Vilson Haxhiraj: 100-vjetori i Luftës së Vlorës. Piedestalet presin

521
Sigal

Të shpresojmë që kjo ditë të mos jetë e largët, që heronjtë e vërtetë të zenë vendin e merituar në piedestale

Nga Vilson Haxhiraj

Ishte ky titulli i kryeartikullit të një gazete  opozitare,të nesërmen e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës. 30 vjet më pas, piedestalet vazhdojnë të presin heronjtë e munguar të kohës së re, që  të vendosin  në jetën e shoqërisë standardet  perëndimore. Presin heronjtë e ngjarjeve të mëdha dhe  antikomunizmit, të harruar dhe të pavlerësuar. Rivlerësimi i historisë, krahas ç’mitizimit të ngjarjeve të stisura dhe heronjve të rremë të diktaturës  mbetet ende sfidë  serioze  e shoqërisë shqiptare. Historia njeh dhe trajton dy grupe heronjsh, elitat dhe heronjtë kolektivë. Të parët janë personalitetet që u kanë dhënë zgjidhje problemeve madhore të shoqërisë, duke lënë gjurmë në historinë e kohës. Ndër nderimet e larta për këtë kategori është përjetësimi i tyre me statuja. Varrezat e posaçme, si Panteoni në Francë dhe Uestminsteri në Britani, janë një tjetër vlerësim  madhor për kontribuesit e shquar të shoqërisë. Vend të rëndësishëm në jetën e shoqërive zenë dëshmorët e atdheut. Shoqëria çmon në kontributin e tyre, sakrifikimin e gjësë më të çmuar të njeriut, jetës së tij. Këtu, në SHBA, kanë krijuar modele që vlejnë të ndiqen. Varrezat e Arlingtonit në kryeqytetin Uashington, më të bukurat në botë, janë rezervuar vetëm për të rënët në krye të detyrës. Me të njëjtën mirënjohje shoqëria amerikane çmon veteranët e Luftës. Atyre u janë kushtuar Memorialet e Luftës së Dytë Botërore, të Luftës së Koresë dhe Vietnamit. 11 Nëntori, “Dita e Veteranit”, është festë zyrtare dhe shoqërohet  me ceremonial shtetëror, me praninë e Presidentit  të  SHBA-së.

Vlerësimi  i të gjithë spektrit  të kontribuuesve, është tipar i shoqërive  të qytetëruara.

Pavarësisht vlerësimit të lartë të palëve, mes tyre nuk ka barazi. Elitat janë ideatorët, planifikuesit, udhëheqësit vizionarë, strategët e aksionit. Dëshmorët dhe veteranët, janë zbatues të vullnetit të elitave. Mes dhjetëra milionë të rënëve dhe pjesëmarrësve të Luftës së Dytë Botërore, kujtesa e njerëzimit ka fiksuar përjetësisht emrat e liderëve politikë, që drejtuan këtë epope gjigante, Stalin, Çërçill, Ruzvelt, të strategëve ushtarakë, Zhukov, Konjev, Ajzenhauer, Mec Artur, Bruk. Ndaj historia e njerëzimit më së pari, është historia e elitave, që më veprën e tyre i japin kohës vulën e identitetit dhe personalitetit të vet. Kjo mendësi e  pranuar dhe zbatuar nga shoqëritë e civilizuara, nuk funksionon në Shqipëri prej  80- vjetësh. Komunistët shqiptarë, fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore, për objektivat që synonin, nuk mund të drejtonin me standardet e pluralizmit, pronës private, të drejtave të njeriut dhe rotacionit të pushtetit. Modeli  i qeverisjes së tyre do të ishte diktatura, lufta e klasave, prona shoqërore. Anti-perëndimore do të ishin edhe standardet e vlerësimit të historisë. Të panjohur, pa status patriotësh dhe intelektualësh, inferioriteti i liderëve komunistë ndaj heronjve të historisë kombëtare, ishte i dukshëm. Për zhdukjen e kësaj diference u ndoqën dy rrugë. Sllogani se Enver Hoxha dhe Lufta Nacional Çlirimtare ishin vazhdim i veprës së paraardhësve  të lavdishëm të kombit dhe luftërave të popullit shqiptar ndër shekuj, u bë objektiv parësor i propagandës shtetërore. Ai u shoqërua, (veç të tjerash), me ngritjen e dy statujave të Skënderbeut dhe muzeut me emrin e tij, në Krujë. Në Vlorë, u ngrit Monumenti i Pavarësisë Kombëtare. Një numër memorialesh dhe basorelievesh, së bashku me Monumentin Drashovicë 1920-1943, ju dedikuan Luftës së Vlorës. Rruga e dytë ishte manipulimi i historisë përmes zëvendësimit të personaliteteve të ngjarjeve të mëdha, me surrogato elitash, sipas tezës  “Historinë e bëjnë masat, partia i bën ato të ndërgjegjshme.”  Në jetën e përditshme ky model prodhoi pseudo-elita. Njerëz me formim të rëndomtë arsimor dhe intelektual, katapultoheshin ministra dhe funksionarë të lartë të shtetit. Punëtorë me  shkollë partie dhe arsim të cunguar, zinin vend në tryezën e byrosë politike, duke u bërë objekt barcaletash dhe talljesh pa fund. Komunizmi, para integritetit dhe profesionalizmit vendosi besnikërinë  dhe bindjen pa kushte ndaj udhëheqësit. Në fushën e historisë dukuria më e shëmtuar e këtij modeli është Lufta Vlorës. Anëtarët e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Vlorës”, që ishin organizatorët, drejtuesit dhe financuesit e luftës, shpirti dhe mendja e saj, Këshilli Ushtarak dhe komandantët e luftës, u lanë në harresë  dhe u zëvendësuan me heronj periferikë. Kryeheroi u caktua Selam Musaj. Veç dekretimit “Hero i Popullit”, bustet e tij u vendosën në Vlorë dhe Tepelenë. Poezi dhe këngë të ndjera, portrete  me nivel të lartë artistik dhe filma për figurën dhe rolin e tij, iu servirën pa kursim publikut. Selam Musaj ishte një ndër mijëra luftëtarët dhe  qindra dëshmorët e kësaj lufte dhe meriton nderimin që i takon çdo dëshmori të atdheut. Por deri këtu. Për qëllime politike, propaganda  shtetërore e vendosi atë, në piedestalin e pamerituar, të heroit emblematik të Luftës së Vlorës dhe e bënë emrin e tij, sinonim të kësaj lufte të madhe. Ky është falsifikim ekstrem i historisë.  30- vite më vonë, fenomeni i elitave të rreme vazhdon të jetë dominues. Në këtë jubile të 100- vjetorit të Luftës së Vlorës, në Tiranë, u vendos statuja e Selam Musait. Ky nderim i takonte Osman Haxhiut, personazhit kryesor të Luftës së Vlorës dhe anëtarëve të  “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Vlorës”. Në Paris, shkruan Kadare, nuk mund të kesh monument, pa qenë  Balzak, Hygo, Bonapart, De Gol, apo Pol Elyar.

