Prof Arben Zenelaj
Ish Drejtori i qendrës Universitare të Traumës
Prof. Dr. Panajot Boga, panteoni i mjeksisë shqiptare, një kollos i mjekësisë shqiptare, me mëndje, zemër dhe duar të arta. Themelues i shkollës shqiptare të ortopedisë dhe traumatologjisë që rrallë se përsëritet. Përkujtimore me rastin e 2 vjetorit të ndarjes nga jeta.
E nis me këto fjalë se natyrshëm kur shqipton emrin Panajot Boga ndjen jehonën e një personaliteti, që për vlerat dhe kontributin e dhënë imponon respekt dhe mirënjohje të përjetshme.
“Me mënçurinë, energjinë dhe këmbënguljen që e karakterizonte, së bashku me kolegët e tij profesor Panajot Boga ndërmori një nisëm të guximshme, e cila u pranua edhe nga autoritetet e larta të vendit”

Vlerësimi dhe mirënjohja burojnë prej përkushtimit dhe kontibutit më të lartë profesional dhe njerëzor ndaj popullit të tij në fushën e mjeksisë, si themeluesi i shkollës së traumatologjisë dhe ortopedisë moderne shqiptare dhe për mbështetjen dhe drejtimin e shërbimit me dijet, metodat dhe teknikat më bashkëkohore. Nga vlerat, talenti, kontributi dhe veprimtaria e shquar shkencore dhe Akademike në nivel Kombëtar dhe Ndërkombëtar si kirurg, shkencëtar dhe pedagog i përmasave Europiane.

Me kontributin në formimin dhe edukimin e brezave të rinj për t’u shërbyer vendit dhe qytetarëve me profesionalizëm dhe devocion, si shef modern i një shërbimi universitar, profesor Panajot Boga gërshetoi në nivel të lartë profesional, aktivitetin klinik, shkencor dhe petagogjik, Me këtë rast duhet përmendur se nga ekipi që krijoi Prof. Boga numërohen 7 mjekë me titullin Profesor.

Profesor Boga ka qënë në pararojë të të gjitha veprimtarive me karakter parandalues, mjekues, shkencor dhe pedagogjik.
Novacionet e tij të shumta u implementuan në praktikën ortopedike dhe traumatologjike dhe u ngritën në rang protokollesh, që u zbatuan me sukses në sallat e operacioneve.
Nën drejtimin e tij me përkushtim dhe kontribut të jashtëzakonshëm personal për dekada, ortopedia ka bërë rrugën e zhvillimit të pandërprerë duke u konturuar si një specialitet i fuqishëm dhe i shtrirë në të gjithë vendin.

“Profesor. Boga është autor i shumë librave të ortopedisë, duke qënë një shembull i veçantë për të gjithë ata që kan patur fatin të punonin me të.Prof. Boga nuk ishte ëndërrimtar.”
Duke vënë dorë në metodat bashkëkohore, për të gjitha patollogjitë e specialitetit e bëri klinikën e ortopedisë dhe traumatologjisë të ishte në pararojën e klinikave kirurgjikale të vendit dhe e krahasueshme me klinikat ortopedike të vendeve të tjera.
Me emrin e tij lidhen përparimet në trajtimin e sëmundjeve të lindura, në kirurgjinë pediatrike, në atroplastikë, në parandeze (endoprotezat), kirurgjinë e dorës, të këmbës, rikonstruksionin e artikulacioneve dhe reabilitimin. Një vëmendje të veçantë i ka kushtuar profesor Boga mjekimit të njërës prej anomalive kongenitale më të shpeshta në vendin tonë si Pes Equino Varus Congenitus, trajtimi i së cilës edhe në ditët tona mbetet i vështirë.
Në vitin 1964 ka futur teknika kirurgjikale si Bost, Evans dhe transplantimet muskulare etj…

Në vitin 1970 Komuniteti i ortopedisë dhe traumatologjisë në mbarë botën filloi të pësojë ndryshime të ndjeshme, aq sa shumë studiues e krahasonin me epokën e rilindjes në art. Në të njëjtën mënyrë si epokën e rilindjes shumë ortopedë nëpër botë kontribuan në këtë proçes. Prof. Boga është një ndër shëmbujt më të shquar të saj. Në klinikën e tij gjatë viteve 1970-1980 filloi profilizimi i punës mjekësore dhe shkencore sipas pathologjive dhe aparatit lokomotor.


