Intriga e Konti Çiano, ceremonina e dorëzimit të Kurorës së Artë të Skënderbeut, mbretit të Italisë fashiste, Viktor Emanuelit III.
– Ishin të pranishëm tre emra që po i veçojmë. Këta janë Shefqet Vërlaci, Xhaferr Ypi dhe Ernest Koliqi.
Pas agresionit kundër Shqipërisë, të kryer pabesisht në mes të festimeve të Pashkëve Katolike, truri diabolik i dhëndrit të Musolinit, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Konti Çiano, thuri edhe një intrigë tjetër akoma më poshtëruese: ceremoninë e dorëzimit të Kurorës së Artë të Skënderbeut, mbretit të Italisë fashiste, Viktor Emanuelit III.
Në këtë vetëfyerje të madhe dhe të papërfytyruar kurrë më parë prej asnjë pushtuesi, u përfshinë në Tiranë 159 të quajtur asamblistë, si edhe më pas një delegacion i posaçëm shqiptar, i cili këtë pacipësi e kreu deri në fund, në Pallatin Kuirinale në Romë. Mes tyre, ku nuk ndodhen jo vetëm Mitat Frashëri, si edhe mjaft burra të tjerë kombëtarë, gjenden të pranishëm tre emra që po i veçojmë. Këta janë Shefqet Vërlaci, Xhaferr Ypi dhe Ernest Koliqi.
Përgjegjësia e tyre para historisë është e madhe pikërisht, sepse nuk qenë individë të vegjël dhe periferikë, por për kohën e tyre personalitete me formim, ndikim, madje edhe me kontribut atdhetar.

I rrokullisi në këtë turp etja për pushtet.
Kjo është edhe arsyeja kryesore përse këtë ngjarje e kemi rikthyer në kujtesë të bashkëkombësve këtë 12 prill 2015, në motin e shtatëdhjetë e gjashtë të largësisë prej saj. Po e rirrëfejmë këtë histori, sepse është shumë më tronditëse se të lëshosh një Shën Naum në këmbim të pabarabartë me rripa shkëmborë në Vermosh, të brohorasësh dhe të firmosësh në pasluftë që të bashkohesh me Jugosllavinë apo të mos i rezistosh deri në fund, krenarisht, një presioni tinëzar fqinj për zgjerim të padrejtë të kufirit detar.
Me një lloj paraqeverie operative të drejtuar nga Xhaferr Ypi pushtuesit italianë brenda njëzetë e katër orëve të para, vetëtimthi dhe doemos pa zbatuar asnjë lloj parimi zgjedhor prej votës së popullit, mblodhën në Tiranë një Asamble Kushtetuese, e cila në mënyrë të komanduar mori përsipër tre përgjegjësi kryesore. I pari ishte vendimi për qeverinë e re. Ajo do të drejtohej nga Shefqet Vërlaci.
I dyti dhe i treti do të qenë projektvendime, çfarë donte të thoshte se do të merrnin fuqi zbatimi vetëm prej institucioneve përkatëse në Romë.
Njëri mori përsipër ta shpallte Shqipërinë të dëshiruar për t’u përfshirë përfundimisht dhe përherë brenda kufijve të shtetit italian, i cili atëherë, për fantazmagori të Duçes dhe ngrefosje të Viktor Emanuelit III, quhej Perandori. Juridikisht kjo u propozua të emërtohej si “bashkim personal”.

Shënojmë se ky vendim nga bota u kuptua menjëherë siç edhe ishte në të vërtetë: prishje e Shqipërisë, zhdukje e saj nga harta e botës. Jo më kot disa gazeta të Perëndimit ngjarjen ia përcollën publikut të tyre me titullin e përafërt “Shqipëria del nga Lidhja e Kombeve”.
Vëmë në dukje po ashtu se projektvendimi i 159 pseudoasamblistëve ishte jo vetëm gjest i ndërgjegjshëm i justifikimit të agresionit fashist, si edhe mbështetja e tij juridike, por edhe realisht sulmi i dytë, i bërë kësaj here nga brenda, prej vetë shqiptarëve. Mendja e ligë e Kontit Çiano nuk e mori përsipër barrën për ta shpallur këtë “bashkim personal” nëpërmjet një seance të parlamentit monist italian apo një dekreti mbretëror ose qeveritar në Romë.
Konti i mbrapshtë që vinte në jetë pacipësinë e Benito Musolinit, i shtrëngoi disa pushtetlëpirës të Tiranës të merrnin përsipër edhe propozimin tjetër, po aq të kobshëm, në mos më shumë, sepse bashkë me sovranitetin territorial jepej edhe ai i historisë. Popujt ekzistojnë, siç dihet, edhe pa shtete, por kur u tjetërsohet historia humbasin edhe vetë. Duke miratuar unanimisht dhe me duartrokitje që Kurora e Artë e Skënderbeut t’i propozohej për ta mbajtur monarkut italian Viktor Emanueli III po kryhej, bashkë me prishjen e shtetit shqiptar të mezifituar më 28 nëntor 1912, edhe ai i vetë popullit.
Më 12 prill 1939, në vetëm pak çaste, në dy-tri orë, Shqipëria prej disa bijve të vet u kthye në vetëm shprehje gjeografike.

