20 finalet e Kampionateve Botërore, të veçantat dhe pikantet e turneut

854
Sigal

Nga i pari i vitit 1930, i fituar nga Uruguai dhe deri tek e fundit, ajo e “Brazil 2014”, që do të diskutohet të dielën midis Gjermanisë dhe Argjentinës

Dash FRASHËRI

Të dielën, në orën 21:00 në gjigantin “Marakana” do të luhet finalja e 20-të e Kupës së Botës, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Gjermania (tri here kampione e Botës) dhe Argjentina (dy herë). Kjo do të jetë përballja e tretë midis tyre në finalet e Botërorëve: në “Meksikë 1986”, Argjentina me kapiten Diego Maradonën fitoi 3-2, ndërsa në “Itali 1990”, Gjermania me kapiten Lotar Mateus fitoi 1-0. Gazeta “Telegraf” sjell të gjitha finalet e Kampionateve Botërore, Nga i pari i vitit 1930, i fituar nga Uruguai dhe deri tek e fundit, ajo e “Brazil 2014”, që do të diskutohet midis Gjermanisë dhe Argjentinës.

1930, Uruguai-Argjentina 4–2
Pjesa e parë është e “markës” argjentinase ndonëse është Uruguai që realizon fillimisht me anë të Dorados. Po Peusele barazon dhe Stabile shënon golin e dytë. Uruguaianët mbeten të befasuar përballë mjeshtërisë së argjentinasve. Gjithçka do të zgjidhet në pjesën e dytë. Uragani i uruguaianëve është i pamëshirshëm. Andradi, Nazazi e Gestido shpartallojnë mbrojtjen kundërshtare. Nën një delir që nuk ka të sosur, shënojnë Sea, Iriarte e Kastro. Uruguai fiton 4-2 në prani të 68 mijë shikuesve! Për nder të kësaj fitoreje 30 korriku shpallet festë kombëtare e Uruguait.

1934, Itali-Çekosllovaki 2–1
Në finale të botërorit 1934 merr pjesë dhe Musolini. Italianët kanë epërsi, po golin, ama e shënojnë çekët me anë të Pucit. Mbeten 21 minuta lojë. Pasi kalon disa çaste nervozizmi, skuadra italiane galvanizohet e Monti, me Ferrarin merren vesh midis tyre e vendimin që e marrin e realizon Orsi me një goditje të rreptë. Përsëri shtesë loje si e spanjollët. E pastaj goli historik i Anxhelo Skiavos, pas topit të dhënë, nga Guaita. Atëherë Skiavo bie i alivanosur për tokë i mbuluar nga puthjet dhe përqafimeve shokëve.

1938, Itali–Hungari 4–2
Finalja është pasqyrë e dy koncepteve taktike krejt të ndryshme. Në minutën e gjashtë shënojnë italianët me anë të Kolausit. Po brohoritjet e italianëve i shuan hungarezi Titkos. Piola i rijep avantazhin Italisë dhe më pas shënon Kolausi. Po dhe hungarezët nuk duan të pajtohen me humbjen. 20 minuta para mbarimit shënojnë me anë të Sarosit. Atëherë luftojnë për të barazuar. Edhe një herë tjetër një aksion me shumë stacione i italianëve: Rava-Ferrari-Piola, duet i tij me Biavatin, tre kundërshtarë të dalë jashtë përdorimit dhe 4-2.

1950, Uruguai–Brazil 2–1
Zyrtarisht janë 174 mijë shikues në “Marakana”, por flitet në fakt për 200 mijë të pranishëm në stadium. Friaka shënon për Brazilin në minutën e 47-të. Po uruguaianët nuk e humbasin toruan. Nnë minutën e 66-të, pas një topi të saktë të Gixhos, barazon Skiafino. Në minutën e 69-të Mikues godet shtyllën dhe 5 minuta më vonë Skiafino fton në aksion Gixhan i cili, ashtu si një kalë gërmuq, pasi çarmatos mbrojtësin e majtë Bigode, shënon. Stadiumi gjigant “Marakana” hesht si të jetë akull. Brazilianët nuk duan tu besojnë syve, e pandehin se futbollistët do lënë fushën pas mbarimit të ndeshjes e do të shfaqen përsëri atje.

