Si u identifikua në vitin 2011 flamuri i Kongresit të Lushnjës?

834
Sigal

Gëzim Llojdia

Rreth një vit përpara 100-vjetorit të Pavarësisë kombëtare, rreth datës 25 nëntor 2011 është identifikuar flamuri i Kongresit të Lushnjës që gjendej që prej vitesh në Fondin Etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Lidhur me këtë të dhënë të rëndësishme Dr. Ariola Prifti shprehet se: “Flamuri është realizuar në një pëlhurë mëndafshi, apo taftaje, (mëndafsh artificial prej ksanto-celuloze), por që akoma nuk është analizuar. Ai është i kuq dhe ka në qendër shqiponjën me dy krerë, e stilizuar në formën e shqiponjës së përdorur në atë kohë dhe e ngjashme si ide me atë të flamurit të pavarësisë, kur akoma nuk ishte zyrtarizuar forma e shqiponjës në flamurin kombëtar. Shqiponja është realizuar në një pëlhurë të mëndafshtë që është qepur mbi pëlhurën e kuqe. Në njërën anë të flamurit ka tre unaza metalike, që shërbenin për ta lidhur flamurin në shkop.

Cilët ishin dimensionet e këtij flamuri të kësaj ngjarje të veçantë në historinë shqiptare?

Dr. Ariola Prifit: “Dimensionet e flamurit janë: Gjatësia 121 cm. Gjerësia 70 cm. Flamuri, në njërën anë, mbi shqiponjë, është vulosur me një vulë ku lexohet data 20.01.1920 dhe poshtë datës: LUSHNJE. Vula tregon zyrtarizimin e flamurit pikërisht një ditë para fillimit të punimeve të Kongresit. Ishte e martë. Nuk duhet te presim qe flamuri të këtë pikërisht vulën e Kongresit, sepse kongresi akoma nuk kishte filluar dhe nuk kishe marrë akoma as një vendim as edhe për miratimin e vulës.

Cili ishte ideatori i këtij flamuri?

Studiuesja shprehet: Akoma nuk e dimë se kush e ideoi përdorimin e këtij flamuri dhe kush e vulosi. Kjo duhet kërkuar në emrat e Komisionit Organizator të Mbledhjes Kombëtare, që ishin patriotët; Eshref Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, (drejtuesi i komisionit), Ferid Bej Vokopola dhe Nebi Sefa. Kjo listë e përmenf, bazuar te Izet Shehu, “Trajtesë për Kongresin Kombëtar të Lushnjës”, 22 janar 2011. Sipas Valentina Dukës, në librin “Histori e Shqipërisë 1912-2000”, Tiranë 2007, faqe 111, përmenden emrat e disa patriotëve të tjerë që u përpoqën për thirrjen e Kongresit të Lushnjës, si Aqif Pashë Biҫaku, Iljaz Bej Vrioni, Ahmet Zogu, Abdi Toptani, Ali Bej Këlcyra etj.

A ka pasur flamuj të tjerë në këtë kuvend?

Duke iu referuar vitit 2011, studiuesja e cila ka punuar në këtë qendër shprehet: Do të duhet të përmendim këtu disa raste të ekzistencës së disa flamujve të tjerë, që lidhen me Kongresin e Lushnjës. Në Muzeun Historik Kombëtar është i ekspozuar një flamur, i vogël për nga dimensionet, i cili është përdorur si flamur tavoline gjatë zhvillimit të punimeve të kongresit. Po për këtë vit, Muzeu i Kongresit të Lushnjës ruan në arkivin e vet dy flamuj, shumë të dëmtuar, të cilët kanë të shkruar me bojë, e me dorë të lirë, “21.I.1920, Mbl.kob. Lushnje” dhe tek tjetri: “21.I.1920”. Këto dy shkrime, janë të shkruar keq dhe me gabime ortografike, gjë që të bën të dyshosh se mund të jenë zyrtarë. Por ka edhe dy fakte të tjera shumë komprometuese për origjinalitetin e tyre dhe përkatësisë për këtë ngjarje.

E para: Forma e shqiponjës nuk është ajo e asaj kohe, por shumë më e vonshme.

E dyta: Në shiritin e bardhë ku kalonte litari është stampuar me bojë të zezë TORINO. Ka edhe disa germa të tjera.

Pra këta janë flamuj të mëvonshëm nga kjo ngjarje, të stampuar në Itali. Ndërsa flamuri që ruhet në fondin etnografik të QSA është një flamur i zyrtarizuar me vulë. Ai është bërë pjesë e fondit etnografik, në vitin 1946, kur objektet e Muzeut Kombëtar iu dorëzuan Institutit të Shkencave. Në vitin 1957, me krijimin e Universitetit të Tiranës, u krijua edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili përfshiu në strukturat e veta edhe fondin etnografik dhe si pjesë e inventarit të këtij fondi, edhe flamurin në fjalë. Me ndryshimet organizative, sot flamuri ruhet në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në fondin etnografik të saj.