Zylfi Tola: Fshati Buzmadh i Lumës, aty ku kalbet patatja dhe fasulja

672

Reportazh

Sigal

Ani pse dikush nuk e beson, Buzmadhja një nga katundet më të largëta të Kukësit, pjesë e Grykës së Çajës, por edhe e krahinës së Lumës, shtrihet në prehërin e trekëndëshin e maleve, mbi 2000 m, të ‘Tërfojës’, Lerës së Madhe dhe malit të Epër. Në pozicionin e saj gjeografik, ky katund është jo vetëm shumë i larmishëm, madje mes kreshtave, honeve dhe luginave me një gjelbërim gati gjithëvjetor, ku harlisen bimët barishtore, lulet me shumë ngjyra e të disa llojeve, që u ka dhuruar natyra, pastaj mes tyre shkurret, dëllinjat, mbështeknat, ahu, akacia, pisha, lajthia , trëndafili i egër, që mbështjellin si me argjend anë e kënd viset e këtyre anëve. Pejzashi dhe ‘portreti ‘ i Buzmadhes vërtet është tepër befasues, me shumë kontraste. Kjo edhe për faktin se relievi është shumë i thyer, lartësia pak edhe e ashpër, me ato shkëmbinjtë e lugina të thella, që e ndajnë fshatin në dy ‘copëza’ sikur e mban atë mbi krah. Duke e vështruar nga larg, sidomos nga Qafa e Gurit, fshati është futur në gjirin e maleve, me humnerat andej e këndej, lëndinat, livadhet , diku edhe e rrethuar me pyjet e ahut dhe të pishës, e do të thonim se këtu ka zbrit nga hëna piktori më i talentuar e me penelat e tij u ka dhënë ngjyrat më të bukura jo vetëm hapësirave, por edhe njerëzve dhe fshatit në tërësi. Pastaj ai lumi i vogël, që merr ‘jetë’ nga burimet e ‘Kroit të Bardhë’, Teja, Pogjaçi, Karrabacja, Bushtrulla, stani i Bacit, e Tërfojës , me zhurmën e lehtë dhe të përhershme, në çdo stinë, sikur e përkund me shumë këngë e melodi, jo vetëm banorët vendas , por edhe shpendët dhe kafshët e egra, shqiponjat, laureshat, arushat, ujkun e disa të tjera që janë të shumta, madje pse jo edhe pjesë e përditshme e fshatit. Buzmadhja mbështetet e është ngulitur në tre breza, secili ka pozicionin e hapësirën e vet. Brezi i parë nisen në themelet e katundit, mes shtatë lagjeve, Lale, Vellke, Tole, Durre, Brese, Hode dhe Mate. Pra këtu është themeli, që fillon me shtëpitë, edhe shkolla 9- vjeçare “ Mersim Bresa “, Teqja e Vesel Shehut, dyqani, qendra shëndetësore, klubi etj.Gjithashtu në këtë brez janë edhe parcelat e shumta me patate, misër, fasule, thekër, pa harruar edhe pemët, mollë, qershi, kumbulla, arra, por duhet ditur se në vitin 1945 e pak para Çlirimit, Buzmadhja ka patur vetëm dy drurë frutorë, dy mollë, ajo e Jemin Hakikit dhe e Riza Hodës. Tani ngrohja globale është ngjitur në male dhe nuk i dihet fundi i saj! Brezi i dytë pak më lartë “pushtohet” nga pyjet me disa pisha e më shumë ah, por edhe këtu ka parcela me patate , më të kufizuara,të lashta , por edhe bimësia tjetër e shumëllojshme e për ta rregjistruar  në katalogët e biologëve , duhet të qëndrosh më shumë kohë , edhe në dimër , kur bora është mbi një bojë njeriu. Kulmi dhe “çatia “ e fundit e fshatit , pra mbyllet me bjeshkët, korijet , lëndinat , por edhe me trekëndëshin e vet maleve , që e mbajnë në prehër përjetësisht. Në këtë lartësi janë gjithashtu edhe shumë burime natyrore, me ujë të pastër si kristali, të ftohtë si bora, edhe në verë si Vallnaja, Kroi Ah, Kulusi, Lapa e sa e sa të tjerë, që e kalojnë saktësisht numrin mbi 100. A mos duket i çuditshëm ky numër !