1954, RF Gjermane–Hungari 3–2
Finalja e zhvilluar para 60 mijë shikuesve në “Vankdorf Stadium” të Bernës është me të vërtetë dramatike. Hungarezët shënojnë dy herë me anë të Pushkashit e Ciborit në vetëm tetë minuta lojë. Por pas dhjetë minutash rezultati barazohet falë golave të Marlokut dhe Ranit. Hungarezët e sfilitur nuk mund të përballojnë ritmin e kundërshtarit. Dhe ja, 6 minuta para mbarimit, vjen goditja vdekjeprurëse e skuadrës danubiane nga Rani që shënon golin e tretë dhe të fitores. Gjermanët kthehen me triumf nëpër shtëpitë e tyre.

1958, Brazil–Suedi 5–2
Çasti magjik i suedezeve që e shohin veten Kampionë të Botës, zgjat vetëm 6 minuta, kur Lidholmi shënon golin e parë. Pastaj në minutën e nëntë barazon Vava, i cili u jep frymëzim shokëve të tij duke shënuar dhe golin e dytë. Më pas gjithçka zhvillohet nën ritmin e “sambas” të drejtuar nga Pele që shënon dy gola, njëri prej të cilëve mbetet një nga golat më të bukur të antologjisë së botërorëve të futbollit. Simonsoni kërkon të zbusë përmasat e një humbje të turpshme më një gol të shënuar 10 minuta para mbarimit, por nuk është i këtij mendimi Pele që shënon edhe golin e pestë dhe të fundit të këtij botërori.

1962, Brazil–Çekosllovaki 3–1
Finalja Brazil–Çekosllovaki ka vetëm një pikë kulmore, golin e çekut Meopust në 15 minutat e para. Vjen pastaj barazimi i shpejtë i Amarildos që zëvendëson Pelen. Zito shënon golin e dytë. Pastaj një tjetër gabim i Shroifit dhe Vava shënon golin e tretë. Megjithatë Brazili e meriton plotësisht fitoren në këtë botëror, falë Garrinçës në sulm, vrulli i Amarildos, pjekuria e Didit dhe zgjuarsia e Zagalos nuk janë pak për skuadrën dy herë Kampione të Botës.

1966, Angli–RFGJ 4–2
Haleri shënon në të 12’ për Gjermaninë e më pas barazon Hërsti për vendasit. Pastaj është Pitersi që e detyron Tiltovskin të kapitullojë. Anglia është drejt rrugës për të fituar për herë të parë Kupën e Botës. Por, në minutën e 83-të barazon Veber. Ndeshja në shkon në shtesa. Minuta e 111-të goditje e Hërstit, topi që përplaset nga trau në vijën e portës. Anësori sovjetik Bahramov pohon se topi e ka kaluar vijën e portës. Goli i katërt i Hërstit shpall Anglinë Kampione të Botës.

1970, Brazil–Itali 4–1
Pele ende i aftë për të bërë mrekulli me një goditje të pamëshirshme me kokë shënon golin e parë. Pas 20 minutash Boninsenja, duke përfituar nga një keqkuptim midis Klodoldos dhe Feliksit, barazon. Në të 68’, Zhairsinjo pason për Gersonin që me të marrë topin me një goditje prepotente gjunjëzon portierin italian Albertozi. Tri minuta me pas Zhairsinjo që shënon golin e tretë. Goli i katërt është një kryevepër e Karlos Albertos.

