Prof. Dr. Zyhdi Dervishi: Datëthemelimi i pasaktë i Universitetit të Tiranës

390
Sigal

 

Duke iu referuar përvojave të vendeve të tjera me traditë më të hershme në arsimimin universitar si datë e themelimit të Universitetit të Tiranës, dhe përgjithësisht të arsimit të lartë, mund të konsiderohet pa kurrfarë mëdyshje 20 dhjetori i vitit 1946, data e themelimit të Institutit Pedagogjik të Tiranës

 

 

Sidomos pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës (1978) deri në vitin 1990 strukturat drejtuese të partisë-shtet në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë mëtonin zyrtarisht dhe publikisht se Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë që ndërtonte shoqërinë e re socialiste duke u mbështetur në forcat e veta, duke ecur në rrugë të reja e në shtigje të pashkelura. Por, pavarësisht nga një propagandë e tillë me intensitet në rritje, shteti shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, në formulimin e mjaft ligjeve dhe akteve nënligjore bazohej në legjislacionin përkatës të vendeve perëndimore si Franca, Anglia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. ose në legjislacionin e vendeve ish-socialiste të Lindjes, që ishte më i përafërt me atë të Perëndimit. Për këtë mjafton t’u referohemi dy shembujve. Më 14 mars 1946 Asambleja Kushtetonjëse (më pas është emërtuar Kuvendi Popullor) miratoi dokumentin themeltar: “Statuti i Republikës Popullore të Shqipërisë”, i cili pak vite më pas (1950) është emërtuar “Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë”. Në paragrafin e dytë të artikullit (nenit – Z. D.) 16 dhe në paragrafin e fundit të artikullit 28 të këtij Statuti thuhet përkatësisht: “Kisha është e ndarë nga Shteti” dhe “Shkolla është e ndarë nga kisha” (Gazeta Zyrtare, nr. 19, 19.3.1946: 2, 3). Në literaturën sociologjike dhe juridike të vendeve perëndimore të krishtera termi “kishë” nënkupton organizatat fetare zyrtare të krishtera. Por në shoqërinë shqiptare disafetare të pas Luftës së Dytë Botërore, termi kishë nuk pasqyronte korrektësisht edhe organizatat fetare zyrtare myslimane, synitë dhe bektashinjtë.

Aktet nënligjore të miratuara nga strukturat përkatëse të shtetit shqiptar në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980 për kualifikimin shkencor pasuniversitar janë mbështetur kryesisht në dokumentet përkatëse të shtetit francez. Ka mjaft dokumente në fondet që menaxhohen nga Drejtoria Qendrore e Arkivave të Shtetit Shqiptar, që e vërtetojnë këtë përfundim.

Lëvizja për demokratizimin, e nisur nga studentët në dhjetor 1990, u frymëzua edhe nga parulla e artikuluar shumë dendur nëpër mitingje: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Në të vërtetë kjo parullë e formuluar jo qartë nënkuptonte që shoqëria shqiptare të rimodelohej pothuajse në gjithçka sipas standardeve të shoqërive perëndimore më të urbanizuara. Që nga viti 1991 deri në mesin e vitit 2013 strukturat përkatëse në Republikën e Shqipërisë kanë miratuar një fond të pasur aktesh ligjore dhe nënligjore sipas standardeve më të arrira të vendeve euroatlantike. Por, përvoja jetësore e viteve 1991-2021 tregon se shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur ende ekonomikisht, moralisht dhe sidomos psikologjikisht për zbatimin e standardeve perëndimore në zgjidhjen e problemeve të jetës së përditshme, në modifikimin e modeleve të sjelljes dhe të të konceptuarit të gjithçkaje. Qëndrimi i strukturave politike, partiake e shtetërore, arsimore e shkencore, i shumicës së pedagogëve dhe punonjësve shkencorë ndaj çështjes së datëthemelimit të pasaktë të Universitetit të Tiranës është një dëshmi e qartë e frymës konservative që përshkon veprimtarinë e shumicës së segmenteve të shoqërisë shqiptare të ditëve tona.

