– Në një mbledhje të KQ me kuadrot e Ministrisë së Brendshme që punonin në veri Enver Hoxha tha: “Ruhuni nga shalët e bardha dhe paret e verdha”!
Dikur Shishtaveci lulëzonte, kishte mbi 2 000 banorë dhe 500 shtëpi, sot banojnë vetëm 12 të moshuar
– Tek ish piramida 18 që është mbi Shishtavec, dikur qe dislokuar reparti i tankeve të Millosheviçit
– Një skulptor nga Shishtaveci po bën një bust të Vaçe Zelës dhe do ta vendos atë aty ku ajo ka kënduar gjysmë shekulli më parë
– Mu kujtua një mbledhje e Komitetit Qendror me kuadrot e Ministrisë së Brendshme ku Enver Hoxha tha: “Ruhuni nga shalët e bardha dhe paret e verdha”!
-Në Shishtavec habiten se Gaspër Çurçia u burgos dhe e dënua me pushkatim për disa bileta fallco, sot vjedhin me miliona e nuk u hynë një gjemb në këmbë.

Sefer Pasha
Mbërrijë në qendër të fshatit Shishtavec dhe e ndjej vetminë e madhe. Nuk ka këmbë njeriu. Në Shishtavecin tim të dashur vetja mu duk si një i huaj si ata turistët e çakërdisur të cilët e gdhijnë natën nën strehë të vjetra në të dal të fshatit. Më në fund takoj një mikun tim të hershëm. Quhet Gafur Bala. Ai më tregon se dikur Shishtaveci kishte mbi 2 000 banorë dhe 500 shtëpi. Sot banojnë vetëm 12 të moshuar. Sa isha ndarë tek Stani i Hoxhajve me një deputet të këtij Parlamenti dhe i hodha pas krahëve broçkullat e tij. Kështu është e gjithë bota më tha ai. Fshatrat janë strehuar nëpër qytete. Punë e madhe se kanë ikur në Angli shishtavecarët. Atdheu është atje ku jetohet më mirë. I zoti i lokalit meqenëse vija nga Tirana më gostiti me një pije të rrallë. Mbushi një gotë qumësht lope dhe i hodhi një lugë druri me mjaltë. E la në dritare ku disa flokë bore nga të malit e mbuluan gotën si të qe një cipë nape. Pronari e la disa minuta dhe ma lëshoi përpara tavolinës të gdhendur me dru mështekne. E mora pijen e veçantë dhe e provova. Nuk kisha pirë gjë më të shijshme. Nis nga “misioni”. Së pari fotografoj ish piramidën 18 që është mbi Shishtavec, ku dikur qe dislokuar reparti i tankeve të Millosheviçit, i cili në hartën që kishte në zyrë në Beograd ai e kishte rrethuar me shigjeta blu fshatin Shishtavec. Ngjitem mbi gurin e vjetër të piramidës dhe vështroj rrënojat e zinxhirëve të tankeve të Millosheviçit. Tani kufiri është në veri të Mitrovicës. Gjithashtu vazhdoj lëvizjen drejt Gurit të Mëngjesit. Malësorët e Shishtavecit kanë dhe një cilësi të veçantë. Ata preferojnë ngjyrën e bardhë të dëborës. Edhe në morte vishen me të bardha. Prandaj ky fshat ngado që ta vështrosh ngjan me një lule bore. Nuk afrohen shpendët e zezë. Edhe shqiponjat e shikojnë nga bjeshkët e Sharrit me “dylbi”. Lëviz gishtin nëpër ekranin e fejzbukut dhe kërkojë ndonjë lajm. Gjëmon e njëjta stuhi. Ajo e Belinda Ballukut. Vështroj nga maja e Kallabakut ku ka rënë bora e parë dhe mu kujtua një mbledhje e Komitetit Qendror. Ishin kuadrot e larta të Ministrisë së Brendshme. Erdhi dhe vet Enver Hoxha. Në të mbaruar të diskutimeve e mori fjalën Enver Hoxha. Ai tha vetëm dy fjali: – “Ruhuni nga shalët e bardha dhe paret e verdha”! 
