Çdo vend e çdo popull ka heronjtë e tij, të cilët sipas meritave dhe bëmave kanë zënë hapësirën e tyre në historinë e shoqërisë njerëzore. Ndërmjet tyre ka personazhe të veçantë simbolikë, të cilët nuk duhet të kujtohen dhe publikohen vetëm në raste të përvjetorëve të ndryshme të tyre. Se kështu lartësohet jo vetëm figura e tyre por edhe mirënjohja dhe kultura e bashkatdhetarëve. Në këtë këndvështrim duhet parë figura e Gjergj Kastriot- Skënderbeut nga ana e shqiptarëve.

“E kam peng që nuk e kam luajtur njëherë rolin e Skënderbeut në film”, më pat thënë aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu gjatë një takimi që kam bërë me të në Prishtinë, gjatë vitit 2004.
Përveç meritave të mëdha në mbrojtjen e lirisë së trojeve shqiptare, Skënderbeu ka një emër të madh në faqet e Historisë së Kontinentit të Vjetër. Në këtë aspekt këtu është vendi të theksojmë kontributet që Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu, me distancë kohore prej më se 14 shekujsh ndërmjet tyre, dhanë për mbrojtjen e Europës dhe të Afrikës Veriore. I pari ndaloi sulmet aziatike drejt perëndimit dhe i dyti mbrojti Krishterimin nga ekspeditat osmane, respektivisht në shekujt IV p.e.s. dhe XV-të.
Për të përshkruar lidhjen historike ndërmjet figurës së Lekës së Madh dhe Skënderbeut do të përmend një vepër arti nga kultura materiale. Në vitin 2000 kam pasur nderin të vizitoj Real Manastirin e Valencias, ndërtuar në mesin e shek. XV nga mbretëresha e Spanjës Maria de Castiljo, gruaja e Alfonsit V të Napolit me të cilin Skënderbeu kishte lidhje të ngushta miqësore. Në këtë manastir është varrosur De Castiljo dhe më pas në vitin 1503 këtu Donika, gruaja e Skënderbeut varrosi nipin e saj Alfonsin, djalin e Gjonit, biri i Skënderbeut, bile thuhet se edhe vet Donika me skortën e saj prej 20 kalorësish prehet në këtë Manastir historik. Arkeologët vendas kanë tentuar të zbulojnë eshtrat e saj, por pa rezultat.

Më shumë vlerë është ruajtja e pllakës mortore të Alfonsit, me mbishkrimin që gjyshja ja dedikon nipit të saj: “Këtu prehet Alfonso, biri (nipi) i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i braktisun nga turqit Escardabech, i cili për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeçare në këtë qytet të Valencias. Viti 1503”. Pa dyshim një Dokument Historik me vlera domethënëse në disa drejtime.
Sipas legjendave që në rininë e tij, Gjergj Kastriotit turqit i kishin dhënë emrin Skënderbej “zoti Aleksandër” edhe pse gjatë jetës së tij i ktheu kurrizin islamit. Shokët e tij osmanë e rendisnin me Aleksandrin e madh, heroin historik të antikitetit, që njihej në gjithë krijimtarinë popullore e zyrtare. Nga osmanët cilësohej me emrin Iskënder prej nga rrjedh trajta Skënder. Mundet që ky emërtim të lidhej me prejardhjen e Skënderbeut nga terreni arbëror – nëna e Aleksandrit, Olimpia, i takonte një fisi mbretëror epirot. Babi i Aleksandrit, Mbreti i Maqedonisë Filipi II (382-336 p.e.sonë) lindur në Veria të Selanikut dhe vrarë në Persi është varrosur në një varr monumental në Verxhina pranë Verias. I biri i Aleksandrit, Leka i madh, ka lindur në Pela, sot një qendër e njohur arkeologjike në veri të Selanikut. Leka ka vdekur i ri, vetëm 33 vjeç në vitin 323 p.e.s. pas një sëmundje të rëndë në Babiloni, kryeqendra e re e Perandorisë.

Përveç aludimeve dhe krahasimeve paralele për lidhjet në moralitetin politik dhe ushtarak si dhe në territorin e gjeopolitikës, ne duetin Aleksandër i Madh – Gjergj Kastrioti Skënderbej (1405-1468) dominon një afinitet në fushën e Simbolistikës zyrtare. Kjo e mbështetur në reliket historike të kulturës materiale.
Në mjaft muzeume dhe monumente kulturore respektive ruhen deri në ditët tona objekte që i afrojnë këto figura me vlera tej nocionit kombëtar. Në muzeun Arkeologjik të Selanikut ruhet një skudo – monedhë ari dhe argjendi e shekullit IV p.e.s. me simbolin e diellit me tetë rreze (yll me tetë cepa), stema e njohur e Mbretërisë Maqedonase.
Në varrin mbretërorë të Filipit, në Verxhina, pranë Verias ruhet objekti mortor me dy ambiente. Gjatë gërmimeve, në parahyrje arkeologët kanë zbuluar një kuti metalike prej ari në kapakun e së cilës është incizuar dielli me 12 cepa, ndërsa në ambientin e varrit kanë gjetur një kuti tjetër me diellin me tetë cepa – me nga një rreze më të vogël ndërmjet, të palidhur me rrethin qendror. Pra janë dy simbole, njëri me diellin me gjashtë cepa kryesorë dhe gjashtë ndërmjet (parahyrja) dhe tjetri në sarkofag me tetë cepa kryesorë dhe tetë ndërmjet (mbi varrin e mbretit) i cili është momenti qëndror i objektit.