 

Përvoja jetësore e viteve 1991-2021 tregon se shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur ende ekonomikisht, moralisht dhe sidomos psikologjikisht për zbatimin e standardeve perëndimore. Qëndrimi i strukturave politike, , i shumicës së pedagogëve dhe punonjësve shkencorë ndaj çështjes së datëthemelimit të pasaktë të Universitetit të Tiranës është një dëshmi e qartë e frymës konservative që përshkon veprimtarinë e shumicës së segmenteve të shoqërisë shqiptare të ditëve tona .

  1. Një situatë shokuese

 

Një ditë të bukur fillim maji 2010 në rruginat e parkut “Rinia”përballë Hotel Dajtit takova një të njohurin tim, Profesor Doktor të nderuar për kontribute në shkencë. Rrjedha e bisedës na çoi edhe te shkrimi që unë kam botuar për problemin e datëthemelimit të Universitetit të Tiranës.

– Unë nuk jam dakord me atë shkrim. Kam qenë pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Universitetit të Tiranës në vitin 1957, sepse në fillim të korrikut të atij viti unë kam mbaruar studimet.

Me shaka i përgjigjem:

– Profesor, ju jeni pa diplomë, sepse nuk mund të përfundosh studimet rreth dy muaj para themelimit të universitetit.

Ai u shokua dhe u skuq deri te veshët. Pa e kuptuar kishte rënë në kurthin e një kontradikte që e dëmton jo pak dinjitetin e Universitetit të Tiranës dhe që ka të bëjë me vit-themelimin e këtij institucioni shumë të rëndësishëm për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në hapësirat shqiptare. Në ngërçin e një paradoksi ose kontradikte të tillë gjenden qindra studentë të diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në mungesë të të dhënave të plota statistikore zyrtare të publikuara nga strukturat përkatëse të shtetit shqiptar, vetëm në korrik 1955, në korrik 1956 dhe në korrik 1957 në auditoret e Universitetit Shtetëror të Tiranës u diplomuan në 9 profile 641 studentë, prej të cilave 116 ishin vajza dhe gra (Anuari statistikor i RPSH, 1958, f.156 edhe përllogaritje të autorit). Këta dhe të tjerë u diplomuan pra para datëthemelimit “zyrtar” të Universitetit të Tiranës. Shtrohet pyetja:  Pse ende mjaft shqiptarë vazhdojnë të bien në kurthin e kontradiktave të tilla?

 

  1. Prirje kulturore me kahje kundërperëndimore

 

Kompleksi i Rozafës ndoshta shpreh në mënyrë të figurshme thelbin e njërës prej prirjeve më problematike të kulturës shqiptare: prirjen për të vetasgjësuar edhe vlerat më pak të kontestueshme, ose madje të pakontestueshme, të cilat në kulturën shqiptare, së paku krahasuar me shtrirjen e saj hapësinore e numrin e kufizuar të anëtarëve, janë të shumta në rrjedhën e trazuar të mijëvjeçarëve, të shekujve e të viteve. Si një metastazë nga më agresivet e kësaj prirje është edhe përpjekja e ngulët, e vazhdueshme për të mohuar themelet e vlerave, për t’i tërhequr rrënjët e vlerave, nga thellësitë e historisë në periudha të mëvonshme dhe që gabimisht lidhen me emra politikanësh më së shumti pretenciozë, por të dështuar.

Është nga më të emancipuarat dhe më emancipueset prirja e kulturave të vendeve më të urbanizuara të Perëndimit për të vlerësuar e rivlerësuar me realizëm e përgjegjësi qytetare vlerat e tyre, për të nxjerrë në dukje evolucionin e tyre në rrjedhën e kohës, për të saktësuar sa herë  është e nevojshme kohëngjizjen e tyre. Në shumë rrafshe mishërimi në praktikë i një prirjeje të tillë shpreh respekt të perëndimorëve jo vetëm për kulturën e tyre, po edhe për kulturat e të tjerëve, sidomos për ato me të cilat kanë pasur më shumë bashkëkomunikime të shumëllojshme e jetëgjata.

