Vepror Hasani/ Tri letra të rralla të para 100- vjetëve

463

Mençuria he bujaria e vajzave të Elbasanit, shkëlqimi i gocave të Tiranës dhe bujaria e zonjës nga Bilishti

Vajza mërgimtare e quan gazetën “Korça”, “yll”, “shkëlqezë”, “engjëll i bukur” etj.

-Belkis, e bij’ e Mahmud Pash’ Elbasanit, Stamboll, dt. 21, vjeshtë II (tetor) e vitit 1909

 

Sapo lexon fjalët e para, kupton se je duke lexuar letrën e një vajze të shkolluar, të dashuruar pas vendit të saj, të shqetësuar për ardhmërinë e tij, e të frymëzuar nga dalja në treg e gazetës së parë shqiptare në qytetin e Korçës. Ajo e quan gazetën “Korça”, “yll”, “shkëlqezë”, “engjëll i bukur” etj., etj. Pret çdo javë me padurim daljen nw treg tw saj, dëshiron të lexojë gjithçka që thuhet për atdheun e vet. Flet për çeljen e mësonjëtoreve, për ndërtimin e hekurudhave për bashkimin e gegëve me toskët etj. Të gjitha këto të çudisnin, a ishte kaq e mençur femra shqiptare e para 100 vjetëve?! Madje me plot kurajë u thotë burrave, se edhe femrat janë ndihmëtare të tyre në çështjet e mëdha të atdheut. Dhe kjo ndodh para 100 vjetësh! Për më tepër, lexoni letrën e saj që vjen më poshtë për të kuptuar shpirtin e vajzave shqiptare:

 

Zot’ i nderçmi Direqtor

Një yll, një shkëlqezë e zjarrtë që del prej artikulave të flakta plot me fjalë të nxehta e të ambla që ka gazeta e Juej, e cila shtypet në një qytet të zgjuar të mëmëdheut tonë javë për javë, po na nderon, po na freskon, edhe tregon detyrat e udhët tona kombëtare, si çashtjen e shqiptarizmit, randësinë e kombit, – për shkurt, – gjithë gjendësinë tonë e nevojat që ka kombi jonë, i mësojmë me anë të kësaj gazete. T’u-njatë jeta ,o moj fletë Korçe, o engjëll i bukur i gjuhës sonë. Jetoftë edhe punoftë gjithmonë!

 Sa më dridhet zemra e ime, qysh më tundet mendja e ime në këtë çast, dyke kujtumun shkretësin’ dhe varfënin’ e kombit t’onë! Gjer kur vallë, o Perëndi, gjer kur na shqiptarët do të mbesim në këtë errësinë të tmerrueshme? Ky fat i keq e ky mallkim i randë gjer kur do të zgjatet? Vrasja e kombeve të tjera që janë shtye në vend t’onë edhe fikja e padijës. 

Këqyr, o Zot sa keq po na dëmtojnë! Një komb kaq i vjetër e kaq i urtë të jetë sot kaq poshtë!… Të shkelet, të vritet e të copëtohet pa shkak!… Bota të lulëzohet e na të mbesim shkretë… Ah, o Zot, mjaft! Mjaft se shqiptarët si kanë vue (vuajtur) gjer tash për njerëzinë e shumë vendeve edhe mbas tashit (pas kësaj) kanë për të vumun (vuajtur).

(Pas këtyre fjalëve, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet. Vijojmë më poshtë):

Ah, të mjerët na, që ende jemi në gjumë, që edhe ma s’i kemi kuptumun nevojat t’ona kombëtare! Më një anë padija, më tjetër anë vorfnia edhe shkretnija, këto tri sende që s’mund ta lanë kurrë një komb të punojë e të jetë i lirë, qysh mund një komb të përparojë? 

E dimë mirë të gjithë na, se sot të tanë kombet janë në një luftë të madhe e të pasosme; po hutat (pushkët) e kësaj lufte s’janë arma, plumbi edhe hekuri, po asht penda, mendja edhe puna, apo kroni i këtyre veglave asht mësonjëtorja. Po prapë them se për fat të keq shumë shqiptarë s’e kanë kuptumun kët’nevojë kaq të madhe!
Mësonjëtore pas shekullit të njëzetë nuk kemi kërkund. Udha të hekurta i shkojnë afër vendit t’onë, por për së largut. Kur këto dy vegla të qytetërimit na mungojnë, kur do të shofim përparim e mirësi në vend t’onë, kur do t’i shofim geg e tosk janë bashkumun në një mendje e zemër e të punojnë, vrapojnë e mundohen për mëmëdhe? Kur do t’i shofim katundarët me buzë të qeshur dhe me ballë të pakujdesun?

