Sevo Tarifa: Kryeballisti dhe shërbëtorët e nazifashizmit

837
Sigal

Mithat Frashëri, kryekolaboracionist

Nga Sevo Tarifa

Kolaboracionistët ishin shërbëtorë të fashi-nazizmit. Dolën në skenën politike me pushtimin fashist të Shqipërisë. Ndërsa nisi lufta antifashiste e vendosur, balliasto-zogistët kolaboracionistë, thoshin: “Dale, s’ka ardhur koha të luftojmë”, “është mbretëri e madhe 40-milionshe” etj. Por Lufta çlirimtare filloi e zjarrtë…

Me firmë të kryeballistit vriten luftëtarët e lirisë!

Patriotë, bashkëkohës të atyre viteve të Luftës, që i kanë hequr në kurriz apo që i kanë parë me sy krimet e pushtuesve të huaj me udhërrëfyes kolaboraconistë, flasin dhe kanë shumë për të thënë për krimet e tyre në popull, jo vetëm që kanë vepruar me kokën e tyre, por kanë zbatuar edhe urdhrat e dhëna me gojë e me shkrim nga udhëheqësit ballistë qendrorë e qarkorë. Nuk mungojnë faktet që Balli ka vepruar kundër LANÇ duke përgjakur popullin. Ja një nga dokumentet e shumta:

Më 12 korrrik 1944 Komanda e Pëgjithshme e Gjindarmërisë së Beratit i dërgon një raport Ministrisë së Brendshme, në të cilën midis të tjerash i shkruan: “Midis Gjindarmërisë së Beratit dhe Komandës së Ballit Kombëtar kanë lindur dizarmoni që kanë arritur deri aty sa Balli Kombëtar arreston, ekzekuton, mbledh taksa dhe grabit në popull. Kur është ndëryrë nga ana jonë për parandalimin e këtyre veprimeve kriminale, eksponentët e Ballit Kombëtar na kanë deklaruar se për çdo veprim që bëjnë, ata kanë autorizimin nga shkëlqesia e tij, z. Mit’hat Frashëri”, njeriu që u prit zyrtarisht nga Kryeministri Rama, si të mos ishte komandant i Ballit Kombëtar! Kur u vra nga njësiti gueril i Vlorës komandanti i Ballit, kjo organizatë balliste, në bashkëpunim me Gestapon naziste, më datën 10 -11 tetor 1943, për hakmarrje arrestuan 147 simpatizanë të LANÇ. Pra, për një gjerman, vriten 147 patriotë shqiptarë! Çfarë u bë me këta? Gjatë rrugës për në Maqedoni në fshatin Bukovo u pushktuan 17 prej tyre. U çuan në kampin e Zemunit afër Beogradit, ku u pushkatuan edhe 4 të tjerë, ata që mbetën u mbyllën në kampin e shfarosjes në Mathauzen!

Një komunist lufton me dyqind fashistë!

Ç’donin pushtuesit fashistë e nazistë në vendin tonë? Këtu s’kishin punë. Dhe s’rrinin dot pa u ndihmuar nga kolaboracionistët. Ndryshe le të prisnin plumbin ballit dhe në zemër. Kështu, në fushën e Erindit 200 fashistë e spiunë italianë e shqiptarë atdheshitës, rrethuan “komunistin e rrezikshëm” Lato Braho, emri i të cilit i tmerronte. Në luftë me ta ishte plagosur tri herë në kokë, në tri beteja. Këtij luftëtari kryetrim iu desh të luftonte një i vetëm me një batalion armiqsh, që kishin shkuar në fushën e Valaresë gjoja për stërvitje. Ndeshja ishte e pabarabartë dhe tepër e ashpër. Partizani ishte dhe komisar e komanant i stërvitur, snaimper i shkëlqyer. Vrau sa vrau në atë betejë, kur dy milicë po i afroheshin për ta kapur të gjallë, por shpëtoi, se kundër tyre u vërsul me shat në dorë bashkëfshatarja, Delo Kaçi. Por kjo grua trime s’arriti dot t’i godasë ata dy milicë, se kur ngriti shatin, një tjetër milic prapa krahëve e vrau. Është dëshmorja e parë grua e rrethit të Gjirokastrës. Nuk ishte dëgjuar që një kryetrim, si dëshmori Lato Braho të ndeshet e të fitojë me dyqind armiq pushtues e kolaboracionistë!

“Atdheu nuk është misër, bajraktar”!

Krahas patriotëve që delnin partizanë dhe, kur kishin mundësi armën e gjenin vetë, kishte dhe nga ata kundërshtarë, që jo vetëm pengonin zgjerimin e radhëve partizane me armë në LANÇ, por donin që vetë të ishin të armatosur më së miri, “për çdo eventualitet”!

