Sefer Pasha: Ujku Putin dhe bunkierët e Enverit në pika kyçe

309
Sigal

Krahësi i Memaliajt, Ukraina, ujku Putin dhe bunkerët e Enverit

  • – Një bari nga Kalivaçi ka varur në vithet e mushkës një portret të Putinit
  • – Kemi nisur t’i pastrojmë bunkerët thonë ata se lufta mund të vijë dhe në brigjet e lumit të Vjosës
  • – Njëri nga piktorët e Tepelenës më tregon një pikturë të aktorit të madh Leonardo Di Kapri. -Aktori i Hollivudit mori në mbrojtje lumin e Vjosës

Kam ardhur në Krahës për një veprimtari kushtuar dëshmorit të Policisë së Shtetit Mirjan Hoxha nga fshati Levan, por Përroi i Fushës dhe lugina e Vjosës më mbushën me motive të lëngshme nga jeta e krahësit që gurgullon drama dhe këngë. Njeriu që më shoqëron quhet Shyqyri Hysi, profesor në universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër. Shyqyriu më mahnit me karizmën e tij. Edhe kur flet për qokën e dëshmorit sikur aktron. I trallis bukur hallet e tepelenasve, të cilëve u bën një lexim diagonal. Është e shtunë dhe në Krahës bëhet pazari i tërë zonës. Krahësiotët blejnë e shkëmbejnë mallra sidomos ato të gjësë së gjallë. Shyqyri Hysi më tregon dhe unë mbaj ndonjë shënim. Banorët bëjnë tregëti dhe e gjejnë kohën të flasin për Ukrainën. Një bari nga Kalivaçi ka varur në vithet e mushkës një portret të Putinit.

Fytyrën e Putinit e ka ngjyer me krem bajge. Shumë tregëtarë të vegjël, dhe ata që shesin nga një kaçup me gjizë, e quajnë Putinin ujk dhe të tjerë gomar. Flasin me admirim për Presidentin e Ukrainës Zelensky sikur ai të ishte krahësiot. Këndohen këngë trimërie për të. Zelensky nuk e braktisi popullin e tij. Lufton bashkë me të. Më duken të çuditshëm kur thonë që t’i sjellin refugjatët ukrainas dhe në fshatrat e Memaliajve. Jemi gati tua hapin shtëpitë. Por ukrahinasit duhet ta mbajnë kokën lart. Të mos dorëzohen. Dhe në luftë të këndojnë. Dhe mes zhurmës së pazarit tregojnë një histori të herëshme. Pas liqenit të Krahësit është Përroi i Zi. Aty ka shumë mistere. Druvarët i mbanin mushkat të lëshuara edhe pse kishte tufa me ujqër. Por ujqërit nuk u afroheshin mushkave të druvarëve. Kjo ndodhte se midis druvarëve njëri ishte këngëtar i madh i Përroi të Zi. Dhe kur këndonte druvari tufat me ujqër iknin për në malet e Beratit. Dhe mushkat nuk i gjente gjë. Punën e druvarit e bënin të tjerët. Ai vetëm këndonte. Kënga e tij ruante mushkat. Por ajo që nuk më pëlqen në këto biseda ishin ato që lidhen me bunkerët e Enverit. Kemi nisur t’i pastrojmë bunkerët thonë ata se lufta mund të vijë dhe në brigjet e lumit të Vjosës. Sikur i kanë ngritur veshët serbët. Krahësi fshat më ngjan me një ballkon që e ka qëndisur i madhi zot. Në muajin mars dhe prill lulet e Krahësit nuk kanë të numëruar. Kanë filluar të çelin lule bajamet, Lulebardha, Lulezonja, Lulezjarri, Lulezemër, Luleyll, Lulexixëllonjë, Lulevreshti, Lulevjeshte, Lulevile, Luleverdhë, Lulevedër, Lulevezë, Lulevath, Luletogëz, Luleshurdhe, Luleshtrydhe, Luleshqiponjë, Luleulepatate, Lulenuse, Lulenure, Lulengjitëse, Lulemustak, Lulemëllagë, Lulemaj, Luleletër, Lulelakër, Lulekupë, Lulekungull, Lulekrëhër, Lulekëmborë, Lulekashtë, Lulekadife, Lulekaçe, Lulefilxhan, Luledredhë, Luledimër, Luledielli, Luledele, Luleborë, Lulebletë, Luleaksham, Lule Zonjë, Lule Zogu, Lule Syri, Lule Sahati, Lule Qeni, Lule Pjate, Lule Peshku, Lule Mosmëprek, Lule Mosmëharro, Lule Mbrëmjeje, Lule Lepuri, Lule Gjize, Lule Gjëmbi, Lule Gjeli, Lule Gjarpëri, Lule Gomari, Lule Gishti, Lule Fshese, Lule Ethesh, Lule Dhensh, Lule Dylli, Lule Dushku, Lule Djathi, Lule Derri, Lule Blete, Lule Behari,  Lule Argjendi, Lule Akulli e të tjera. unë nuk  shënoj dot të gjitha në bllokun tim. Shyqyri Hysi nuk mban mend vetëm emrat e luleve që rriten në malin e Gribës e të Leskovës. Por ai bën biografinë e fisme të Krahësit të luleve. Pas kodrës thotë ai është fshati ku ka lindur artisti Xhelil Aliu dhe përmend një serë emrash të personaliteteve të trevës. Dëgjoj që tregëtarët, të cilët urrejnë Putinin bëjnë dhe humor me artistët, që kanë lindur në Krahës. Tregojnë për rapsodin Nuredin Meçani. Në shkollën e Krahësit  në vitet e socializmit kishin ardhur si mësuese dy vajza të reja nga Fieri. Ato ishin të civilizuara, por jeta e vendasve nuk i përtypte dot fustanet dy gisht mbi gjunjë. Dhe ironiku Nuredin Meçani u ngriti këngën: /Ky Krahësi me dy zonjushe./ /Një Hava, tjetra Minushe./ /Havaja me orë në dorë/ /lart e poshtë me një doktor./ /U plake Nuredin Meçani./ /U plake o mik dhe ti./ /Tua lërosh nuk ke fuqi/.