Kombi shqiptar këtë mirësi për tashti e pret prej zotnive që janë të zgjumun, që kanë ndjenja kombëtare; edhe padyshim mbasi e kanë hap këtë udhë të shenjtë, kemi për të vajtur përpara, se bashkë me ata do të jenë ndihmëtare edhe femnat, me një fjalë gjithë shqiptarët, i kini mbarë jush.

 

Belkis
E bij’ e Mahmud Pash’ Elbasanit

Stamboll, 21 vjesht II-të 1909

(Botuar te gazeta “Korça” e enjte, 29 vjesht e II-të 1909).

Përgjigjja e gazetës “Korça”

Korça – Këtë letër të vjejtur (të vlerë) shtyllat e gazetës sonë e pritnë me gaz të madh sepse kjo zonjë kurdoherë ka hequr psherëtimet për të mjerin, kombin e saj. Kjo zonjë është (ajo) që protestoi ca kohë, përpara kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme… për shkrimet e ashpra që kish botuar fleta “Tanin” për shqiptarët. I lutemi zotit që zonja të tilla t’ia falë atdheut tonë që të mundnjë të shohë pikën e dritës

(Gazeta “Korça” 29, vjesht’ e II-të 1909) 

 

Një vajzë bga Tirana i përgjigjet letrës së Beklizes

 

Letra e Belkizes drejtuar gazetës “Korça” ishte lexuar edhe nga një goc’ Tirone nga fshati Çerdhja e Petritit. Duket se ajo kishte mbetur e mrekulluar nga fjalët e Belkizes, ndaj me po atë ndjesi mbresëlënëse, u ul e shkroi një letër po aq të bukur. Po e sjellim për lexuesin tonë të nderuar:

 

Urime dhe disa fjalë për gazetën “Korça”

Kur këndova në fletët të ndershme “Korça” letrën me firmën “Belkis” nigjova një gëzim të paprashëm në zemrët teme. Këtë gëzim nuk mu rrite pa e rrëfy, po mora penën e fillova me shkru; çar me shkru, nuk po dijshe prej ati gëzimit të madh, kur sheh një goce Shqyptare kështu, një letër të bukur, me fjalë të flakta, si mos të gëzohet.

 Po! Po! Fort lipset të gëzohet se kombi i vorfën Shqyptar pat ardh më nji shkall të poshtër (të ulët) në kohën e sundimit të kuq të Hamidit, se i pat lidh gjuhën e ambël e i pat lan në errësin. Prej këti shkaku Shqyptarët e vorfën patën met nër kamb të armiqve: Grekët më nji an dojshin t’i bojshin Shqyptarët grek, më tjetrët Nemsja me Italjen luftojshin për dëshirat e veta e përnej Shqyptari dita q’i vinte shkojte në psherëtim.

Fundi i shkallës (së) poshtër asht humbja e kombësisë fare; po desh Zoti doli një za nga Resnija dhe pështoj, jo vetëm kombin Shqyptar po gjithë kombet që rrojnë në Turqi. Ky za i rrebët, qi doli nga Resnija e pështoj kombin tonë nga rreziku e i tha Shqyptarvet: Çohi! prej këti gjumi, se Kombi i Juej asht i nderum, po juve ju ka pru despotizma më këtë shkallë të poshtër.

 Ne Shqyptarët e vorfën u zgjumë dhe i muarëm vesht armiqtë….(Gazeta e dëmtuar nuk lexohet, vijojmë më tej): Disa rob të fëlliq fillun me than: “Harfet bervala të latinit të prishin besën. (Është fjala për alfabetin latin), Kjo fjalë dilte prej gojës të disave, qi luftojshin – jo për atdhen – por për dëshirat e poshtra të vetat. Sado qi këta të marrë luftun ta mshihnin të drejtën prap sun fitun gja.

 Sun fitun gja se e drejta pra, po e drejt asht. Mos të menohen ata rob kot! Se ata qi luftojn kështu për dëshirat do të përmenden gjithë herët me nji emën të lig. E pra, kur asht kështu, i lutemi të gjith Shqyptarvet ta hekin prei vetiu dëshirën e poshtër të vetën dhe t’i hidhen punës (së) mamëdheut, qi mos të meret nër kamb prej armiqve, po të përparoj si kombet e tjera. 

