
Rilindja Kombëtare, kjo lëvizje e fuqishme dhe e gjithanëshme politike, shoqërore, kulturore, ushtarake, në përpjekjet e saj për pavarësinë e Shqipërisë,
i dha një rëndësi të madhe edhe ngritjes lartë të figurës së Skënderbeut në kulturën dhe artet shqiptare. Krahas shkrimtarëve dhe poetëve, edhe artistët e arteve pamore, nuk mbetën pas në këtë fushë. Në këtë kuadër, përveç piktorëve dhe skulptorëve, edhe fotografët shqiptarë të fillimshekullit XX, e vlerësuan dhe identifikuan shqiptarizmin me personalitetin e Skënderbeut duke e trajtuar atë me shumë të drejtë si simbol të kombit të shqipëtarëve.
Fotografët me intuitë, e kuptuan se arti i tyre komunikonte më lehtë me publikun sesa piktura dhe skulptura, po të kemi këtu parasysh qarkullimin e vlerave kulturore. Për këtë qëllim , fotografët shfrytëzuan fotografinë, këtë demokrate të madhe e të heshtur, për të ngritur lartë frymën atdhetare. Kartolinat postare ishin krijime shumë të përshtatëshme të lëmit të fotografisë. Ata përdorën piktura dhe grafika të ndryshme me portretin e Skënderbeut për të krijuar kolazhe që në përgjithësi janë një lloj shkrirje të fotografisë me pikturën, ose të fotove të ndryshme, duke formuar një të vetme në fprmë dhe përmbajtje. Përbën një meritë të veçantë të këtyre fotografëve, krijimi i kolazheve si një zhanër të artit fotografik. Ato në fund të fundit përbëjnë fotokompozime të mirëfillta e si të tilla janë të parat në histori të fotografisë shqiptare, të cilat më ndryshe mund t’i quajmë hapat fillestare të “instalacioneve” ose “performancave” të sotme. Ato më pas shtypeshin në fotografi të posaçme, e paskëtaj shumfishoheshin në kartolina e, sidomos me të dytën, Heroi Kombëtar “hynte” lehtësish e mirëpritej në shtëpitë shqiptare, duke u bërë kësisoj një figurë familjare. Mjaft kolazhe të asaj kohe, vendosnin pranë portretit të Heroit tonë, portretin e Princ Vidit, mbretit të Shqipërisë të caktuar nga Europa më 1914. Emri i mbretit të ri (mbret do titullohej pas nje viti qeverisje)i cili ndonëse nuk njihej ende mirë, u lindi atyre shpresa të mëdha për krijimin e shtetit mbretëror. Shqiptarët e pritën ardhjen e tij me ngazëllimin e ardhjes përsëri të “Motit të madh të Arbërit” ( periudha e Skënderbeut, shekulli XV).
Nga një pikshikimi tjetër, mbështetja për mbretin e ri, tregon vizionin e fotografëve shqiptarë në atë kohë të trazuar, ashtu si edhe të Rilindasve të tjerë, për kthimin e Shqipërisë pas katër shekujve përsëri në familjen europiane ( disa kohë më parë ishte folur për një princ turk në fronin mbretëror shqiptar).
Në kolazhet, ashtu si edhe në kartolinat, përveç patriotizmit të spikatur, ndjehet sensi i hollë artistik dhe mjeshtëria profesionale. Këndvështrimi estetik, në të dy rastet nuk shfaqet vetëm në piksynimin fotografik, që edhe ky është në nivel të kënaqëshëm, por edhe në tekstet shoqëruese. Ato janë thirrje patriotike, por edhe vargje të zgjedhura atdhetare nga poetë të shquar të Rilindjes Kombëtare, si dhe këngë me përmbajtje shumë frymëzuese për lirinë e vendit të cilat sapo kishin filluar të këndoheshin.
