Pronat e sindikatave: Ja si u blenë anëtarët  e Gjykatës Kushtetuese

474
Sigal

Intervist me kreun e Sindikatave të Policisë së Burgjeve Valentin Macaj: SPAK të nisë hetimin e pronave të sindikatave, vlera e të cilave, me çmimin e tanishëm të tregut të, është mbi 3 miliardë euro. Si joshën disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe prokurorë nga pashallarët e sindikatave dhe mafia e trojeve me “zarfe poshtë derës”. Si u fshinë pronat nga hartat duke ua dhënë për ndërtim pallatesh e hotelesh palëve të treta, familjarve të tyre dhe të politikanëve. Lënia e pronave në duart e krerëve të sindikatave është njëllojë si “T’iu varen mëlçitë ujkut për t’i ruajtur”

SPAK, të nisë hetimin e pronave të sindikatave

 

Vlera e pronave të sindikatave, me çmimin e tanishëm të tregut të Pasurive të Palujtshme, është mbi 3 miliard euro, më shumë se tarifa e PPP-ve të qeverisë

Ja si u blenë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nga krerët e sindikatave dhe mafia e trojeve, në qendra të qyteteve dhe pikat turistike. Si u “blenë me zarfa poshtë derës”, prokurorë të korruptuar, që hetonin dosjet e pronave të sindikatave

 

Vlera e Pronave të sindikatave, me çmimin e tanishëm të tregut të Pasurive të Palujtshme është mbi 3 miliard euro, më shumë se tarifa e PPP-ve të qeverisë. Sot, thuajse janë zhdukur dosjet e administrimit të pronave të sindikatave, me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimeve, që janë bërë me to, pasi shumë prona të sindikatave janë tjetërsuar, u dhanë me qira dhe më pas u privatizuan nga persona fizikë, por edhe ato që janë deri më sot në pronësi të sindikatave, janë dhënë me qira dhe fondet nuk dihen ku shkojnë, përse shfrytëzohen. Shumë prona të tjera, në kundërshtim të plotë me ligjin, janë rrafshuar me bekimin e krerëve të BSPSH e KSSH, duke iu falur trojet gjoja ish-pronarëve fals për troje ndërtimesh, prej të cilave, krerët e sindikatave (thonë gojët e liga) kanë marrë “thelën” e tyre në vlerë e në natyrë! Rreth dy vite më pare, hyri në fuqi edhe projektligji i ri për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, në Republikën e Shqipërisë përcakton procedurat dhe organin shtetëror përgjegjës për përfundimin e proceseve administrative, tranzitore, të ligjësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të inventarizimit, transferimit, trajtimit dhe regjistrimit përfundimtar të titujve të pronësisë, për pasuritë e paluajtshme në pronësi shtetërore dhe private, në Republikën e Shqipërisë. Ky Projekt-ligj, sipas Artan Lames, do të niste verifikimet e hollsishme, që nga 1 shkurti i 2019-s, kur zyrat e Hipotekës, Legalizimeve dhe Kthimit të Pronave, do të bashkohen në një institucion të vetëm, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Por edhe sot e kësaj dite, të gjithë zullumqarët e sindikatave dhe politikës, të lidhur nga zinxhirët e oligarkëve dhe mafies së pronave, po heshtin. Dy ditë më parë “Telegraf.al”, paralajmëroi gjatë një interviste të zhvilluar me kreun e Sindikatave te Policisë së Shtetit, Sadedin Fishta, për abuzimet e drejtuesve të sindikatave. Madje, këto abuzime nuk mund të mbulohen edhe pse sindikatat luajtën gurin e fundit me Gjykatën Kushtetuese, ku shumica e këtyre anëtarëve u shkarkuan nga vettingu. Në vijimësi të këtyre aferave dhe skandaleve, të cilat do të vazhdojnë në ditët në vijim, deri sa SPAK të çojë para drejtësis batakçinjtë, që kanë abuzuar me pasurinë kombëtare, kemi intervistuar për Telegraf.al, Kreun e Sindikatave të Punonjësve dhe Policisë së Burgjeve, z.Valentin Macaj.

