1.Teatri “Migjeni” i Shkodrës, në rrjedhën e viteve të historisë teatrore dhe artistike, në vënien e pjesëve dhe të shfaqjeve të dhëna, shfaq disa dukuri, të cilat duhen përmendur e nuk duhen harruar, si: kontributi i estradës me premierat e saj, kontributi i dramës me premierat e saj, kontributi i komedive me premierat e saj, si dhe kontributi i pjesëve për fëmijë e për kukulla.
Nga vëzhgimet tona, na del se numri më të madh të spektatorëve e ka pasur Estrada e më pas drama. Mendojmë se, humori dhe e qeshura shkodrane duke qenë truall i pasur e tradite i këtij qyteti, janë pjesë e identitetit të shkodranit, pa të cilin nuk mund të kuptohet ekzistenca e shkodranloces. Mbi bazën e kësaj pasurie të çmueshme, të veçantë që nuk njeh krahasim; humori dhe e qeshura janë zhvilluar përmes talentit të bejtarëve e karnavalistëve, të teksshkruesve dhe të aktorëve-interpretues brilantë, të batutave të pafund…, të formulës magjike popullore: “Qit e prit”… etj. Humori dhe e qeshura, sigurisht, në jetën e tyre kanë udhëtuar nëpër udhë e shtigje, rrëpira e ngushtica në kontekste të ndryshme historike, duke ruajtur veçoritë përkatëse, por duke mos ndryshuar e tjetërsuar humorin fin shkodran. Ndërsa drama (dramatikja), në pikëpamje të numrit të spektatorëve ka qenë më e reduktuar, ndonëse ka pasur shumë pasionatë. Me kalimin e viteve dhe të dekadave, aktualisht dhe sot, kur, jemi në një stad të caktuar kohe, spektatori lyp estradën, ndërsa drama kërkon spektatorin.
Një nga shfaqjet që ka lënë “shenjë”, si një arritje e mrekullueshme artistike, dinjitoze dhe vlerash interpretimi, është dhe komedia “Këshilli i ndrikullave”, komedi në dy pjesë e autorit Sheri Mita dhe e vënë në skenë nga regjisori i talentuar Serafin Fanko, në vitin 1969. Ndonëse kanë kaluar 52 vjet, kush brezni e ka parë, kush brezni e kujton, kush brezni e ka përcjellë, kush kujton dhe rikujton imazhet e shfaqjes dhe ripërmend batutat, dialogët dhe skenat saj, kush kujton grupin e aktorëve të famshëm pjesëmarrës të kësaj komedie…; besoj se buzëqesh pafund… Edhe sot kjo komedi nuk e ka humbur dinjitetin artistik, nuk e ka humbur madhështinë e saj, dhe është pak t’i dhurosh vetëm një buzëqeshje…
Regjisori Serafin Fanko, me mjeshtrinë e tij, diti, që në koncept dhe realizim të ruaj dritën dhe ngjyrat e komedisë, raportet dhe ekuilibret e saj, duke patur parasysh aktorët që ftoi për interpretim, si dhe njohu mirë karakteret e tyre, të cilët mishnuan botën e tyre të pasur në tekstin brilant të autorit Sheri Mita. Autori, gjatë gjithë jetës së tij, e kishte “pikë të dobët” dashurie komedinë e tij. E quante një nga krijimet e tij më të mira. Gjithherë e ka pritur, shumë e ka pritur që ta shihte edhe një herë në skenë komedinë “Këshilli i ndrikullave”. E ëndërronte shumë, edhe kur ishte i sëmurë, i sëmurë rëndë, edhe kur vdekja u tregua e pabesë. Kur regjisorja dhe aktorja Rozina Kostani i pati thënë një ditë se dëshironte ta sillte veprën e tij, ëndrrën e tij të shumëëndërruar në formën e një muzikali; gëzimi i tij ishte i pamasë. Por me gjithë dëshirën…, projekti mbeti në mes. Autori u nda nga jeta, edhe me këtë peng të pakryer…