Për të dy sistemet një emër mbetet i nderuar në Shishtavec.
Bëhet fjalë për birin e këtij fshati Dulejman Haxhiu. Qysh në fëmini pasion i tij qenë pyjet, paçka se rrotull Shishtavecit kishte vetëm korije me lajthi. Dulejmani në rini kur shkonte me shokët në lugjet e malit të Sharrit. Si në rini, kur u bë burrë dhe kur mori detyrën e drejtorit të Sharrave në Kukës ai i kujtonte fshatrat ku gjezdisi me shokët si romantik dhe bëri ndonjë prapësi. Ai kujtonte Leskovacin, Lubinjën e Epërme, Gomasellën, Krushevacin, Brodin, Prronin e Keq e Veshallën. Jetën e “komitit” Dulejman Haxhiu me moshatarët e bënte në fshatin Bozovec, i cili ishte fqinj me Shishtavecin. Në pyjet e Sharrit luftën e kish me arinjtë. Ata për të gjetur mjaltë qëllonin me gur të rëndë dhe thyenin trungjet e bredhave e të aheve në zgavrat e të cilëve kishte zgjoje me bletë. Bukurinë e pyjeve e prishin arinjtë. Por ata bënin dhe ndonjë punë të mirë. Tufat e bagëtive të prizrenasve i ruanin nga ujqërit e uritur. Malësorët e Prizrenit i tregonin Dulejman Haxhiut dhe sofrat e arinjve nëpër stanet e bjeshkëve të Sharrit. Kur vinte vakti i drekës barinjtë e Sharrit i mbushnin sofrat e drurit me mish për arinjtë. Dhe arinjtë uleshin anës sofrës sa një lëmë sikur të ishin njerëz. Ndodhte dhe një çudi. Në ditë festash barinjtë u çonin arinjve enë të mbushura me raki molle të egër. Arinjtë e pinin rakinë me qejf, deheshin, kërcenin dhe i zinte gjumi. Dulejman Haxhiu sa qe gjallë ruante një fotografi që ja kishin dhuruar prizrenasit me pamjet e arinjve të dehur tek kërcenin. Botë me legjenda. Në dimrin e vitit 1985 një nga barinjtë e Kallabakut e la të ndezur zjarrin mbi oxhakun e një dhome të madhe në stan. U nis me të shpejtë në fshat për të marrë bukën. Po kur u kthye dëbora kishte vajtur tre metra. Zgjati kokën në dritaren e mbuluar me kashtë dhe vuri duart në kokë. Në dhomën e kasolles së stanit rrinin bashkë një ujk, një ari, një derr i egër dhe një sorkadhe. Kafshët jashtë nuk mund të merrnin dot frymë nga dëbora. Pranë oxhakut me zjarr ishin “pajtuar”. Një nga miqtë e vjetër më ka treguar një ngjarje e cila nuk ishte në historikun e kufirit. I moshuari i Bashajve shërbente në kufirin që e ruanin trupat e Enver Hoxhës. Tek Guri i Mëngjesit njësiti i kufirit dikton dhe arreston një piktor të huaj, i cili pikturonte në majë të shkëmbit. Bjeshkëtarët që u ndodhën aty u habitën. Ç’ishte ky njeri që pikturonte dhe ishte i lyer me bojëra si me ngjyrat e luleve të bjeshkës. E pyesin dhe marrin vesh se ai nuk ishte “diversant” i zakonshëm. I panjohuri u tha se ishte nga Beogradi dhe kishte ardhur për të pikturuar Gurin e Mëngjesit. Mbi pllakën e këtij guri kishte ardhur dhe kishte ngrënë një drekë ish bashkëpunëtori i Titos, Rankoviçi. Nuk e di se sa e vërtetë është ajo që më tregoj pasardhësi i Bashajve për piktorin nga Beogradi. Rankoviçi i cili ka ngrënë një drekë tek sofra mbi Gurin e Mëngjesit ka pasur hareme në Kosovë. Unë e kam parë me sytë e mi gërmadhën e haremit në mes të vreshtave të Rahovecit. Për mostrën Rankoviç tregohen bëma të shumta. Një e tillë është dhe kjo që ma rrëfyen shishtavecarët. Rrëfana thotë se Rankoviçi merr me vete nëntë bukuroshe nga haremi i tij në Rahovec. I bie me makina luksoze deri në fshatin Ristelicë të Komunës së Dragashit. Pastaj me bukuroshet e haremit pas disa orësh në këmbë nëpër bjeshkë i ul në kreshtën e Gurit të Mëngjesit dhe aty u shtron një drekë me mish thëllëze e lepur të egër. Ai filmohet me to duke bërë dhe shumë foto. Ky ishte motivi që e kishte shtytur piktorin nga Beogradi, i cili me foton e Rankoviçit në dorë kishte pikturuar një çast nga jeta private e bashkëpunëtorit të Titos.

