Rajna Kovaçi: Për një dekomunistizim qytetar të Shqipërisë

310
Sigal

Duhet të kërkojmë hetim të pavarur për vrasjet masive pa gjyq, apo të ashtuquajturat gjyqe popullore

  Për një Dekomunistizim Qytetar të Shqipërisë

Antikomunizmi është lufta për të vërtetën…Duhet të demaskohen gënjeshtrat e komunistave dhe të dalë e vërteta për arsye se është një e vërtetë e pamohueshme. …Jemi të detyruar ta bëjmë këtë veprim apo detyrë shumë të rëndësishme, që ndoshta nuk arritëm ta bënim për veten tonë, por kemi detyrimin e madh ta përfundojmë për fëmijët tanë. Në rast të kundërt ne do rrezikojmë t’i  komunistizojmë edhe ata. Në këtë mënyrë ne jo vetëm i dënojmë në kampet e tmerrshme të komunizmit, por me siguri po i japim dënimin akoma më të rëndë “t’i gënjejmë”me emrin e fshehtë të komunizmit.

31 vjet pas “rënies” së komunizmit në Shqipëri ende ne ndodhemi në një vend postkomunist, pra edhe fjala “post”  që shoqëron fjalën komunist, duke e përkthyer del “agjerim” para” komunizmit” duket më shumë si për harmoni të fjalës. E di që shumë politikanëve nuk do ju pëlqejë po ashtu dhe disa analistëve, por e di sa irracjonale do të jenë argumentat, “kundër “ tyre. Unë nuk kam ndërmend t’i rendis në vend të tyre, dua të bëj vetëm disa pyetje retorike:

  • A do të jetë akoma e mundur që pushteti politik në të gjitha nivelet të jetë kaq kriminal dhe i korruptuar?
  • A do të ishte e mundur që komunistët akoma të mos dënohen për krimet e tyre dhe të mos largohen  njëherë e përgjithmonë nga pushteti dhe politika?
  • A do të lejohemi ne të vendosim kontroll  të plotë mbi mass- median?
  • A do të jetë e mundur të ndryshohej,  të kancelohej apo të fshihej plotësisht, e vërteta për të kaluarën?
  • Deri kur do të vazhdoj kjo gjendje  e demokracisë shqiptare? e demoralizuar dhe e dobët,  nëse komunistët nuk do  të vazhdojnë të jenë  në pushtet, të maskuar nga katovica?

Faktet për krimet e komunizmit kërcënohen me harresë, sepse janë shpallur” inekzistente”. Prandaj, nuk ka armik kundër të cilit mund të luftojnë antikomunistët, gjë që logjikisht çon në amnisti për krimet e komunistëve. Dhe nëse nuk do të kishte krime, nuk do të kishte nevojë t’i luftonim ato. Kjo ishte një detyrë për ndërgjegjen e atyre që u thirrën për të luftuar komunizmin, por nuk e bënë: si politikanët, klerikët apo  intelektualët e Shqipërisë. Zoti dhe Historia do t’i gjykojë ata.

Jo vetëm në Shqipëri,por edhe në botë nuk mund të ketë një politikë moderne pa një analizë të thellë të përvojës komuniste të shekullit të 20. Edhe sikur të ishim kundër komunizmit, duhej pikë së pari të analizonim arsyet për “suksesin” e përkohshëm, arsyet e disfatës përfundimtare. Që të mos ndodhë prapë më.

Pikërisht këtu shfaqet, shumë qartë , komunizmi i maskuar i të ashtuquajturës “Klasa politike shqiptare ”. Çfarëdo që kanë bërë disa prej përfaqësuesve të saj në fushën e dekomunistizimit gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë gjithmonë e motivuar nga supozimi se “historia nuk duhet të  ndërhyjë”. Si mendohet!  Për të gjitha krimet e kryera në kohën e diktaturës,si  të ashtuquajturat gjyqe popullore, a ishin ato të drejta? Njerëzit dënoheshin në bazë të akuzave të rreme, shpesh në bazë shpifjesh  inegzistente dhe shumë njerëz u egzekutuan në bazë të këtyre të dhënava të pavërteta, të sajuara, sepse ashtu donin ata. Këto ishin totalisht shkelje e të drejtave të njeriut, që gjetën terren gjatë sundimit të regjimit komunist. Pra për këto krime të kryera nga hetuesit, policët apo prokurorët edhe gjyqtarët me siguri si p.sh. Aranit Çela apo ndonjë tjetër, po të ishte gjallë dhe të pyetej lidhur me vendimet e lëshuara të dënimeve me vdekje apo burgimeve të përjetshme, makabre të  lëshuara gjatë karrierës së tyre të përgjakshme, nuk do e pranonin duke thënë se këto nuk ishin krime, shkelje që për kohën e komunizmit nuk ishin të jashtëligjshme.