2. Po cila është pasaporta e kësaj komedie?
“Këshilli i ndrikullave” iu paraqit publikut shkodran si premierë e re, me datën 19.10.1969. Ishte një komedi me dy pjesë dhe mbante për autor dramaturgun Sheri Mita. Komedia u vu në skenë nga regjisori: Serafin Fanko. As / regjisor: Elez Kadrija. Piktor: Lec Fishta. Inspektor skene: Çesk Vuksani. Sufler: Tonin Ujka. Efektet zanore: Zef Cungeli. Dritat: Teufik Duka. Kostumet: Zina Ashta dhe Bik Ndoja. Marangoz: Lec Prendi. Teknikë skene: Fehmi Gogovi, Maliq Sejdini, Osman Gruda. Interpretuan aktorët dhe aktoret profesionistë të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Në këtë komedi rolin kryesor e interpretoi “Lafiti” (Leo). Vazhdimisht e luajti aktori i Teatrit të Estradës së Shkodrës, Tano Banushi, i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm. U dalluan për interpretim shumë të mirë: Vitore Nino, Tinka Kurti, Antoneta Fishta, Vjoleta Sekuj, Ndrekë Prela, Ymer Bala e tjerë.
Myrtezai, teknik ndërtimi – Pistol Soja, Ndrekë Prela; Lirika, e shoqja – Vjoleta Sekuj; Rina, e bija – Ana Shala, Marije Qyrsaqi; Rinushi, montator – Ymer Bala, Esat Kola; Latifi Leo) – Tano Banushi, Bep Shiroka; Leta, shoqe e Rinës – Marije Qyrsaqi, Ana Shala; Ndrikulla e parë – Tinka Kurti, Artiste e Merituar; Ndrikulla e dytë – Vitore Nino; Ndrikulla e tretë – Antoneta Fishta. Komedia pati suksese të jashtëzakonshëm dhe u përsërit shumë herë. Komedia u dha me protokoll me 19.10.1969 në Shkodër, në skenën e teatrit “Migjeni”; pastaj nisi udhëtimin në: Tiranë, Labinot-Fushë, Xibrakë, Hidrocentalin Vau-Dejës, Lezhë, Pukë, Fushë Arrës, Durrës, Rrëshen, Krujë, Rranxa-Bushat. Nga data e dhënies së premierës dt. 19.10.1969, deri më 21.11.1973 u përsërit 88 herë dhe me një shikim spektatorësh: 39.455.
Shënim: Shumë pjesë të kësaj pasaporte, janë marrë nga teksti i Mbajtësit të arkivës: Paulin Laca, tekst që daton, Shkodër, më, 19.10.1969.


3. Po sjellim nëpërmend trajtesën, patformën dhe mesazhet e komedisë “Këshilli i ndrikullave”, të cilat janë: – Ndërtimin i familjes, – Marrëdhëniet e drejta e të shëndosha të dashurisë, – Respekti reciprok i dinjitetit dhe personalitetit, – Prindi, fjala e tij në vendosjen e fatit dhe lumturisë së fëmijëve… etj., etj.
Nga trupa interpretuese, do të ndalem në disa prej tyre për t’i parë më gjerë përmes një optike analitike, me të cilët “takohem” pas 52 vjetësh.
Aktori Tano Banushi interpretoi në rolin e Latifit, por gjatë pjesës ai thirrej me emrin Leo, për ta bërë sa më modern dhe rinor. Ky rol në gjerdanin e personazheve të tij që krijoi, mbetet nga më të bukurit, mbase dhe i paarritshëm në fondin e humorit shqiptar. Spikatja dhe rrezatimi i personazhit mbart hapësirë të tillë, sa i bën nder komedisë shqiptare në arritjet e saj më të mira e cilësore.
