Situata në futbollin shqiptar në skanerin e specialistit të futbollit, Artur Çobani
Agron KAJA
“Ajo skemë nuk e di se ku është marrë dhe nga doli. E shikoj si kapriço të drejtuesve, si korruptive për futbollin tonë. Duhej të shikohej për sezone të tjerë, sepse skuadrat nuk janë të përgatitura për një skemë të tillë absurde”

Abissnet Superiore duhet të niste sezonin 2023-2024, si e lexoni situatën e skuadrave para këtij starti të ri?
Normalisht unë e shikoj se ato “pak” skuadra në Abissnet Superiore i kanë marrë masat e fillimit të sezonit. Janë gati-gati të përgatitura, sepse disa prej tyre nuk e ndërprenë aktivitetin. Unë e mendoja që në shtator do të fillonte kampionati.
Referuar historisë dhe statistikave, në 10 skuadrat janë 81 tituj kampionë, sa rëndësi do kenë këta tregues?
Duhet të ishin më shumë, sepse ka edhe skuadra të tjera ish-kampione që janë jashtë kësaj Superiore. Ndaj mendoj që harta e kësaj kategorie elitare të futbollit tonë të zgjerohej, pasi do ketë ndikim pozitiv në kampionatin e Superiores.
Në këtë fillim, katër skuadra vijnë pas pjesëmarrjes në Europë, si ndikon kjo për fillimin e kampionatit?
Si fillim do ndikojë për mirë te katër skuadrat që luajtën në Europë. Më pas mund ta ndjejnë lodhjen e të dalin probleme, por ato kanë kontigjent që ta përballojnë ngarkesën që i sjell i gjithë sezoni.
Nisur nga lëvizjet në merkato me hyrje e daljet, si dhe ndeshjet miqësore, si e parashikoni ecurinë e këtij sezoni?
Skuadrat e traditës si Partizani, Tirana, Vllaznia, Egnatia apo edhe Teuta, kanë gjendje të mirë dhe do jenë këto që do të jenë si kryesore për titullin. Merkaton e tyre e shikoj si të mirë, dhe ndikimi i tillë do të jetë.
Mundet që sezoni të fillonte me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, apo ndonjë event tjetër jashtë kampionatit?
Padiskutim që kështu duhet të ndodhte. Edhe shtetet me futboll cilësor në Europë e në Botë, kështu e fillojnë sezonin dhe kampionatin, më vonë se eventet të tjera që i shërbejnë ambjentimit të skuadrave.
Skema me “Final 4”, mendoni se do të aplikohet në këtë sezon të Abissnet Superiore?
Ajo skemë nuk e di se ku është marrë dhe nga doli. Unë e shikoj si skemë si kapriço të drejtuesve, si korruptive për futbollin tonë. Kjo duhej të shikohej për sezone të tjerë, sepse skuadrat nuk janë të përgatitura për një skemë të tillë absurde.
E drejta televizive u bë si një telenovelë televizive, ka diçka prapa kuinatave në këtë handikap?
Padiskutim që ka, kështu “bie” erë. Nga Tibo vitin e kaluar, i kalon një tjetër kompanie televizive në mënyrë të pakuptimtë! Gjithsesi, Liga Profesioniste duhej të ishte diga e kësaj të drejte televizive, jo ta çojnë aty ku i do qejfi FSHF-së.
Cili do të ishte parashikimi juaj për skuadrat protagoniste dhe fituese të kampionatit?
Ato katër që i përmenda më sipër. Por unë veçoj një grup skuadrash me ato të traditës, ku Partizani e Tirana duken si më të konsoliduarat. Këtu do të jenë edhe Vllaznia me Teutën, pres të jetë edhe Egnatia, e cila në miqësoren me Interin tregoi shumë vlera si skuadër.
Skuadra më e vjetër
Tirana është skuadra me më shumë pjesëmarrje në Abissnet Superiore, me 84 të tilla
Skuadra më e re
Egnatia është skuadra me më pak pjesëmarrje në Abissnet Superiore, me 4 të tilla
Abissnet Superiore
SEZONI 2023-2024
Fillon më 26.08.2023
Mbaron në 11.05.2024
PJESËMARRJA
Skuadrat Pjes. Tituj
1.Partizani 71 17
2.Tirana 84 26
3.Egnatia 4 –
4.Vllaznia 83 9
5.Laçi 24 –
6.Teuta 83 2
7.Kukësi 12 1
6.Erzeni 8 –
9.Skënderb. 67 8
10.Dinamo 63 18
Rexhepi ndërron fanelë, do vishet blu
FC Dinamo kërkon përforcim për portën dhe dje zyrtarisht është deklaruar nga klubi se bëhet fjalë për Bekim Rexhepin, i cili në sezonin e kaluar ishte pjesë e Partizanit kampion. Drejtuesit e klubit dinamovit e kanë arritur akordin me të dhe zyrtarizimi mbetet çështje kohe. Stafi teknik nuk ndjehej i sigurtë me dy portierët aktualë, Salinë dhe Krostën, ndaj dhe Rexhepi do jetë portier i parë.
Tirana kyç merkaton, Shehi: Nuk ka vende

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, pranoi dje për gazetën se skuadra nuk ka nevojë më për ndërhyrje në merkato. Nisur nga miqësorja me Vllazninë që u luajt në fundjavën e shkuar, të cilën tekniku bardheblu e quajti si një test, ai pranon se ka shumë gjëra për t’u rregulluar. “Grupi është i kompletuar, nuk mendoj që të ketë nevojë për ndërhyrje të tjera në merkato. Momentalisht ndihemi mirë me këta lojtarë, por natyrisht që ka shumë gjëra për t’u rregulluar”.





















