Xhevat Mustafa: Nata e kobshme e 26 shkurtit 1951

231
Sigal

Nata e kobshme e 26 shkurtit 1951 – titull

 Fragment i shkurtuar nga romani në pritje për botim “Dashuri diktatori”

 Po afrohej mesnata e 26 shkurtit 1951. Në kamionin ushtarak mbuluar me mushama të zezë dhe ndriçuar me një llampë me vajguri ishin ulur, të lidhur me njeri–tjetrin nga një tel me gjemba në këmbë dhe me pranga në duar, grupi prej 21 të arrestuarish. Sabihaja ishte ulur në mes të Manushit dhe Qemal Kasaruhos. Mes karrocerisë dhe dy rradhëve të të burgosurve ishte një arkivol pa kapak. Edhe pse errësirë, të gjithë e njohën mirë fytyrën. Ishte Jonuz Kaceli. E kishin mik apo të njohur, kush më shumë e kush më pak. Asnjeri nuk mund të thoshte një fjalë të keqe për këtë burrë me emër dhe imazh të mirë. Por, nuk dinin të vërtetën rreth fundit të tij.                                                                                                                                              

– Mos vallë po bëjmë rrugën e fundit e sonte merr fund gjithçka për ne?– pyeti Sabihaja.                                                                                                                   – Po! -, i tha Manushi me bindje. Edhe sipas meje, po bëjmë një rrugë pa kthim, motra ime!

– E ke ndonjëherë pyetjen se pse i urren kaq shumë Enveri intelektualët e njohur, ish shokët e komshinjtë e tij si dhe disa nga kushërinjtë e vet? -, e pyeti Manushi, i cili, në të vërtetë, nuk priste një përgjigje  mendimndryshuese prej Sabihasë.

– Natyrisht po! -, iu përgjigj Sabihaja. Por nuk kam dashur ta besoj se urrejtja do ta shndërronte në përbindësh. Aq sa shpesh më ka goditur në kokë si çekan apo si varre pyetja:  “more, a është ky Enveri i parë dhe i vërtetë apo një sozi?”

Qemal Kasaruho, që ishte i ulur në krahun tjetër të Sabihasë, e shtrëngoi lehtë nga krahu, pastaj i hodhi dorën në qafë, duke i shprehur pa fjalë mesazhin “mbahu e fortë deri në fund, motra jonë!”                                                                                                                                                                                                                                                                                          – Më duket se po dridhesh edhe ti, Manush. – i tha ajo përvajshëm për atë, fëmijët e tij e për veten…                                                                                                                                                        – Nga të ftohtit e madh. Por edhe nga një peng. – u mundua të justifikohej Manushi                                                                                                            Më ka mbetur në mendje se mund të vdes pa i dhënë puthjen e fundit në ballë djalit. Në mbrëmjen e ditës së arrestimit e dënova, duke mos i dhënë si çdo mbrëmje puthje para gjumit. Për t’u çliruar sado pak nga tmerrimi, makthi dhe ankthi i vet, edhe pse ndriçimi ishte fare i zbehtë, Sabihaja vështroi nga fytyrat e burrave të tjerë. Kërkoi më shumë të atyre që i njihte. Në fillim gjeti ato të Gafur Jegenit, Myftar Jegenit dhe Haki Kodrës. Të tre ishin me origjinë nga Dibra dhe prandaj ishin ulur pranë. Dinte se Hakiu ishte diplomuar për Ekonomi në Universitetin  e Zagrebit, në Kroaci, ndërsa Gafuri e Myftari në akademi ushtarake në Itali…                                                                                                                                                                                                – A po mbaheni si burra Dibre? -, pyeti Gafurin, si më të madh në moshë.

– Po mundohena, oj motra jonë, por ashtu edhe si ju të tjertët, na kupton mirë, nuk po e kena fort të lehtë.

