Shqipëri -Kosovë, 2 gëzime në 1 ditë

265
Gazeta TELEGRAF

Ilir Rexhep Meta (lindur më 24 mars 1969) është politikan shqiptar, ka qenë ministër, kryeministër, kryetar i partisë Lëvizja Socialiste për Intergrim, kryetar i Kuvendit dhe që me 24 korrik 2017 President i Republikës së Shqipërisë. Meta është që prej 25 viteve deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare. Ai konsiderohet nga media dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë ne Politikën Shqiptare.

Karriera politike:

Ilir Meta e filloi aktivitetin e tij politik në vitin 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore. Ai ishte një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë (FRESSH).

Gjatë viteve të anëtarësisë së tij në FRESSH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese në vitet 1992-1995 si Nënkryetar dhe në vitet 1995-2001 si Kryetar i këtij forumi.

Ai u zgjodh anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues në Kongresin e Qershorit të vitit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste nga viti 1993, deri në korrik të vitit 2003, kur ai dha dorëheqjen.

Në vitet 1993-1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, nga viti 1994 deri në 1996.

Gjatë kësaj kohe Partia Socialiste në sajë të kontributit të Ilir Meta vendosi marrëdhënie me shumë parti socialiste, parti të majta dhe socialdemokrate të Europës, si dhe Partinë Socialiste Europiane dhe Internacionalen Socialiste.

Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.

Ilir Meta, më 6 shtator 2004, themeloi një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).

Ilir Meta u zgjodh në krye të LSI në prill të vitit 2005, duke respektuar dhe zbatuar për herë të parë parimin “Një anëtar, një votë”.

Ilir Meta është rikonfirmuar në krye të LSI, në zgjedhjet e tetorit 2012 dhe në ato të fundit, më 6 nëntor 2016.

Ai ka qenë Sekretar Shteti për Integrimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme në mars-tetor 1998 dhe më pas Z/Kryeministër dhe Ministër i Koordinimit Qeveritar (tetor 1998-tetor 1999).

Gjatë periudhës nëntor 1999-shkurt 2002 ka qenë Kryeministër i Shqipërisë, i rikonfirmuar edhe pas zgjedhjeve parlamentare te vitit 2001.

Në Shkurt të vitit 2002, për të shmangur krizën brenda maxhorancës politike dhe qeverisëse të asaj kohe Ilir Meta dha dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit.

Më pas Ilir Meta u zgjodh Z/Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme (korrik 2002-korrik 2003).

Në periudhën shtator 2009-shtator 2010, Ilir Meta ka qenë Z/Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme e me pas Z/Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (shtator 2010-janar 2011).

Nga viti 1992 Ilir Meta, është zgjedhur pa ndërprerje si deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë.

Në shtator të vitit 2013 Ilir Meta u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, pozicion të cilin e mbajti deri më 28 prill 2017, ditë kur u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë.

Albin Kurti lideri i partisë së Lëvizjes Vetëvendosje

Albin Kurti (lindur më 24 mars 1975) është një politikan dhe aktivist shqiptar, i cili shërbeu si kryeministri i Kosovës prej 3 shkurtit 2020 deri në 25 mars 2020. Prej janarit 2018 është lideri i partisë së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilën e themeloi dhe e drejtoi në vitet 2005 deri më 2014. Albin Kurti në 22.03.2021 zgjidhet sërish Kryeministër i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 21 shkurtit.

Jetëshkrimi

Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Mbas arsimimit bazë (1981 deri 1989) dhe më tej atij të mesëm (1989 deri më 1993) në Prishtinë vazhdon studimet. Në rezistencë kundër Milosheviqit në gusht të vitit 1997 Albini u kyç në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si anëtar i kryesisë e më vonë si zyrtar për marrëdhënie ndërkombëtare.

Kurti ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Milosheviçit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit. Me fillin e luftës në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Albini filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i zyrës. Gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë. Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe. Më 13 mars 2000 në Nish, Albini u dënua me 15 vjet burg të rëndë. Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Milosheviçit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”.