Bëmat poshtë Gurit të Mëngjesit unë i kam botuar në një libër, por për lexuesit e rinj po i rishkruaj. Në zonën e Shishtavecit vepronte me ashpërsi një major serb, i cili ishte me një dorë të prerë dhe që vendasit e thërrisnin “doraci i Beogradit”. Në një përplasje me armë “doraci” arreston njëmbëdhjetë shishtavecar. Dhe i lidh njëri pas tjetrit me litar të punuar me lesh dhie. Në mes të burrave të Shishtavecit ishte dhe një djalë rreth të dymbëdhjetave. “Doraci” nga Beogradi para se t’i pushkatonte burrat e Shishtavecit vendosi që t’i fyente ata. Ai e zgjidh djaloshin e ri, i jep një gavetë ushtarake[enë] dhe e urdhëron që ai të shkonte dhe ta mbushte me ujë tek burimi pas kodrës. Majori dorac mendoi se djaloshi me të kaluar kodrën do të fshihej dhe nuk do të kthehej më. Por djaloshi pasi e mbushi gavetën ngjyrë bari me ujë të ftohtë ja la “doracit” tek këmbët dhe u vetëlidh midis burrave me litarët e dhisë. Turbullimi i doracit qe aq i madh sa ai pësoi goditje në zëmër dhe nuk e dha dot urdhrin për pushkatimin e burrave të Shishtavecit.
Shishtaveci ka qenë në mote “kryeqyteti” i njerëzve të artit, që vinin dhe e vizitonin këtë perlë të rrallë.
E kam takuar piktorin Kujtim Buza, i cili kishte ardhur me studentët e degës së pikturës. Ata ishin studentë të Akademisë së Arteve dhe praktikoheshin në fushën e pikturës. Shishtaveci nuk harron. Sheqëruesi im më tregon se një skulptor nga Shishtaveci po bën një bust të Vaçe Zelës dhe do ta vendos atë aty ku ajo ka kënduar në Shishtavec gjysmë shekulli më parë. Por të gjithë ata që takova udhëve të fshatit Shishtavec për habinë time më mburrnin socializmin. Në fshat kishte dhënë koncert me trompën e tij të famshme muzikanti Gaspër Çurçia. As sot malësorët nuk e shpjegojnë dot se kur Gaspër Çurçia në mes të fshatit i binte trompës atë e rrethonte një parashutë me flutura shumë ngjyrëshe. Të gjithë mbeteshin pa mend. Por kur në atë periudhë trompisti me emër u kap duke falsifikuar biletat e trenit atë e futën në burg dhe e dënuan me pushkatim. Dhe vendalinjtë bëjnë krahasimin. Sot vjedhin me miliona e nuk u hynë një gjemb në këmbë. Arben Ahmetaj ka marë arratinë. Të tjerë janë nëpër burgje e në hetim. Krahasojeni me fallsifikimin e biletave nga trombisti Gaspër Çurcia i cili u dënua me pushkatim. Futem në kafene dhe zë një tavolinë të ngritur mbi një trung bredhi nga të malit të Pikëllimës. Të moshuarit që pinë çaj boronice më nderojnë. Unë e porosisë mikun tim që t’më gjej një takije nga ato që kanë në kokë të moshuarit e kafenesë. Kur isha i vogël në fshatin tim në Kremenar të Mallakastrës vinte dhe tregtonte ëmbëlsira një burrë i gjatë. Në fshat e thërrisnin Gega i Shishtavecit. Gega ishte i gjatë sa një ulli. Vishej me kostum të bardhë e me shirita të zinj sipas modës së Shishtavecit. Ai vinte në kokë një kurorë dhe mbi të vendoste një tepsi me sheqerka dhe gurabi. Sa futej në fshat ai thërriste: – “Erdhi Gega me sheqerka dhe gurabi të ëmbla”. Në çdo sheqerkë të gjatë me shirita të kuq Gega kishte qëndisur nga një flamur. Dhe ne fëmijët e rrethonim dhe “grindeshim” se kush do të blinte i pari nga sheqerkat e Gegës. Po t’ja dija emrin do të shkoja në varrezat e fshatit të Shishtavecit dhe do t’i vendosja mbi varr një tufë me lule. Po emri i tij ishte thjeshtë “Gega”.
