TRE VJET PA TË MADHIN DRITËRO AGOLLI

364
Sigal

  Kujtime nga miku i tij Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi)

U mbushën plot tre vjet që s’po e dëgjoj zërin e ëmbël të mikut tim të madh Dritëro. Por miku im  më ka lënë një amanet duke më porositur “Po kur të të marrë malli për mua,/ Në raft të librave kërkomë,/ Atje do të jem i fshehur unë,/ Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë”/ Mjafton që librin pak ta heqësh,/ Dhe unë do zbres do vij pas teje,/ Ti si dikur me mall do qeshësh,/ Si një blerim pas një  rrëkeje”.

Dhe  mua, kur më merr malli për të, filloj e shfletoj librat e shumtë që më ka dhuruar i madhi Dritëro.. Në njërin shkruan: “Dhe floriri  mund të ndryshket,/ Edhe ylli digjet shkon,/ Por miqësia ndërmjet nesh,/ S’ndrysket kurrë, s’perëndon”. Dhe ashtu si e përcakoi  Ai, kjo miqësi s’u shua, s’u ndryshk e s’perëndoi  për 68- vjet, deri sa miku im i shtrenjtë ma bëri  me të pabesë e ndërroi jetë, tre vjet më parë

Në librin “Mesditë” të  dhuruar prej tij më shkruan” I dashur Gaqo . Le të jetë në bibliotekën tënde dhe ky libër dhe të na kujtojë vjershat plot qyfyre që shkruanim majë çatisë me plloça të konviktit tonë në Gjrokastër” Me dashuri Dritëroi”

Kujtimet në ato vite të rinisë, më vijnë sikur i dëgjoj nga miku im kur hipnim në çatinë e konviktit e thurnim vjersha  si “Në rrëzë të Malit të Gjërë,/ Shtrihej  qyteti i shkëmbijve,/ Ku ne dy vjet të tërë,/ Jetë kaçaku kemi bërë. Këpucët në gurët na u grisën,/ Dhe rrobat në shpella i lamë/ Dhe brekët sëfundi bijtisën,/ Po hallet pastaj na nisën. / Mëngjesi kur shkrep mbi shkrepat,/ Ne mblidhemi prapë në strofkë. Këtu na mblidhen akrepat,/ Insektet na futen në xhepat /Dhe vetja na thotë insektet luftoni./ Strofkën shpëtoni.”Në majë të çatisë me plloça shkruanim dhe vjersha për shokët tanë të dhomës, që i madhi Dritëro i kishte etiketuar, njërin si “Dervish baba”, tjetrin “Bankizmi sëmundja e krevantizmit” apo për të mirin Jasonidhi, që përcaktonte se kush nga ne do të ngrihej në mësim, duke e emëruar “Përcaktimi”.  Në një letër që më dërgonte miku im, i paharruari Dritëro, më shruante: “  Krenarisht e kam pritë libërthin më kallzime, që mban një titull aq hirëplotë “Adashi im i bije borijes” Po ku e ke qëmtuar këtë titull, o njeri, që gjthmonë më ke mahnitur?!” Dhe vërtet, ky tregim për mua solli sa gëzime e më shumë trishtime. Ne qershor të vitit 1982 erdha nga Maliqi në Tiranë. Sa zbrita nga treni, frymën e mbajta në gazetën “Zëri i Popullit” ku punonte miku im. Ngjita me të shpejtë shkallet  dhe trokita në zyrën e tij. Si u përqafuam me mall, Dritëroi më pyeti: -Ç’na ke sjellë nga qyteti i sheqerit?

I thashë se kam shkruar një tregim dhe ia dhashë ta lexonte. Dritëroi sa e mbaroi buzëqeshi e më tha se ke qëmtuar mirë dhe më këshilloi ta shpija në revistën “Ylli” për botim. Plotësova dëshirën e tij. Revista e pëqeu dhe e botoi në faqen e parë, të shoqëruar me një portret karikaturë nga piktori Dh. Ligori.

Tregimi  i gëzoi miqtë e shokët e mi. Por sopata e kishte bishtin prapa për të qëlluar. Solli një furtunë për autorin e saj. Sa mbërriti revista “Ylli” me tregimin tim në Korçë, seksioni i arsimit u vu veprim të gjente se për cilin adash e kisha shkruar. Madje njëri prej adashëve mori rrugën nga Korça në Tiranë për të protestuar në revistë si e kishin botuar këtë shkrim pa pyetur rrethin, një shkrim  për të diskredituar një mësues e kuadër me rëndësi në radhët e arsimit.