1974, RFGJ–Holandë 2–1
Finalja është e shumëpritur. Ajo u luajt, më 7 korrik 1974 në “Olimpiashtadion” të Munihut. Gjermania Perëndimore udhëhiqej nga Franc Bekenabuer, ndërsa Holanda nga ylli i tyre Johan Krujf. Për vendasit, ekuacion me shumë të panjohura përbën Krujf. Nuk kanë kaluar 27 sekonda dhe gjyqtari anglez Teilor, pa nguruar, vërshëllen për 11-metërsh. Neskensi tregohet i saktë. Helcenbaini pengohet brenda zonës nga Janseni, është radha e Brajtnerit të barazojë përsëri me 11-metërsh. “Orkestra” gjermane funksion më mirë, që sjell edhe golin e dytë të shënuar nga Gerd Myler.

1978, Argjentinë-Holandë 3-1
Goli i Kempesit në minutën e 37-të nis “tangon” argjentinase në shkallët e stadiumit “River Pleit”, po shikuesit mbeten të akulluar kur dhjetë minuta para mbarimit holandezi Poortvilt barazon. Për të dytën herë në historinë e botërorëve kampionati do të përcaktohet në shtesë loje. Argjentinasit e kuptojnë se ky është shansi i tyre i fundit dhe Kempesi në minutën e 104-t shënon golin e dytë. Pastaj vjen goli i Bartonit që i jep goditjen e fundit “tulipanëve”.

1982, Itali–RFGJ 3–1
Kabrini humbet një 11-metërsh për Italinë. Ne 56’ shënon Rosi, në 69’ dyfishon rezultatin Tardeli pas një aksioni koral dhe në 80’ çimenton fitoren Altobeli. Gjithsesi, gjermanët kanë kohë të shënojnë vetëm golin e ngushëllimit me anë të Brajtnerit dhe atë me 11-metërsh, 7 minuta para mbarimit të ndeshjes. Italia për të tretën herë është Kampione e Botës: 1934, 1938 e 1982.

1986, Argjentinë-RFGJ 3-2
Pjesa e parë u mbyll 1-0 për argjentinasit pas golit të Braunit që shfrytëzon një gabim të rëndë të portierit kundërshtar Shumaker. 11 minuta pas fillimit të pjesës së dytë kur Valdanoja shënoi përsëri, u duk se fitorja e argjentinasve ishte tashmë një aksiomë. Befas gjithçka mund të ishte përmbysur në 14 minutat e fundit gjatë të cilave gjermano-perëndimoret shënuan dy herë me anë të Rumeniges dhe Fëlerit. Po në tri minutat e fundit shpresat e trajnerit Bekenbauer për fitore i rrëzoi Burruçaga.

1990, RFGJ-Argjentinë 1-0
Një ndeshje me shumë dramë dhe emocione. Gjithçka u zgjidh 6 minuta para mbarimit te takimit kur gjyqtari meksikan Kodizal “dekretoi” një 11-metërsh në favor të gjermano-perendimoreve, i cili disa sportdashësve iu duk i dyshimtë. Brehme gjuajti saktësisht e portieri Goigoçea i specializuar në pritjet e këtyre gjuajtjeve këtë radhë u dorëzua. Gjermania Perëndimore fitoi 1-0, në një takim ku nuk mundi te shfaqë potencialin e vet, por pragmatizmin e saj, kjo dhe për faktin se Argjentina e mbylli ndeshjen me dy lojtarë më pak. Hera e tretë për Gjermaninë si Kampione e Botës: 1954, 1974 dhe 1990!

“SHBA 1994”, Brazil-Itali 0-0 (3-2p)
Pas ndeshjeve gjysmëfinale Brazil – Suedi, dhe Itali – Bullgari, latino-amerikanë dhe apeninët iu gëzuan finales së famshme të Rose Boël. Ndeshja u karakterizua nga një lojë e mbyllur ku skuadrat ruheshin më shumë të mos pësonin se sa të shënonin në portat kundërshtare. Pas 120 minutash loje gjithçka ishte në baraspeshë. U deshën gjuajtjet e penalltive. Dhe kur atëherë më shumë se kurrë Italia kishte varruar shpresat tek idhulli i vet Roberto Baxhio, pikërisht atëherë ai gabon. Brazili është kampion për të 4-n herë në historinë e Kupës së Botës.

