Risitë e shpalosjes së platformave para forumeve, model frymëzimi për botën akademike dhe studentët

74
Sigal

Prof. Dr. Andon Kume, tregon vlerat dhe vizionin se si kjo risi e fushatës zgjedhore që vjen nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, do shërbej si model edhe për institucionet politike dhe shoqërore në vend

Në universitetin e Durrësit garon për detyrën e Rektorit edhe Prof. Dr. Andon Kume. Është staf akademik që pas përfundimit të studimeve universitare dhe doktoraturës në shkencat juridike në Itali, punon prej 11 vitesh në këtë Universitet, nga të cilët për 8 vite radhazi kryen detyrën e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike.

Zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në universitetet publike të vendit tonë kanë hyrë në fazën përfundimtare të fushatës zgjedhore. Votimi për kandidatët do të zhvillohet në datën 21 qershor. Tashmë kandidatët e përfshirë në garë, në një pjesë të madhe të tyre ju kanë paraqitur stafeve akademike dhe studentëve në universitetet dhe njësitë përkatëse, fakultete, departamentet/qendrat kërkimore, vizionin e tyre, platformat, objektivat dhe programet që premtojnë se do të realizojnë në rast se ju besohet detyra e rektorit, autoritetit drejtues në njësinë për të cilën garojnë ose e antarit te senatit akademik të Universitetit. Në universitetet, në fakultetet dhe në departamentet/ qendrat kërkimore në të cilët garojnë me më shumë sesa një kandidatë për detyrën e autoritetit drejtues, ballafaqimi i këtyre vizioneve dhe platformave të shpalluara nga kandidatë të ndryshme është një moment shumë i rëndësishëm për të reflektuar për çdo zgjedhës, staf akademik ose student në vendimin që do të marrë për kandidatin që do të mbështet me votë. Por edhe në rastin kur në garë është një kandidat i vetëm, një reflektim i tillë është i nevojshëm. Ndryshimi midis rasteve qëndron në faktin se, në rastin e parë reflektimi bëhet duke krahasuar dhe gjykuar mbi vizionet dhe platformat e kandidatëve të ndryshëm, në rastin e dytë duhet të vendoset platforma e kandidatit të vetëm përballë pritshmërive që ka çdo votues ndaj rezultateve që mund të arrijë kandidati në ushtrimin e detyrës që mund t`i besohet nga më shumë sesa gjysma e votuesve. Gara me më shumë se një kandidat në fakt është shumë më afër konceptit të garës. Është garë që krijon mundësi shumë më tepër efektive për zgjedhje, në bazë të gjykimit dhe vlerësimit të asaj që kandidati premton se do të bëjë.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është një ndër universitetet ku gara për autoritetet drejtuese, Rektor, Dekan, Përgjegjës departamenti/ Qendër kërkimore është duke u zhvilluar midis disa kandidatëve. Për Rektor të këtij universiteti garojnë katër Profesor, që janë staf akademik i këtij universiteti. Në dy nga katër fakultetet e këtij universiteti garojnë për dekan më shumë se një kandidat dhe në një numër të konsiderueshëm departamentesh në këtë universitet, në garë janë më shumë se sa një kandidat.

Universiteti i Durrësit është një institucion i arsimit të lartë relativisht i ri. I themeluar në dhjetor, 2005 ky universitet e filloi punën me një staff të vogël që mori përsipër të kryente detyra të mëdha edhe pse përgatitja profesionale akademike e këtij stafi nuk ishte në  nivelin që kërkonte puna në një institucion të tillë akademik. Por kjo nuk u bë pengesë për ta. Deëshira, vullneti dhe angazhimi për të ndërtuar një institucion të arsimit të lartë cilësor ju kundërvu vështirësive. Nga një universitet që dallonte prej të tjerëve prej moshës së re të tij, aktualisht ai është një institucion që dallon për moshën e re të stafit akademik, të kualifikuar të tij. Janë këta të rinj, të doktoruar në këtë universitet dhe në universite të ndryshme të Europës, që dallojnë për energjinë dhe dëshirën për ta zhvilluar më tej këtë universitet, për ta bërë universitetin e Durrësit një ndër institucionet e ekselencës në sistemin e arsimit universitar në vendin tonë. Dhe për ta realizuar këtë, shumë prej tyre sot garojnë për autoritete drejtuese. Në garën e tyre dhe nëpëmjet kësaj gare këta të rinj janë duke formësuar edhe një sjellje dhe kulturë gare ndryshe nga ajo qe jemi mësuar të shohim.

