– Regjimet diktatoriale e konfiskojnë edhe lirinë në favor të një lirie ideale që mendohet se do të vijë një ditë.
Prof. Dr. Gjergj Sinani Dr. Mirela Sinani
Në sistemin monist, në emër të një doktrine materialiste dialektike, njerëzit më pak të arsimuar, më të paaftë, vendoseshin në krye të shoqërisë si klasa kryesore drejtuese e saj. Ky përfundim marksist na kujton premtimin e krishterë në Bibël, ku njerëz të varfër, të paarsimuar, peshkatarë, u bënë dishepuj të Krishtit dhe përhapës të patundur të fjalës së zotit. Është e kuptueshme se kjo pikëpamje m-l, ishte vetëm një farsë. Drejtimi i shoqërisë kurrë nuk mbeti në duart e klasës punëtore. Klasa punëtore propagandohej si klasë drejtuese, me qëllim që të nxitej të sillej si komanduese në raport me njerëzit e talentuar, të cilëve u takonte të drejtonin shoqërinë për shkak të aftësive, njohurive shkencore, artistike dhe që, për këtë arsye gëzonin simpati dhe emër të mirë në opinionin publik. Partia komuniste që me kalimin e kohës, pasi u kalua në fazën e dytë ekonomike-ndërtimi i shoqërisë socialiste, u emërtua parti e punës në përputhje me stadin e zhvillimit të shoqërisë, kujdesej që në plenumet e saj të stigmatizonte intelektualët dhe të vinte në dukje rrezikun që mund të vinte prej tyre për shkak të mënyrës së tyre të jetesës e cilësuar «borgjeze». Këto etiketime kishin rezultat të menjëhershëm në klasën punëtore me reagime zilie, indiference apo dhe urrejtjeje ndaj fateve të intelektualëve të ndryshëm, sepse përfytyroheshin si njerëz me jetë «borgjeze», me pretendime e naze, pa shpirt revolucionar, që nuk pranonin sakrifica, sepse nuk njihnin as kazmën, as lopatën. Trysnia e pandërprerë psikologjike mbi masat e njerëzve ushqente psikologjinë e turmës, urrejtjen ndaj tjetrit të ndryshëm, që jetonte më mirë, që ishte më i aftë, etj. Në vijimësi, intelektualët ishin nën goditje qoftë si armiq të popullit, që sabotonin zhvillimin ekonomik, qoftë për shkaqe më pak të dënueshme psh., si burokratë që u jepnin vlerë shkresave në vend të zgjidhjeve të shpejta, si njerëz nën ndikimin e jetës borgjeze liberale, të sentimentalizmit, etj.
Gjyqe të hapura publike dhe dënime me vdekje, në rastet kur shpalleshin armiq, pushkatim apo varje dhe trupat e tyre të demonstruar përpara popullit-ishte fati i sa e sa intelektualëve nga më të shkëlqyerit që mund të dëshirojë çdo komb, mes tyre edhe me Medalje të Arta të universiteteve Europiane; poshtërimi publik me fletërrufe e me kritika nga kolektivat e punëtorëve në ndërmarrjet e mëdha industriale, depersonalizimi; detyrimi për autokritikë dhe pendesë përpara klasës punëtore; largim nga qyteti dhe dënime me riedukim duke punuar si punëtorë të thjeshtë krahu në gjirin e klasës punëtore, sepse sipas doktrinës marksiste vetëm kur njeriu zbret në nivelin e proletarit, mund ta njohë realitetin ashtu siç është- ky ishte fati i intelektualëve që «shkelnin» vijën e partisë. Pretendohej se niveli më i ulët i arsimimit i jep njeriut mundësinë të njohë më saktë e më plotë realitetin, ta njohë atë ashtu sic ai është. Propaganda komuniste u strumbullua rreth disa tezave që synonin trullosjen popullore, mpirjen e mendimit dhe veprimit, kalimin në pasivitet dhe paaftësi reagimi. 1. Teza: Socializmi ndërtohet në kushtet e një rrethimi të egër imperialist – revizionist. Fillimisht armiku i jashtëm ishte shteti fqinjë jugor Greqia shoviniste me pretendimet për ndarjen e Shqipërisë si këmbim për sulmin që kishte pësuar prej Italisë fashiste që kishte shpallur bashkimin me mbretërinë shqiptare. Pas 1948 u shtua si armik edhe Jugosllavia titiste. Më pas SHBA si shtet imperialist; pas viteve 1960 Bashkimi Sovjetik revizionist dhe pas vitit 1976, edhe Kina revizioniste. 2. Teza e luftës kundër barazimtarizmit mikroborgjez kishte për qëllim justifikimin e privilegjeve të një grupi të vogël të liderëve të partisë, jetën e tyre luksoze si dhe fuqizimin e këtyre privilegjeve. 