Tanoja e ka ndërtuar figurën e tij, në tre plane: – në marrëdhënie me vetveten, – në marrëdhënie me tri ndrikullat, – në marrëdhënie me Rinën. Janë tri botë, që, përmes të qeshurave e shpesh dhimbjeve, kanë të përveçme dhe përbashkët (marrin e japin): batuta plot efekt me sens humori brilant, lëvizje dhe veprime në përgjigje të batutave dhe dialogëve, të situatave mahnitëse plot ngjyra humori. Të gjitha këto “provime” aktori i papërsëritshëm Tano (Athanas) Banushi jo vetëm që i kaloi në mënyrë të përkryer, por u dha talentin e tij dritësues, që Leo, krahas figurave të tjera mbeten modele udhërrëfyese e të përjetshme.
Figurat e Ndrikullave: (Ndrikulla e parë – Çiçi), Ndrikulla e dytë – Bela (Bella), (Ndrikulla e tretë – Domenika). Kush i kujton, edhe buzëqesh me këto personazhe, edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë dekada. Kjo jetëgjatësi është meritë e aktoreve: Vitore Nino, Tinka Kurti e Antoneta Fishta. Çdo veprim, batutë e nxjerr nga goja e tyre e të situatave të zakonta dhe e pazakonta; reale, metaforike apo e rastësishme, apo edhe enkas; ato i kushtuan vëmendjen e duhur rolit që u besoi dramaturgu, regjisori dhe personazhi. Ato, me talentin individual të tyre kanë hyrë në lëkurën e figurës së krijuar, duke u dhënë botën e tyre: herë qesharake, herë naïve, herë serioze, herë besuese e herë mosbesuese, herë tronditëse e herë në udhëkryq. Çdo lëvizje që ato bëjnë, kanë kurbat e tyre që ruajnë të përveçmen, por edhe takohen diku: në formë shikimi, çudie, pendese dhe shprese. Çdo figurë, nga njëra skenë në tjetrën, është në zhvillim e sipër, vjen e përplotësohet përmes rrethanave që u paraqiten e që, ata, herë në mënyrë individuale e herë në përbashkësi, të cilat domosdoshmërisht duhen t’i zgjidhin dhe të dalin “gjallë” e të jenë të besueshëm si aktorë-personazh. Loja e tyre aktoriale ka humor, komicitet e grotesk, pavarësisht mënyrës dhe rrugës krijuese që kanë preferuar dhe shprehur, p.sh. Antoneta paraqitet “serioze”, Tinka e vrullshme, Vitorja naive, shpresëëndërruese e altruiste. Rrugëtimin e tyre në këto hulli, si në një polifoto bashkohen dhe mbeten karikatura të ravijëzuara mjeshtërisht, ku qëndrojnë disa tipare, si këto: sharlatane, bartëse e përhapëse e thashethemnajës, xheloze, gojëliga, mburravece, egoiste… etj. Çdo figurë ruan një ndërtim specifik, interesant e të papërsëritur ndërmjet njëra-tjetrës. Në çdo situatë ato “zbërthehen” gjatë interpretimit. Së bashku me Leon (Latifin) përbëjnë një katërshe, të cilët komedisë i kanë dhënë frymëmarrje e përspektivë.
Dhe, në çdo komponent që ta marrësh, personazhi dhe karakteri i tyre vë ‘vulën’ e vlerave të vërteta. Dhe këtu qëndron merita e regjisorit Fanku se ndërtoi komedi karakteresh të spikatura dhe se Tanoja, Vitorja, Tinka e Antoneta me interpretimin e tyre nuk zhgënjyen: autorin, regjisorin dhe spektatorin. Kjo është dhe arsyeja, kur personazhi falë jetë dhe ka gdhendje karakteri, ai është jetëgjatë. E tillë mbetet dhe komedia “Këshilli i ndrikullave”, që, edhe pse kanë kaluar 52-vjet, kujtohet qartësisht sikur kjo premierë të jetë dhënë pak ditë më parë… “Këshilli i ndrikullave”, një komedi e bukur! Ndoshta kështu duhet shkruar, dhe kështu duhet vënë në skenë…
Shkodër, më, 13.10.2021






