1998, Brazil-Francë 0-3
Në finale Brazili ndryshoi ngjyrë. Larg lojërave më të mira latino-amerikanët iu përulën francezëve, të cilët të udhëhequr nga Zinedin Zidan fituan për herë të parë në historinë e tyre Kupën e Botës. Dopieta e kapitenit Zidan dhe goli i Turam përmbysën verdheblutë brazilianë. Davor Shuker është golashënuesi më i mirë i këtij kampionati botëror.

2002, Gjermani-Brazil 0-2
Brazili i udhëhequr nga trajneri Luis Felipe Skolari e kapiteni Kafu u përballën me Gjermaninë e Oliver Kahn, që në këtë finale i mungoi kapiteni Mikael Balak. Pas një pjesë të parë dhe një mori rastesh për gol, më në fund Ronaldo shënon dy golat që i dhuruan Brazilit titullin e pestë kampion: 1958, 1962, 1970, 1994 dhe 2002. Më shumë se askush tjetër!

2006, Itali-Francë 1-1 (5-3p)
Franca shënoi e para me penallti me anë të Zinedin Zidan (7’), ndërkohë që Italia barazoi me një gjuajtje me kokë të Marko Materacit (19’). Ndeshja shkoi në shtesa, dhe në minutën e 110-të, Zidan goditi me kokë Materacin duke u ndëshkuar me karton të kuq. Në “ruletën” e penalltive, Italia i shënoi të pesta, ndërkohë që për Francën gaboi Trezege (goditi traversën). 5-3 dhe Italia e Marçelo Lipit janë në majë të botës së futbollit.

2010, Spanjë-Holandë 1-0
Në gjysmëfinale, Holanda mposhti 3-2 Uruguain, ndërsa Spanja fitoi 1-0 em Gjermaninë (gol i Pujolit 73’). Finalja foli për Spanjën, që mundi në 1-0 Holandën. Heroi i mbrëmjes është Iniesta, i cili shënoi golin historik në minutën e 116-të. Takimi i shumëpritur kryesor i Botërorit “Afrika e Jugut 2010” nxori fitues ekipin iberik, pas një loje të ashpër në të dy pjesët e para dhe në 30 minutat shtesë. Në minutën e 110-të pas kartonit të dytë të verdhë, Hetinga del nga loja duke e lënë Holandën me 10 lojtarë.

2014, Brazil-Argjentinë
Finalja e “Brazil 2014” do të luhet të dielën. Gjermania vjen pas fitores madhështore 7-1 ndaj Brazilit, vendit organizator, ndërsa Argjentina pas kualifikimit me penallti ndaj Holandës. Kush do ta fitojë titullin e Kampionatit të 20-të Botëror? Përgjigjja mund të jepet pas 90, 120 minutash apo dhe gjuajtjeve të penalltive. Në 20 ndeshje midis njëra-tjetrës, Argjentina ka fituar nëntë ndeshje, ndërsa Gjermania vetëm gjashtë (pesë barazime). Takimi i fundit është luajtur, më 15 gusht 2012 dhe është fituar nga Argjentina 3-1. Diferenca e golave është 28:28.

REZULTATET TEKNIKE TË FINALEVE

“URUGUAI 1930”
Uruguai-Argjentina 4–2
Shënues: Dorado (U) ’12, Peusele (A) ’21, Stabile (A) ’37, Sea (U) ’60, Iriarte (U) ’71, Kastro (U) ’81

“ITALI 1934”
Itali-Çekosllovaki 2–1
Shënues: Puç (Ç) 7’, Orsi (I) 81’, Skiavo (I) 95’

“FRANCË 1938”
Itali–Hungari 4–2
Shënues: Kolausi (I) 6’, 35’, Piola (I) 16’, 82’ / Titkosos (H) 8’, Sarosi (H) 70’