 

Z.Macaj ! Ju jeni një nga zërat me të vlerësuar të sindikalizmit shqiptar për këtë periudhë. A mendoni se krerët e sindikatave shqiptare në këto 30 vite, i kanë përdorur këto organizma si një mjet për pasurimin e tyre personal ?

Duke ju falenderuar për konsideratën, pikësëpari deshëm të vemë në dukje se sindikalizmi shqiptar po kalon periudhën më të vështirë të tij, jo vetëm nga sjellja e shtetit dhe e punëdhënësit privat me organizatat e punëmarrësve, por edhe nga marrja peng e 2 “sindikatave të mëdha“, të cilat në sajë të uzurpimit prej 30 vitesh, e kanë humbur totalisht besimin e punonjësve shqiptarë tek këto organizata. Si askund tjetër në Europë, qeveria shqiptare e dalë pas zgjedhjeve të para pluraliste, u dhuroi 2 unioneve sindikale të gjitha pikat turistike dhe kampet e punëtorëve , të cilat ishin në funksion, kjo me qëllim fuqizimin e sindikatave dhe përballimin e kostove të aktiviteteve, gjithnjë në shërbim të sindikalistëve punëtorë. Por çfarë ndodhi..?!- Realisht “I’u varen mëlçitë ujkut për t’i ruajtur”- siç thotë populli! Menjëherë, klanet zaptuese të sindikatave, u vunë në veprim për tjetërsim pronash, dhënje me qera palëve të treta me afat të gjatë. Disa i morën për vete me kontrata fiktive dhe i kthyen ato në biznese familjare, disa të tjerë i këmbyen me apartamente e vila për familjen duke manipuluar dokumentat pronësore. Thënë më shkoqur, nga organizata punëmarrësish, u kthyen në korporata biznesi pa asnjë lidhje me të drejtat e punonjësve..

A mendoni se këto sindikata më shumë se sa mbrojtës të interesave të punëtorëve, janë kthyer në ortakë me shtetarët dhe oligarkët e pronave të sindikatave ?

Siç edhe është denoncuar në media e gjyqësori, prej shumë vitesh, krerët e dy korporatave biznes-sindikale, kanë krijuar një kupolë kontrolli mbi asetet e pronave të dhëna nga shteti për punonjësit, por që as 5% e sindikalistëve nuk e dijnë se sa dhe ku janë këto prona, pasi ato janë “mollë e ndaluar” për gjithë puntorinë shqiptare. Ortakëria është sipas klaneve politike dhe oligarkëve që kanë shfrytëzuar urinë e krye-sindikalistëve për pasuri, të cilët janë kthyer në vegla të korrupsionit. Në disa raste, është cënuar rëndë edhe siguria nacionale duke gjetur “qeramarrës“ nga jashtë territorit dhe pa asnjë informacion për burimin e parasë dhe qëllimin e investimit në Shqipëri. Theksoj edhe një herë që sindikatat e vjetra nuk janë përfaqësuese e puntorisë shqiptare, në asnjë sektor, as në arsim, as në administratë, as në bujqësi, as në turizëm, as në miniera, as në polici e as në bashkitë e vendit. Ata thjesht bëjnë pazare me zyrtarë të korruptuar për të marrë e dhënë favore, për të bërë marrëveshje në kurriz të punonjësve dhe nuk kanë aspak kontakt direkt me punonjësin. Kanë antarësi fiktive dhe me evidenca mashtruese para organizmave ndërkombëtare e opinionit publik shqiptar. Njëra deklaron 120 mijë antarë, kur nuk ka as 2000 të antarësuar me dëshirë, ndërsa tjetra deklaron mbi 80 mijë antarë, kur 1000 mund të jenë antarësuar me dëshirë. Nga të dy sindikatat punonjësve u mbahen nga rroga shtetërore që marrin, njëmijë lekë, në muaj dhe këtë e quajnë antarësim!? Edhe në praktikën e punës shihet qartë që nuk ka asnjë reagim, as protesta, as peticione ndaj punëdhënësit e qeverisë. Liderët e këtyre korporatave biznes-sindikale janë thjesht leëpirës të pushtetit e klaneve mafioze politike që i përdorin si zara për interesa të momentit. Sinqerisht ndjehem keq edhe unë për këto dy-sindikata që u katandisën nga “kaposha në një thelë” para gjithë punëtorëve e ndërkombëtarëve. Sa herë kam aktivitete me kolegë të huaj dhe organizma të BE, pyesin pse nuk revoltohen anëtarët e sindikatës për krerët e tyre, pasi ata janë të korruptuar dhe aspak në shërbim të tyre. Unë p ju them se ata nuk kanë anëtarë, ndaj pleqërojnë mbi malin e turpit e korrupsionit, sepse po të kishte, ata do ishin në burg për gjithë “bëmat” e tyre..! Nuk është antarësim, marrëveshja midis ministrisë dhe sindikatave, për mbajtjen nga rroga të kuotës sindikaliste. Që këtu sindikalizmi kalon në urdhëro-siurdhëro ndaj shtetit!