Dëshmori mirditor Zef Bruçi kishte dezertuar nga xhandarmaria dhe shkoi në fshat. Propagantonte për luftë kundër fashizmit. Debatonte guximshëm dhe me bajraktarin e fshatit, i cili i kishte zili pushkën dhe synonte t’ia merrte! Por Zefi i kishte thënë: “Atdheu nuk është misër, bajraktar”! Djaloshi atë pushkë dhe të tjera që kishte mund t’ia jepte vetëm Bardhok Bibës me të cilin ishte takuar përzemërsisht. Fshati u çlirua nga partizanët. Zefi u zgodh kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Kullës së bajraktarit iu vu zjarri. Por ky ballist bajraktar e kishte vënë Zefin në rreth të kuq. Mori të gjitha masat dhe një mëngjes, ky filiz nga trimat mirditorë, u gjend i vrarë! Kishte mundur të shtinte një herë dhe pushka e tij s‘ishte dëgjuar më… Bajraktari çnjerëzor, vrasës. Partizanët luftonin me heroizëm për çlirimin e vendit nga fashi-nazizmi, kolaboracionistët ishin në shërbim të pushtuesve.

Sot humbësit e Luftës hiqen si antikomunistë, çfarë nuk thonë për “krime të komunizmit”. Po pushtuesit e huaj dhe sahanlëpirtësit e tyre kolaboracionitë nuk kanë bërë krime?! Pse nuk flitet dhe për këto nga partitë politike, përfshirë dhe drejtues të Partisë Socialite, Qeverisë dhe Minisrisë së Kulturës, po veprohet në të kundërt. Bëhen përpjekje për të ngritur muze “kundër krimeve të komunizmit”, në Tepelenë, në Tiranë etj?! Si nuk flet njeri për gjithë ato muze lufte që u prishën në krahina e fshatra! Vandalët “demokratë” i zhdukën. Si nuk kujtohet kush, as në rrugë shtetërore për ndonjë “muze të krimeve balliste”?! Pak krime janë kryer prej tyre: plaçkitje, djegie, spiunllëqe, tortura çnjerëzore, kërcënime, pushkatime e deri varje në litar?

“Do të të vrasim, se ti u shërben partizanëve”

Ballistët vrisnin si pa të keq.

Kristo Vodo partizan i çetës Myzeqeja, në janar 1943, u dërgua me shërbim nga Komanda e Vendit në Karavasta për të mbledhur ndihma për partizanët. Po kalonte rrugës bashkë me vjehrrin. Përballë, te Ura e Madhe dy kriminelët ballistë. Dikur kishin patur një shkëmbim fjalësh. Ballistët e kishin povokuar duke i thënë: “Do të të vrasim, se ti u shërben partizanëve”. Ai u ishte përjigjur: “Po kujt t’u shërbej, fashistëve?”. Ballistët i mbajtën vath në vesh këto fjalë dhe u hakmorën: Një natë të errët i zunë pritë dhe e vranë duke e hedhur të vdekur poshtë urës. Partizani është dëshmor, ballistët janë kolaboracionistë kriminelë. Ballistë e legalistë ishin dhe janë në një thes.

Qemal Veseli, djalë 20-vjeçar ishte nga Kruja. E urrente Abaz Kupin, e quante me të drejtë, tradhtar. Ishte aktivist çlirimtar, i ri aktiv. Ndaj qe përgëzuar nga shokë drejtues Haxhi Lleshi, Beqir Balluku, Rexh Deliu etj. Për punë të mirë u ngrit në detyën e sekretarit të parë të rinisë së Krujës. Si ta bënin që ta zhduknin? Më 18 nëntor 1945 armiqtë e vranë.

Në Dukaj të Tepelenës, gjermano-ballistët kryenin raprezalje. Jeta e banorëve, ishte në rrezik. Gdhiheshin, por s’dihej a do t’i zinte mbremja apo mëngjesi tjetër. Sot ishin në shtëpitë e tyre, nesër shpellave e pyjeve në male. Më 17 janar 1944 nazisto-ballistët tytën e pushkës dhe bajonetën, i drejtuan për të marrë jetë njerëzish të pafajshëm, ose që vepronin si antifashistë: atë ditë kryen masakrën që nuk e kishte parë fshati, vranë 12 djem e burra, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Iu pre jeta një trëndafili.

Para nënës, nuses e fëmijëve i morën lidhur këmbë e duar dhe pushkatuan në oborrin e shtëpisë, partizanin Ismail Osmën Bejko, kurse vëllain e tij, Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan, i prenë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj! Çfarë vandalësh! Ujqër me dy këmbë! Por për të çmendur kishte të mençur. Nëna e tij zemërtrime, së bashku me bashkëshortin e saj, Besim Muçaj e ngarkuan në kalë natën kufomën e djalit dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë, pranë vëllait tjetër dëshmor. Brezat e rinj që kanë lindur pas Lufte, s’ka si t’i dijnë ato, të cilat kanë ngjarë në vitet që ata s’i kanë jetuar, ndaj le t’i mësojë nga bashkëkohës që rrojnë.