Vangjush Saro: ‘Kulti i individëve’ që shtypin botën

65
Sigal

 Si asnjëherë tjetër, tabloja e Botës është në tone të errëta dhe të pashpresë. E di që ky më poshtë do të ish një përfundim i pjesshëm, por gjithsesi, një ndër arsyet kryesore pse shfaqen kaq shumë konflikte, luftëra, gjakderdhje, padrejtësi, është pikërisht ‘stafi’ i saj aktual, fundja mënyra se si po e drejtojnë Botën liderët e sotëm; shumica të plakur, por të fiksuar në jetësimin e pushtetit dhe të dyshueshëm në lidhjet e tyre me oligarkitë finaciare e mediatike.

Zoti të më mbajë dorën – se halli nuk është i liderëve, është i popujve – por gjërat po shkojnë keq e më keq; dhe ata (liderët) janë kategori nga më të ndryshmet, por që i përqas disi pikërisht termi i vjetër ‘Kulti i individit’. Kjo fillon që nga drejtues çetash e plaçkitës ordinerë, banditë e monarkë injorantë që s’u ndahen vendeve të Afrikës, mbase edhe në Azi; dhe vazhdon me diktatorë safi, si Kim-i i Koresë së Veriut apo Car Putini. Panorama pasurohet edhe me autokratët e tjerë të botës, si Llukashenko apo si më ‘të moderuar’, si z. Erdogan. Ani, këta të gjithë nuk shkulen nga pushteti, edhe pse kanë qeverisur përmes dhimbjesh e vuajtjesh të mëdha të qytetarëve të tyre.

Por nuk bien më poshtë, për nga orientimi si autoritarë dhe pa vetëkontroll, edhe liderë të tjerë, gjithaq të çuditshëm, në Evropë e në Ballkan. Disa madje janë edhe partnerë të BE-së, por me sytë nga Lindja; (si z. Orban i Hungarisë apo ndonjë tjetër). Këta më sipër thonë se mbrojnë vendet e tyre dhe pavarësinë e tyre; por kontributet reale ndryshojnë nga fjalët.

Fundja, Bota nuk ka si të shkojë mbarë kur edhe një ndër demokracitë më të vyera në historinë e njerëzimit, ajo Amerikane, duket se nuk po jeton ditë të mira. Presidenti Biden duket kaq i konsumuar dhe i plakur; të më falë, se është figurë e rëndësishme, por ndonjëherë i merren këmbët teksa ngjit ose zbret shkallët e avionit. E megjithatë, ai po kërkon një mandat të dytë; e ndërkaq, kjo është edhe më ironike, zëvendësja e tij, e prezantuar dikur me aq bujë, nuk duket askund (!) Në kampin e republikanëve, po ashtu, dëgjohet vetëm zëri i z. Tramp, që përveç të tjerave, la nam duke nxitur mbështetësit e tij të sulmonin Kongresin e tash vazhdon me gjyqe që s’i ndahen. Por edhe ai ngul këmbë të jetë presidenti që mund të ndryshojë gjërat, në ShBA dhe në Botë.

Në fakt, Perëndimi duket sikur po perëndon. Për njëmijë shkaqe, mes të tjerave sepse u mungon fuqia punëtore, këto vende kanë deformuar veten nga pikëpamja demografike dhe e vlerave të qenësishme, aq sa nuk merret vesh janë Perëndim apo janë Azi ose Afrikë. Kjo s’do të thotë se po u japim ngjyrim racizmi këtyre radhëve e këtij episodi; fakti është se politikat që kërkojnë fitime të sforcuara, monopolet e pangijshme dhe kërkesa e vazhdueshme dhe e egër për para, po diktojnë, duke shtuar kaosin dhe pasigurinë.

Dhe meqë jemi këtu, disa fjalë edhe për Kryeministrin shqiptar, z. Edi Rama. Në fakt, unë kam vlerësuar dikur publicistikën e tij. E kam vlerësuar gjithashtu kur bashkë me Kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta dhe Prefektin e Tiranës Taulant Dedja u dhanë një shpresë banorëve të kryeqytetit e të Shqipërisë teksa konsumonin aq shumë kohë dhe energji për pastrimin e Lanës dhe të Parkut ‘Rinia’ nga kioskat dhe ndërtimet fshatçe vend e pa vend. E kam vlerësuar gjithashtu që nuk shoqërohet me shpura kur lëviz nëpër Tiranë e në rrethe. E kam vlerësuar që ka nxitur Turizmin. E kam vlerësuar që – edhe pse mes shumë diskutimesh – në opinionin botëror ka zënë njëfarë vendi si nuk ka qenë më parë për drejtuesit shqiptarë.