Disa shtete të ish kampit socialist e filluan dekomunistizimin së pari me bankat pra me Aktin e Bankave dhe Kredive që në vitin 1992,  ndaluan zgjedhjen dhe emërimin në organet drejtuese të bankave zyrtarë të partisë komuniste dhe organizatave të saj satelitore, si dhe punonjësve të ish-sigurimit të shtetit.  P.sh. në Bullgari, në praktikë, lustrimi u krye në dy fusha së pari në shkencë, art, arsim dhe në menaxhimin e radios dhe televizionit shtetëror (përmes Ligjit për Radion dhe Televizionin). Ata e kanë përfunduar dekomunistizimin.

Pra, deri kur  anëtarët e nomenklaturës dhe ish sigurimsat do të mbrojnë veten dhe status quo-në që i qeveris?! Madje, ato vazhdojnë të jetojnë normalisht, sepse askush nuk po i kërcënon. Madje  nuk mund të fajësojmë as shoqërinë-që nuk e kuptoi si problem shumë të rëndësishëm dekomunistizimin në Shqipëri. Sepse nuk iu shpjeguan pasojat e refuzimit të tij, dhe sa e rëndësishme për ne ishte  shkëputja nga e kaluara komuniste. Në fakt, çfarë do të thotë “shoqëri” ? Shoqëria përbëhet nga individë. Individët nuk vijnë nga komuniteti; komuniteti lind nga individët. Nëse individët nuk duan të mësojnë të vërtetën për të kaluarën e tyre, shoqëria as nuk do ta mësojë atë  kurrë, as dhe nuk do e shkruajë.

Pasojat janë të shumta, tejet të rrezikshme për procesin demokratik në Shqipëri. Si rezultat i dështimit radikal të dekomunistizimit, nuk u realizua dot as nga një parti, qeveri apo parlament. Por ne vazhdojmë  me krijimin e  një regjimi oligarkik në vend të atij demokratik, kemi korrupsionin e thellë në vend të shtetit ligjor dhe krimin e organizuar në vend të respektimit të drejtave të njeriut.

Pra, për dekomunistizimin shqiptar, fajin e kanë po ata që nuk e luftuan. Dhe nuk insistuan të luftonin pasojat e tij që kur ra. Dhe ky faj është edhe më i rëndë, sepse nuk është faktik apo politik, por metafizik. Për këtë fajin e kanë bashkëkohësit e krimit, pavarësisht nga pjesëmarrja ose mospjesëmarrja e tyre në këtë krim dhe pavarësisht nga identifikimi i tyre me të. Dënimi i pjesshëm i bllokmenëve që më vjen rëndë edhe kur e kujtoj. Mos vallë nuk kishim për çfarë t’i dënonim bllokmenët, prokurorët, sigurimsat, gjyqtarët etj etj?…

Pra faji binte mbi klerin,  por edhe mbi intelektualët. Ky është faji i të gjithëve, ky është faji YNË. Nëse duam ta mënjanojmë dhe ta shkatërrojmë, që mos  të përsëritet më kurrë.  Lidhur  me këtë, përveç ndërmjetësimit politik, ne qytetarët duhet të ngremë zërin madje të ulurimë. Ne duhet të shtyjmë për miratimin e një ligji për pasojat e shkaktuara gjatë sundimit komunist, i cili do të bënte të mundur kërkimin e dënimin e zyrtarëve komunistë, oficerëve të ish-sigurimit, punonjësit e sigurimit për veprime që, edhe nëse nuk do të quheshin krime sipas legjislacionit në fuqi të asaj kohe, ato ishin dhe mbeten akte kriminale brenda një shoqërie të civilizuar, si kampet e punës, internimet, egzekutimet,torturat etj. Megjithëse shumë prej tyre nuk janë më gjallë.

Duhet të kërkojmë hetim të pavarur për vrasjet masive pa gjyq, apo të ashtuquajturat gjyqe popullore si dhe për dënimet e kryera pas çlirimit. Është shumë e rëndësishme njohja e pavlefshmërisë së akteve të gjykatës popullore, shoqëruar me anulimin e dënimeve të dhëna sipas tij. Duhet të imponojmë një lustrim të ri ndaj politikanëve, si edhe atyre, që kanë poste të rëndësishme: si në RTSh, në bordet e ndryshme, në këshillin e RTSh etj. Po bëhet një punë e rëndësishme për eliminimin e plotë të doktrinës komuniste apo elementëve të saj nga kurrikulat në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë dhe të bëjmë të mundur zhvillimin efektiv të ideve demokratike.