“BRAZIL 1950”
Uruguai–Brazil 2–1
Shënues: Friaka (B) 47’; Skiafino (U) 66’, Gixha (U) 79’

“ZVICËR 1954”
RF Gjermane–Hungari 3–2
Shënues: Pushkash (H) 6’, Cibor (H) 8’, Marlok (RFGJ) 10’, Ran (RFGJ) 18’, Ran (RFGJ) 84’

“SUEDI 1958”
Brazil–Suedi 5–2
Shënues: Liedoholm (S) 4’, Vava (B) 9, 32’, Pele (B) 55’, 90’, Zagallo (B) 68’, Somonson (S) 80’

“KILI 1962”
Brazil–Çekosllovaki 3–1
Shënues: Masapusti (Ç) 15’, Amarildo (B) 17’, Zito (B) 69’, Vava (B) 78’

“ANGLI 1966”
Angli–RFGJ 4–2
Shënues: Heler (RFGJ) ’12, Hërst (A) ’18, Piters (A) ’78, Veber (RFGJ) ’83, Horst (A) ‘111, ‘115.

“MEKSIKË 1970”
Brazil–Itali 4–1
Shënues: Pele (B) 18’, Boninsenja (I) 37’, Gerson (B)66’, Zhairsinjo (B)71’, Karlos Alberto (B) 86’

“GJERMANI 1974”
RFGJ–Holandë 2–1
Shënues: Neeskens (H) 2′, Breitner(GJ) 25′ (p), Myler (GJ) 43′ (p)

“ARGJENTINË 1978”
Argjentinë-Holandë 3-1
Shënues: Kempes (A) 77’, Portvlit (H) 81’, Kempes (A) 104’, Bertoni (A) 116’

“SPANJË 1982”
Itali–RFGJ 3–1
Shënues: Rosi(I) 56’, Tardeli(I) 69’, Altobeli(I) 80’, Brajtner(RFGJ) 83’

“MEKSIKË 1986”
Argjentinë-RFGJ 3-2
Shënues: Brun (A) 22’, Valdano (A) 56’, Rumenige (RFGJ) 74’, Feler (RFGJ) 84’, Burruçaga (A) 87’

“Itali 1990”
RFGJ-Argjentinë 1-0
Shënues: Brehme (GJ) 84’

“SHBA 1994”
Brazil–Itali 0-0
Brazili fiton 3-2 me penallti

“FRANCË 1998”
Brazil-Francë 0–3
Shënues: Zidan(F) 27’, 45+1’, Petit (F) 90+3’

“KORE/JAPONI 2002”
Gjermani–Brazil 0–2
Shënues: Ronaldo (B) 57’, 79’

“GJERMANI 2006”
Itali-Francë 1-1
Italia fiton 5-3 me penallti
Shënues; Zidan 7’(p) (F), Materaci (I) 19’

“AFRIKA E JUGUT 2010”
Spanjë-Holandë 1-0
Shënues: Iniesta 116’ (S=

“BRAZIL 2014”
Brazil-Argjentinë 13 korrik

TË GJITHË FITUESIT

1930 URUGUAI
1934 ITALIA
1938 ITALIA
1950 URUGUAI
1954 GJERMANIA
1958 BRAZILI
1962 BRAZILI
1966 ANGLIA
1970 BRAZILI
1974 GJERMANIA
1978 ARGJENTINA
1982 ITALIA
1986 ARGJENTINA
1990 GJERMANIA
1994 BRAZILI
1998 FRANCA
2002 BRAZILI
2006 ITALIA
2010 SPANJA

KAMPIONET E BOTËS
8 herë: Brazili
4 herë: Italia
3 herë: Gjermania
2 herë: Argjentina
2 herë: Uruguai
1 herë: Anglia
1 herë: Franca
1 herë: Spanja

Bilanci
Europë-Amerikë: 10-9

Vendi i tretë
Sot, Brazil-Holandë 22:00
2.15 3.69 3.22

Finalja
13 korrik, 21:00
Gjermani-Argjentinë
2.28 3.17 3.43