Partizanët na erdhën sërish

646
Sigal

Enver CAKAJ

Pas 75-vitesh ata erdhën sërish në Skrapar. Jo rrugë pa rrugë. Ca me autobusë, ca me vetura. Rrugët i kishin hapur ata që lanë jetën dhe rininë maleve. Vlusha nuk kishte dëborë si atëherë,po as njerëz. Kanë ikur nëpër botë se edhe atë rrugë e hapën ata që s’janë më. Vajzat e Gjin Markut me dajën e tyre, Ndue Dodaj, erdhën tre ditë përpara të tjerëve. Rita vinte për herë të parë në Vlushë, ku babai i saj, Gjini, krijoi Brigadën e 7-të. Gjithë rrugën shikonte rrëzë shkurreve të gjente lule dhe më në fund mezi gjeti dy lule kaçe. Në sebepe të tilla nuk vihet duarthatë. Sidomos kur vete te babai. Svjetllana i kishte marrë nga Tirana karafilat e freskët në një vazo ujë, që i mbante në dorë. Dikush u tha të merrnin lule artificiale, po ato nuk pranuan. Babai i tyre dhe Brigada nuk ishin artificialë. Kur hedhim sytë tutje, malet ishin ngjeshur me dëborë dhe qëndronin të heshtur në nderim të asaj ngjarje historike. Destina, ajo fushë e bukur, nuk kishte njeri, por nuk ishte bosh. Atje ishin gjurmët e 450 partizanëve që formuan Brigadën e 7-të Sulmuese.

 Në Vlushë, ku u krijua Brigada e 7-të Sulmuese

Po ish-partizanët ku ishin? Ata të rrallët që kanë mbetur luftojnë me veten e tyre, që nuk mundën të merrnin pjesë, por edhe me ata që duan t’i shuajnë flakët e atyre luftërave,që sollën lirinë për të gjithë. Edhe ata që nuk jetojnë janë të gjallë. Janë të tillë se idealet e tyre i kanë lënë në duar të sigurta. Po të mos i kishin lënë, sot në Çorovodë nuk do të mbushej jashtë kapacitetit salla e kinemasë. Natyrisht nuk ishin 2200 e ca përfaqësues të tyre,po salla gjëmonte si në ato betejat fitimtare. Aty ishte komandanti i tyre, Gjin Marku, aty ishte komisari, Kadri Hoxha, aty ishin komandantët e batalioneve, kompanive, togave e skuadrave. Organika ishte e plotë. Të gjallë e të vdekur ishin bashkë. I përmendi Enver Naska, Spartak Braho, Rustem Peçi… Por në foltore u ngjit një shamikuq i panjohur. Atëherë ra një heshtje. Ai nuk ishte në protokollin e takimit, por u prezantua vetë: “Po të ishte gjallë Gjin Marku dhe të merrte pjesë në këtë takim, mua do të më thërriste dajo. Unë nuk do t’u përshëndes me emrin e rrethit nga vij, Mirdita, po me bujarinë dhe trimërinë e burrave e grave të kësaj krahine. Unë do të them ato që ju u treguat modestë e nuk i thatë, por të mos jini aq modestë sa të harroni dhe vlerat tuaja. Gjatë Luftës partizanët i gjetën hapur dyert e shtëpive tuaja dhe më vjen mirë që traditën e mikpritjes e keni ruajtur si vlerën më të rrallë që keni pasur. Atë mikpritje ne e gjetëm sërish nëpër shtëpitë tuaja. Unë me dy vajzat e Gjin Markut kemi tri ditë që bujmë në familjen e Nexhmije Cakës. Pra, dyert e shtëpive tuaja qenkan ende hapur!”

Në foltore u pa sërish një djalë i panjohur, që nuk kishte letra nëpër duar, por hapi zemrën dhe lexoi: “Unë vij nga Torontua për të marrë pjesë këtu, por edhe për t’iu thënë, se idealet e Luftës i kemi marrë me vete. Vërtet kemi ikur për hall deri andej, po atje kemi krijuar Organizatën e Veteranëve të Luftës me shumicë skraparase.”

Qyteti i Çorovodës përjetoi një ditë tepër madhështore. Aty gjetën ato nëna, që linin fëmijët e tyre pa bukë dhe një zhake me miell e ruanin në sepetet e nusërisë. Aty i gjetën ata djem e vajza, që i lanë familjet vetëm dhe ikën drejt vdekjes pa frikë. Kanë kaluar 75-vjet nga ajo ditë, por ajo ngjarje ka lënë aq gjurmë në zemrat e skraparasve, sa nuk mund të harrohet në jetë të jetëve. Ata s’mund të harrojnë atë që është pjesë e jetës së tyre. Festa përfundoi, por ata ikën me kokë prapa, se lanë aty një popull, që ishte i gatshëm si atëherë në luftë. U ndanë me përshëndetjen e zakonshme: “Mirupafshim në përvjetorë të tjerë!”