Me gjithë dëshirat e përpjekjet për t’iu afruar Perëndimit, shumica e shqiptarëve të qindvjeçarit të fundit në këtë aspekt kanë ecur me vetëdashje ose janë detyruar të ecin në kahje të kundërt të kësaj rrjedhe perëndimore. Ndryshimet e shpeshta të formave të organizimit politik të shoqërisë shqiptare janë shoqëruar edhe me përvetësimin e vlerave të caktuara sociokulturore e arsimore, pra edhe me zhvendosjen e kohës së ngjizjes ose të fillimit të ngjizjes së tyre nga periudhat më të hershme në ato më të vona.

Viktimë e një prirjeje të tillë është edhe mohimi i themeleve të Universitetit të Tiranës, tkurrja e ndjeshme e moshës së tij.

Në dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë numër 2476, datë 3 qershor 1957, për krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës theksohet që në nenin 1: “ Në këtë Universitet shkrihen Institutet Pedagogjik, Politeknik, Ekonomik, Mjekësor dhe Juridik si dhe Instituti i Shkencave” (Gazeta zyrtare, Nr. 9, 10 gusht 1957, f.306). Instituti i Shkencave, i emërtuar fillimisht si Instituti i Studimeve ka funksionuar që nga viti 1946 (Fjalor Enciklopedik Shqiptar 2, 2008, f. 1033. Edhe ky fakt e përforcon idenë se Universiteti i Tiranës është themeluar në vitin 1946. Gjithashtu, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar nga Akademia e Shkencave të RPSSH në vitin 1985 theksohet se Universiteti i Tiranës “u themelua në Tiranë më 16.9.1957, me bashkimin e disa instituteve të larta të mëparshme” (1985:1134). Madje, edhe në veprën “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” të përgatitur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe të botuar në vitin 2009 (pra katër vite pasi problemi i datëthemelimit të Universitetit të Tiranës është trajtuar në shtyp, thuhet: “Universiteti i Tiranës… u themelua në vitin 1957 mbi bazën e disa instituteve të larta (Institutit të Lartë Pedagogjik, Institutit të Lartë Politeknik, Institutit të Lartë Ekonomik, Institutit të Lartë Mjekësor dhe Institutit të Lartë Juridik). Në vitin e parë akademik UT kishte 6 fakultete…” (Vëllimi i tretë, 2009:2809). Në këto përcaktime pranohet idea se rrënjët e Universitetit të Tiranës shtrihen më thellë në kohë se në vitin 1957. Me thellësi të tilla mburren pothuajse të gjitha universitetet e botës, madje gjithë popujt e botës. Në ceremoninë përuruese të Universitetit Shtetëror të Tiranës merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të strukturave partiake e shtetërore të shtetit shqiptar, përshëndetën edhe rektorë e zëvendësrektorë të universiteteve më prestigjioze të vendeve ish-socialiste të Europës Lindore.

Në shumicën e këtyre përshëndetjeve rilevohet qartë krenaria e ligjshme e këtyre përfaqësuesve të shkencës e të arsimit të lartë për jetëgjatësinë e universiteteve të tyre. Në përshëndetjen e tij prorektori i Universitetit të Karlit të Pragës (Çekosllovakia e atyre viteve), veç të tjerash, theksoi: “Universiteti i Karlit në Pragë, më i vjetri universitet në Europën Qendrore, përshëndet vëllanë e vet më të ri, Universitetin Shtetëror të Tiranës…” (Gazeta “Zëri i Popullit”, 17.9.1957: 2).

Ndërkohë, pasi lexoi përshëndetjen e rektorit të Unviersitetit të Moskës akademikut I.C. Petrovski, prorektori Prof. Dr. Gallkin veçoi: “Unë erdha këtu nga Universiteti më i vjetër i atdheut tim dhe jam i lumtur që mund t’i dorëzoj personalisht Rektorit të Universitetit të Tiranës historinë e Universitetit të Moskës në dy vëllime dhe medaljen, që doli për nder të 200-vjeçarit të universitetit tonë” (Po aty).

Në këtë ceremoni festive të 16 shtatorit 1957 me siguri ka pasur specialistë me arsim të lartë të diplomuar në Republikën e Shqipërisë, të cilët nuk mund të mos habiteshin pasi kanë marrë pjesë në përurimin e fillimeve të Universitetit pas diplomimit të tyre, ka pasur pedagogë mjaft të nderuar, të cilët nuk mund të mos ndjenin dhimbje, ndërkohë që një ceremoni e tillë, formalisht u mohonte një punë shumë të mundimshme disavjeçare për ngritjen e konsolidimin e arsimit të lartë universitar.