3. Teza më e rëndësishme ishte ajo e luftës së klasave, si motorri lëvizës i hisorisë, luftë që mbetej e ashpër gjatë gjithë periudhës së socializmit. Propaganda e shtrinte këtë luftë edhe në ndërgjegjen e njeriut, deri edhe në marrëdhëniet familjare. Lufta e klasave që ulej e ngrihej, zhvillohej me zig-zage, herë ashpërsohej e herë zbutej, po kurrë nuk shuhej-përcaktime këto të kryera në analizat e plenumeve të partisë – i shërbente partisë për të hapur fushatat e ndryshimit të drejtuesve komunistë dhe zëvendësimit me njerëz të tjerë të rinj, besnikë për t’i shërbyer partisë. 4. Ndërtimi i kultit të individit dhe miti i diktatorit si figura kryesore e luftës për liri, arkitekt i Shqipërisë së re, simbol i drejtësisë popullore që shpartallonte armiqtë e brendshëm, ndërsa pas vitit 1978 edhe si marksist-leninisti më i madh i epokës. 5. Vendosja e partisë dhe e “udhëheqësit” mbi gjithshka sipas parrullës populiste: “Ç’thotë partia bën populli, çdo populli, bën partia”, krijonte iluzionin se populli dhe partia ishin të lidhur pazgjidhshmërisht me njeri-tjetrin, fatet e njërit ishin dhe fatet e tjetrit, prandaj sa më shumë të jetonte udhëheqësi, aq më me fat ishte populli. Tjetërsimi i individit, krijimi i njeriut të ri. Në kushtet e mbijetesës ku regjimi komunist diktatorial e katandisi gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe nën trysninë e pandërprerë të luftës së klasave kundër armikut të klasës, nuk ishte e vështirë të ndodhte tjetërsimi i njeriut, zhveshja nga dinjiteti dhe nënshtrimi ndaj vijës së partisë kudo e në çdo gjë, domethënë edhe deri brenda familjes, edhe në jetën private. Njerëzit humbën kuptimin dhe domethënien e identitetit vetjak, madje emërtimi « identitet vetjak» u zhduk edhe nga qarkullimi. Pavarësisht se flitej për zhvillim, përparim apo dukej sikur stimuloheshin më të mirët, faktikisht jo vetëm nuk nxitej, por pengohej me çdo mënyrë lulëzimi i individit, formimi i identitetit dhe zhvillimi i personalitetit. Kundrejt vlerave individuale, talentit, meritave, progresit vetjak, personalitetit shoqëror propagandoheshin vlerat kolektive: rritja në gjirin e kolektivit; njësimi me kolektivin; nënshtrimi i individit përpara kolektivit, sepse kolektivi gjithnjë kishte të drejtë ; vetëm kolektivi ishte rrethi shoqëror ku njeriu edukohej. Paul Tillich, kishte shumë të drejtë kur shkruante, që më 1956, se komunistët, pavarësisht sfondit profetik dhe produktivitetit teknik kishin mbërritur vetëm në stadin e kolektivizmit tribal. Pse? Sepse esenca e komunizmit është kurajua për të qenë pjesë, e cila u jepte masave popullore, që jetojnë nën kërcënimin në rritje të mosqenies një ndjenjë në rritje ankthi. “Komunizmi u jep atyre që kanë humbur ose janë duke e humbur vetafirmimin kolektivist të vjetër një kolektivizëm të ri dhe, me të, edhe një kurajo të re për të qenë pjesë. Nëse shikojmë pjesëmarrësit e lëvizjes komuniste, ne gjejmë vullnetin për të sakrifikuar çdo plotësim individual ndaj vetpohimit të grupit dhe qëllimit të lëvizjes”2 .
Kolektivi vendoste për fatin e individit : nëse nuk e bënte për vete kolektivin, individi dështonte. Nëse individi dëshironte medoemos të rritej në përgjegjësi, ai duhej të nënshtrohej përpara kolektivit, pra, të praktikonte artin e servilizmit dhe të poshtërsisë. Intelektualët si njerëz me identitet të formuar dhe dinjitet personal dështonin me sukses të bënin servilin dhe të pranonin poshtërimin. Emrat e intelektualëve të njohur me merita erdhën duke u pakësuar. Ato u zëvendësuan me emrat që propozonte partia. Duke i bombarduar njerëzit me diktaturën e proletariatit, luftën e klasave, rrethimin imperialistrevizionist, terrorin dhe propagandën e urrejtjes për çdo gjë që nuk përputhej me ideologjinë zyrtare, u krijua një gjendje ku vlerësoheshin veprimet e vrasjes, të dhunës, egërsisë, të grabitjes, spiunimit, mashtrimit dhe shkatërrimit. Regjimi diktatorial e konfiskoi edhe lirinë në favor të një lirie ideale që do të vinte një ditë. Kjo ishte tragjedia që përjetoi populli shqiptar për shkak të një partie komuniste të instaluar që në vitin 1941, që me mbështetje ndërkombëtare dhe sipas doktrinave teorike të qendrave të mëdha politike u kthye në parti-shtet që genocidoi për gjysëm shekulli popullin shqiptar.