 

Disa i morën për vete me kontrata fiktive dhe i kthyen ato në biznese familjare, disa të tjerë i këmbyen me apartamente e vila për familjen duke manipuluar dokumentat pronësore dhe shumica e pronave janë tjetërsuar, janë fshirë nga harta, janë shitur në kundërshtim me ligjin ose janë dhënë me qera në afate të gjata, tej vitit 2020 kur këto prona duhej të ktheheshin në shtet….

Kush i ka shfrytëzuar pronat e sindikatave, sa kanë përfituar antarët e sindikatave dhe ku kanë shkuar miliardat e shfrytëzuara prej tyre ?

Pronat e sindikatave që shteti ua dha në përdorim për sindikalizmin e bardhë, shfrytëzohen ekskluzivisht nga krerët e 2 biznes-sindikatave dhe mund të marrin ndonjë kockë ata që u lëpihen mq shumq dhe heshtin para shkeljes së ligjit e korrupsionit. Ato janë prona të pashallarëve për hareme, për makina çdo vit, për vila e apartamente në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Ksamil, Pogradec e Korçë, për lumturi familjare e shkollim fëmijësh në universitetet më të shtrenjta të botës, për garderobën e tyre dhe eskortave që mbajnë, për udhëtime luksi e vizita të qyteteve më të shtrenjta të botës. Miliardat që thoni ju, kanë shkuar për ato që thashë më sipër, por edhe për të mbyllur gojën e disa gjyqtarëve e prokurorëve që disa prej tyre jane flakur nga sistemi, por ka akoma disa që janë majmur nga korrupsioni i dy biznes-sindikatave. Po ju jap vetëm një shembull, dhe do kuptoni se si është kapur e ndërtuar kupola mafioze e pashallarëve sindikalë: Në vitin 2009, qeveria Berisha nxori një VKM për inventarizimin e pronave të dhëna Sindikatave si dhe mundësinë e rikthimit si asete në shërbim të shtetit. Sapo filloi procesi i verifikimit të pronave, kasta mafioze e biznes-sindikatave u tremb dhe filloi të marrë masa për fshehjen e së vërtetës, pasi shumë objekte ishin fshirë nga harta dhe ishin dhënë për ndërtim pallatesh, hotelesh e biznesesh palëve të treta. Gjetën një avokat të njohur dhe pasi e mbushën në euro e dollarë, ngritën një padi kundër shtetit shqiptar për të ndalur procesin e rikthimit në shtet të pronave dhënë sindikatave që në 1992..!- Gjykata e atëhershme kushtetuese ka marrë një vendim të turpshëm dhe në konflikt të hapur interesi, pasi ata antarë, që u blenë, votuan pro biznes-sindikatave, ndërsa pakica votoi kundër dhe ishte në favor të ligjit e shtetëzimit të aseteve. Në atë kohë kam parë një bashkëpunim si vëllezër në mes dy biznes- sindikatave, të cilët gjetën paratë, i bënë bashkë dhe ua dërguan si dhuratë atyre „konstitucionalistëve“ që ishin shitur para korrupsionit e kundër shtetit të tyre. Sot shumica e asaj trupe ka marrë pushime të gjata, por kemi tek-tuk ndonjë që “bën leksione morali” kur është blerë për një zarf euro e ka shkelur betimin e juristit..!

