Vaçe Zela, zëri brilant, që i mungon skenës shqiptare

173
Sigal

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

“Nderi i Kombit”, Vaçe Zela u nda nga jeta në të gdhirë të ditës së enjte të 6 shkurtit 2014, pas një sëmundje të rëndë.  Ajo u lind në Lushnjë në vitin 1939. “Të prehem në atdhe”- ka qenë një nga amanetet e artistes që me zërin e saj hyri në çdo shtëpi të shqiptarëve.

Jeta dhe vepra

E madhja Vaçe Zela ndërroi jetë në Zvicër në moshën 75 vjeçare. Zemra e yllit të muzikës shqiptare pushoi së rrahuri rreth orës 01:20 duke u gdhirë dita e enjte. Vaçe Zela e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Fituese 12 herë e festivalit, ajo fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor. Ajo është e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor“. Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj. Artistë nga të gjitha fushat, politikanë dhe qindra njerëz shprehën ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale ditën e vdekjes. Me zërin e saj mahnitës, Vaçe Zela është mit i pavdekësisë që ka hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.

Personalitete të ndryshme për Vaçe Zelën:

Hysni Zela: Shqipëria, meraku i madh i Vaçes

Shqipëria ka qënë meraku i madh i Vaçe Zelës. Amaneti i saj ishte të prehej në Shqipëri. Qante e gëzohej shumë kur i përcillja të fala nga artistët e të njohurit nga Shqipëria.

Saimir Pirgu: “Vaçe Zela pjesë e identitetit kombëtar”.

Tenori shqiptar Saimir Pirgu e ka cilësuar këngëtaren Vaçe Zela “pjesë të pazëvendësueshme të identitetit tonë kombëtar. Ai, e quan “ikonë  të muzikës shqiptare”, të përjetshmen Vaçe Zela.

“Zëri i saj do të kumbojë dhe rrezatojë në çdo zemër shqiptari në jetë të jetëve, sepse është pjesë e pazëvendësueshme e identitetit tonë kombëtar”, shkruan në faqen e tij në Facebook tenori Saimir Pirgu i cili e nisi axhendën koncertore për vitin 2014, në Zvicër, në vendin ku jetoi për disa vite këngëtarja e madhe.

Inva Mula: Vaçe Zela, “Diva jonë absolute”

Një  “Divë absolute”- Një artiste “pa konkurrencë, pa krahasim”!

Në një mesazh të postuar në Facebook, në ditën e ndarjes nga jeta të artistes së madhe shqiptare, Inva Mula i është drejtuar ndryshe Vaçe Zelës me “bindjen” se ajo e dëgjon:

E dashur Vaçe!

Po të drejtohem duke ngritur sytë nga qielli me bindjen se më dëgjon! Ti u ktheve në një legjendë që në vitet e rinisë tënde, ishe simboli i artistes absolute, pa konkurrencë, pa krahasim! Atje ku tingëllonte zëri yt dhe gërshetohej me fjalën aq bukur, shqiptuar me një frazë melodike që vetëm ti dije ta skalisje, lije vetëm një rrugë të ndriçuar, e cila u bë referencë e këngës shqipe! Kam patur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty! Ti ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë! Të falenderoj dhe do të jem mirënjohëse Diva jonë Absolute!”.

Në të vërtetë një sërë brezash artistësh e adhuruan dhe e adhurojnë Vaçe Zelën për zërin brilant dhe prezencën e saj skenike në 40 vite karrierë artistike. E cilësuar si “Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”,  “Legjenda e Këngës”, “Mit i papërsëritshëm”, shumë prej këngëve të interpretuara nga Vaçe Zela si “Shqipëri o vendi im”, “Valsi i Lumturisë”, të kompozuara nga Avni Mula vazhdojnë të jenë himne të muzikës së lehtë shqiptare.

Dritëro Agolli:

“Mburremi me këngën e saj dhe gjithmonë do t’i këndojmë edhe duke ecur në një fushë apo në një mal, auditor edhe në dhomë me të dashurit tonë. Ajo është një fenomen që do të jetojë tërë jetën. ”Kam bashkëpunuar me Vaçen dhe kam shkruar tekste për të me muzikë nga kompozitorë si Nikolla Zoraqi. Ajo nuk të linte të qetë deri sa t’i pëlqente vargu. Talenti i saj nuk binte në kompromis. Aty ku të prehet të mbushet me lule varri i saj,”- tha shkrimtari Dritëro Agolli në një prononcim mediatik.

Agim Krajka:

“Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, pavarësisht se ka vite që, ishte e sëmurë. Por ndryshe është të jesh gjallë, ndryshe të mos jetosh më. Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij”.