Ne duhet t’i përfundojmë të gjitha këto- nëse nuk e bëmë për veten tonë, atëherë duhet t’i bëjmë për fëmijët tanë, të cilët janë gjithashtu të dënuar me komunizëm nëse vazhdojmë të mos bëjmë asgjë. Ne vazhdojma të shfaqim pafundësisht filma shqiptar me propaganda të thella komuniste, që i bëjnë himn jetës “së lumtur” të popullit shqiptar, apo shfaqim drama si ajo e prefektit të Tiranës Qazim Mulleti duke mos i treguar të vërtetën brezit të ri, se kush ishte në të vërtetë intelektuali i rrallë Qazim Mulleti etj. Ne ndoshta i dënojmë këto veprime indirekt,  por e dënojmë brezin e ri  duke e gënjyer duke mos i treguar të vërtetën se ç’ishte në të vërtetë komunizmi, pra i zhgënjim  me gënjeshtra. Por nuk duhet të harrojmë se“Gënjeshtra” ishte emri sekret i komunizmit.

Prandaj antikomunizmi është lufta për të vërtetën. Meqenëse  në të njëjtën kohë refuzimi i arsyetimit racional të komunizmit ka qenë gjithmonë vetëm për një pakicë, antikomunistët e ndritur janë të detyruar dhe të lutur të ngrenë zërin dhe të bërtasin deri në kup të qiellit, për  një debat të prerë, racional dhe të argumentuar mirë mbi komunizmin dhe dëmin e tij për shoqërinë. Antikomunistët duhet të tregojnë për mungesën e  theksuar të moralit komunist. Demaskimi i gënjeshtrave të komunistëve dhe mbrojtja e të vërtetës se c’ishte në të  vërtetë komunizmi, do të jetë një punë e mrekullueshme. Duhet të zhvishet komunizmi nga gënjeshtrat dhe të mbrohet e vërteta për hir të së të vërtetës. Kjo i jep dinjitet  dhe qëndresë filozofike antikomunizmit.

Antikomunistat duhet të vazhdojnë me studimin historik të komunizmit, si erdhi në Shqipëri dhe nxjerrjen e mësimeve që nuk duhen harruar. Për këtë qëllim Instituti për Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri, Shoqatat e të Përndjekurve Politik etj. kanë  një detyrë të madhe, studimin e ideologjisë dhe praktikës komuniste, duke analizuar dhe vlerësuar depërtimin, zhvillimin dhe manifestimin e komunizmit në Shqipëri. Në këtë mënyrë do të bëhet informimi i komunitetit shqiptar dhe atij botëror për krimet e tij, duke nxjerrë në pah përsëri, se kemi qenë  një nga vendet me diktaturën më të fortë , të egër e më të pamëshirshme të proletariatit dhe luftën e klasave. Duke  mbledhur prova, duke kontribuar deri në fund për gjetjen e varreve të atyre që janë pushkatuar dhe ende nuk u dihen varret.  Ky është një kontribut për të nxjerrë dhe për të dënuar  moralin komunist.

Sa më shumë struktura të tilla qytetare të ngrihen, aq më shpejt Shqipëria do ta gjejë rrugën e duhur për një të ardhme më të mirë. Është koha për të kuptuar se kështu nuk mund të vazhdohet më, JO, nuk është e mundur. Duhet  të luftojmë për një shoqëri më të drejtë dhe të ndërtuar me baza demokratike. Duhet ti japim fund tranzicjonit dhe vazhdimit të teorisë famë keqe të Katovicës.  Duhet një vullnet politik i vendosur dhe na bën me turp sepse ky ishte krimi i drejtuar dhe i realizuar nga shteti ndaj qytetarëve të pafajshëm. Janë 6000 njerëz të humbur që nuk u dihen varret. Pra shoqërisë shqiptare i del për detyrë të nxisë vullnetin politik. Duhet ta dimë se pa zgjidhur problemet me të kaluarën nuk mund të ndërtojmë një të tashme të sigurtë dhe as ngrejmë një të ardhme të lumtur. Një nga kritikat që Brukseli i bën shtetit shqiptar, pra një nga detyrat e shtëpisë të pa bëra është dhe mos gjetja, zbulimi i varreve të vrarë nga shteti komunist.

Ka ardhur koha për një fillim të ri.

Rajna Kovaçi