Xhevat Lluri: Duke kërkuar varrin e nënës

444
Sigal

Jeta prej jetimi më ka detyruar që shumë gjëra t’i përjetoj si jetim, ku dhimbja për nënën më shtypte vazhdimisht kraharorin e malli për të më mblidhej si lëmsh në fyt…

Malli më çon në Prongji. Sa herë shkoj atje, e para që më del përpara është nëna, hija e saj, përfytyrimi i saj… Më shoqëron… Më pyet: si u rrite bir?… Pa mua?… E krijove familjen? Po fëmijët si i ke?

 

Me një tufë lulesh në duar arrij te varret. Të parat lule dua t’i vendos te varri i saj. Po ku?! Vërtitem nëpër varreza… Lexoj emrat dhe më pushton trishtimi. Të gjithë, që kanë qenë në jetë e kanë varrin e tyre… Vërtitem mos gjej ndonjë gur ku të shkruhet emri i nënës sime. Eci si nëpër ëndërr… Ec e lexo… Ec e qëndro…     Ku është varri i nënës?

Për një moment bëhem fëmijë tre vjeç… Dhe qaj… Qaj siç qajnë fëmijët: O nënë! O nëna ime! Ku je?! Tre vjeç më le kur ike! Ndoshta ike në qiell përderisa nuk e gjej varrin tënd në tokë. Oh!  Jo… Nuk i dihet varri!

I shpërndaj lulet nëpër varre dhe ndiej që ato janë të lagura më shumë nga lotët se sa nga vesa. Ku e ka varrin nëna? Ku ta gjej? Askush nuk e di. Ishte luftë atëhere kur ajo mbylli sytë. U varros përmes plumbave… Plumbat e dy djemve të rritur dhe të burrit binin për liri. Breshëria e plumbave të tyre e shoqëroi në banesën e fundit bashkëshorten e nënën në largësi. Edhe në vdekje plumbat nuk na janë ndarë… Po ku u varros?

 

“E di unë varrin e saj, – më tha një grua… Do ta tregoj unë… Do të shkojmë bashkë, atje”. M’u bë sikur nëna m’u ngjall… Aq e fuqishme është dhimbja për nënën, sa mund të besosh edhe të pabesueshmen. Por ajo ishte e besueshme…Me tufën me lule shkova te shtëpia e asaj gruaje, që dinte varrin e nënës… Do takoja nënën, do ta puthja gurin e varrit të saj, do të bisedoja e do t’i tregoja gjithçka, gjithçka… Por, oh… lulet krejt në mënyrë instiktive më ranë nga duart… dhe mbeta si i ngrirë. Te porta e shtëpisë së saj, që do të më tregonte varrin e nënës  ishte arkivoli. Ajo kishte vdekur. Mbeta pa frymë, ca nga dhimbja e ca nga që nuk kisha për ta mësuar kurrë më varrin e nënës… Prapë jetim.

“E di unë, -më tha një burrë… Do të shkojmë bashkë”… Por ah, ai u verbua… Sa i pafat!  Prapë jetim.

Nuk kam rreshtur e nuk rresht së pyeturi edhe sot: këdo që gjej nga ai fshat ku është varrosur nëna? Mos e dini varrin e nënës sime?