-Heroi i rrëfimit mban emrin Jorgji Kapedani, kur se ju keni tjetër mbiemër, – i tha kryeredakori i revistës Qamil Buxheli.  -E dini se tërë Korça thotë se ai është shkruar për të më diskredituar mua- protestoi ai  -Më që i paske këto të meta mundohu t’i luftosh e t’i zhdukësh me anë të rrëfimit. Autori si duket ka qëllur në shenjë -i thanë. Kështu që “Adashi” më gëzoi në fillim, por më hidhëroi pasi seksioni i arsimit i propozoi Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, të më largonte nga radhët e arsimit se “nxija realitetin” e punën  “shembullore”  të arsimit e vija në lojë kuadrot e dalluar, duke më pushuar nga puna si mësues e më dërguan për “riedukim“ për dy vjet. Në  fillim në peshoren e Kombinatit të Sheqerit,  pastaj në komunalen e Maliqit. Edhe pas “riedukimit”,  hyra përsëri në radhët e arsimit, por jo në qytetin e Maliqit ku bashkë me gruan, shërbenim si mësues në shkollën shtatëvjeçare, por më dërguan  në një shkollë në një nga sektorët më të vështirë e më të ftohtë të Ndërmarrjes Bujqësore. Në këtë gjendje të vështirë miku im i madh Dritëro, boton një letër në gazetën “Drita” në adresën time me titull “Vepra ime duhet ndrequr”.  Kjo letër ishte fillimi i letrave tona në shtypin e kohës. Unë iu përgjigja  po  me letër që u botua në revistën “Hosteni“,  me titull “Shyqyr që s’dole jashtë”  Pas kësaj filloi korespodenca jonë në shtypin e kohës, Bamkë Çomaga (Dritëro Agolli)   i shkruan Hyskë Borobojkës (Gaqo Veshit).  Kështu që Adashi me borie dhe letërkëmbimet tona bënë që i “dënuari për riedukim të thërritet në Tiranë për të dhënë kontributin e tij si redaktor i revistës “Hosteni”

E vërteta është që nga viti 1951 e deri sa shkova në revistë “Hosteni“, pata shkruar rrëfime e skica humoristike në revistën “Hosteni”, „Ylli”, “Zëri i Rinisë „ e të tjera organe të medias. Madje kur shërbeja mësues, për kontributin tim në satirë e humor  isha dekoruar me “Urdhërin Naim Frashëri”, kurse gazetar në revistën “Hosteni” duhet  të shkruaja e të verifikoja shkrime me njerës konkretë e jo të stisur. Në këtë siklet më ndihmojë miku im, duke më rrëfyer si kishte bërë me tema të rëndësishme si “Galeri Artesh a po Depo Grumbullimi”, në Tiranë,  “Foqkë, Foqkë” në Korçë,  apo “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën për karshi”,  për pallatin e kulturës në Gjirokastër. Sa herë shkoja me shërbim nëpër rrethe e vëndit,  sa kthehesha në Tiranë kur do të takoja mikun tim. Një herë kisha vajtur në rrethin e Kolonjës dhe shkrova një reportazh satirik për disa të meta. Ndërmjet  fakteve që përmendja  kisha dhe një detaj, se në kooperativën bujqësore të Qafëzezit,  kryetari i kësaj ekonomie vriste viçat e fshatarëvë me kobure. Dritëroi, si e lexoi, më këshilloi:

-Leri të tjerat.  Ky është shkrimi, se koburja e kryetarit kërkon nam, që nami i saj  të përhapet nga maja e Melesinit në Qafën e Qarrit. Të thotë mileti: „Si koburja e kryetarit.“.

Këshilla e tij  ishte shumë e vlefshme. I lashë të gjithë të tjerat, mora me vete edhe Piktorin e Merituar, karikaturistin  Zef  Bumçi dhe vajta  në kooperativën e Qafzezit. U takum me kryetarin: Ai me naivitet na tregoi fill e për pe si e kishte qëllur njërin nga viçat e fshatarëve në lule të ballit. Kësaj radhe fejtonin “Kryetari vret viçin me kobure“ e shkrova me shumë qejf dhe kur u botua në revistën „Hosteni“ mora shumë falenderime,  duke filluar nga Xhahil Bilbili (Spiro Çomora),  Petro Marko. Sabri Godo, Shevqet Musaraj, Vangjush Gambeta. Dhe suksesi i këtij shkrimi i takon mikut tim, të madhit Dritëro. Kështu që ca nga ca ua mora dorën shkrimeve kritike duke trajtur tema të rëndësishme  si „Pasuria e popullit bëhet rrush e kumbulla“ „shtëpia me tre kate“ në Gjirokastër, ku Atelia e Monumenteve ua kishte regulluar banesat sipas pozitës. E pozitës në shoqëri e në pushtet.