  1. Korrigjim i nevojshëm edhe si ogur i mbarë për korrigjime të tjera

 

Duke iu referuar përvojave të vendeve të tjera me traditë më të hershme në arsimimin universitar si datë e themelimit të Universitetit të Tiranës, dhe përgjithësisht të arsimit të lartë, mund të konsiderohet pa kurrfarë mëdyshje 20 dhjetori i vitit 1946, data e themelimit të Institutit Pedagogjik të Tiranës. Në ceremoninë e përurimit të këtij institucioni, Ministri i Arsimit Sejfulla Maleshova, një nga njerëzit më të ditur, më të mirarsimuar në hapësirën shqiptare të atyre viteve, mes të tjerash, tha: “Iniciativa e organizimit të shkollave të larta në Shqipëri ka për qëllim të krijojë kuadro të larta në fushën e teknikës dhe të shkencës, të domosdoshme për realizimin e problemeve të mëdha ekonomike e sociale, që qeveria e Republikës Popullore ka shtruar në rend të ditës. Por për të arrirë këtë qëllim kuadrot tonë duhet të jenë kuadro të një tipi të ri, kuadro që të vënë tërë zotësinë dhe diturinë e tyre në shërbim të interesave të masave punonjëse të vendit tonë… Me përpjekjet e përbashkëta të profesorëve, të studentëve dhe të personelit administrativ… ne do ta bëjmë Institutin Pedagogjik një vatër kulturore përparimi në shërbim të interesave të larta të Shqipërisë së re. Shkolla jonë duhet të jetë një institucion avangardë, ku nxënësit dhe studentët duhet të edukohen me frymën revolucionare të kohës sonë në të gjithë fushat e aktivitetit shoqëror. Kuadro të tillë duhet të formohen në të gjithë shkollat tona, kuadro të tilla duhet të formohen edhe në këtë bërthamë të parë të shkollave të larta që po inaugurojmë sot” (Revista Arsimi popullor, nr.1, 1947: 56-57). Që në ato vite të pastabilizuara të pas Luftës së Dytë Botërore, kur ende përreth kishte shumë gërmadha dhe ndjehej era e barutit të luftës, ministri Malëshova ishte i vetëdijshëm se po mbante fjalën e rastit në promovimin e bërthamës së parë të shkollave të larta, pra në promovimin e themelimit të Universitetit të Tiranës.

Gjatë vitit të parë akademik 1946-1947 në Institutin Pedagogjik të Tiranës studionin 53 studentë, prej të cilëve 15 ishin vajza. Sipas të dhënave statistikore zyrtare, 24 studentë i vazhdonin studimet në sistemin me shkëputje nga puna dhe 29 studentë në sistemin pa shkëputje nga puna (Drejtoria e Statistikës, 1963: 335).

Në këtë Institut jepnin mësim 13 pedagogë nga më të shquarit e atyre viteve, si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Aleks Buda, Kolë Paparisto, Islam Zeko, Sotir Kuneshka, Kolë Popa, Pandi Geçi dhe Pashko Geci. Si pedagog i jashtëm jepte leksione edhe Sejfulla Maleshova. Njëri nga studentët e brezit të parë që kanë studiuar në këtë Institut, akademiku i shquar Shaban Demiraj kujton me nostalgji e krenari të ligjshme fjalët e pedagogut të shquar atdhetar, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Kostaq Cipo (1892-1952) në fillimin e orës së parë të mësimit: “Ngritja e arsimit të lartë më ngjall të njëjtat emocione të forta e të papërshkruara si ngritja e flamurit të Pavarësisë së vendit tonë 34 vite më parë, me 28 nëntor 1912”. Qoftë dhe vetëm për faktin se nga auditorët e Institutit Pedagogjik të Tiranës doli gjuhëtari i shquar shqiptar me format europian e botëror, Prof. Shaban Demiraj, ky Institut e meriton plotësisht statusin e të qenit themelvënës i Universitetit të Tiranës.

 

Vijon