………… Më morën në celular se kishte vdekur biri i Shishtavecit, por dhe miku im Kadri Ibro.
Bashkë kishim shërbyer në malin e Gramozit kur ishim të rinj. Shishtavecari Kadri Ibro më pati treguar vendet ku kishte ardhur si vizitor poeti francez Pol Eluar. Jeta e Kadri Ibros është e mbushur me shumë bëma sidomos në ato vite kur ai shërbeu në Gramoz dhe në Gërmenj. Po e rendis në këtë reportazh një ngjarje të cilën ai ma kishte treguar vet. Në gjueti në pyjet e Gërmenjit zagarët kapën dy këlysh të një dose të egër. Kadriu i çoi në Shishtavec në një punishte qumështi. Por ata nuk rrojtën. Ngordhën. Kërkonin pyjet e Gërmenjit. Gjëja e egër nuk rron dot në paqe më thoshte Kadriu që paska ndërruar jetë. Tregimet e tipit të Heminguejt qarkullojnë edhe tani nëpër Shishtavec. Po bëhej muzeu i fshatit. Këshilli Popullor kishte marrë në Divizion një ushtar piktor. Ai quhej Leonidha Bullgari [Tani jeton në Fier dhe ka fituar titulli “Piktor i Merituar”). Leonidha erdhi në Shishtavec me lejë nga Divizjoni, por atë e ndiqte Sigurimi i Shtetit. Thuhej se donte që të arratisej. Ushtari piktor këtë nuk e dinte. Komandanti i kufirit i kishte vënë nga mbrapa për ta ruajtur instruktorin e qenit të kufirit. Pseudonimi i Leonidha Bullgarit ishte “Rembradi”. Kot më kot e krahasonin me piktorin e madh holandez Rembradin. Instruktori i qenit kur merrte në radio thoshte shkurt: – “Brandi” është mirë. Po një ditë Leonidha ishte futur në magazinën e patateve dhe po zgjidhte një thes për në Fier, Ai i humbi nga sytë instruktorit që e ndiqte këmba – këmbës. Instruktori dha alarmin në radjo: – “U arratis Brandi”. I gjithë kufiri u vu në ndjekje dhe zuri pritat tek piramida A 18. Kur Leonidha doli me thesin e patateve në krah u habit. I gjithë kufiri ishte vënë në ndjekje të tij. Kurdoherë shishtavecarët kane qenë të pamposhtur. Askush nuk mund t’i poshtëronte. Por e kishin një dobësi. Kur bjeshka e mbjell me qindra hektar me patate kishte nevojë për ujë dhe qëllonte që të binte shi të gjithë burrat e fshatit delnin dhe hidhnin valle në mes të shiut. Me të rinjtë zhvisheshin lakuriq dhe i këndonin shiut që po u jepte milona.

Këto pamje i kam parë me sytë e mi.
