Prof. Ksenofon Krisafi: Pedagogu, studiuesi dhe intelektuali, Alqi Naqellari

411
Sigal

 

Ksenofon Krisafi*

Në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë hyn çdo ditë një burrë, në fytyrën e të cilit dallohet kurdoherë një buzëqeshje e ëmbël, shprehje e mirësisë së tij qartësisht të shprehur. Është fjala për profesor Alqi Naqellari. Ka mbi dy dekada që ai frekuenton auditore universitetesh.

Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë Bujqësor, prej vitit 1976 dhe deri në vitin 2000, jetoi në rrethin e Tepelenës. U angazhua seriozisht dhe kreu me përgjegjshmëri detyrat me të cilat u ngarkua, duke ngjitur vit pas viti shkallët e një karriere të shkëlqyer profesionale.

Edhe pse larg institucioneve të shkencës dhe akademizmit, nuk mbeti një punonjës i rëndomtë që shumëzonte e pjesëtonte, mblidhte e zbriste shifra e numra, që bënte sugjerime e rekomandime për mënyra veprimi, organizimi, drejtimi etj. Aty, në fusha, parcela, midis bujqsh, blegtorësh, fshatarësh etj, në zyra modeste koperativash bujqësore, pas pune ndërmerrte studime, kryente veprimtari kërkimore, mësonte gjuhë të huaja, zgjeronte dijet, konsolidonte dhe lartësonte formimin e tij të përgjithshëm profesional e kulturor.

Formimi sistematik profesional, kulturor dhe shkencor çka, duke filluar nga viti 1981, i hapi rrugën për më tej, me botimin e artikujve mbi ekonominë, që do të vazhdonte me zhvendosjen nga Tepelena drejt Tiranës. Në sajë të aftësive, vlerave, këmbënguljes dhe përkushtimit, filloi si pedagog universiteti, mbrojti me shumë sukses gradat dhe titujt shkencorë, duke zënë pozicione dinjitoze në fushën kërkimore- shkencore dhe akademike si pedagog dhe dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës(Maqedoni) dhe në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, ku vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Alqi Naqellari është një profesor i nderuar. Emri i tij është në krye të ballinave të 23 librave, me një tematikë të gjerë. Kolanës së tyre i shtohen edhe 35 artikuj shkencorë, nga të cilët 12 me faktor impakti dhe 3 të indeksuar me scopus, si dhe artikuj të panumërt publicistikë. Krahas tyre ai ka një pjesëmarrje me kumtesa dhe referate në 47 konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare, brenda dhe jashtë  Shqipërisë.

Ky është një bilanc impresionues veprimtarish kërkimore-shkencore, pedagogjike e akademike dhe publicistike. Eshtë dëshmi e jetës aktive të një intelektuali që e nisi jetën nga fushat e fshatit për ta vazhduar në auditore universitetesh dhe në salla konferencash shkencore. Eshtë gjithashtu dëshmi e një pune të jashtëzakonshme, të palodhur e plot përkushtim. Për kolegët dhe studentët është karakterizimi i një modeli shembullor që tregon se si shpërblehet puna, pasioni, dija, njohuria profesionale etj.

Krijimtaria e A. Naqellarit, Prof. As. në Rep. Shqipërisë (Prof. Inordinar, Docent në Republikën e Maqedonisë së Veriut, legalizuar me vulë Apostile nga Gjykata supreme e MK) është e një lloji të veçantë. Krahas rigorozitetit, saktësisë dhe objektivitetit të shkencës aty ndjehet aroma e këndshme e luleve të qershisë, bajames, lofatës etj, embëlsia e frutave të pemishteve dhe vreshtave, era dhe freskia e klorofilit të fushave, shija bio e qumështit, gjalpit, djathit, mishit etj të bagëtive të fshatrave, ku ai kaloi rininë dhe një pjesë të rëndësishme të formimit të vet.