– Nuk i gjetën njerëzit e  familjeve ndonjë mik të fortë asaj dibranes tuaj, nuses së atij, që ka vendos  për fatin tonë?                                                                                                                               

Gafuri dhe Myftari nënqeshën hidhur, shoqëruar edhe me një “hëm”.

– U lodhën shumë disa nga tanët tek ajo dhe Haxhi Lleshi, por nuk  i pritën as me i dëgjue, -, iu përgjigj Gafuri. Pas disa sekondash, Sabihaja gjeti edhe fytyrat e dy kosovarëve, të Tefik Shehut prej Gjakove dhe Anton Delhysës prej Prizreni…E dinte se Tefiku kishte lindur në Gjakovë dhe ishte diplomuar në Zagreb për Ekonomi, Financë dhe Drejtësi. Për Anton Delhysën dinte se ishte rreth 45–50 vjeç. Se kishte lindur në Prizren dhe se kishte kryer me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulcit.  E njihte nga emisionet informative në Radio Tirana dhe gazetat edhe si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fulcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës, deri pak ditë më parë, si drejtues i punimeve për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, të Spitalit të qytetit të Gjirokastrës, të fabrikës së tullave në Vorë etj.

– Po ty, Reiz, përse të futën në këtë listë? – iu drejtua Sabihaja, njerit prej bashkëqytetarëve dhe të njohurve të saj më nga afër, Reiz Selfos. Ndryshe nga unë, Manushi, Qemali, ti ke parë më shumë punët dhe fitimet e tua në tregti dhe ndërtim. Prej teje Gjirokastra dhe Vlora kanë parë vetëm të mira. Mjaftojnë edhe vetëm Ura e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, sa e sa shkolla, Gjimnazi në Gjirokastër.

– Pikërisht sepse i kam bërë dhe mund t’u bëj vetëm të mira këtij populli dhe vendi, Enveri dhe Mehmeti po më ndëshkojnë shumë rëndë, motra ime! –iu përgjigj me zë mbi mesatar Reizi.

Më pas Sabihaja vështroi fytyrën e Pjerin Guraziut. Edhe këtë burrë të nderuar Shkodre, rreth 45 vjeç,  e njihte mirë për nga veprat dhe fjalët e mira, që thuheshin për atë, kudo ku kishte studjuar, punuar dhe jetuar si dhe nga mediat. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën Tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Pastaj vështrimi i Sabihasë kaloi me rradhë fytyrat e Zyhdi Herrit, Gjon Temalit, Petro Konomit, Niko Lezos, Pandeli Novas, Mehmet Shkupit, Ali Qoraliut, që kishte kryer studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut …Edhe pse nuk i njihte mirë ndjeu keqardhje dhe mëshirë të sinqertë edhe për për Hekuran Trokën, me mendje e zemër jo tek fati i tij, por tek gruaja 30 vjeçare dhe vajzat 3 vjeçe e gjysëm dhe 5 javëshe e me pengun e madh se nuk i kishte përqafuar për herë të fundit; për malazezin Lluka Rashkoviç… Ndjeu keqardhje të madhe kur e pa mes tyre dhe në gjendje të rënë shpirtërore kolegun e saj Niko Lezo, diplomuar për Kimi-biologji në Universitetin e Tuluzës në Francë, në një degë që e kishte nisur dhe bitisur as deri në vitin e dytë Enver Hoxha, në Universitetin e Monpelejesë… I erdhi shumë keq për gruan e tij franceze, të mirën, të hijshmen, të dashurën Odeta, e cila kishte braktisur Francën për dashurinë me Nikon si dhe për djalin e tyre Vanko…I kishte parë disa herë në shëtitje nëpër sheshin dhe rrugët kryesore të Tiranës e ishte ndjerë sinqerisht e gëzuar për lumturinë e tyre.Thoma Katundi ishte më i moshuari mes tyre, rreth 65 vjeç. Ndërsa më të rinjtë, Petro Konomi dhe Haki Kodra ishin rreth 30 vjeçarë. Fadil Dizdarin, rreth 35 vjeçar, me origjinë nga Shkodra dhe banim në fëmijëri e rini në Kavajë dhe pastaj vendosur në Tiranë, me punë si shitës librash të vjetra e plot prej tyre të ndaluara nga regjimi komunist, e njihte, sepse kishte shkuar disa herë në librarinë e tij. Kur kishte shkuar në një nga ditët e para të dhjetorit 1950 e kishte gjetur fytyrë qeshur si asnjëherë. Arësyen e kishte mësuar kur ai i kishte dhënë një suxhuk me arra dhe e kishte njoftuar se “më 30 nëntor ishte fejuar me një gocë të mirë nga një familje tironse…”. Nga lumturia i kishte treguar edhe unazën e fejesës. Sabihasë i kishte rënë në sy se gjatë udhëtimit të tyre drejt fundit të patreguar, por që e merrnin me mend, Fadili e shtrëngonte shpesh unazën me gishtrinjtë e dorës tjetër, sikur ta mbronte mos ia rrëmbenin. Pas 20 minutash kamioni me 21 të burgosurit dhe kufomën  si dhe disa policë lart, me xhip–e para dhe pas tij, kishte arritur në fshatin Mënik. Pasi bëri një rrotullim kamioni ndaloi pranë një grope të madhe. Disa policë e ndriçuan vendin përreth me llampa me vajguri. Pastaj u ndez një gjenerator i madh dhe vendi u ndriçua mirë. Policët dhe ushtarët me automatikë në duar, gati për të qëlluar, ishin formuar një rreth të madh. Njëri nga policët, më i riu në moshë dhe detyrë, ndoshta pjesëmarrës për herë të parë në një ekzekutim masiv, si ky i foli me zë të ulët shokut në krah:

– Edhe atë gruan kanë vendosur ta pushkatojnë? Qofsha i gabuar, por nga pamja nuk duket për terroriste…                                                                                                                     Arqilea u fut mes policëve dhe ushtarëve. Pasi i kontrolloi edhe një herë, për disa sekonda, me një vështrim të vëmendshëm, iu drejtua me zë të lartë e ton ulëritës, pa menduar fare se mund të dëgjohej në shtëpitë më të afërta:

– Skuadra e pushkatimit bëhuni gati!Secili nga ju do të qëllojë atë që ka përballë!

Polici i ri, me grykën e automatikut nga objektivi, psherëtiu i lehtësuar e tha me vete:

– Shyqyr o Zot i madh, që nuk më ra fati të qëlloj mbi atë femrën e gjorë!

– Atëherë, shenjestrën në sy, gishtin në këmbëz dhe prisni urdhërin tim! –u dëgjua zëri–plumb i komandant Arqilesë.

Unë do të lexoj ngadalë emrat dhe mbiemrat e secilit prej jush, ju do të përgjigjeni me zë të lartë vetëm me fjalën “këtu”! U muarëm vesh? Vetëm “këtu”! Ashtu de! Fillojmë! Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Manush Peshkëpia, Sabiha Kasimati, Pjerrin Guraziu, Gjon Temali, Zyhdi Herri, Ali Qorraliu, Petro Konomi, Thoma Katundi, Pandeli Nova, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Niko Lezo, Anton Delhysa,  Tefik Shehu, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni, Haki Kodra, Mehmet Shkupi, Lluka Rashkoviçi…! Nuk harrova ndonjë emër, ë? Jo! Jo!  Të gjithë thatë “këtu!”.

Polici i ri ndjeu një lehtësim, kur kuptoi se atij i kishte rënë të qëllonte mbi Qemal Kasaruhon.Nuk do të ikte pa e ditur se cili ishte njeriu i parë që kishte ekzekutuar. Sabihaja ishte edhe pranë Manushit, mbështetur lehtë në supin e tij.

– Mbahu, motër! – u përpoq ai t’i jepte zemër, kur po ndjente se edhe atij vetë, si të tjerëve, po i shteronin fuqitë dhe zëri. Dashtë Zoti, jemi viktimat e fundit të atij monstrës, Enverit dhe e zënë mallkimet tona!