Më vjen keq që nuk kam ruajtur ndonjë fotografi. I ruheshim oficerit të Sigurimit të Shtetit. Shishtavecarët janë natyrë humane. Kam takuar një bari aty ku sot është Stani i Hoxhajve. Binte shi dhe pyeta se çfarë po bënte me lopatë në dorë? Ai mu përgjigj se po i drejtonte rrëketë që të shkonte sa më shumë ujë në Liqenin e Fierzës. Shumë shishtavecar janë bërë “pronar” nga mali i Sharrit. Zbresin nga Guri i Mëngjesit për të nxjerr qereste në bjeshkët e Sharrit ku ka pyje pa fund. Çudia është se kur kthehen prej andej përveç qerestesë kanë vënë përpara dhe nga një kope me dele. Bjeshkët e Sharrit janë plot me bagëti të egra. Shtohen dhe ngordhin nëpër lugje. I ruajnë qentë e Sharrit. Ujku duket rrallë. I bëjnë copa qentë me madhësinë e kuajve. Edhe xhelati i Moskës Putini kur vizitojë Beogradin mori prej andej një këlysh qeni nga mali i Sharrit. Shishtavecarët habiteshin me disa njerëz të çuditshëm të cilët dilnin nga pyjet e malit të Sharrit. Nuk merrej vesh se nga vinin. S’ua kishin frikën as rojeve të kufirit të Enver Hoxhës. Njerëzit e çuditshëm shkonin tek Shehu i Buzmadhit, që Kroi i Bardhë e ndan me Shishtavecin. Vetëm tek Shehu i Buzmadhit gjenin shpëtim. Flitej se këta njerëz të çmendur vinin edhe nga Bullgaria e Rumania. Shehu i Buzmadhit kishte shtatëdhjetë vjet që lëngonte në shtrat. Po ta prekje Shehun me dorë të largohej çdo sëmundje. Tek Shehu i Buzmadhit e shpuri fshehurazi vajzën Sulë Bushati, të cilën e kishte me probleme shëndetësore. Edhe folklori i banorëve të Shishtavecit është për tu lakmuar. Këngët e qëmotit janë me bëma e balada. Unë kam të regjistruara shumë prej tyre. Një nga këto këngë e këndoj vet me çifteli. Motivi i këngës është i hershëm. Ishte kohë lufte. Malin e Gjallicës e kishte zaptuar armiku. Bëhet fjalë për një nënë shishtavecare e cila kishte një hall. Kënga nuk e tregon dramën. Siç merret vesh nëna pret djalin që është pas malit të Gjallicës. Nënës i vijnë lajmë se djali e ka të zorshme që ta kaloj malin e Gjallicës të mbushur me asqer. Por nëna nëpërmjet këngës ja jep urdhrin baladesk: – /Bëj si të bësh//Dhe prej Gjallice të [vëjsh]vish! Shishtaveci që i ngjan një pikture të varur në mur u ka bërë ball suhive. Gjatë gjithë jetës banorët kanë udhëtuar me karvane dhe kudo kanë bërë hajër në tregëti. Mehmet Shehu gjatë një vizite në Shangai të Kinës u takua me një tregëtar nga Shshitaveci, i cili kishte bërë emër nëpërmjet përgatitjes dhe shitjes së bozës. Vuajtjet e këtyre malësorëve më sollën në kujtesë personazhin e Koço Tashkos të cilin që nga Tirana e internuan në fshatin tim në Mallakastër. Koço Tashko ishte vëllai i këngëtares Tefta Tashko Koço. Po e ilustroj me një detaj. Vajza e Koço Tashkos e cila gëzonte emrin e hallës së saj ishte në klasën e pestë. Qëlloj që të rrinte në bankën time. Unë e dëgjova që Tefta t’i thoshte një ditë atit të saj. Këta nxënësit e klasës time janë të veçantë. Nuk kanë as këpucë. Por ata mësojnë shumë. Recitojnë e japin koncerte, kurse ata që lashë në Tiranë në shkollën “Petro Nini Luarasi” i kishin të gjitha të mirat. Por ata nuk mësonin. E kujtova këtë motiv në Shishtavec. Nxënësit e këtyre malësorëve janë rritur mes halleve, por mundimet i bën të ditur. Mehmet Çaka ka qenë ambasador e të tjerë janë bërë shkrimtar, dijetar, aktor e tregtar me emër.






