Sindikatat i kanë pasur pronat në përdorim. Por pjesa dërmuese e tyre janë dhënë për shfrytëzim dhe ndërtime oligarkisë dhe mafies së pronave ?

Pronat kanë qenë dhënë në përdorim për një qëllim të caktuar e në dobi të punonjësve, por në të vërtetë ato janë shijuar nga 2 pashallarë me eskortat e servilët e tyre, pasi asnjë punonjës e sindikalist nuk ka përfituar as edhe një ditë pushimi gratis. Shumica e pronave janë tjetërsuar, janë fshirë nga harta, janë shitur në kundërshtim me ligjin ose janë dhënë me qera në afate të gjata, tej vitit 2020 kur këto prona duhej të ktheheshin në shtet…Në disa raste, media dhe emisionet investiguese, kanë nxjerrë skandalet me krerët e biznes-sindikatave që kaneë lidhur kontrata qeraje në kundërshtim me çdo ligj shqiptar e ndërkombëtar..Siç duket prokuroria nuk e ka marrë seriozisht problemin ose janë “blerë me zarfe poshtë derës” dhe situata ka ardhur duke u agravuar akoma më shumë…!

 

Lënia e pronave në duart e krerëve të sindikatave është njëllojë si “T’iu varen mëlçitë ujkut për t’i ruajtur” ! 2 pashallarë me eskortat e servilët e tyre, pas marrjes në dorëzim të sindikatave, u vunë në veprim për tjetërsim pronash, dhënie me qera palëve të treta me afat të gjatë. Për sa kohë do ketë prona të dyshimta që ngopin interesat e dy krerëve të unioneve, nuk do ketë besim e lëvizje sindikale në Shqipëri”!.

A duhet të nisë SPAK hetimet e thelluara dhe të ç;ojë në qelitë e burgut të gjithë grabitqarët dhe matrapazët e pronave publike, që kanë qënë në përdorim të sindikatave ?

Absolutisht, kushdo që e ndjen veten Jurist të ndershëm dhe Antimafia, duhet të hapë defterët e dy korporatave biznes-sindikale dhe të kthejë moralin e shtetit në vend, pasi kemi të bëjmë me një shkelje ligji për gati 30 vite rrjesht. Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar mafioz që është pasuruar mbi gjakun e mundin e punonjësve dhe sindikalistëve të ndershëm që besojnë tek Ligji. Ndalimi i këtij abuzimi mega-galopant me pronat shtetërore, do të sjellë të ardhura për buxhetin e shtetit dhe do pastrojë imazhin e zhgarravitur prej dy bandave të neveritshme që nuk kanë lidhje me sindikalizmin e Dialogun Social në Shqipëri. Kam patur nderin që të kem mik dhe bashkëpunëtor një profesor të nderuar nga CISL Marche, Carlo Colli, i cili më thoshte “ për sa kohë do ketë prona të dyshimta që ngopin interesat e dy krerëve të unioneve, nuk do ketë besim e lëvizje sindikale në Shqipëri”! Ai ka vite që ka ndërruar jetë, por fjala i ka dalë edhe sot me situatën absurde në fushën sindikale ku 2 korporatat sindikale mbajnë akoma emrin, pasi kanë pronat në përdorim dhe kanë aq shumë pasuri sa të mbyllin gojën e të shesin interesat e punonjësve para abuzimit me të drejtat social-ekonomike.