Hajdi në Buzmadhe t’i numërojmë së bashku një për një e të ecim në këmbë , diku edhe për dore!

Kohë pas kohe , por edhe ndër vite , Buzmadhja në Lumë është konsideruar jo vetëm një katund i largët, i humbur, por gjithashtu me njërëz të ashpër, të sertë, që për një fjalë goje jo të zakonshme në fjalor, të vrisnin, të merrnin nëpër këmbë. Gjithësesi ata që e kanë njohur nga afër këtë trevë dhe pikërisht Buzmadhen, ndryshe janë shprehur, kanë ditur të flasin për besën, mikëpritjen, e mbi të gjitha për trimërinë. Djali dhe burri i Buzëmadhes po ta dha fjalën e dorën nuk e njeh vdekjen, nuk merr parasysh asgjë, me pushkë në dorë lë kokën për mikun, shokun, të afërmit. Të njohur qënë malsorët e këtyre maleve, ndoshta edhe të rrallë në Lumë e më gjërë, Jemin Hyseni, Sali Lala, Xhemali Lala, Zeqir Rexhepi, Rrahman Lala, Hamit e Kasem Vellku, Cen Lala , Hafus e Dan Tola, Veli e Rrahim Bresa,Tasim Bresa, Fehmi Hoda, Shefki e Selam Durra etj. Pastaj në atë rrugë e trase kanë ecur gjeneratat e tjera, bijtë e bijat e tyre, që e kanë ngritur lart vendlindjen e tyre, si një yll me shkëlqim të veçantë, por edhe begatia e krenaria e Lumës. Buzmadhja në rrugëtimin e saj ka pasë edhe ngjarje tragjike dhe të përgjakura, tëpër të dhimbshme, që historia, sigurisht do t’i shkruajë në faqet e saja , ashtu të plota e të sakta, që edhe brezat që do të vijnë, ta dijnë më mirë vendlindjen e tyre. Ky fshat kaq i largët njihet jo vetëm në Nahijen e Kalasë së Dodës e të Bushtricës, por anë e mbanë qarkut të Kukësit për unitetin, vllazërimin, harmoninë mes fiseve e familjeve, banorëve, ndonëse këtu janë shtatë lagje pranë njëra –tjetrës të ardhur para disa shekuj e u vendosën këtu përjetësisht. Të gjithë bashkë në dasma , fejesa , festa , por edhe në fatkeqësi, bile burra dhe gra, dorë për dore. Dimrat këtu janë të njohur edhe dje edhe sot . Bie borë, akull, bllokohen rrugët. Orteqet kanë vënë disa herë në rrezik. I mban mend malësori i Buzmadhes orteqet e viteve të kaluara. I vogël e i madh , me dorë dhe thonj, luftuan ditë dhe natë në lagjen e Durre, Vellke e Panjet për shpëtimin e atyre që bora dhe drajgja ( ortegu) i kishte futur në thellësinë e tyre. Të tjera ngjarje nuk harrohen, i mbajnë mend të gjithë. Eshref Lalën në verën e 2021, duke punuar e kositur barin atje në bjeshkë e hedh kali disa metra në tokë. Një fije peri e ndan nga vdekja. Jepet lajmi. Të gjithë, anë e kënd katundit, arrijnë e gjejnë në frymën e fundit. E mbajnë nëkrah, në trine, dhe e nisin për në Kukës. Erdhi në jetë Eshrefi, e ai nuk do ta harroj dorën e ngrohtë dhe shpëtimtare të vëllezërve dhe motrave tëtij të vendlindjes. Është fakt se Buzmadhja, ndryshe katundeve të tjera të Lumës, ka pas zakonet dhe adetet e veta. Kështu në fshat të huajt nuk i lejohej ta mbante qisen ( kapuçin ) në një anë, të fërshëllente, të këndonte, të ecte rrugë e pa rrugë, pushkën me qytën lart, etj. Tani është fakt se disa zakone kanë ikur, koha dhe zhvillimi i ka nxjerrë jashtë historisë, por disa prej tyre, që kanë vlerat e veta, ruhen të plota. Harmoninë e respektin këtu mes tyre e gjen kudo, në punët e përditshme, në kositjen e barit, shkuljen e transportin e patateve, ndërtimet e reja, hapjen e kanaleve vaditëse etj. Këto janë disa faktorë, ndryshe fshatrave të tjerë, ku janë shpërngulur gati të gjithë, por këtu jetojnë 40 familje. Një fakt i plotë, pranë njëri-tjetrit e përgjithmonë.