`Kujtimet me ketë njeri e shkrimtar të madh janë të shumta gjatë miqësisë tonë gjashtëdhjetë e tetë vjeçare. Në një nga librat e dhuruara prej tij shkruan: „Gaqos, Mikut tim të vjetër dhe më të madhit të miqve. Me dashuri Dritëroi“. Dhe këtë miqësi i madhi Dritëro, e tregonte me fakte, e jo me fjalë. Kur ndëroi jetë nëna e tij Xhexheja (Hatixheja) që s’më ndante nga fëmijët e saj, nga Dritëroi, Tajari, Naimeja.  Sa shkova për ngushëllim, në dhomën ku priste Dritëroi,  ishte vetëm në një poltonë. Në të djathtë ishin në sërë njëri pas tjetrit kuadrot e Partisë e Pushtetit. Në të majtë farefisi i Dritëroit dhe i të mirës Sadie.  Sa më pa te dera Dritëroi ma bëri me shënjë të ulesha pranë tij, sikur donte t’u thoshte të tjerëve: Ky është miku im, nga më të mëdhenjtë e miqve „.

Shfletoj romanin e tij „Arka e djallit“ dhe ndjej zërin e mikut tim që më flet me dashuri:“Nuk po  të pyes për  punën  tënde aq të paqme dhe aq fisnike, nuk  po të pyes as për shëndetin tënd aq të lulëzuar dhe aq të feskët, i shumëdashuri Hyskë, se e di që i gëzon të pacënuara këto gjëra që i duhen njeriut në veprimtarinëe tij. Po të pyes s’i përfundoi telashi që të ngjalli ajo letra anonime, që merrte nëpër gojë emrin tënd aq të përhapur në leçitsitëëëëëëë. Në se e ke harruar përmbajtjen e letrës po ta kujtoj unë. Shoku Hyskë vjen shpesh në krahinën tonë bashkë me tezen e tij, një grua që e ka mendjen në modën perëndimore. Në këtë drejtim ajo mban këpucë me taka të larta dhe çorape najloni. Përsa i përket fustanit nuk e ka brenda normave të gjatësissë së duhur. Në këtë drejtim ka shumë pëshpëritje në fshat. Qëndrimet e tezes përkrahen edhe nga shoku Hyskë, që është një shkrimtar i dëgjuar.

Vazhdoj të të lëçis faqet e romanit, të shkruar nga i Madhi Dritëro me penë të artë. Dëgjoj zërin e tij të ëmbël  më flet. Nuk mund të mos e kujtosh, o Hyskë këtë lapangjos kaq të poshtër.         

                                                                                                        

Vazhdoj të çfletoj fletët e librit  dhe miku im më ku miku im më rrëfen bëmat me humor të Cute Babulen, atë natë që Bamka theri patokun si u zhduk Cutja atë natë.

– O Hyskë, s’më kishte ndodhur ndonjëherë, që të zhdukej miku pas mesit të natës. Mirë thotë i dituri: Dita dëgjon, nata përgjon. Përgjon e nëmura sjell të papritura. Ahere i thashë Lulushes ku do të ketë shkuar pa pallto e këpucë?! Por siç e di ti, si i ke kënduar në librin me fjalë të urta, gruaja e mbarë në shtëpi edhe me një sy shikon sa për dy..

– Epo kjo, o Hyskë nuk më kishte ndodhur ndonjëherë, që të zhdukej miku pas mesit të natës dhe si e gjetën Cuten ne haurin e lopës kishte vajtur në qilar te lopa të pinte qumësht.  Qëndronte në gjunjë, e kishte zënë për qafe lopën dhe llafosej me të. E po kësaj i thonë, o Hyskë: Pi një gotë e rri me shokë, pi një okë e rri me lopë”.