Me rëndësi është fragmenti i një vazoje të ruajtur në Muzeun e 50 Vjetorit të Brukselit, ku është ekspozuar një riprodhim i kokës së Aleksandrit si Heliosi (Perëndia e Diellit). Mbi ballin e tij ruhet qartë një gdhendje me motive kozmike (hëna, yjet dhe dielli). Ylli – Diell sipër, hëna dhe yjet me gjashtë cepa në anësore janë simbole të Mesopotamisë ku Leka i Madh vdiq. Me këto tregues të mësipërm del e qartë se simboli i Mbretërisë Maqedonase të shekullit IV p.e.s. ka qenë Dielli – Ylli me tetë rreze (cepa), shenja shtetërore e Aleksandrit të madh.
Duke ndjekur dhe gjurmuar dhe simbolin e Aleksandrit tonë të ri, Gjergj Kastriot – Skënderbeut, përveç shqiponjës së njohur (jo objekt i këtij shkrimi) e lidhur organikisht me të është dhe silueta e Diellit – Yllit (me rreze apo cepa). Në Muzeun e Dubrovnikut (Raguza) ruhet vula origjinale e Skënderbeut, e shekullit XV-të. Në qendër të vulës ndodhet shqiponja dykrenare me një yll me gjashtë cepa në mes të kokave. Sipër në qendër të shkrimit me Gjergj Kastriot – Skënderbeut, dallon një yll i vogël me tetë cepa.


Në Napoli të Italisë, në një rrugicë në qendër të qytetit ndodhet një kishë e hershme e shekullit XIII mbi themele më të hershme, e rikonstruktuar gjatë shekullit të XVI. Në qendër të këtij kompleksi religjioz ndodhet një portik me vlera arkitektonike ku janë varrosur disa figura të njohura të mesjetës italiane. Në këtë portik në vitin 1503, Donika, gruaja e Skënderbeut, varrosi nipin e saj Konstantinin, Kryepeshkopi i Izernias, në veri të Napolit. Konstantini, vëllai i Alfonsit, prehur në Valencia u vendos në një varr monumental të mermertë, të gdhendur nga mjeshtri Jakopo de la Pila. Në pllakën kushtuar nipit shkruhet “Konstantin Kastrioti, i varrosur këtu i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti, perandori dhe fisnik për dëlirësi dokesh, për dinjitet, kryeprift i Izernias që vdiq para kohe, Donika Komina, stërgjyshja nga babi, i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin e njëmijë e pesëqind.” Në të dy anët e këtij objekti mortor – vepër arti është kurora e Kryepeshkopit dhe mbi dy kokat e shqiponjës janë kurorat e mbretërisë. Sipër në mes të dy kokave është Simboli i Diellit – Ylli me tetë cepa. Ky realizim në monumentin e Napolit përbën një dokument autentik për simbolin e familjes së Kastriotëve.
Në Manastirin e Deçanit në Kosovë, në qendër të kompleksit religjioz spikat kisha e ndërtuar në shekullin e XIV nga Kryemjeshtri arbërorë fra Vita nga Kotorri, një vepër e çmuar me frymëzim nga arkitektura oksidentale romano – gotike. Në këtë manastir dominon dhe Trapezaria e shek. XIV – XV, ku në brendësi të saj, nga tavani i apsidës lindore varet një shandan bronxi me tetë cepa, dhuratë e Skënderbeut për manastirin. Edhe ky një tregues i respektit të heroit tonë ndaj këtij simboli.


Këto ishin disa konkluzione nga hulumtimet personale në terren dhe më gjerë, burime nga kultura materiale, të cilat aq më tepër mund të interpretohen si fakte historike. Qoftë edhe në mirëbesim ndjehem krenarë që burimet historike bashkë me pjesën e legjendës heqin paralele krahasimi dhe vlerash të Heroit tonë Kombëtar me Aleksandrin e Madh, një ndër personazhet më të përmendur të Botës Antike. Kjo ndërlidhje i e lartëson mjaft figurën sa historike aq edhe legjendare të kryesimbolit tonë historik Gjergj Kastriot – Skënderbeut.
Jemi një popull me histori dhe me faktorë dhe aktorë historikë. Duhet ta ruajmë dhe kultivojmë historinë, nuk jemi asimiluar dhe përdhosur gjatë shekujve. Dhe në ato raste kur na është përçmuar historia, duhet me dinjitet të rifitojmë kohën e humbur, pavarësisht cenimeve nga faktorë që na shohin me syze të errëta. Duhet ta jetojmë vetë historinë tonë dhe të mos presim të na e bëjnë të tjerët.
























