Shpend Topollaj: Poetët e përjetësisë, Lasgushi dhe Eminesku

594
  1. Eminesku ka folur shqip në sajë të punës mjeshtërore të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Rexhep Ismajlit, Vehbi Balës, Dhori Qiriazit, Qazim Shemajt
Sigal

DANTJA I RUMANISË MIHAI EMINESKU DHE LASGUSHI YNË – POETËT E PËRJETËSISË

Shpendi Topollaj

Aty rreth vitit 1880, kur Mihai Eminesku, shkoi në Konstancë për të bërë realitet ëndrrën e tij për të parë Detin e Zi, unë nuk e di në e kishte ngritur populli rumun, në shenjë nderimi, përmendoren për mjeshtrin e hekzametrit,  Ovidin e lirisë së ndjenjave dashurore, të syrgjynosur nga Oktavian Augusti në atë cep të perandorisë romake që aso kohe quhej Tomi. Por jam i sigurtë se ky erudit i shquar dhe njohës i letërsisë së vjetër dhe i korifejve të filozofisë, pa tjetër që e kishte lexuar, e ndofta dhe mësuar përmendësh, pasi kjo ishte në përputhje me natyrën e tij, atë strofën e famshme te “Metamorfozat”, ku thuhet:

Ja, më në fund, mbarova këtë vepër,/  Q`as zemërimi  Jovit dhe as zjarri,/  As koha që rrënon e bren gjithçka/  S`do mundet ta humbasë, ta shkatërrojë.

Edhe pse për fatin e keq të tij, të popullit të mirë rumun dhe të të gjithë qytetarëve të kulturuar të botës, ai jetoi fare pak, vetëm 39 vjet, duke i mbyllur sytë përgjithmonë, nga një gur i vogël llastiku me të cilin e qëlloi i çmenduri Petre Poenaru, atje në atë sanatoriumin, ku e kishin mbyllur dhe vetë poetin, me veprën që la pas, pra me ato lirika të magjishme, poemat “Luçiferri”, “Përrallat e blinit”, “Ylli i Dritës”, “Letrat”, “Kelini”, “Perandor dhe proletar”, “I varfëri Dionis” etj. etj. dhe sidomos me vënien në baza të shëndosha të gjuhës rumune, ai jo vetëm përsëriti si pakkush lavdinë e Ovidit, por edhe e ktheu atë varrin në varrezat “Bellu”, pranë një bredhi dhe një bliri që ai i pat dashur aq shumë, në një vend të shenjtë për pelegrinazh shpirtëror të njerëzve, nga të katër anët e botës.

Ky poet që siç u shpreh në fjalën e tij të lamtumirës Grigore Ventura që … “nuk ka qënë i askujt, por i të gjithë rumunëve”, nuk kish se si të mos qe dhe i të gjithë shqiptarëve.

Nuk kish se si të ndodhte tjetërsoj me këtë gjeni (dhe gjenitë u përkasin të gjithë popujve) për të cilin krahasimisht, dikush është shprehur se “Nëse Gëte do ishte shojtur në moshën e Emineskut, Gëtja nuk do të kujtohej fare”. Gjithashtu Eminesku, zuri një vend të veçantë në zemrat tona, pasi ai mbetet përfaqsuesi më dinjitoz, i të gjithë vlerave të mëdha të popullit mik rumun, i cili gjithmonë e ka mbështetur sinqerisht, çdo lëvizje kulturore dhe atdhetare të shqiptarëve, e kryesisht të atyre burrave të shquar që u strehuan në vendin e tyre.

  1. Eminesku ka folur shqip në sajë të punës mjeshtërore të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Rexhep Ismajlit, Vehbi Balës, Dhori Qiriazit, Qazim Shemajt etj. për të mbërritur tek i ndjeri Perikli Jorgoni i cili ka nxjerrë një përmbledhje më të plotë të poezive të Emineskut, rezultat i një përpjekjeje disa vjeçare. Por botimi i librit të Lasgushit, nën kujdesin e vajzave të tij Kostandinës dhe Marijes, me titull “Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore – atdhetare”, studim me të cilin ai në moshë fare të re, mbrojti doktoratën, përbën një eveniment shumë të rëndësishëm, jo vetëm për kulturën tonë, por edhe për atë rumune. Ambasadori i Rumanisë, i nderuari George Miku, pasi u njoh me këtë studim të gjatë dhe ndofta më të arririn për veprën e poetit të madh rumun, shkroi: “Ajo është një model i përkryer se si duhen analizuar krijimtaria artistike dhe dukuritë letrare dhe estetike. Në të nuk ka asnjë koncept të gabuar e të vjetëruar, ajo edhe sot, afërsisht pas  100 vjetësh nga trajtimi i saj, na shfaqet e freskët, bashkëkohore dhe moderne”.

