Prof. Dr. Ago Nezha e Agim Çiraku: Xhemil Çeli bashkëudhëtar me shoqatën “Labëria”

510
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Xhemil Çeku njihet në rrethin shoqëror si një intelektual me një vullnet të fortë, skrupuloz, kërkues, këmbëngulës


Nga Prof. Dr. Ago Nezha 

Shoqata  Atdhetare Kulturore “ Labëria “ qysh me krijimin e saj në 12 dhjetor, të vitit 1991, ka pasur një çelës, që e ka mbajtur të hapur, vitale  dhe aktive  dhe ky  “ çelës,“ e ka emrin Xhemil Çeli, sekretar i përgjithshëm i shoqatës  atdhetare kulturore “Labëria”:  “Nderi i Kombit”, i zgjedhur që nga Kuvendi i Parë themelues,  për katër kuvende rresht. Shoqata “Labëria,“ ka hedhur shtat dhe ka bërë emër me veprimtarinë e saj  atdhetare, patriotike e kulturore, jo rastësisht. Në krye të saj, ka pasur liderë, që kanë kontribuar jo vetëm me dijet e tyre, por edhe me përkushtimin, sakrificën, ambicien për ta faktorizuar këtë krijesë vullnetare dhe një ndër këta emra që është gdhendur në historinë e shoqatës, është Xhemil Çeli. Kjo nuk është një rastësi. Asgjë nuk lind në një truall shterp. Xhemili, rrjedh nga një familje kurveleshase, që në vendlindjen e tij në Gusmar, ka një trashëgimi të pasur patriotike e shoqërore, e rritur mes luftërash për liri e pavarësi kundër osmanëve, grekëve, italianëve, gjermanëve  e malazezëve.  Nuk mund të ndodhte ndryshe. Xhemili, do shkelte në traditën e të parëve të tij i, pushtuar nga morali shoqëror dhe profesional.  Ai, ka një karrierë të pasur  ushtarake, intelektuale dhe shoqërore. Po të ecësh ndër vite, në maratonën e tij, spikat gjithmonë ngjitja majave të karrierës ushtarake, krijimtarisë dhe  veprimtarisë së pasur shoqërore.

Ai, njihet në rrethin shoqëror si një intelektual me një vullnet të fortë, skrupuloz, kërkues, këmbëngulës deri në “bezdi”.  Autoriteti, personaliteti dhe përgatitja ushtarake , e bëri Xhemilin një kuadër me një karrierë të pasur, në një sektor delikat dhe inteligjent, siç ishte zbulimi në ushtri. Jeta nuk e ka përkëdhelur kurrë, Xhemilin. Ai, nuk ishte vetëm një ushtarak i zoti, por edhe një njeri me dije akademike e teorike, falë studimit të tij skrupuloz dhe pretendues për të arritur majat e shkencës. Këtë dukuri e vërejmë në tërësinë e pasur të jetës së tij. Mbas kthimit nga Korpusi i Burrelit, ai nisi karrierën pedagogjike në detyrën e pedagogut, e mandej të shefit të Katedrës së Historisë së Artit Ushtarak, të ushtrive të huaja e të zbulimit dhe njëkohësisht punonjës shkencor pranë kësaj Akademie. Për aftësitë e tij kulturore e profesionale dhe krijuese, ai ishte ngarkuar dhe ka kryer detyrën e kryeredaktorit të “ Revistës Ushtarake,“ organ tekniko-shkencor i Akademisë Ushtarake dhe Shtabit të Përgjithshëm. Xhemil Çeli, në karrierën e tij të gjatë e të pasur, njihet si ushtaraku i shumë funksioneve e detyrave të larta në ushtri. Në të gjitha pozicionet që është vendosur, ka qenë njeriu model, që s’ka neglizhuar e abuzuar për asnjë rast, falë aftësive të tija, çdo detyrë e ka kryer me profesionalizëm, përkushtim e ndërgjegje të lartë njerëzore. Krahas detyrave drejtuese, ai në punën akademike, ka përgatitur breza të tërë oficerësh, që e kanë vlerësuar  me respekt për përgatitjen e lartë profesionale dhe korrektesën fanatike në të gjitha aspektet, si ushtarake dhe njerëzore. Rrugëtimi i gjatë ushtarak, i suksesshëm dhe plot variacion, ka bërë që emri i tij të gjendet në përpilimin e shumë rregulloreve, librave, kumtesave, studimeve, simpoziumeve, leksioneve, artikujve në shtypin shkencor dhe periodik. Krijimtaria e tij, është shtrirë veç katër librave me karakter ushtarak, edhe në botimin e monografive, si dhe  ka  shkruar  Historikun 15 vjeçar të Shoqatës “ Labëria,“, njëkohësisht është  bashkautor në “ Enciklopedinë e Kurveleshit.“ Kjo pasuri kontributive, ka ardhur si rrjedhojë e të qenit të tij tepër aktiv dhe energjik. Këtë fakt, e përligj edhe vlerësimi me katër urdhra e dy medalje, të akorduara nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, si dhe tituj nderi si  “ Personalitet i Shquar i Labërisë“dhe “ Nderi i Qarkut të Gjirokastrës “.

Jeta dhe veprimtaria e Xhemilit, ka pasur baticat dhe zbaticat e saj, por ai, i ka përballuar me sukses, falë karakterit të tij të qëndrueshëm që ja ka ushqyer virtytet edhe në ditë të vështira. Karakteri i fortë, i gërshetuar me elasticitetin e mendjes,  kanë qenë energjia e fshehtë dhe e vazhdueshme e vullnetit të Xhemilit, që i kanë dhënë epërsi, si numëruesi më i mirë i vlerave dhe aftësive njerëzore. Ai, ka ditur të ruajë ekuilibrin dhe gjakftohtësinë, për të bërë punë të mira dhe të shëndetshme. Njeriu, çmimin e merr nga punët që kryen në dobi të shoqërisë. Dhe Xhemili, nuk e ka  shpërdoruar jetën. Çdo njeri, është bir i bëmave të veta. Punët e mira e të dobishme, i bashkojnë njerëzit, ndaj  Xhemili është kontribues i spikatur jo vetëm në Shoqatën “ Labëria “ por edhe në disa shoqata të ushtarakëve, duke qenë në udhëheqje të tyre. Ai, është karakterizuar në çdo punë nga ndershmëria, modestia dhe solidariteti shoqëror. Kohën që kaloi në pension, ai nuk e shpërdoroi, por vazhdoi duke punuar deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ishte i kudo ndodhur, për probleme shoqërore. Dalja në pension, ishte stacioni ku ndali karrierën ushtarake, por jo punën dhe aktivitetin shoqëror veçanërisht te Shoqata Labëria. Geni i tij patriotik, nuk e linte të qetë. Gjatë luftës së Kosovës kundër genocidit serb, Xhemili do ishte pranë shtabit të UÇK-së, për të ndihmuar me eksperiencën e tij ushtarake, gjatë kryerjes së luftimeve. Njeriu, që jetën e konsideron luftë për ta jetuar e lumturuar, nuk e ndalon kurrë veprimtarinë e tij, në dobi të shoqërisë.

Ai, u nda nga jeta fizikisht, por do kujtohet për tërë veprimtarinë e tij të pasur shtetërore dhe shoqërore.

Shoqata Labëria dhe kryesia e saj, ruan konsideratën më të lartë për vlerat që shfaqi dhe kontributin që dha në dobi të fuqizimit dhe emancipimit të shoqatës.  .


Nga Agim Çiraku, Nënkryetar i Shoqatës Labëria

Lajmi për ndarjen nga jeta të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit” Xhemil Çeli na trishtoi pa masë.  Për vite të tëra tek Xhemili pashë dhe njoha nga afër njeriun e utë, patriotin e devotshëm, intelektualin korrekt, labin e drejtë, familjarin e mirë. Në shoqatë zëri i tij dëgjohej me vëmendje pasi për vite me radhë si Sekretar i Përgjithshëm ai i dinte të metat dhe anët pozitive të shoqatës më të madhe në vend. Kurdoherë i qetë dhe me fjalë argumentuese ai përcillte mes nesh siguri dhe saktësi. Kurrë nuk fyente asnjëherë nuk rrëmbehej, por me fjalën e zgjedhur sillte tek ne vendimin e drejtë. Më bënte përshtypje qetësia e tij, por mbi të gjitha thjeshtësia. Kurrë nuk thoshte unë, por ne, shoqata, të gjithë bashkë. Dhe pse ne këmbëngulnim për vazhdimin e pozicionit të tij në shoqatë ai vendosi të largohej ashtu në heshtje duke lënë emrin e mirë. Gjithmonë e shikoje me një libër në dorë, pasi për të libri ishte miku më i mirë dhe i pagabueshëm. Largimi i tij në përjetësi është një humbje e madhe për shoqatën, për familjen, për miqtë dhe shokët. Do na mungojë gjithmonë fjala e tij bindëse dhe mbushur me mirësi. Njerëz si Xhemili sot janë të rrallë pasi tek ata shikoje interesin e përgjithshëm duke lënë në harresë vetveten. Me larg në përjetësi ngelet një vend bosh mes nesh, i pazëvendësueshm, pasi njerëzit e ditur dhe vetmohues po rrallohen në këtë situatë kaotike. Lamtumirë Xhemil. Vepra jote nuk do harrohet. Puna jote në shoqatë do mbetet e pazëvëndësueshme. Ti le pas emrin dhe emri i mirë nuk është një germë e shkruar në rërë, por një emër i gdhendur më daltë në shkëmb. I tillë do mbetesh për ne.