Prof. Dr. Qemal Lame: Europa të ndali luftën në Ukrainë

Pas Luftës së Dytë Botërore europianët u përkushtuan në rindërtimin, zhvillimin e vrullshëm ekonomik dhe arritën nivelin e lartë të mirëqënies. Papritur, pas 75 vjetëve kur europianët po bëheshin përherë e më shumë pacifistë dhe mendonin se nuk do të kishte luftë, filloi me egërsi Lufta e Rusisë në Ukrainë. Ky është sulmi më i madh kundër një shteti europian pas vitit 1945. SHBA, BE, NATO dhe shumica e shteteve të botës reaguan menjëherë duke e dënuar pushtimin. SHBA dhe BE vendosën sanksione të rënda ekonomike. OKB me shumicën e 146 shteteve e përjashtoi  Rusinë nga Organizata e të Drejtave të Njeriut. Këshilli i Europës e përjashtoi Rusinë. Reagimet e deritanishme nuk po sjellin as ndalimin e luftës dhe as paqen. Ka ndryshuar rendi botëror. Rusia pretendon për t’u rikthyer në pozitat e superfuqisë së kohës së ish Bashkimit Sovjetik. Kina ecën me shpejtësi drejt ambicjes si superfuqi e parë. Lufta në Ukrainë dëshmon për interesat e ndryshme gjeopolitike të aleancës perëndimore përballë Rusisë dhe Kinës, që qëndron në hije duke mbështetur e përfituar nga lufta dhe kundërshton sanksionet ekonomike. Presidenti rus Vladimir Putin e justifikoi padrejtësisht ndërhyrjen ushtarake me “sulmin special” për mbrojtjen e rusëve në Ukrainën Lindore, goditjen e nazizmit, ndalimin për t’u anëtarësuar në NATO, etj. Ai i referohet disa herë tek Kosova në kundërshtim me historinë e shqiptarëve. Lufta në Ukrainë është në fakt një përballje e gjeopolitikës së aleancës perëndimore me atë lindore. Në vitin 1990, trupat sovjetike u larguan nga Gjermania dhe nga shtete të tjera të Europës Lindore, si dhe u pranua ribashkimi i Gjermanisë.

NOA

Kështu përfundoi edhe periudha 45 vjeçare e Luftës së Ftohtë. Marrëveshjet midis aleancës perëndimore dhe Rusisë pranuan mos shtrirjen e NATO-s në shtetet e Europës Lindore, pas tërheqjes së trupave sovjetike. Gjatë 32 vjetëve të fundit u bënë ndryshime të thella gjeopolitike me zgjerimin e NATO-s dhe të Bashkimit Europian drejt lindjen, me vullnetin e shteteve sovrane që kërkuan anëtarësimin në aleancën ushtarake perëndimore dhe në Bashkimin Evropian. Rusia deklaron se Perëndimi shfrytëzoi dobësitë e ish Bashkimit Sovjetik e më pas të Rusisë. Ajo bën të qartë me shqetësim dhe me gjithë forcën e pushtetit politik e ushtarak se ndjehet e këcënuar dhe nuk dëshëron të ketë NATO-n në kufijtë e saj, pasi beson, argumenton dhe akuzon hapur se perëndimi do të shpërbëjë Federatën e Rusisë. Putin e vlerëson tragjedinë më të madhe të shekullit të kaluar shkatërrimin e ish Bashkimit Sovjetik, ndryshimin e kufijve të federatës sovjetike dhe asaj jugosllave, kërkon të rikthejë pushtetin e dikurshëm të Rusisë dhe neutralitetin ushtarak të shteteve të Evropës Lindore. Për të arritur këto qëllime, ai deklaron se do të veprohet me gjithë forcën e nevojshme. Kundërshtimi dhe mospranimi i kërkesave ruse do të jetë me pasoja të paparashikueshme deri edhe me përdorimin e armëve bërthamore. Në dhjetor të vitit të kaluar Moska kërkoi bisedime direkte me Shtetet e Bahskuara të Amerikës dhe NATO-n duke anashkaluar Bashkimin Europian dhe shtetet e tij të fuqishme. Këto bisedime u ndërprenë pasi nuk u pranuan kërkesat ruse. Aktualisht janë ndërprerë edhe bisedimet direkte të Ukrainës me Rusinë pasi kërkohet kapitullimi dhe më pas marrëveshja për të ardhmen. Europa e bashkuar është e domosdoshme të veprojë më energjikisht për ndaljen e luftimeve dhe për bisedime për zgjidhjen e krizës e ruajtjen e sigurisë e paqes në kontinent. Është e drejtë që të mos pranohen kërcënimet dhe ultimatumet, por efektive është të bisedohet, të bisedohet dhe përsëri të bisedohet pa u lodhur për ndryshimin e gjendjes dhe arritjen e paqes.