Ne sot, pa frikë mund të arrijmë në përfundimin, se ndofta Lasgushi, ishte pikërisht ai që i duhej trajtimit shkencor, kulturor e shpirtëror të veprës së Emineskut, pasi ata kishin shumë pika të përbashkëta, për të mos thënë se kishin mjaft anë të rëndësishme të përbashkëta. Vërtetë Lasgushi jetoi gjatë, 88 vjet, por ata jetuan në një kohë të përafërt, në vende me fate të njejta historike, me përpjekje e luftra të pandërprera për liri e pavarësi. Kultura e tyre ishte e jashtëzakonëshme; ata njihnin mësë miri letërsinë dhe filozofinë botërore dhe e pasqyruan atë në tërë krijimtarinë e tyre poetike. Ata njëlloj provuan varfërinë e shpërfilljen. Të dy u mbështetën fuqishëm tek krijimtaria popullore dhe ditën ta përpunojnë atë dhe ta ngrenë në lartësinë e një arti sublim. Ata si njëri, ashtu dhe tjetri, nuk i duronin në asgjë padrejtësinë dhe reagonin me revoltë dhe burrëri ndaj saj. Të dy i kënduan vendlindjes, i ngritën himne asaj. Të dy u rritën buzë dy liqeneve që patën ndikim të dukshëm në formimin e tyre, njëri atje pranë liqenit të mrekullueshëm të Ipoteshtit e tjetri buzë liqerit të mahnitshëm të Ohrit. Edhe temat që ata përzgjodhën, gati ishin të njëjta; i kënduan bukurisë, mirësisë e dashurisë si askush tjetër, ndaj dhe të dy u mësuan nga të gjithë, pavarësisht nivelit, përmendësh. Ka një përkim të çuditshëm; deri dhe atyre që i mërzitën me ligësi “profesionale”, pra kritikëve dhe redaktorëve zyrtarë, u thurën vargje plot mllef e sarkazëm. Vetë Lasgushi, u detyrohej shumë rumunëve; atje ai respektivisht në vitet 1933 dhe 37, botoi “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i Zemrës”. Mund të mbahen shumë leksione për miqësinë mes popujve. Mund të nënshkruhen edhe traktate miqësie nga ana e politikanëve. Por ato nuk janë asgjë, përpara lidhejve të pakodifikuara të vetë poetëve, të cilat deshifrohen vetëm me vullnetin, këmbënguljen, sinqeritetin dhe talentin e poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve. I parë kështu, ky libër i botuar me shumë përgjegjësi nga shtëpia botuese Argeta LMG, e zotit Mehmet Gëzhilli, merr një rëndësi të veçantë, pasi i kalon përmasat e një vepre letrare. Ai tregon se urat e miqësisë mes dy popujve tanë, themelet e të cilave janë ngritur në shekuj, do të forcohen akoma më shumë, falë dhe kontributit të intelektualëve tanë, disa nga të cilët po i përmend, duke u kërkuar falje shumë e shumë të tjerëve,  njerëzve pra, si George Miku, Dionis Bubani, Kopi Kyçyku. Edhe pse atëherë pa shumë përvojë, Lasgushi ka ditur të hyjë në mënyrë racionale jo vetëm në botën e pafund dhe të larmishme emineskiane, por edhe të vetë Rumanisë që po përjetonte një zgjim me ardhjen e tij në atë periudhë të pështjelluar tranzicioni. Lasgushi, na jep fillimisht ndikimin francez, ku natyrisht po vlonte mendimi përparimtar. Këtu nisi me një hov të ri “shkundja nga gjumi” e popullit rumun, me këtë ndikim qenë të gjithë ata që u quajtën me të drejtë “kryeluftëtarë të mëdhenj të atdheut dhe shkrimtarë të shquar”…Por nuk mund të anashkalohej ndikimi i të gjithë atyre që pasi u shkolluan në Gjermani, sollën prej andej ide të reja dhe që aq bukur këtë ndikim e ka përmbledhur në kumtesën që mbajti në Akademinë rumune M. Kogalniceanu: …“pothuajse gjithçka që kam bërë në vendin tim ia kushtoj kulturës gjermane, Universitetit të Berlinit, shoqërisë gjermane, burrave të mëdhenj … që kanë realizuar unitetin dhe ngritjen gjermane, dhe në flakët e dashurisë për atdheun gjerman është ndezur tek unë edhe pishtari i dashurisë për atdheun rumun”. Lasgushi, konstaton me mprehtësi për krijimtarinë poetike të Emineskut se “Përmbajtja artistike e poezive të tij dilte mbi nivelin e zakonshëm arsimor të bashkëkohësve”. Madje, kishte nga ata që mendonin krejt gabimisht, se poezia e tij, nuk kishte asnjë lidhje me popullin, me psikikën e tij. Dhe Lasgushi, i referohet Titu Maioreskut që ndër të parët theksoi frymën popullore të vargjeve të Emineskut, duke shtuar nga vetja se “… në të vërtetë Eminesku është endur në jetën e atëhershme letrare pa rënë fare në sy, për t`u bërë i famshëm vetëm pas vdekjes”. Ironikisht, kjo ka ngjarë me shumë krijues të mëdhenj. Por për Emineskun, Lasgushi, duke u ndalur tek poezia “Ylli…”  thotë se ai …” sjell motivin e një ylli të shuar në gjithësi, drita e të cilit kur ai shkëlqente ishte e padukshme për shkak të largësisë së madhe, por atë ne jemi në gjendje ta shohim vetëm pas mijëravjeçarësh, ndërsa ai ka kohë që është shuar:

Drita e yllit që s`ndrin më,/ Ngjitet kupës së qiellit: /   Na ish, kur s`e shihte asnjë,/ U tret, po vazhda mbeti. Duke shkruar kështu në atë kohë, pra duke qënë ende student, Lasgushi sikur parashihte fatin e tij, fat i cili gjithsesi kishte nisur që me prerjen e bursës nga qeveria e vendit të tij, pasi ai ndërpret për pak kohë studimet, nga që ishte i sëmurë edhe pse ishte student i shkëlqyer, ç`ka e detyroi të shprehej me indinjatë: “por vullneti im nuk thyhet. Këtu ju jap fjalën time të fortë, se më parë futem në dhet, sesa të mbaroj studimet. Dhe, në mos vdeksha, do t`i mbaroj rregullisht, qoftë me bursë, qoftë pa bursë, bursën i – a u le studentëve pa karakter, pa vullnet për punë, pa përgjegjësi, njerëzore: me një fjalë, sahanlëpirësve që m`i urren shpirti. Jam … nga ata që s`tremben prej fatit.” E ky fat, për Lasgushin qe i përjetshëm, se sistemi që erdhi, ishte akoma më armiqësor me njerëz si ai.  Në këtë libër që tani e kemi në dorë, bie në sy shpjegimi i gjithë ndikimit të kulturës gjermane tek ky njeri që shokët e quanin “bibliotekë e gjallë”, por që fundja në brendësinë e vet mbeti vetëm rumun, që shkroi për atë popull me atë që Lasgushi e quan “ideologjia e tij popullore – atdhetare”.

Më sipër theksuam, se thuajse në asgjë, nuk është vjetëruar Eminesku. Por vetë Lasgushi, na bën me dije se idetë e tij, për formën e qeverisje janë përparimtare, por tani e kuptojmë se ato janë të tejkaluara; ai kërkon absolutizëm, por pa e ngatërruar atë me despotizëm. Kjo ishte aso kohe në interes të çështjes kombëtare të Rumanisë, ku ai i jepte përparësi fshatarsisë, e cila pa tjetër duhej të karakterizohej nga stabiliteti. Megjithatë, për Lasgushin, është e kuptueshme se teoritë politike, janë në pajtim me koniukturat social – ekonomike të kohës, ato evolojnë herë pas here. Ajo që mbetet e pa ndryshuar është krijimtaria artistike e cila në rastin e M. Emineskut do të mbetet e njëjta për shekuj e shekuj me radhë.  Kjo më shumë se gjithçka i bën poetët si Eminesku e Lasgushi të pa vdekshëm. Ja pse vetë Eminesku tek poezia “O mëmë” thoshte:

Kur do të vdes, e dashur, mbi kokë mos më qaj;/  nga bliri i shenjtë, i ëmbël një degë veç më ndaj,/ mbi kokën time degën vendose me kujdes,/ le të rigojnë lotët nga sytë e tu, si vesë;/do t`ndjej si hija e blirit më rritet edhe më …/ Gjithnjë do t`rritet hija, un` do fle gjithnjë.

Dhe ata vërtetë flenë gjumin e përjetshëm, por i takojnë përjetësisë, gjë që e pohon edhe vetë poeti ynë L. Poradeci me këtë libër që e plotëson figurën e këtij ylli të poezisë rumune e botërore.