Një ndër librat e botuara kohët e fundit prej tij është “Të shkruash në dy kohë”, të cilin e lexova me kureshtje të veçantë. Kur mbylla faqen e fundit të vëllimit të parë, me titull “Socializmi”, më erdhi ndërmend një ngjarje e para tridhjetë vjetëve. Në maj të vitit 1991, u ndodha në Gjenevë. Isha punonjës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe do të kryeja një stazh trajnues në disa prej organizatave ndërkombëtare, kryesisht në Komisariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit (OIM), Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq etj. Dy muaj më parë vendi ishte përballur me problematikën delikate dhe serioze, të shkaktuar nga largimi me anije drejt Italisë i dhjetra mijëra vetëve. Në kuadrin e kontributeve të faktorit ndërkombëtar për t’i zgjidhur pa trauma këto situata, do të jepeshin udhëzime për trajtimin e tyre në përputhje me përcaktimet e akteve juridiko-ndërkombëtare. Ndër takimet e menduara ishte edhe ai me drejtoren juridike të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, një zonjë me origjinë nga ish Gjermania Lindore. Në fund të bisedës ajo tregoi interes për zhvillimet e përgjithshme politike, sociale, ekonomike në Shqipëri pas rënies së komunizmit dhe tha se shpresoj që te ju të mos bëhen gabimet që u vërtetuan në vendet e tjera të Lindjes. Sepse sistemi socialist, u shpreh ajo, pavarësisht problemeve të mëdha, rezultat i politikave centralizuese, por sidomos i atyre represive – shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, kishte edhe ndonjë aspekt pozitiv, veçanërisht në fushën sociale. Ato meritojnë të konservohen dhe të përshtaten me realitetet e reja. Pothuajse në të gjitha vendet Lindore u braktisën, nën pretekstin që ishin produkt i socializmit. Prof. Naqellari, që ka përjetuar epokën e regjimit socialist dhe atë të shoqërisë demokratike shqiptare, sikur të ishte me mua në Gjenevë në takimin me zonjën e ONM, në librin e mësipërm, i ka shtruar vetvetes pyetjen shumë interesante dhe origjinale, a u krijuan dhe a pati vlera në sistemin socialist dhe a u bartën ato në sistemin e ri. Për këtë qëllim, mbi bazën e një dialogu, pyetje përgjigje me vetveten, është orvatur të eksplorojë arritjet dhe dështimet e asaj kohe dhe, në këndvështrimin e specialistit të ekonomisë, ka bërë një skanim të gjithanshëm të atij sistemi.

E ka vlerësuar nga një distancë e caktuar kohore nga përmbysja e tij, e mjaftueshme për të gjykuar me parametra të besueshëm objektiviteti. Iu ka qëndruar larg ndikimeve politike duke u ndjerë i çliruar nga komplekset e kohës së shkuar. Ka kurajon të pohojë se sistemi që shqiptarët e përmbysën para 30 vjetësh për shkak të problemeve që shfaqi, pati edhe arritje të cilat nuk mund të mohohen. Si një prej tyre, domethënëse dhe njëkohësisht objektive, e dukshme, përmend rritjen e popullsisë së vendit nga 1.2 milionë njerëz në vitin 1945 në 3.2 milionë në vitin 1990. Ky tregues është evident nëse gjykohet edhe në kontekstin e njoftimeve dëshpëruese që shpërndahen këto kohë, të cilat bëjnë fjalë për shifrat e larta të largimeve të shqiptarëve nga vendi dhe për konstatimin alarmant se gjatë vitit të kaluar numri i popullsisë në Shqipëri nuk u rrit, por u zvogëlua. Ai pohon gjithashtu se në atë kohë kishte një ndjenjë më të shprehur socializimi dhe solidariteti, një numër relativisht të vogël krimesh etj. Por, gjithësei ai nuk harron të vejë në dukje faktin që gjatë regjimit diktatorial, vendi ishte i mbyllur, i izoluar dhe askush nuk mendonte se mund t’i shpëtonte përgjegjësisë për krime që mund të bënte duke ikur jashtë vendit.

