Letra e pabotuar e Kiço Blushit/ Emri Dritëro Agolli i jep karakter universal e të pavarur vlerës intelektuale. Reagon Elona Agolli: Të djeshmen e mohojnë ata që i tremben të sotmes

424

Emri Dritëro i jep karakter universal e të pavarur vlerës intelektuale

 

Nga Kiço Blushi

 

Nuk e di se si mund të ketë ndodhur që në një fshat të Devollit (Menkulas) është shënjuar me emrin Dritëro, një foshnjë që destini historik nuk do ta lejonte të ndiqte trashëgiminë e të bëhej bujk, por shkrimtarin më të madh e më shqiptar të këtij shekulli.  Nuk e kam për zakon të flas në mënyrë kategorike për askënd e për asgjë, pasi e di fort mirë që kjo veti, në mos është shenjë budallallëku, së paku është shenjë servilizimi. Nga kjo e dyta nuk kam frikë.

Kur Dritëroi ka qenë kryetar i Lidhjes disa herë jam ndeshur me të e prapë ne mbetëm këta që jemi:Kuvendarë të respektuar e për këtë ka meritë fisnikëria e Dritëroit.

Nuk ka qenë vetëm një rast kur Dritëroi është sulmuar në mënyrë të turpshme pikërisht nga ata letrarë shkarra-shkrues gazetash, të cilëve ai u ka bërë ndere të mëdha, jo vetëm duke i përkrahur për botime, por edhe duke i sjellë nga periferitë në qendër të Tiranës, pasi atëherë, siç dihet nuk ekzistonte qarkullimi i lirë i njerëzve si sot. Por në asnjë rast, në shtyp jo se jo, (dhe dëshmi janë edhe këto libra me publicistikë), por as me gojë ai nuk ka dëshirë të shprehet “për ata”. “Shkrimtari nuk e shan shkrimtarin”, thotë ai shkurt, duke u skuqur, për të treguar se ai jo vetëm që nuk e ka për zemër të flasë për mëkatin e mosmirënjohësve, por edhe se ata ai i ka falur, pasi si zhbirues i lindur i shpirtit njerëzor e di fort mirë se shumë njerëz të rëndomtë bien kollaj pre e tundimit për shkak të varfërisë shpirtërore e materiale gjë që prish karakterin dhe moralin njerëzor. Nuk njoh asnjë personalitet tjetër të letrave e të kulturës sonë që të mos ketë frikë nga e kaluara, nga e sotmja (nevojat materiale, marrëdhëniet shoqërore, me partitë, me publikun, etj) por edhe nga e nesërmja (ç’do të thonë lexuesit nesër?). Sidomos në këto shtatë vitet e fundit kemi pasur fatin të shohim lakuriq shumë personalitete që hermetizmi i çdo lloj diktature vesh me një vel fals. Të trembur nga e kaluara e tyre, duke dhënë prova mashtruese për gjoja disidencë, ata nuk e kuptuan se kësisoj përfitimi nga e sotmja do të sjellë pashmangshmërisht rrënim të së nesërmes (të emrit të tyre). Kthimi i vlerave në antivlera dhe anasjelltas, dukuri kjo mjaft e prekshme në këto vite ka sjellë prishje të ekuilibrit moral në shoqërinë shqiptare e është kjo prishje ekuilibri që solli rrënimet e shkatërrimet e fundit. Emri Dritëro është padyshim ndër ato emra që jo vetëm për sot por edhe për nesër do të shërbejë për të kuptuar se historia e Shqipërisë ka pasur edhe burra të vërtetë që vlerës intelektuale i japin karakter universal e të pavarur nga konjukturat kohore. Nuk gjen në Shqipëri në asnjë kadastër e zyrë civile ndonjë person me emrin Dritëro. Kjo veçanësi e emrit Dritëro nuk vjen nga “shënjimi” profetik i bërë 66 vjet më parë, por nga jeta publike që ka bërë ky burrë tashmë i thinjur, kryeneç, kokëfortë, krenar, inatçor, zemërmadh e mbi të gjitha i urtë prej veprës të të cilit, bota shpirtërore është dritëruar për gati pesëdhjetë vjet.

Jam i bindur që sa thashë më lart, po edhe intervistat që i kam marrë unë e jo më pastaj gjithë korpusi i publicistikës së tij, vërtetojnë vetëm pjesërisht si analiza laboratorike e një pike uji të marrë nga një lumë i madh që nuk ka të shterur.

26.08.1997

“Të djeshmen e mohojnë ata që i tremben të sotmes”

 

Meditime për vlerën e shtëpive muze

 

Nga Elona Agolli

 

Meditimet e mia për vlerën e shtëpive muze, vërtetësinë e objekteve, dorëshkrimeve, dokumenteve të përzgjedhura për t’u ekspozuar për publikun, frymën dhe mesazhet e përcjella edhe në mënyrë të tërthortë, mesazhe afër të vërtetave jetësore apo paksa të larguara nga to , më lindën pas leximit të një shkrimi , ku titulli manipulativ (jo e pazakonshme kjo gjë) më bëri të përqëndrohem në radhët e atij shkrimi pa autor (mesa duket, shkrim i servirur). Ngazëllimi i autorit pikërisht ishte vëzhgimi i dy letrave: Njëra e Dritëroit si kryetar i Lidhjes, tjetra e Manush Myftiut drejtuar Mehmet Shehut (në fakt te dy letrat dëshmonin përkujdesje të madhe për shkrimtarin e madh, vëmendje dhe respekt edhe per veprën dhe kontributin e tij).Në morinë e objekteve personale (që përcjellin intimitetin, njerëzoren, të bukurën e jetës së shkrimtarit etj), në morinë e dorëshkrimeve që dëshmojnë kapriçot e jetës krijuese të gjeniut të letrave, në radhën e letërkëmbimit mes miqve, të afërmve, me të cilët edhe mund të flitej e shkruhej hapur e në mënyrë të sinqertë, Autori i paemër i shkrimit te “Panorama” , gjente më interesante “dëshmi “ persekucionesh, dëshmi në modë në kohën e sotme (ka plot afro tre dekada që vijon kjo modë fatkeqësisht). “Të sotmen dhe të djeshmen ne i kemi hedhur në një luftë të tmerrshme kundra njëra -tjetrës. Tymi që ngrihet nga fusha e kësaj lufte nuk na lë të shohim të nesërmen.”- shkruan Dritëroi diku. Dhe vijon: “Të djeshmen zakonisht e mohojnë ata që i tremben të sotmes. E kaluara nuk ndryshohet; mbi të kaluarën ndërtohet.” Po ashtu siç edhe “Historia e jetuar është e vërtetë, e shkruara përzien të vërtetën me gënjeshtrën.” Vlera e këtyre nismave, shtëpi muze, është pikërisht vërtetësia që përcjellin, krijimi i saktë i parafytyrimit të kohës kur është jetuar, plotësia e dokumenteve që dëshmojnë lidhjet e fakteve, raportet shkak-pasojë, itineraret e përshkuara në hapësirë, kohë, itinerare të mendjes dhe shpirtrave. “Historia nuk shkruhet në gjaknxehtësi – përsëriste vazhdimisht babai im , ashtu siç edhe Ditën e djeshme nuk mund ta kthesh për ta redaktuar si fletën e letrës , që ke shkruar dje.” Këto thënie të Dritëroit janë postulatet që duhet të udhëzojnë në rrugëtimin e mbarë të këtyre nismave.