Faji i 159 asamblistëve nuk ka fund, por do të zbutej sadopak nga dekadat e mëpasshme ose do të shpjegohej edhe si pasojë e frikosjes së një pjese të tyre apo e kërcënimit permanent të Shqipërisë prej jugosllavëve dhe grekëve, për shembull, duke mbetur vetëm në propozimin që të dyja vendet të bëheshin bashkë. Italia, në çfarëdolloj regjimi të jetë, mes tre fqinjëve tanë, në fund të fundit mbetet më e mira.
Ajo që është ulëritëse dhe përtej çdo kufiri të durimit, ka të bëjë me arsyetimin përse pseudoasamblistët tanë të 12 prillit 1939, duke shitur shtetin, në këmbim, të bënin qëndresë për mosdorëzimin e Gjergj Kastriotit. Për interesat politike të regjimit fashist italian e para ishte tepër e bollshme dhe shumë e mjaftueshme, kështu le ta linin mënjanë Skënderbeun, si simbol të një ure lidhëse mes dy vendeve apo si një përmasë të vyer baraspeshimi formal. Ai nuk duhej përfshirë në këtë paçavure politike pushtimi të 7 prillit, sepse edhe në parim nuk shtonte asgjë. E kaluara kishte dëshmuar se nuk fitonte kurrkush prej përvetësimit të kësaj figure të mirëdashur prej të gjithë kontinentit. Madje shqiptarët këtë gjë e kishin bërë të ditur me kohë, ndërsa për pesëqind vite me radhë heroin e tyre proeuropian qenë përpjekur t’ua vidhnin serbët apo grekët.
Sigurisht më shumë se për të kënaqur monarkun e vet, me të cilin luante t’i përmbushte delire dhe kështu ta mënjanonte prej pushtetushtrimit, Duçja donte t’i fyente deri në palcë shqiptarët. Si diktator që ishte, ky ishte edhe koncepti i tij i pushtimit të një vendi dhe populli.
Kështu, në mëngjesin e 13 prillit, ndodhën paralelisht dy episode. I pari: Konti Çiano u nis nga Tirana me avionin e tij personal dhe në Romë mbërriti në orën 10:30. Shkoi menjëherë te Musolini dhe i dorëzoi një letër të Asamblesë, në të cilën luteshin (e përsërisim: luteshin), që Italia të ishte dakord ta përfshinte Shqipërinë në shtetin e saj perandorak fashist dhe mbreti Viktor Emanueli III të pranonte Kurorën e Artë të Skënderbeut.
I dyti episod: mes brohoritjeve të një turme të porositur në Portin e Durrësit, një ekip qeveritar me Shefqet Vërlacin në krye, hipën në motoskafë dhe u drejtuan te një kryqëzor italian, i cili po i priste në brendësi të ujërave të gjirit. Për një simbolikë të qartë fashiste, ai e kishte emrin “Bande Nere”.
Pjesa tjetër e dërgatës që do të tregtonte, si të ishte një skllav i kohës së Perandorisë Romake, kryeheroin e tyre kombëtar, u nis nga Tirana më 14 prill. Një ditë më pas, mes bujës propagandistike dhe altoparlantëve që zhurmonin në të gjitha sheshet kryesore të Romës, u kryen ceremonitë e pranimit të lutjes së pseudoasamblistëve shqiptarë për të shitur vendin dhe kryeheroin e tyre.
Ky shkrim është thjesht një editorial dhe kaq ka hapësirë botimi. Po të tregosh se në ç’mënyrë u zhvillua shfaqja fyese e dorëzimit si rob, bashkë me shtetin, edhe i Skënderbeut, nuk do t’u dukej tepër i ashpër togfjalëshi “tradhti e lartë”.
Ca më tepër po të dinit me hollësi qëndresën e mjaft prej personaliteteve kulturore dhe politike që e refuzuan apo iu shmangën këtij turpërimi të përjetshëm. Midis tyre edhe ai i Qemal Butkës, nipit të Saliut të famshëm. Ai u arratis jashtë vendit, bashkë me Branko Merxhanin. I ndihmoi të iknin Fetah Butka, një emër patrioti, të cilit historia jonë i ka hyrë në hak duke e tejharruar.




