Ne shqyptarët na duhet të përpiqna ma fort se gjithë kombet, se neve si kur dihet, ja ka pas pru dhespotizma më nji shkall të poshtër fort, po nashti asht detyra e Shqiptarvet të punojm; se kur na thot fleta e bukur e Korçës: “Pun, pun, nat e dit, qi të shohim pak drit” dhe të hekim dor nga dëshirat e poshtra (të ulta), se ata qi po luftojn; po i shohin që po fëlliqen.

Për mirësinë e mamdheut le t’i mprojm të drejtat e kombit tonë, se me rrena nuk shtohet bota, në ata qi thon që të prishin fenë harfet e latinit, të hekin dor se mesin të fëlliqun. E zgjata fjalën, po më falni se dëshira e madhe që kam për gjuhën amtare më shtyni të shkruaj këtë fjal.

Nji goc nga fshati i Çerdhes Petritit

(Gazeta Korça, e enjte 3 dhjetor 1909)

 

 

Përgjigje e gazetës “Korça”

Kjo kartë që na dërgon një vajzë prej rretheve të Tiranës nga gëzoj shumë tuj pa sesi ndjenjat e dëshirat kombëtare janë aq të gjalla nër zemrat të granisë e vajzave shqyptare. Ah! Me të vërtetë të lum janë ato zemra, të cilat ndjejnë shijën edhe bukurinë e gjuhës amtare edhe kombësisë, se ata me gaz e me dëshirë të bukura shkojnë kohën e tyre. Gazeta jonë do t’i pres me nji gaz të madh kësisoj artikujsh dhe do të përpiqet si e si të kënaqim të gjitha ato zemra që janë të djeguna në dashuni të gjuhës edhe të kombësisë.

(Gazeta “Korça”, e enjte 3 dhjetor 1909)

Letër nga Bilishti

Ndërkohë një letër tjetër kishte mbërritur te gazeta “Korça” nga Bilishti i Devollit. Ja çfarë shkruante një zonjë e nderuar:

  1. Direqtor i fletës “Korça”, Sami Pojani, kënduam në të nderçmen fletën e zotërisë suej që lipset ndihmuar ata shërbëtorët, atdhetarë, të cilët me tepëricën e kafshitës së gojës nisnë të nxjerrin kalendarin “Korça” që do të jetë një vepër fort e bukur për ndriçimin e atdheut të dashur. Dëshir’ e zemrës t’ime sado që është prej gruaje, po është fort e qëruar në sipathinë e atdheut. Dyke ditur sesa mirësi do të ketë vendi ynë prej këti të shënuari Kalendar, ja ku të dërgoj një mexhite t’ja jepni zotërinjve botonjësve. 

Vërtet, kjo ndihma ime është e vogël po them se të kem dorën e mbarë, që të gjitha ato zonja shqiptarka të ndihmojnë ca.

 Me nder

Zonja H.B. 

(Bilisht, 22 vjesht’ e III-të 1909)

II

Propozimi për sopranon u prit me kënaqësi, për arkitektin me rezerva

Sopranoja Inva Mula dhe arkitekti Piter Wilson, qytetarë nderi të Korçës

Nga Vepror Hasani

Sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula dhe arkitekti i mirënjohur Piter Wilson tashmë janë qytetarë nderi të qytetit të Korçës. Dhënia e këtij titulli u bë nga Këshilli i Bashkisë Korçë, por ndërsa për sopranon Mula, propozimi gjeti unanimitet dhe u prit me kënaqësi, për arkitektin Wilson pati kundërshtime dhe rezerva, jo vetëm nga këshilltarët e djathtë, por edhe nga të majtët. Kundërshtime për punën e kryer nga arkitekti  pati edhe nga opinioni publik i qytetit të Korçës, përfshi këtu edhe pjesën intelektuale të qytetit. Megjithatë, edhe pse kundërshtitë spikatën me arsyet e kundërarsyet që sollën palët, së fundi edhe arkitetektit iu dha titulli “Qytetar Nderi” 3 vota kundër dhe tre abstenime.