Në praktikë u futën teknika të përpunuara shkencore të kohës si Dekortikacioni ostemuskular i Judet (P. Boga, 1967) dhe trajtimi i patologjive të shtyllës kurrizore dhe të medulës spinale, herniet diskale lumbare,që i hapën rrugën e trajtimit kirurgjikal të tyre. Së pari në këtë Klinikë në vitin 1965, Spondilolistezat (P.Boga, 1967) u bë trajtimi i deformimeve kifotike dhe skolitike të shtyllës kurrizore.
Prof. Boga ka dhënë kontibut të veçantë në trajtimin e të sëmurëve të traumatizuar dhe njëkohësisht ishte shumë aktiv në kërkimet laboratorike eksperimentale. Me emrin e tij lidhet edhe modifikimi i shumë instumenteve kirurgjikale ortopedike.
Zëvëndësimi endoprotetik i artikulacionit koksofemoral ka përbërë një kapitull madhor të ortopedisë moderne në këtë klinikë. Protezimi i pjesshëm (hemiarthroplastika) është kryer nga Prof. Boga në vitin 1971 dhe ai totali (Endoprotezimi), në vitin 1986. Këto proteza me cement metilmetakrilat ndërprenë vuajtjet për shumë pacientë me koksaartroza në vendin tonë.

Me mënçurinë, energjinë dhe këmbënguljen që e karakterizonte, së bashku me kolegët e tij profesor Panajot Boga ndërmori një nisëm të guximshme, e cila u pranua edhe nga autoritetet e larta të vendit. Si zbatim i propozimit të tij në Durrës u krijua qëndra kirurgjikale dhe e rehabilitimit për fëmijët e moshës 3 deri në 8 vjeç me luksacion, koksofemoral, (ndoshta unikale në atë kohë). Shumë shpejt kapaciteti për hospitalizimin e fëmijëve me luksacion arriti në 320 shtretër dhe ky shërbim u ofrua në spitalet Tiranë dhe Durrës. Në këto shërbime u operuan dhe rehabilituan gjatë 20 viteve disa mijëra fëmijë.
Njëkohësisht pa ndërprerë punën në klinikë jashtë orareve të punës, dhe pa shpërblime materiale ai organizoi depistimin e kësaj anomalie kongjenitale në shkallë vendi për të bërë të mundshëm diagnostikimin dhe trajtimin sa më të hershëm të saj.

Kjo punë kolosale rezultoi në modifikime dhe inovacione teknikash origjinale kirurgjikale, të cilat u prezantuan në kongrese ortopedike të vendit dhe në botë dhe u botua në mjaft revista të huaja prestigjoze.
Për të përfunduar doktoratën e tij me baza të thella shkencore ju deshën 7 mijë operacione me një punë kolosale prej 20 vjetësh, dhe paraqitja e saj në 2 volume me referencat më shkencore të kohës. La vërtet mbresa dhe krenari në rrethin shkencor dhe akademik të mjeksisë.
Profesor Boga është autor i mbi 100 studimeve dhe artikujve shkencor, të cilat janë botuar në revista shkencore, brenda dhe jashtë vendit, i 6 videokasetave filmike shkencore ortopedike: të prezantuara në Kongrese Europiane, i tre teknikave kirurgjikale personale: të prezantuara në kongrese Ortopedike Europiane dhe botërore dhe në shtypin shkencor ortopedik të huaj.

Këto punime i ka prezantuar në Kongresin e 46 të SOFCO në Paris, më 1971: në Kongresin e 59 të SOFCOT në Paris, më 1985: në Kongresin e 64 të Sofco në Paris, më 1989 në Kongresin e 35 të Ortopedisë në Bukuresht, më 1986 dhe në Kongresin e 69 të Sofco në Paris, më 1994.
Profesor. Boga është autor i shumë librave të ortopedisë, duke qënë një shembull i veçantë për të gjithë ata që kan patur fatin të punonin me të.
Prof. Boga nuk ishte ëndërrimtar. Ai ishte një njeri praktik, një njeri i veprimit dhe moto e tij ishte fjala PUNË.
Për meritat e tij të shquara profesionale akademike dhe njerëzore është vlerësuar me çmimin e “Republikës së Shkallës së parë” dhe urdhrin “ Mjeshtër i madh” dhe “ Nderi i Kombit”

Shërbimi i ortopedisë dhe traumatologjisë në spitalin Universitar të traumës mban emrin e nderuar Panajot Boga.
Duke lënë pas një trashëgimi të shquar, ai do të jetë një model frymëzimi për të gjithë bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij në punët e tyre të përditshme. Do të jetë një model kirurgu unikal, duke punuar deri në moshën 87 vjeçare me bisturi në dorë.
I paharruar qoftë kujtimi i këtij njeriu të madh, i profesorit tonë të dashur, mjekut të talentuar duarartë, shkencëtarit, njeriut të thjeshtë dhe human, që bëri të pamundurën për këdo që kish nevojë për të.

Fjalët janë të pakta në këtë rast, Prof. Boga është ikona e mjeksisë dhe do ta kujtojmë gjithnjë me respekt, mirënjohje dhe mall!





