– Po mundohem. Nuk dua të më shohin të frikësuar– foli me zë të mekët Sabihaja                                                                                                                             – Edhe unë e  kam të vështirë. -,pranoi Manushi. Tmerrohem kur mendoj se do ta lë gruan të ve, dy fëmijët jetimë, nënën.! Kushedi sa shumë do të vuajnë për shkakun tim…Ti i  njeh mirë…praktikat që zbatojnë..Do t’i internojnë dhe persekutojnë…

– Mua më vjen për të qarë me ulërima që do të ndahem nga Astriti, pa ia arritur ditës së dasmës sonë… – mundi të fliste mes lotëve Sabihaja. Natyrisht, e kam peng që nuk arrita t’i përqafoj për herë të fundit mamanë, vëllanë, motrat.

Arqilea kontrolloi për herë të fundit skuadrën e pushkatimit dhe fytyrat e 21 të viktimave të pritshme.

– Skuadra! Mbani mrë në shenjestër secilin përballë! Gati për zjarr! – ulëriti, me sa fuqi kishte.

Ushtarët i vunë edhe më mirë në shenjestër viktimat e tyre. Ushtarit më të ri u dridh lehtë dora dhe u mjegullua pak vështrimi.                                                                                                                                                                                           – Zjarr!!! – urdhëroi Arqilea, me gjithë fuqinë e zërit të tij të ngjirur, me vështrim qortues nga ushtari “zemërpulë”.  Trupat e 21 njerëzve ranë në gropë, dikush më shpejt dhe dikush më vonë. Dikush pa lëshuar asnjë rënkim dhe klithmë e dikush pa i ndaluar dot ato. Sabihanë nuk e kishte kapur plumbi dhe ishte akoma gjallë, e përgjakur në fytyrë. Ajo nuk mundi ta besonte as vetë këtë mrekulli. Mblodhi të gjitha forcat e saj të fundit dhe arriti të thëriste me zë të lartë: “Faleminderit, o Zot i madh! Qenkam gjallë?! Vërtetë jam gjallë! Ndhmë! Ndihmë!  Arqilea vështroi me zemërim ushtarin që duhej ta kishte vrarë qysh me plumbin e parë dhe shkoi me vrap tek Sabihaja, me revolverin gati për të qëlluar mbi kokën e saj apo drejt e në gojë.
– Qenke akoma gjallë ti?! – e pyeti me ironi, Arqilea duke e qëlluar me sa fuqi kishte në kokë me shkelma dhe me qytën e një automatiku, që ia rrëmbeu një polici, duke e lemerisur në vetvete edhe atë vartës.

Pastaj, ia vuri grykën e automatikut në ballë dhe e qëlloi me të gjithë plumbat që kishin mbetur në karikator, duke ulëritur, sa duhet të ishte dëgjuar shumë larg, më fort e më frikshëm në shtëpitë më të afërta:

– Ik tani, rruga e mbarë, Sabiha Kasimati! Na ngrite nervat e na lodhe! Paske pasur shtatë shpirtra                                                                                                                                   Kur u sigurua plotësisht se Sabihaja kishte vdekur, u kthye nga ushtari që duhej ta kishte vrarë me plumbin e parë, nëse do ta kishte qëllluar mu në zemër. E vështroi egërsisht e kërcënueshëm dhe e kapi fort nga krahu.
– Të erdhi keq për atë rrospijen, ë? Përse ia kurseve plumbat?  Përse t’u dridh dora? – iu vërsul ushtarit të mbetur i ngrirë nga lemerisja prej skenës që kishte parë dhe nga ato që mund t’i ndodhnin si ndëshkim, me agimin e ditës së re.
-Ju të tjerët, mbuloni me dhe kufomat dhe gropën. Nesër në mëngjes këtu nuk duhet të ketë asnjë shenjë apo gjurmë për këtë që ndodhi!