Në universitetin e Durrësit garon për detyrën e Rektorit edhe Prof. Dr. Andon Kume. Është staf akademik që pas përfundimit të studimeve universitare dhe doktoraturës në shkencat juridike në Itali, punon prej 11 vitesh në këtë Universitet, nga të cilët për 8 vite radhazi kryen detyrën e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike. Këto ditë, në cilësinë e kandidatit për Rektor të Universitetit, Prof. Dr. Andon Kume ju është drejtuar kolegëve të tij, kandidatë për këtë detyrë me ftesën, që po e sjellim të plotë në vijim:

Prof. Dr. Andon Kume ka ftuar kolegët që garojnë për këtë detyrën e rektorit në Universitet, të bëhen bashkë në një forum me pjesëmarrjen e stafit akademik, studentëve dhe mediave për të ballafaquar vizionet dhe platformat e të tyre si drejtues të ardhshëm të tij. “Le të jemi në të parët që të së bashku, të japim shembullin për një sjellje të tillë inovatore të kandidatëve garues për proceset zgjedhore në vendin tonë, sjellje që i ka munguar përhërë fushatave zgjedhore në vendin tonë”,shprehet Prof. Kume.

Të nderuar kolegë, kandidatë për Rektor në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës!

Secili nga ne, në garën për t`u zgjedhur në detyrën e Rektorit të Universitetit, pothuajse e ka paraqitur vizionin dhe platformën e tij/saj, objektivat, programin dhe rrugët që do të ndjekë në rast se do të marrë mbështetjen për të kryer këtë detyrë në katër vitet e ardhshme.

Çdo njeri nga ne, i ka kushtuar vëmendje të veçantë komunikimit me kolegët dhe studentët në departamentet dhe në të gjitha fakultetet e universitetit. Në takimet me ta, kemi synuar t`ju tregojmë se çfarë mendojmë për punët në universitetin tonë në vitet e ardhshme dhe se çfarë marrim përsipër të bëjmë në ushtrimin e detyrës së Rektorit. Këto takime kanë qenë shumë të vlefshme edhe për të ballafaquar idetë dhe vizionin tonë me ato të kolegëve tanë e për të marrë prej tyre mendime, sugjerime dhe rekomandime për punët që presin çdo njërin nga ne.

Gara e kandidatëve për detyrën e Rektorit ka vijuar në rrugën e ndërtuar mbi standartet e një procesi zgjedhor që evidenton elementet më të mira të mendimit të lirë akademik, pjesë e mendësisë së zhvilluar në universitetin tonë.

Ajo që unë Ju ftoj të bëjmë, të nderuar kolegë, shkon përtej këtij rrugëtimi. Ju ftoj të bëhemi pjesë e një takimi të përbashkët ballafaques mbi vizionet dhe platformën e secilit nga ne, ku pjesëmarrja e stafit akademik, studentëve dhe mediave, do të jetë e lutur dhe vlerë e shtuar. Kështu së bashku, do të japim shembullin tonë në nxitjen e një sjelljeje inovatore të kandidatëve garues për proceset zgjedhore në nivelet akademike.

Meqenëse, ballafaqimi i programeve dhe alternativave qeverisëse në fushatat zgjedhore është pjesë integrale e zhvillimit të forumeve mediatike, le të jemi Ne të parët që tregojmë se sa vlerë kanë përballje të tilla idesh, alternativash dhe projektesh.

Një forum i tillë i përbashkët, i kandidatëve i shërben suksesit dhe realizimit të pritshmërive që kemi dhe ka i gjithë stafi akademik në universitetin tonë.

Me respekt,

Prof.Dr. Andon KUME

Kandidat për Rektor i Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës

 

Kjo Ftesë të tërheq vemendjen jo vetëm për risinë që synon të sjellë në zhvillimin e fushatës për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese në universitete por, më shumë sesa kaq. Ajo është një ftesë për një kulturë të re sjellje në fushatat zgjedhore, e cila ka munguar vazhdimish në vendin tonë.

Në botën demokratike ballafaqimi i programeve dhe alternativave qeverisëse në fushatat zgjedhore ka si pjesë integrale zhvillimin e forumeve mediatike me pjesëmarrjen e përbashkët të kandidatëve. Në vendin tonë klasa politike nuk ka qenë në asnjë rast e gatshme për të zhvilluar aktivitete të tilla si pjesë të fushatës zgjedhore. Ndaj dhe ftesa që z. Kume ju bën kolegëve të tij kandidat për detyrën e Rektorit në Universitetin e Durrësit është një ftesë për botën akademike për të kontribuar ajo për fillimin e një sjellje të tillë edhe tek kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë ose për organet e veteqeverisjes vendore. Le të jemi ne të parët, thekson Prof. Dr. Andon Kume, që të tregojmë se sa vlerë kanë ballafaqimet e tilla në zhvillimin e një procesi zgjedhor demokratik.