Jemi në muajin nëntor. Në këto anë dimri vjen më herët, me dëborë dhe akull, por edhe fronti dhe punët e bujqësisë gati janë mbyllur, e kështu edhe i gjithë 2022. Siç na thotë një nga malësorët, Bajram Hoda, 80 vjeç, por edhe banor i përhershëm, se kjo verë ka qenë shumë e mbarë dhe e bollëkut, ndoshta edhe e veçantë në këtë dhjetë vjeçar që po përcjellim. Të gjitha ato kultura bujqësore që mbjellim, fasule, patate, misër, thekër e ato në kopshte, kanë dhënë bereqet e rendimente, dhe tani jemi jo vetëm të qetë, por e presim dimrin siç është më mirë.“ Në këto vise janë ca faktorë që kulturat bujqësore zhvillohen e rriten me bollëk, por edhe me cilësi. Toka është e pastër, pa krimba, larv , uji gjithashtu, madje ajri e klima në përgjithësi, ndonëse pak e ftohtë, por e këndëshme, e shëndetshme. Bile në tregjet e Kukësit, edhe pak më tej, tregtarët kur shesin patate, fasule, bulmet, për të rritur vlerën e mallit të tyre thonë: “Janë të Buzmadhës”. Pa harruar këtu edhe delet, qengjat, viçat e ndonjëherë kecat. Është fakt se patatja dhe fasulja janë dy nga kulturat kryesore që përdoren për shitje. Çdo familje ka mbjellë afërsisht dy a më shumë dylym me patate. Përveç një sasie që mbahet për përdorim familjar e pastaj për blegtorinë, 70-80kv dërgohen në treg, shumë pak në Kukës, pasi këtu vërshojnë nga të gjitha zonat, por Tirana e Durrësi mbajnë peshën kryesore. Në fshat një kg shitet deri 500 lekë të vjetra, pastaj, duke llogaritur transportin çmimi ngrihet pak më shumë. Patatja ka leverdi të madhe, duke i rënë lapsit , të shesësh 80kv me nga 500 lekë, shuma është vërtetë e kënaqshme duke kapur disa milionë, por me këtë kulturë malësori i Buzmadhes është në hall të madh. Nuk ka tregje, shteti është sehirxhi, por më shumë Ministria e Bujqësisë. Na kalben e na dëmtohen sa e sa sasira me këtë kulturë. Këtë vit mbi 600kv janë stratifikuar e futur në tokë. Nuk dihet a dalin të “gjalla” në pranverë shprehen bujqit vendas. Për ta ripërtërirë pataten herë pas here e marrin farën në Kosovë, që vjen nga Hollanda, hambari i Evropës për pataten. Me shumë leverdi është edhe fasulja, që çdo familje krahas nevojave të veta, nisen për treg një sasi të konsiderueshme, dhe tani përmendet kudo se fasulja e Buzmadhes, aq e këndshme dhe e shijshme, zihet edhe në diell. Burimet janë të shumta për të përballuar jetën pa probleme, shqetësime e halle, veçanërisht në anën ekonomike. Dërgohen në treg edhe shumë viça e lopë. Pastaj edhe kafshët e punës, kuajt zënë një vend të rëndësishëm në një zone të largët, siç është Gryka e Çajës, e mes saj edhe Buzmadhja. Malësori i Buzmadhes drutë e zjarrit, por edhe ujin e ka pa lekë, pra edhe këto ndikojnë në xhepin e tyre, kështu që pak andej e pak këndej, kuleta asnjëherë nuk mbetet bosh.