Zhani Ciko: Jeta e rrallë e Dhora Lekës – Në vend të një “DE PROFUNDIS” që nuk ka vend

52

Kujtimet e Tonin Harapi dhe Dritëro Agollit

Sigal

Zhani Ciko

“Mjeshtër i Madh i Punës

Ish Drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit

 

Dhora Leka- një emër i përveçësisë më të portretizuar, përjetimi i kronikës jetësore të së cilës, si rrallë kush, shtrihet në “vëllime” krejt të ndryshme që konvergjojnë së fundmi ashtu si rrjedhat ujore, në detin e historisë shqiptare të 100 –vjeçarit që jetojmë.

Ajo iu nis rrugës për emancipimin dhe aktivizimin e personalitetit të gjinisë femërore në zhvillimet determinuese të historisë së luftës çlirimtare: më pas me përfshirjen koshiente në përpjekjet tragjike për të shmangur atë ngjizje, që po atrofizonte idealin e brezit të lirisë, së cilës ajo i përkiste: u njësua me shëmbëlltyrën e qënies rinore, që ndryn në vetvete shpërthime tingujsh e vargjesh që elektrizojnë shoqërisht kohën për të cilën ajo krijoi, duke u bërë simbol tingëllues i kohës së saj.

Dhora Leka e ruajti gjatë gjithë trajektores në të gjallë rolin aktiv për mirë, madje edhe në të keq. Tregoi se ishte që në fillim e gatshme t’i përvishej aventurës së transformimit përmes ndeshjes. U shfaq dhe me aktivitet krijues në izolim dhe moslejim total të shprehjes dhe u gjallua e hipi vetë në piedestalin e kohës së re të tranzitit drejt lirisë e demokracisë së cilës i përkiste.

Eshtë fenomeni më tipik i personalitetit rinor femëror artistik, që zjarrin e pasionit krijues e ka brazduar në një monotemë shoqërore, në luftën për çlirim kombëtar. Më pas iu kushtua temës së madhe të rezistencës që përfshin brenda gjithë vargmuzikën e saj. Ajo është autore me krijime të papërsëitshme dhe autentike të përkushtimit rezistent ndaj cënimit të lirisë.

Dhora Leka është kompozitore ose më gjerë “krijuese për lirinë“. Ajo u inspirua nga ngjarjet jetësore të “Një vjeshte me stuhi” për t’u bërë heroinë e vetes në “Gjithë jetën me stuhi”- që ne e indovinuam si epitaf të këngës së saj të mjellmës. Opera- “Një jetë në stuhi”.

Nuk më harrohet çasti i dialogimit me të për fatin mundues të kësaj monojete të vënë në opera. Sytë që shkëlqenin së brendshmi, kur e kuptoi se vepra e saj po lindte në skenë pakthyeshmërisht. Mirënjohjen për atë kompozitor bir si Kujtim Laro që punoi skicat dhe linjat deri në zgripin e jetës, përjetimin e suksesit dhe atë dorë përshëndetje nga skena që ka mbetur në video, lulet, lotët e gëzimit etj. Nuk erdhi ta pijë gotën e verës me miqtë fill pas premierës. Na tha arsye të argumentuara…

Por e kuptuam. Ajo ndjeu së brendshmi bashkë me ngadhënjimin se Akti i saj në jetë kishte mbaruar dhe ajo u ndje brenda saj e realizuar. S’kishte ç’të bënte më. Perdja duhej mbyllur!

Të gjykosh aspekte të një jete kaq komplekse duke vlerësuar mirë a keq veprën jetësore, që varet nga rrethanat e krijuara jo prej teje dhe, të mos lartësosh virtytin e madh të një shpirti të lirë dhe deri në fund rezistent, do të thotë të nisesh nga mendësia e shkuar, të mos kuptosh personalitetin që mes horrorit sheh dritën e ndertë dhe parandien sado e largët dhe imagjinative.

Dhora Leka imagjinoi, shpresoi dhe jetoi!

Tiranë, janar 2009

E mbyllën Kanarinën në kuvli

E mbyllën Kanarinën

në kuvli.

-Hesht,-

i thanë; s’na duhet

kënga jote

e molepsur

me Liri…,

Por,

këngën e zjarrtë

të mbrujtur

me Liri,

s’e ndërpreu

Kanarina edhe

pse e mbyllën

në kuvli!

Internim, Gjirokastër 1956

 

Tonin Harapi

Fjala e mbajtur nga kompozitori Tonin Harapi “Artist i Popullit”, më 30 prill 1992, në një nga mjediset e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë në kuadrin e rubrikës “Luftëtare të vendosura për Liri e Demokraci. Mbrëmje kulturore-artistike, “Këngë në shtrëngatë“, kushtuar jetës e veprimtarisë muziko-letrare të kompozitores Dhora Leka, 30.IV.1992.

 

Kënga partizane ekziston si një fenomen i ri i pamohueshëm në muzikën tonë dhe zë vendin e vet të nderuar. Ajo është e pranishme siç janë të gjitha betejat për çlirim, siç janë masakrat e shkretërimi i vendit dhe dëshmorët nën dhé.

Ajo qe një fenomen spontan i lindur nga një ndjenjë e brendshme e pandalueshme, e papërmbajtur, fenomen që iu përshtat ose më mirë që jehona tingëlluese e atyre ngjarjeve, sa tragjike aq dhe të mbushura me heroizëm.

Në fondin e këngës  partizane, krahas atyre të revolucioneve botërore, një numër i konsiderueshëm i tyre i përket kompozitores Dhora Leka, ndoshta nga 30-50.

Unë si muzikant, tanimë me një përvojë jete arti gjatë gjithë jetës, e kam ndjekur këtë muzikë, ndonjëherë duke e përshtatur për instrumente të ndryshëm, kuartet, orkestër harqesh, duke e punuar për kore, duke e cituar në vepra orkestrale… Dhe pa dashje ajo e ka ushqyer këngën tonë dhe muzikën tonë me heroizmin e saj, me romantikën e saj, me thjeshtësinë, me saktësinë e emocionit, kjo ka rrjedhur, sepse ato, (kryesisht këngët e Dhorës) kanë dalë vetëm nga një burim: nga zemra, sepse zakonisht arti niset nga zemra, mandej kalon te mendja (e bëhen të logjikshme), kalojnë tek dora (tek mjeshtëria e kompozimit). Tek këto këngë mbisundon burimi: zemra dhe dy të tjerat i zëvendësonte e para.

E them këtë, sepse Dhora në atë kohë, nuk kish një bagazh teknik të mjaftueshëm për t’i përballuar ato tipe emocionesh aq të forta. “Hakmarrje rini”, “Ato maja rripa –rripa”, “Plaku dhe i riu”, “Britma e çlirimit”, “Himni i Ushtrisë“ etj, dhe me tipe të ndryshme formash dhe ndërtimi, unë di se ajo luante në kitarë si vajzë e shkathët dhe energjike (unë e kam njohur kur ka ardhur nga studimet në vitet 1953-1956).

Sigurisht që aftësitë e saj muzikore nuk kishin lindur në terren bosh, por nga një shtresë kulturale familjare, e edukatës artistike me vlerë, sepse ajo vinte nga një familje intelektuale, ku poezia, muzika e kultura e përgjithshme ishin në sfondin e formimit të familjes, por teknikën e nevojshme për ndërtimin e saktë e të larmishme të këngës ajo nuk e kishte, dhe megjithatë “Ato këngë nuk kanë as më të voglin difekt teknik edhe sot e kësaj dite”! Ato tingëllojnë ashtu të rregullta, të forta, të ngjeshura me emocion dhe me një mundësi të brendshme për t’u pasuruar me çfarë do mjetesh harmonike apo orkestrale.

Shumë vite përpara, ndoshta vitet e fundit 1950, kam lexuar një artikull të gjatë, të një personaliteti të madh muzikor, Svjeshnikov, i cili në një revistë shumë të nderuar, shkruante një artikull për Dhorën tonë me këngët e saj partizane “Një vlerësim të rrallë“. Ai thotë se “Ato hyjnë pa asnjë ngurim në fondin më të mirë të këngës revolucionare”. (Pse e përmenda se këngët e Dhorës dolën nga zemra, sepse, edhe pse ndoqëm të tri rrugët e krijimit zemra- mendja-dora).. nuk bëmë këngë aq të bukura.

Dihet që kompozitorja jonë bëri një pjesë të jetës të vështirë, shumë të vështirë… dhe me gjithë këtë vështirësi të pakonceptueshme, ajo gjeti energji, të shkruajë muzikë, edhe pa aanjë konditë, veç lapsit dhe letrës. Në vitet 60-të (ndoshta ka qenë viti 68) ajo erdhi tek unë dhe më tregoi radhazi dy opera me temë të luftës. Libretet i kishte bërë vetë: Njëra për “Zonjën Curre” e tjetrën për veprimtarinë e rinisë gjatë luftës.

Unë mund të them tashti, me aq sa kam dëgjuar atëherë, ato ishin dy vepra muzikore si vazhdimësi e ligjshme e këngëve të saja partizane të trajtuara në stad më të lartë dhe me kërkesat e gjinisë.

Dritoro Agolli

Nderim për nënën

Kam përpara librin e Dhora Lekës “Nëna ime”, të hollë, me një format të vogël, që nuk mbush as njëqind faqe. Dhe duke e vërtitur nëpër duar them me vete: “Shpirtin e nënës as njëmijë dhe as pesëmijë faqe nuk e mbajnë. Por shpirti i nënës gëzohet edhe me një fjalë dhe me një radhë të thënë apo të shkruar me dashuri”. Kështu peshën e këtij libri të vogël ia rrit dashuria. Ajo ia nxeh edhe faqet e tij. Eshtë hera e tretë që unë e lexoj. Një herë si fletorkë në dorëshkrim, të dhënë nga Dhora disa vjet të shkuar, një herë në botimin e parë dhe një herë tani në botimin e dytë. Në të tri herët e leximit të këtij libri kam gjetur dashurinë e autores për nënën, dhimbjen dhe trishtimin, të pasqyruar përmes ngjarjesh të thjeshta të mbushur me varfëri, me mundime dhe luftra, por edhe të ndritur nga shpresat dhe ëndërrat për një jetë më të mirë dhe për një liri të vërtetë.

Libri është shkruar në formën e kujtimeve, ku në qendër të tyre është nëna, një grua e thjeshtë që nuk di as shkrim as këndim, si pjesa më e madhe e nënave të brezit tonë të moshuar. Por mungesa e shkrimit dhe këndimit atë nuk e ka penguar të ketë një kulturë të pasur jetësore dhe në saj të përvojës së begatë të dijë të orientohet në ngjarjet historike dhe të kuptojë menjëherë dhe me mençuri se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, se cilët janë miqtë dhe armiqtë, se cilët janë përparimarët dhe të prapambeturit. Këtu qëndron edhe merita e librit të Dhora Lekës, që figurën e nënës e vendos në mënyrë të pashkëputur në mes të ngjarjeve historike jo si një individ soditës dhe sentimental, por si personazh veprues dhe të ndjeshëm ndaj këtyre ngjarjeve. Nëna është dëshmitare e shumë sundimeve dhe luftrave, e shumë lëvizjeve për liri e pavarësi. Ajo ka jetuar sundimin osman dhe lëvizjet e çetave të Themistokli Gërmenjit dhe të tjerëve; ka ndjerë varfërinë në regjimin e Zogut, ka vuajtur pushtimin fashist dhe në mënyrën e saj ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke strehuar partizanë, që vinin bashkë me Dhorën, të bijën, që edhe kjo ishte partizane. Të gjitha këto, sipas Dhora Lekës, shprehen në një thënie të nënës:

-S’m’u nda kjo luftë e shkretë kurrë. Që sa kam lindur, luftë mbaj mend..”

Në këtë frazë në dukje të thjeshtë ka një mendim tepër domethënës. Nëna thotë “s’m’u nda kjo lufta” sikur kjo luftë vetëm asaj i është vërsulur! Por kjo shprehje e thjeshtë në dukje që përsëritet e përsëritet tregon për pjesëmarrjen aktive të saj në fatkeqësitë dhe dhimbjet njerëzore, tregon se ajo është brenda tyre, si të tjerët.

Kujtimet për nënën autorja, natyrshëm dhe pa shkëlqim artificial të fjalës, i sjell deri në mes të viteve 70-të, kur më 1976 vdiq. Me mall e me dhimbje Dhora Leka tregon për zhgënjimet e nënës, për ëndërrat e tretura të saj, të cilat me aq shpresë i priste të bëheshin jetë pas çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi. Ndodhi ajo që nëna nuk e priste. E bija, partizane e vjetër, kompozitore e shquar, autore e këngëve të Luftës Antifashiste NAÇL, nga të cilat kumbonin malet dhe ndizeshin gjokset e luftëtarëve të lirisë. Dhora e saj e dashur bie në fatkeqësi, – internohet e burgoset në kohën e totalitarizmit të socializmit “real”. Në libër fillojnë faqet e rrëfimeve për vetminë e trishtuar të nënës, për gjykimet dhe arsyetimet e saj për ata që sjellin tragjeditë njerëzore.

Por autorja nënën e pasqyron edhe në çastet e vështira dhe tragjike të paepur dhe të fortë si guriçkë. Tani nëna kalon nga nënë në shoqe të së bijës. një kalim i tillë ia rrit vlerat librit dhe e bën më të besueshëm dhe më të lexueshëm. Doemos, mbi të gjitha në librin e Dhora Lekës pasqyrohet dashuria, miqësia dhe nderimi për nënën, ndjenja, që duhet t’i ketë  çdo njeri nëse e quan veten njeri.

Tetor 1997

Dhora Leka

(Këngë për veten time)

 

Shtegtoj me shpresë Lirinë!

Shtegton:

Mes vitesh

plot ëndërra

e erë lirje…

Shtegton:

Mes vitesh

zhgënimesh,

mynxyrash,

shtypjesh lirije….

Shtegton:

Mes vitesh

me rreze

e shpresë lirije…

 

Shtegton:

Nomades rebele,

ç’i duhet shtëpia?!

Kurrizi s’iu kërrus,

të gjitha i mban:

Pushkë-gjerdhanë,

Këngët – vargjet,

kërbaçin.

Shpresë – Lirinë,

renditur të gjitha

karvani i ngjan…

Shtegton:

Shtegtimin

me shpresë Lirinë,

në këtë fund – shekulli

të njëzetë

u le brezave, që do të vijnë…

Shtegton!

 

Tiranë, 6 tetor 1993