Kundërshtitë

Kundërshtitë për dhënien e titullit qytetar nderi për arkitektin Wilson u bënë të njohura edhe nga publiku një apo disa ditë më parë nga mbledhja e Këshillit të Bashkisë Korçë. Për këshilltarët e djathtë  puna e arkitektit linte shumë për të dëshiruar. Për ta të kritikueshme ishin: Projekti për Voskopojën, për sheshin para Katedrales, për kullën para sheshit të Teatrit “Andon Zako Çajupi”, për vendin ku u ndërtua biblioteka e re etj., pa rreshtuar këtu edhe një sërë kritikash të tjera. Rezerva shfaqi edhe këshilltarja e majtë Irena Nika, e cila tha: “Është e dukshme që kontributi arkitekturor përgjithësisht  është i tillë që shkon kundër opinionit që kanë korçarët dhe të tjerët që banojnë në Korçë në lidhje me ndryshimet që ka pësuar Korça. Dhënia e titullit “Qytetar Nderi”  duhet të bëhet duke rënë në konsensus edhe me publikun e gjerë. Unë e kuptoj këtë gjë, koha e gjatë që kemi në qeverisje ka krijuar vetëkënaqësi dhe vlerësime që që automatikisht, çdo gjë që ne bëjmë, është e drejtë, por nuk është kështu”. Përballë kundërshtimeve të përmendura më sipër erdhi reagimi i nënkryetares së bashkisë Korçë, Nenila Themeli, e cila ndër argumentet që solli vuri në dukje se arkitekti Piter Wilson kontribuoi jo vetëm për transformimin urban të qytetit nëpërmjet 16 projekteve të realizuara, por edhe për promovimin e qytetin në arenën ndërkombëtare. “Në 16 projektet që unë listova, mund të ketë dhe ka. që edhe mua nuk më pëlqejnë, por ato i dhanë një fytyrë tjetër Korçës dhe ky është kontribut i tij, në përmbushjen e vizion që Bashkia ka për ta ndryshuar Korçën si në qendër dhe në periferi. Projektet nxorën nga pluhuri i harresës vepra të tilla si Pazari i Vjetër i Korçës, kulla e sahatit te Xhamia, i cila nuk ekzistonte,  sheshi i Katedrales, zona këmbësore e qytetit etj., që janë të standardeve evropiane. Piter Wilson është arkitekt me famë botërore i cili i ka bërë nder  Korçës  për promovimin e saj në arenën ndërkombëtare

Inva Mula, artistja e adhuruar e qytetit të Korçës

Ashtu siç e thamë edhe më sipër, sopranoja Inva Mula mbetet artistja e adhuruar e qytetit të Korçës dhe jo vetëm.  Znj Mula është organizatorja e MIK Festivalit (Muzika Internacionale Korçë),  ku fal këtij evenimenti madhor qyteti i korçës frekuentohet nga artistë  të mirënjohur ndër  arenat ndërkombëtare. Në edicionit e dytë të këtij festivali që ndodhi pak kohë më artistja e madhe shoqërohej nga studentët e Akademisë së Arteve dhe sopranoja, Dëshira Ahmeti, e cila kishte ardhur enkas nga New York-u. Pjesë e koncertit ishte edhe pianisti Genc Tukiçi. Në skenën e  festivalit u ngjitën 50 artistë me surpriza të shumta. Është ndër i veçantë që i bëhet Korçës. Për këtë arsye  drejtorja e teatrit të Korçës, Zamira Kita tha”“MIK Festval është një nga aktivitetet më të rëndësishme artistike që zhvillohen në Shqipëri. Është kënaqësi për ne që ky aktivitet i madh ndërkombëtar zhvillohet në Korçë. Ishte iniciativë e të madhes Inva Mula, dëshirë dhe ide e saj që ky festival të realizohej në qytetin tonë. Dashamirësia e artistëve korçarë, e bordit artistik, e Këshillit Bashkiak dhe e kryetarit të Bashkisë, Sotiraq Filo u shfaq e veçantë në të gjitha dimensionet e saj”. Ndërsa vetë e madhja Inva Mula tha:  “Mik Festival ndodh në Korçë se këtu është djepi i kulturës, këtu është gjithë historia, këtu janë gjithë artistët që kanë dalë, energjia e tyre na thërret që ne të vijmë në Korçë. Jam shumë e lumtur që Mik Festival bën përpara me energjinë e studentëve, këngëtarëve dhe instrumentistëve të rinj, të cilët do të jenë stafeta e vazhdimësisë së artit në Shqipëri”. Ndaj nuk kishte si të pritej ndryshe jo vetëm nga Këshilli i Bashkisë Korçë, por edhe nga e gjithë Korça, dhënia e titullit qytetare nderi e Korçës. Korça ndihet vërtet e nderuar me këtë artiste të madhe