Në analizat dhe vlerësimet për socializmin autori merret me Marksin dhe neomarksistët, trajton rolin e shtetit, të klasës punëtore, inteligjencës si dhe të një kompleksi strukturash që vinin në lëvizje sistemin socialist. Ai e ka parë dhe e ka kuptuar realitetin e asaj kohe si qytetar që e ka jetuar, por edhe si studiues, si specialist i fushës, çka i ka dhënë mundësinë që ta gjykojë nga një optikë objektive larg politizimeve. Në këtë mënyrë iu krijon mundësinë lexuesve, por sidomos të rinjve, për të pasur disa përfytyrime për një sistem në të cilin shqiptarët dhe jo vetëm ata, kaluan gati gjysmë shekulli jetë njerëzore. Ai ka evidentuar një realitet, në të cilin banorët e këtij vendi, përballuan hallet e mëdha të shkaktuara nga vetë sistemi si edhe nga deformimet që iu bënë atij nga ata që ishin në krye të shtetit, por gjithashtu nxorën mësimet e duhura.

Autori, duke qëndruar në fushën e vet profesionale ka shkruar edhe për historinë e parasë shqiptare, bankat që kanë ushtruar veprimtari në Shqipëri, monedhat dhe kartëmonedhat, duke shprehur konsideratat përkatëse për vlerat e botimeve të ndryshme kushtuar çështjeve të mësipërme etj.

   

Eshtë tepër kurioz fakti që interesat kulturore, intelektuale e qytetare të Prof. Naqellarit shtrihen në dimensione të gjera kohore dhe gjeografike, si edhe në personazhe të spikatur, kapërcejnë fushën e vet profesionale të Makro, Mikro, Ekonomiks Menaxherial, Ekonomiks Konkurence, Marketing Bankar, Analiza dhe Vlerësimi Projekteve për të zbarkuar te politika, historia, arkeologjia, gjuhësia, letërsia, arti, kultura, etnografia etj.

Shkruan për antikitetin, për pellazgët, Prof. Spiro Kondën, për Dodonën, historinë e shqiptarëve, të cilën e sheh të lidhur me pellazgët dhe qytetërimin e tyre, për Mehmet Aliun dhe mbretin Faruk në Egjipt, për Trumpin në Amerikë etj.

Prof. Naqellari ka shkruar edhe për Ismail Qemalin, një prej etërve të themelimit të shtetit dhe mëvetësimit të Shqipërisë, personazh madhor i lavdisë shqiptare. Figurën e tij e gdhënd me shumë dashuri dhe respekt. Duke iu referuar Ismail Kadaresë ai shprehet shumë bukur se për Ismail Qemalin historia ka rezervuar kohën dhe koha – pavdekësinë.

Vëmendjes së tij nuk i ka shpëtuar Lufta e Vlorës, ngjarje historike me rëndësi madhore për të ardhmen politike të shqiptarëve, për të cilën mendon se historiografia shqiptare ka ende për t’u shprehur.

E ka tërhequr gjithashtu Noli, jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të Shqipërisë. Takimi i tij me presidentin amerikan, Udrou Uillson në bordin e jahtit presidencial Mayfloëer, e ka “ngacmuar”, me sa duket, që të shkruajë me vlerësime shumë pozitive edhe për dy presidentë të tjerë amerikanë, të lidhur ngushtë me shqiptarët. I pari, Bill Klintoni, që kontribuoi fuqimisht për çlirimin e Kosovës nga skllavëria serbe dhe i dyti, Xhorxh Ë. Bush, i cili gjithashtu e çoi çështjen e saj deri në kurorëzimin e plotë dhe la gjurmë të pashlyeshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

SHBA-në e trajton si një nga shtetet më të zhvilluara të botës, me ekonomi të lirë tregu dhe demokraci të spikatur etj. Kjo, thotë ai u arrit ndër të tjera jo vetëm nga numri i ligjeve dhe paketave ligjore që ajo ka adoptuar, por nga zbatimi rigoroz i tyre, duke e nënvizuar këtë si një përvojë me aktualitet të veçantë edhe për vendin tonë në këto kohë.

*

*       *

Në librat dhe në përgjithësi në krijimtarinë shkencore të Prof. Alqi Naqellarit ka një numër çështjesh ku mund të ndalesh për të vënë në dukje meritat e tij. Por është e pamundur që kjo të arrihet në kuadrin e një shkrimi. Prandaj i mbyll këto konsiderata të përgjithshme e të përmbledhura për kontributet e çmuara të kolegut dhe mikut tim, duke përsëritur se ai është shembulli i një pedagogu, një studiuesi model dhe një intelektuali të shquar.

 

* Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave

Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare

në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë