj po kalon momente të vështirë individual me 10 ndeshje pa shënuar, dhe nuk po e ndihmon skuadrën. Ndërsa Maksuti po tregon se është një golashënues me cilësi e talent. Nuk është çudi që ai të jetë golashënuesi në këtë sezon.
Ndeshjet e javës së 35-të do të luhen të mërkurën në të njëjtën orë, sa do t’i shërbejë garës ky orar?
Është normale që ndeshjet në këtë javë të zhvillohen në të njëjtën ditë dhe orë, dhe kjo për shumë faktorë. Por ajo që mbetet kryesore është se, nëse nuk do kishim “Final 4” si skemë kampionati, do kishim një garë më të fortë dhe më të bukur.
Cilën nga sfidat e javës së 35-të e mendoni më delikate, dhe ku mund të presim befasi si në javën e 34-ët?
Të gjitha janë ndeshje shumë delikate, sidomos për ekuilibrat e pesë skuadrave në garë për mbijetesë. Do jenë sfida ku edhe do vendosen se cilat skuadra do rrezikojnë më shumë mbijetesën. Do jenë ndeshje interesante me çdo të papritur.
Nëse e lexojmë tabelën e renditjes nga kreu në fund, sa verdikte janë të përcaktuara dy javë para përfundimit?
Unë mendoj se vetëm katër skuadrat e para dhe Partizani, këto janë të përcaktuara në renditje. Tek të tjerat mbetet e hapur, sepse mund të ndodhë gjithçka. Jemi në futbollin shqiptar ku befasitë në fundin e kampionatit po bëhen edhe si një traditë.
Do luhen edhe 180 minutat e fundit të kampionatit, mendoni se renditja nga këto 10 sfida do të pësojë ndryshime?
Nuk mendoj se do ketë ndryshime tek dy vëndet e para, Elbasani në krye e Vllaznia në vëndin e dytë, më pas Egnatia me Dinamon. Ndërsa në pjesët e tjera të renditjes do kemi një fjalëkryq që deri në minutën e fundit do presim zgjidhjen.
Egnatia nuk pret, Nevil Dede ulet në bankinë pas Tetovës
Dje, klubi i futbollit të Egnatias zyrtarizoi trajnerin e ri. Tashmë është Nevil Dede timonieri i rrogozhinasve, i cili e bëri fakt të kryer duke postuar një foto me Presidentin e skuadrës Agim Demrozi. Për Deden kjo nuk është përvoja e parë në bankinat e Superiores, pasi ka drejtuar Tiranën, Dinamon, Bylisin dhe Elbasanin. Egnatia është në grupin e “Final 4” që do të luajë për titullin kampion.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java 35
E mërkurë, 6 maj 2026
Egnatia-Partizani 16:00
Flamurtari-Teuta 16:00
Tirana-Vllaznia 16:00
Bylis-AF Elbasani 16:00
Dinamo C-Vora 16:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.AF Elbasani 34 62
2.Vllaznia 34 60
3.Egnatia 34 54
4.Dinamo City 34 48
———————————–
5.Partizani 34 45
6.Teuta 34 38
7.Tirana 34 38
———————————–
8.Vora 34 38
———————————–
9.Bylis 34 38
10.Flamurtari 34 35
SITUATA ME TRAJNERËT
“Tërmeti” 2 ballë në bankina, dukuria tronditëse e Superiores
Në fundjavën që mbyllëm, Abissnet Superiore nuk kishte qetësi. Më parë me disa rezultate të dyshimta që në terminologjinë sportive quhen “trukime”, dhe më pas me largime trajnerësh. Kur jemi vetëm dy javë para përfundimit të sezonit të rregullt, Egnatia ka zyrtarizuar mbylljen e bashkëpunimit me Edlit Tetovën, e po kështu Teuta me Enkeleid Dobin. Largime me mirëkuptim shkruhej në komunikimet zyrtare të klubeve respektive, por në një logjikë profesionale nënkupton se vetëm mirëkuptim nuk mund të ketë në të tilla raste. Kjo qëndron edhe për faktin tjetër, sepse Edlir Tetova sapo u nda zyrtarisht nga Egnatia, nënshkroi me Teutën. Në tërësi, në 34 javët e luajtura, në 50% të skuadrave të Superiores janë ndryshuar trajnerët, ku Partizani dhe Flamurtari mbeten “kampionë”. Tashmë jemi 180 minutat e fundit të bankinave të palëvizura, dhe ndoshta nuk do ta presim atë pyetjen intriguese: Cili trajner e ka rradhën të largohet në këto dy javë?! Nevil Dede te Egnatia dhe Edlir Tetova tek Teuta janë lëvizjet e fundit.
Janë larguar
Egnatia: E. Tetova; Partizani: M. Milinkoviç, O. Kërnaja; Teuta: E. Dobi; Tirana: V. Mile, R. Bordin; Flamurtari: K. Garsia, F. Morriero.
Nuk janë larguar
Edi Martini nga Vllaznia; Ilir Daja nga Dinamo City; Ivan Gvozdenoviç nga AF Elbasani; Mirel Josa nga Bylisi; Arjan Bellai nga Vora.