Kartolinë e kohës si Princ Vidit 1914
Një fotokompozim interesant me “ngjyrosje” atdhetare ka krijuar edhe fotografi i njohur korçar Vani Burda (1875-1949) nga Kolonia shqiptare e Bukureshtit, i cili kur u kthye në atdhe (1925), hapi në Korçë një studio fotografike. Ai është autor i fotopllakatit të parë shqiptar (kushtuar Gjashtë Dëshmorëve të Ormën-Çifligut, 1911), dhe ka sjellë në Shqipëri fotografitë e Frashërllinjëve të mëdhenj. Në kolazh shihen të vendosura përballë njera-tjetrës, figura e Skënderbeut ( e fotografuar nga ndonjë pikturë) dhe fotografia e Princ Vidit. Skënderbeun, këtu e shohim më tepër si politikan e diplomat, madje edhe si mbret, se sa si luftëtar. Kjo jo vetëm në saje të veshjes civile, por sidomos nga qëndrimi e shikimi. Piktori, e si pasojë edhe fotografi, e kanë paraqitur me përkrenaren aq luftarake e të veçantë që edhe në atë moshë të thyer i ka hije. Ajo është diçka organike e figurës së tij. Mbretin e Madh dhe Princ Vidin i ndan dhe i bashkon një shqiponjë dykrenare në fluturim me krahë hapur. Ndonëse shqiponja është vizatuar thjeshtë, ajo merr vlera simbolike në kolazh. Si të gjithë shqiptarët në atë kohë, edhe fotografi Burda e priti me gëzim të madh emërimin dhe ardhjen e mbretit të ri. Mbi kokën e shqiponjës shkruhet:”Zoti qoftë me ne. Pas 5 shekujsh në robëri, sot Shqipëri e shqipëtarëve”. Kolazhi është i vitit 1914 e qarkulloi gjatë si kartolinë postare.
Atelieja “Marubi” në Shkodër hodhi në tregun ekonomik , por me synim më tepër “tregun shpirtëror” të shqipëtarëve, në fillim të shekullit XX, një kartolinë ku është fotografuar piktura e Skënderbeut nga piktori i njohur Theohar Gjini (1880-1956), duke kalëruar e me shpatë në dorë. Në këtë fotografi, Marubi (Keli), na paraqet Skënderbeun luftëtar, në një çast beteje “duke ndjekur armikun” me armatimin e tij karakteristik. Nga një pikturë e bukur nuk ka shumë vështirësi të realizosh një fotografi të arrirë. Merita e fotografit këtu qëndron në atë se ai krijon një kartolinë me tendencë të mprehtë atdhetare. Karakterin e theksuar patriotik kartolinës ja shtojnë fjalët ndën foto ku shkruhet:”Rrnoftë Shqypënia” e më pas vargjet: “Armiku ç’e hangri/e në kambë s’e la/ Deri në buzë të varrit/ Skander Beu s’ju nda”. Përsëri Skënderbeu, e përsëri figura e tij për të ngritur lartë frymën atdhetare . Edhe kjo kartolinë ka qarkulluar në sasira të mëdha dhe parapëlqehej shumë nga shqipëtarët për korespondencë ndërmjet tyre. Piktura e Skënderbeut e Th. Gjinit e shpalli piktorin në të gjithë vendet ku jetonin shqiptarë “piktor mëmëdhetar”, Konica e quajti “shqiptar të kulluar, atdhetar të vërtetë, shqiptar të urtë”, ndërsa Noli e cilësoi “Piktor të parë të Shqipërisë”. Përmendim se në vitin 1927, Kel Marubi i u dhuron shqiptarëve të Amerikës nëpërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar 500 kartpostale të shtypura në Shkodër. Ndër to pjesa më e madhe ishin ato me pikturën e Th. Gjinit.