Dëmi i llogaritur nga abuzimet me pronat e qytetarëve arrin në 3 miliard euro. Këto para u janë shpërndarë punonjësve të sindikatave, apo janë përvetësuar nga krerët e tyre, ku një pjesë e ish-kryetarëve jetojnë me vila luksoze dhe miliona si brenda ashtu edhe në vëndet Europiane, SHBA, Australi deri në Zelandën e Re ?

Dëmi është i pallogaritshëm, por duhen organet e specializuara në fushën e auditimit financiar, që të nxjerrin në dritë abuzimet miliardëshe nga pashallarët e dy PPP-ve sindikale. Duhet bërë veting i pasurisë së tyre, pronave të fshehta, llogarive financiare nëpër banka.

Duhet hetuar çdo shpenzim që është bërë dhe justifikim burimi, nga kush dhe për çfarë…?!

Sepse, ka dyshime që krahas pastrimit të parave, kanë edhe llogari të ndryshme me emra fiktive, ku kalojnë shuma të konsiderueshme dhe pa u vënë re nga ligjzbatuesit.

A mendoni se është koha për ringritjen e sindikatave, fillimin e protestave për të drejtat e tyre dhe largimin e Feudalëve që vazhdojnë në krye të tyre prej 30 vitesh ?

Kam kërkuar prej më shumë se 10 vitesh, që të nisin hetimet për sindikatat dhe abuzimet e tyre, pasi ata kanë qenë dhe janë armiku i vërtetë i sindikalizmit shqiptar dhe humbjes së besimit të puntorisë në to. Nuk ka asnjë faj kryeministri Rama që deklaron se “këtu nuk ka sindikata“, pasi i njeh mirë lidershipin e vjetër, bëmat e tyre dhe pelivanllëqet me pasurinë publike. Edhe qeveria Berisha arriti të niste një proces verifikimi të sindikatave, por ishte Gjykata Kushtetuese që e ndali zbatimin e ligjit….! Është koha që dy biznes-sindikatat të kalojnë në sitën e ligjit dhe të zhduken nga skena e abuzimit me emrin që s’ka lidhje me puntorinë… Duhen nxjerrë „non-grata“ nga ligji dhe publiku shqiptar, pasi ato jane bllokuese e një procesi që ka nisur me sindikalizmin e bardhë shqiptar, të cilin me shumë mundim e sakrifica po e ndjekin disa sindikata pa asnjë burim financiar e pronësor, por vetëm me kauzën e drejtë dhe qëllimin për të rikthyer sindikalizmin e bardhë. Krahas hetimit dhe ndëshkimit ligjor, Qeveria duhet të qartësojë vendimin e saj mbi Këshillin Kombëtar të Punës dhe bordet e institucioneve shtetërore ku ka antarësi nga sindikatat, pasi tani jemi në një situatë tjetër ku në skenë kemi sindikata të bardha dhe që janë të pastra nga krimi e mafia ekonomike. Deri më sot, antarë të KK Punes kanë qenë ose servilët, ose eskortat e shefave, ose analfabetët, që nuk dijnë të hedhin firmën dhe kjo ka qenë një skenë e turpshme qq ka dëmtuar interesat e punonjësve dhe ka manifestuar mungesë të theksuar kapacitetesh sindikale në vend. Jemi pranë një konfigurimi të ri sindikal, ku po merr jetë një Union i ri që ka një kauz të drejtë dhe është i pastër para ligjit e çdo interesi okult, ndaj nisja e hetimeve nga SPAK apo organet e tjera të hetimit, do t‘i shërbente në radhë të parë NE sindikatave që po diskriminohemi për shkak të dy korporatave biznes-sindikale, e pastaj do i shërbente edhe rritjes së besimit të puntorisë tek ato sindikata që nuk kanë lidhje me krimin e korrupsionin. Është koha për vetting e hetim, tani dhe vetëm tani, pasi ikën 30 vite me të njejtat fytyra korrupsioni e uzurpimi të sindikatave të vjetra, që me kohë janë pensionuar në mungesë antarësie e besimi ndaj tyre..!