1.Është e domosdoshme të ndalet katastrofa njerëzore dhe shkatërrimi i mëtejshëm. Në sulmin rus kundër Ukrainës, sipas të dhënave të Kievit kanë humbur jetën rreth 2500 deri në 3000 ushtarë ukrainas, si dhe rreth 10.000 ushtarë të plagosur nga pala ukrainase. Zelensky njoftoi se nga pala ruse ishin vrarë ndërkohë 20.000 ushtarë rusë. Vlerësimet perëndimore bëjnë fjalë për disa mijë ushtarë të vrarë rusë, kurse Moska pranon vetëm për 1350 ushtarë të vrarë në radhët e veta. Është e vështirë të merren të dhëna të sakta nga burime objektive të pavarura. Çdo ditë po përjetojmë tragjedinë e refugjatëve ukrainas. Sipas të dhënave të fundit të OKB-së numri kaloi 5 milion refugjatë.

  1. Kërcënimet e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore në rast se rrezikohen interesat e Rusisë, kërkohet të merren seriozisht. Këto nuk janë vetëm deklarime me fjalë. Manovrat ushtarake të Rusisë në dhjetor të vitit të kaluar dhe në vazhdim në janar e shkurt të këtij viti, u mbyllën me demonstrimin e masave komplekse ushtarake në kushtet e improvizuara të një lufte bërthamore. Kremlini dëshmoi forcën ushtarake dhe dha mesazhe të qarta me kërcënime serioze. Rusia po zbaton në Ukrainë të njejtën strategji ushtarake si në Siri. Por nuk arriti ta pushtonte brenda 24 orëve si mendohej nga disa analistë. Dëshpërimi i mundshëm i Putinit mbi ecurinë e luftimeve dhe qëndresën e ushtrisë e popullit ukrainas, që janë përballur me trupat ruse, ndikojnë deri edhe në përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

3.Finlanda dhe Suedia po shqyrtojnë mundësinë e anëtarësimit në NATO. Dmitry Medvedev, i cili mban detyrën e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tha se nëse këto dy vende hyjnë në NATO, atëherë Moska do të duhet të forcojë praninë e saj tokësore, detare dhe ajrore në Detin Baltik. Ai ngriti gjithashtu në mënyrë të qartë mundësitë mbi një kërcënim bërthamor, duke thënë se nuk mund të flitet më për një Baltik pa armë bërthamore, një rajon ku Rusia ka enklavën e saj të Kaliningradit, të vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë. “Nuk mund të flitet më për një status pa armë bërthamore për Baltikun, ekuilibri duhet të rivendoset.” Anëtarësimi i mundshëm i Finlandës dhe Suedisë në NATO, do të shënonte një nga zhvillimet më të mëdha strategjike europiane lidhur me luftën në Ukrainë. E rrezikuar nga lufta ndjehet edhe Zvicra, ku në bankat e saj janë depozitua pjesa e madhe e parave dhe rezervave të arit botëror. Janë bërë publike mendimet për një integrim të mundshëm në aleancën ushtarake perëndimore.

 4.Furnizimi me armatime të rënda vlerësohet nga Moska si ndërhyrje dhe palë në luftë. Qeveria ruse ka dërguar nota proteste në disa vende perëndimore për shkak të furnizimeve me armë drejt Ukrainës. Mes tyre edhe SHBA, bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Saharova të premten për agjencinë Interfax. Sipas “Washington Post” qeveria në Moskë paralajmëron në një notë proteste tek qeveria amerikane se furnizime të tilla me armë mund të kenë “pasoja të paparashikueshme”. Aleanca perëndimore nuk mori parasysh reagimin rus dhe shtoi ndihmën ushtarake me armatime të rënda për Ukrainën. SHBA bëri të ditur se shtoi ndihmën për Ukrainën me 800 milion dollarë dhe Gjermania me 200 milion dollarë. Rusia meriton kundërvënien me një front të fortë. Megjithatë gara e armatimeve përkeqëson gjendjen dhe vështirëson bisdimet.