Sodis tregimet që m’i thotë Shyqyri Hysi. Me ne bashkohet dhe doktori i shkencave Zaho Golemi. Unë i pyes për rrënjën e fjalës “Krahës”. Përgjigjet Zaho Golemi, i cili është në qendrën studimore të Akademisë së Sigurisë. Fjala “Krahës” pas shumë përpjekjesh në fushë kërkimesh të mbështetur në parime e metoda shkencore të mirfillta mbi çështjet e etimologjisë së gjuhës shqipe ka në rrënjë të saj fjalën shqip “KRAH”(vend, anë, drejtim për të ecur diku, mbrojtje, mbështetje të gjymtyrëve të sipërme të trupit të njeriut nga supi deri tek dora, krah për krahu së bashku). Edhe fjala “Krahanë” këtu e ka burimin. Që do të thotë se një grup njerëzish mbajnë krahun e dikujt. Edhe fjala tjetër “Krahas”(sikur t’i shtonim zanoren “ë”) do të lexohej për krahësh, duke kapur njëri – tjetrin nga krahët.

Mbi Krahës duket sikur ka rënë dëborë. Kanë çelur bajamet dhe kulumbritë. Edhe pse ka shqetësime për emigrimin e egër dhe për faktin që nuk ka martesa dhe lindje krahasiotët punojnë. Ndërtohen vila. Ngrihen vreshta me ullinj e rrush. Janë hapur disa punishte qumështi. Ka tufa të shumta me bagëti. Po zhvillohet turizmi malor. Njëri nga piktorët e Tepelenës më tregon një pikturë të aktorit të madh Leonardo Di Kapri. Aktori i Hollivudit mori në mbrojtje lumin e Vjosës. Të mos preket kjo pasuri e madhe e natyrës shqiptare. Piktura e tepelenasit për Leonardo Di Kaprin më emocionon. Të përgjëruar pas lumit të Vjosës vdiqën para kohe poetët Qazim Shemaj dhe Petrit Rukaj. Poeti Qazim Shemaj, i cili anës Vjosës kalonte një pjesë të kohës ka lënë në dorëshkrim vëllimin: “Më varrosni në brigjet e Vjosës”.

 “Treva e Krahësit”.

Shoqata “Treva e Krahësit” është krijuar qysh pas pluralizmit, me një aktivitet të gjerë atdhetar, kulturor. Është formuar nga banorë që janë aty në atë zonë, por edhe jashtë saj, në tërë Shqipërinë, madje edhe më tej në diasporë, kudo që kanë shkuar njerëzit pas ikjes së madhe të viteve nëntëdhjetë. Kjo zonë është një trevë e madhe dhe e pasur me resurse natyrore e njerëzore, madje do të thosha, edhe pse shumë kanë ikur, aty ka prapë shumë, edhe për të ikur edhe për të ndenjur,  ajo ka mbetur gjithmonë plot njerëz e jetë. Fshatrat Krahës, Levan, Kalivaç, Koshtan, Qesarat e më tej, se janë shumë, janë njerëz me një të kaluar vitale atdhetare e pune. Por, me gjithë ikjet, thuhet se aty kanë filluar të vijnë e të ripërtërijnë strehët e tyre të dikurshme, të gjelbërojnë kopshtet, të hapin aktivitete tregtare, turistike, etj. Në Krahës ka shumë njerëz që jetojnë dhe vijnë shpesh. Kryetar i Shoqatës ka qenë zoti Pelivan Hysi, sekretar Hajro Çaushi, nënkryetare zonja Merita Pashaj (Zeqaj), zoti Medin Çaushi e anëtarë kryesie 17 vetë.