Një tjetër kartolinë me portretin e Skënderbeut ka realizuar rishtazi Kel Marubi, i cili fotografon një pikturë të heroit tonë ku bie në sy shpata e mbajtur me dorën e djathtë, dhe shikimi në të kundërt të armës. Në këtë kartolinë kemi një portret të heroit që ndryshon shumë nga të zakonëshmit. Piktori e ka vizatuar atë pa përkrenaren, me një si diademë lulesh mbi kokë, por me shpatën në dorë. Përshtypje të veçantë këtu të krijojnë sytë me shikimin e tyre mjaftë dinjitoz. Kartolina është e kolanës “Kujtim nga Shqypënia” dhe shoqërohet me vargjet e njohura të Mihal Gramenos :”O trima luftëtare / o birtë e Skanderbeut/ kërkoni ju shqyptar /Lirinë e mëmëdheut”. Piktura, sipas studiuesit Ferid Hudhri, është krijim i skulptorit arbëresh, Mikel Trota.
Kartolinë e kohës së Prnc Vidit 1914
Në lëmin e kartolionave të bazuara në kolazhe fotografike të krijuara në gjysmën e parë të shekullit XX, interesante është edhe ajo e studios “Guga & shoku” të Tiranës. Në të paraqitet Skënderbeu dhe Zogu I, dhe i takon viteve ’30. Skënderbeu është riprodhuar nga ndonjë pikturë e vjetër si luftëtar me përkrenaren në kokë, pelerinën dhe dorën e majtë mbi dorezën e shpatës. Edhe mbreti Zog pasqyrohet me grand uniformë ushtarake. Dy figurat qëndrojnë brenda elipsave, e mbi to duket shqiponja dykrenore e njëjtë me atë të kartolinës së shoqatës “Një tufë djelmoca shkodranë”, por pa yllin gjashtëkëndësh sipër. Poshtë portreteve shihen dy flamuj kombëtar të kryqëzuar mbi të cilët është vendosur përkrenarja e Skënderbeut, e anash tyre fjalët “Besa shqiptare”. Në kartolinë flamujt dhe shqiponja janë me ngjyrë të kuqe, ndërsa elipsat e portreteve janë rrethuar me varak të verdhë, cka tregon se ajo kish një farë lluksi për atë kohë. Autorët e kartolinës shihnin me të drejtë tek Zogu mbretin e dytë në historinë e shqiptarëve.
Një fotografi tjetër që ka gjetur përdorim si kartolinë është edhe ajo që paraqet bustet e Skënderbeut dhe mbretit Zog. Në mes të tyre mbi një pod të vogël shihet përkrenarja simbolike e Skënderbeut, e poshtë saj stema e mbretërisë së Zogut. Fotografi ,deri tani i panjohur, ka zgjedhur buste të mbretërve shqiptarë, ku ata janë me uniformë ushtarake si për të mbështetur mendësinë e respektit të madh të shqiptarëve për armët, por sidomos për mbajtësit e tyre.
Tjetër kartolinë (më parë kolazh fotografik) me karakter kombëtar dhe me figurën e Skënderbeut është dhe ajo e hedhur në qarkullim në vitin 1937 me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Në të shihen pesë njerëz të shquar të historisë së vendit, dy shtetarë, dy letrarë e, bashkues i tyre, Skënderbeu i cili paraqitet në një monument ekuestër. Shtetarët janë: Ahmet Zogu dhe Ismail Qemali, ndërsa letrarët, Naim Frashëri dhe Vaso Pasha, barazvlerësim i veçantë dhe i goditur i politikës me letërsinë, çka flet për nivelin e pëlqyeshëm kulturor të fotografit-autor të kolazhit.
Kështu, fare qartë del përfundimi se edhe fotografët shqiptarë të viteve të para të shekullit XX, kanë kontribuar me veprimtarinë e tyre artistike dhe patriotike në lëvizjen kombëtare. Kjo është arritur nga ata, edhe duke ngritur lartë figurën madhore të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu i shquar edhe për bashkimin e princave arbër të shekullit XV.