Ndodhitë me Cuten s’kanë të sosur dhe Bamka m’i tregon një nga një. “Çudirat e asaj nate o Hyskë as nuk shkruhen e as nuk tregohen  të plota. Ti e njeh  mirë krijimtarinë, o Hyskë. Më lejo të bëj një krahasim. Fryhet lumi dhe merr me vete gurë e drurë, bar e fletë. Shfryn përroi i jetës dhe shkëput nga shpirti thrrje, dhëmbje, ulurima, qeshje e mendime të papritura. Dhe këto gjëra ne, sado të talentuar të jemi, nuk i regjistrojmë dot në letër, me që nuk i  regjistrojmë në çast aty për aty, më von kapim vetëm hijen e tyre, zhurmën e tyre dhe sjellim vetëm oshëtimën e asaj nate, kur Cute Babulja ju afrua lumit duke kënduar e hedhur valle. Për një çast e ndërpreu edhe këngën, Zhveshi pallton, zhveshi këpucët, hoqi çorapet dhe pantollonat, hoqi brekët, hoqi këmishën dhe kanatjeren dhe mbeti lakuriq, si e kishte nxjerrë e jëma në jetë. Mori vrull dhe u zhyt në lumë, në pellgun më të madh e më të thellë.

`Në romanin “Arka e djallit” i madhi Dritëro tregon se Bamka (Dritëro Agolli) dhe Hyska (Gaqo Veshi) kanë qënë shokë të ngushtë që në konviktin e gjimnazit në Gjirokastër. Marrëzira Ata bënin me rrezik shoqëror e politik. Kulmi i kësa marrëzie arriti në një demostratë, që u quajt nga qyteti “Greva e preshit”. Qe koha që në konvikt natë e ditë kishte vetëm presh e lakra për të ngrënë. Një drekë kur Hyskë Borobojka, që ishte kujdestar i trapezës prej gjashtëmbëdhjetë konviktorësh, shkoi e solli nga kamarja e kuzhinës tenxheren e madhe me gjellë, Bamka e nuhati se atje brenda kishte presh.

                                 -Presh,- tha Bamka

                                 -S’duam presh!- thërritën edhe tryezat e tjera.

                                 Ahere Hyskë Borobojka rrëmbeu tenxheren dhe e ktheu në kamaren e kuzhinës duke thirrur: “S’duam presh!”. Të dymbëdhjetë tryezat e sallës së konviktit bërtitën: “S’duam presh! S’duam presh!” Dhe të gjitha kusitë me presh u kthyen në kuzhinë. Doli kuzhineri, që Hyska e kishte mik. Kuzhineri ishte minoritar grek e fliste shqipen edhe me theks edhe pak të shtrembëruar:

                                 -Preshi more, vjen dreka preshi. Vjen darka preshi! Preshi dynjaja, more Bamka. Ha preshi konviktori. Ha preshi mamia. Ha preshi profesori. Ha preshi gruaja ime. Preshi more, ç’të bësh. Ha preshi im e nëna. Nukë mori tjetër ushqimi.

                                 Bamka dhe Hyska e futën me zor në mes kuzhinerin, dolën në krye të sallës e bërtitën përsëri:

                                 -S’duam presh!

                                 E gjithë salla:

                                 -S’duam presh!

                                 Ndërkohë vjen drejtori i konviktit me çizme ngjyrë kafe  

 dhe me një rrip në mes, si komisarët. Qëndron në prag të derës dhe thërret:

                                 -Ç’është kjo keyengritje?!

                                 -Jo im zot, është revolucion!- përgjigjet Hyskë Borobojka me fjalët e kontit Mirabo të Revolucionit Francez, që sapo e kishim mësuar nga teksti i historisë.

                                 Dretori i konviktit u tërbua, e humbi kontrollin ndaj vetes, çakërriti sytë dhe ulëriu:

                                 -Këta presh, që ju nuk i doni janë vaditur me gjakun e dëshmorëve!

                                 Përnjëherë  u hodh Hyskë Borobojka:

                                 -Gjaku i dëshmorëve nuk ka rrjedhur për të vaditur preshtë! Ti merr nëpër këmbë gjakun e dëshmorëve! –dhe iu kthye konviktorëve:- E dëgjuat se çfarë tha ky kërcelli i borgjezisë: Preshtë janë vaditur me gjakun e dëshmorëve! Konviktorët u hodhën mbi tryeza: Poshtë drejtori! Poshtë drejtori dhe preshtë!

                                 Gjithë vëmendja tani u kthye nga gabimi i drejtorit. U harrua “Greva e preshit”. Kështu për një gabim të drejtorit shpëtuan Bamka dhe Hyska.

                                 Kjo ishte vetëm një nga marrëzitë e tyre. Me vonë ata filluan të shkruajnë e të botojnë në shtypin e kohës.  Miqësinë ndërmjet tyre e mbajtën dhe e ruajtën si gjë të shtrenjtë për gjithë jetën.