Por gjer këtu. Më këtej, janë disa fakte që e kthejnë mbrapsht figurën e tij: Heqja dorë nga ‘Kthimi në identitet’ (i Tiranës de). Kontrolli i padiskutueshëm mbi partinë, mbi Qeverinë, mbi Kuvendin, mbi institucionet dhe mediat, ku shfaqet (dhe e shfaqin) kohë e pa kohë. Ikja përduarsh e zyrtave të tij më të lartë, nga Zëvendës /kryeministri, te disa ministra, zëvendësa, drejtorë, kokoroçë bashkish, përfshi Bashkinë e kryeqytetit, policë të rangjeve më të larta, nëpunës të tjerë. Dhe për këto dështime, z. Rama ngre supet përpjetë. Ka mungesë sigurie në jetën e qytetarëve, në jetën e shkollarëve, dhe ai prapë me supet përpjetë. Ka probleme të rënda insfrastrukturore jashtë Tiranës e përtej qendrave të qyteteve; dhe ai prapë supengritur. Është të thërret kiameti jeta e pensionistëve; dhe ai… Do bëjë ekspozitë, thonë mediat. Sikur është skenografi i Teatrit dhe i del koha për ekspozita. Për të mos thënë që shfaqet në konflikt interesi. (I kanë aq mundësi ekspozimi e pasqyrimi piktorët e tjerë, artistët e tjerë, shkrimtarët e tjerë?)

Kërkoj ndjesë që u zgjata pak dhe tash po vij sërish në thelbin e shënimit, duke u përpjekur të ofroj njëlloj alternative. Lexuesi i nderuar është në dijeni; që ndër të paktat shenja drite në këtë hartë të zymtë të Botës, siç edhe unë mendoj, janë Vendet Nordike: Danimarka, Norvegjia, Suedia e Finlanda; ka që përfshijnë mes tyre edhe Islandën. (Kurse në planin e respektimit të disa parimeve dhe përsa i përket klasit qytetar, edhe Austria e Zvicra përbëjnë modele. E mbase mund të shkohet edhe më tej, por ndoshta me kaq krijohet tabloja.)

Pa menduar se këto vende janë parajsë, se drejtuesit dhe qytetarët e tyre janë të rënë nga qielli, mund të themi megjithatë që kanë konsoliduar një sistem më bindës, krahasuar me të tjera vende të Perëndimit. Më së pari, janë shtete që, njëfarësoj, quhen ‘sociale’; barazia qytetare ka mbërritur në disa vlera të qendrueshme. Në të gjitha studimet për mirëqenien dhe sigurinë, ato kryesojnë; madje edhe qytetet e tyre. Aty, me ç’është parë, të zgjedhurit nuk bëhen sundues dhe nuk mëtojnë ta zgjasin sundimin jetë e mot. Aty askush nuk ëndërron të pushtojë e të zhysë në gjak ndonjë vend fqinj a kudo gjetkë. Aty nuk është në plan të parë biznesi i kanabisit. Aty drejtuesit nuk ngrijnë- shkrijnë nëpër TV. Ata janë thjesht nëpunës të lartë të shtetit; mbarojnë mandatin, lënë detyrën. Dhe mund t’i shikosh në punë të tjera, ndoshta edhe duke shkuar atje me biçikletë. Mund t’i shikosh në ndonjë bar apo stacion treni e autobuzi, teksa presin duke i shërbyer vetes ndonjë vakt të thjeshtë dhe një shishe me ujë. (Në shumë raste, shtypi ka evidentuar të tillë.)

Pas kësaj tabloje, për autorin e shkrimit dhe për lexuesit, mund të lindin njëqind pyetje dhe mund të nxirren sakaq shumë përfundime; për drejtuesit, për qytetarët, për edukimin, për trashëgiminë, etj. Por le të themi përmbledhtaz:  Ka pra, modele që mund t’i rrinin më mirë kohës. Mirëpo shumica e liderëve, të njohur e të panjohur, asi demokratë apo tiranë, janë gjuha e zgjatur, në mos edhe dora e zgjatur e klaneve, e monopoleve dhe e organizmave që gjithashtu i janë bërë barrë Botës. Kushedi si shkon më tej kjo punë (!)

 

……………………………………………………..

 

*Për emrat e huaj është pasur parasysh parimi i shqiptimit. Faleminderit për mirëkuptimin.