Kjo ndodh  kudo në botën e civilizuar.

Përmes vlerësimit të diferencuar të kontributeve në dobi te atdheut, perëndimi ka krijuar hierarki vlerash, të domosdoshme për shoqërinë. Në realitetin aktual shqiptar, nuk kemi ende statuja të denja për kontributin e Ismail Qemalit, Nolit, Abdyl Frashërit, Rilindësve. Por kemi statujën e Adem Jasharit, falë mendësisë krahinore të ish k/ministrit Sali Berisha dhe të Selam Musait, falë mentalitetit komunist dhe nepotizmit primitiv të k/parlamentarit Gramoz Ruçi. Si dikur në komunizëm, vazhdojmë t’i ofrojmë shoqërisë, si elita të kombit, figura  sekondare. Jemi të vonuar në ndaljen e këtij fenomeni të rrezikshëm. Tirana është Parisi i shqiptarëve të të gjithë botës, është Londra dhe Uashingtoni ynë. Ka ardhur koha të trajtohet si e tillë. Dekretimi i Tiranës, “Kryeqytet i Monumenteve të ngjarjeve të mëdha të Historisë Kombëtare dhe heronjve të mëdhenj të Kombit Shqiptar”, si edhe simotrat e saj në Europë dhe SHBA, do ta vendoste problemin në rrugën e zgjidhjes. Por ndryshimi i kuadrit ligjor ekzistues, kalon përmes institucioneve ligjvënëse, që janë  përgjegjëse për këtë gjendje. Kush mund dhe duhet të mbajë barrën e  kapërcimit të ngërçit? Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave, duhet t’i prijë këtij procesi. Tradita pozitive e profesionalizmit dhe atdhetarisë, krijuar nga historianët  e shquar, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Muin Çami, Arben Puto, po vazhdohet me dinjitet nga brezi  i historianëve të sotëm, Beqir Meta, Romeo Gurakuqi, Paskal Milo, Bardhosh Gaçe, Marenglen Verli, Pëllumb Xhufi, etj. Ndaj më shumë se kushdo tjetër, Instituti i Historisë dhe emrat e mësipërm, kanë tagrin dhe staturën për të kërkuar përmes amendimit, dekretimin e Tiranës, kryeqytet  të monumenteve. Pjesë organike e amendimit duhet të jetë ngritja e një bordi historianësh, për vlerësimin e ngjarjeve dhe figurave, që meritojnë të kenë monumente në Tiranë. Përpjekjet serioze për hartimin, depozitimin dhe miratimin e këtij amendamenti nga Kuvendi i Shqipërisë, do të jenë test qytetarie dhe atdhetarie për intelektualët shqiptarë, shoqërinë civile dhe institucionet e shtetit shqiptar. Të shpresojmë që kjo ditë të mos jetë e largët, që heronjtë e vërtetë të zenë vendin e merituar në piedestale.