Lufta po zhvillohet në Evropë. SHBA, NATO dhe BE po përballen me Rusinë dhe Kinën. Pas Luftës së Ftohtë, Rusia vlerësohej si partnere kryesore për paqen e sigurinë në Europë, kishte misionin e saj ushtarak në NATO dhe ishin vendosur marrëdhënie miqësore, marrëveshje ndërshtetërore me interesa të përbashkëta. Kjo periudhë “e ëmbël” ka perënduar duke u shtuar armiqësia me rrezikun potencial të përballjes ushtarake. Bashkimi Europian dhe sidomos Franca si fuqi bërthamore dhe Gjermania si fuqia ekonomike më e madhe, në bashkëpunim me SHBA, është e domosdoshme të veprojnë fuqimisht e me të gjitha mundësitë diplomatike për ndalimin e luftimeve dhe arritjen e paqes. Është pozitive që Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antoni Guerrera, dhe presidenti Erdogan ndërmjetësojnë, por detyra kryesore është e europianëve. Vlerësoj dhe mbështes qëndrimin e drejtë të SHBA dhe partnerëve të aleancës perëndimore për mos t’u përfshirë direkt në luftime, si dhe mos futjen e NATO në luftë që do të shkaktonte zgjerimin e konfliktit në shtetet e tjera dhe do të merrte përmasat e një Lufte të Tretë Botërore. Dëshira ideale është që Ukraina të fitojë luftën. Por duhet të jemi objektiv. Megjithë ndihmat e dhëna dhe plotësimin e kërkesave, Ukraina është në kushte të pabarabarta ushtarake dhe nën presionin e pushtimit nga një superfuqi. Bëhet një luftë vëllavrasëse midis rusëve, si një luftë civile, megjithëse mbrohet sovraniteti shtetëror dhe identieti ukrainas. Dëshirat kanë rëndësi për motivim. Forca zgjidh problemet. Ligjësitë vendosin e sqarojnë vendimet historike për drejtësinë apo padrejtësinë dhe mbeten në histori. Është më e arësyeshme që përparësi të marri ndalimi i luftimeve, marrjes së masave për të ndryshuar gjendjen dhe të jepet efektivisht ndihma maksimale njerëzore, si për Ukrainën ashtu edhe për refugjatët. Në kushtet që nuk arrihet ndryshimi i politikës ruse, të gjenden mundësitë për të mos përkeqësuar situatën. Më mirë një luftë e ftohtë, se lufta e nxehtë me gjakderdhje e shkatërrime katastrofike. Mendoj se për politikën ruse meriton vlerësim ish-kancelarja Angela Merkel dhe presidenti aktual Frank-Walter Steinmeier, pa nënvleftësuar kritikat për gabimet, që dalin nga zhvillimet aktuale. Po ta analizojmë me objektivitet atë periudhë, arrihet në përfundimin se gjatë mandatit të tyre, nuk kishte luftë, por paqe. Duke negociuar Marrëveshjen e Minskut të vitit 2014, Merkel kuptohet se parandaloi një luftë botërore. Aktualisht nuk ka ndonjë lider që të përkushtohet si Merkel për paqe dhe parandalimin e luftës. Është me vënd të njihen përpjekjet e Sholz i mbështetur nga Steinmeier, që megjithë kërkesat e partive bashkëqeverisëse, të opozitës dhe disa shteteve partnere, Gjermania të mos bëhet palë në luftë, mosfurnizimin me armë të rënda dhe mos ndalimin e fluturimeve për të parandaluar një luftë bërthamore. Shpresoj që të gjenden forca për të rikthyer arësyen në Kremlin për të ndaluar luftën në të mirën e rusëve dhe të rivendoset dialogu me BE, SHBA e NATO për të garantuar paqen e sigurinë në Ukrainë, kontinent dhe gjithë botën.