Prof. Dr. Alqi Naqellari : Zef Pepaj, Mirditori që i shërbeu gjithë Shqipërisë

374
Sigal

 

Daja i Zefit kishte marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës në mënyrë ilegale

Vitet e fundit ka pak njerëz, që shkruajnë apo kanë shkruar me kulturë dhe me argumente shkrime, të cilat nuk të lodhin kur i lexon, përkundrazi të sjellin respekt, mirënjohje dhe dashuri për personin, që i ka shkruar. Një libër i tillë është shkruar nga Mirditori Zef Pepaj, “JETA IME” kujtime. Është kjo arsye që e lexova me ngadalë dhe kureshtje deri në fund. Dy kapitujt e parë janë shkruar nga autori, ndërsa pjesët e tjera janë shkruar nga vajza e tij Marta Çekani (Pepaj). Libri është redaktuar nga mbesa e tij Greta Angjeli (Çekani). Menjëherë dallohet ndryshimi, pavarësisht se Marta ka shkruar me një gjuhë të pastër shqipe, me kulturë të gjerë, sidomos në fushën e historisë ku ajo vazhdon dhe plotëson më tej punën e nisur nga babai i saj Zefi.

Zef Pepaj lindi në 19 mars 1910 në Gojanin e Epërm nga Frrok Mark Pergjoni (Pepaj) dhe Rute Deda. U nda nga kjo jetë në vitin 1993 në Tiranë. Zefi jetoi në tre sisteme, në periudhën feudo-kapitaliste të Zogut, në sistemin socialist të Hoxhës dhe në fillimet e demokracisë.

  1. Çfarë ka libri që e bën të veçantë dhe të lexueshëm? Gjatë leximit, i cili është në formën e një ditari ku ka jetuar dhe punuar autori shikon sesi rritet një personalitet që i shërbeu me devotshëri atdheut të tij nga jugu në veri, pa u kursyer në çdo detyrë që i ngarkuan. Zefi është njeri idealist, që gjithë jetën e tij punoi intensivisht, pa u lodhur dhe pa u ankuar asnjëherë. Ai përshkruan në libër tipet dhe karakteret e njerëzve traditat dhe zakonet e tyre në qytetet dhe fshatrat që punoi. Ai si mirditor diti t’u përshtatet të gjitha zonave ku punoi e jetoi, që nga Tuzi dhe deri në Sarandë. Zefi shkruan me një gjuhë thuajse Migjeniane aq sa nganjëherë nëse nuk e di se kush e ka shkruar të duket se po lexon ndonjë fragment nga novelat e Migjenit. Bën përshkrime vendesh dhe njerëzish si një shkrimtar e studjues i vërtetë. U rrit me nënën që e donte aq shumë, që nuk e ndau kurrë nga vetja e tij, sepse baba e la të vogël. Zefi na jep të dhëna historike, emra njerëzish të dëgjuar, vendesh, fshatrash dhe pyjesh. Mirdita nuk paguante taksa – thekson ai. Kishte një marrëveshje me Turqinë sipas së cilës “kishte të drejtë të mbante armët pa asnjë kufizim e pa leje të posaçme dhe nuk paguante asnjë taksë”. Mirditasit i kanë shërbyer Turqisë, ata kanë marrë pjesë në luftrat e Krimesë që ka bërë Turqia me Rusinë, në luftrat me sllavët e jugut, që bëheshin në Kosovë, Bullgari, Rumani e deri në Selanik.

Në 1915 në Mirditë ranë bandat e Esat Pashë Toptanit, që bastisnin fshatrat. Mirditasit luftuan me ta dhe aty ku u varosën edhe sot vendit i thonë “varet e turkut”, sepse shqiptarëve myslymanë u thoshin turq. Mirditasit luftuan edhe kundër rebelëve të Esatit kur sulmuan në Durrës Qeverinë e Princ Vidit. Në 1916 në Mirditë erdhën austriakët, të cilët nuk ndërhynin në punët e brendëshme të krahinës.

Zefi përshkruan zakonet prapanike që kishte zona, për shitblerjen e nuseve me emra konkretë, sesi dy vëllezër shitën kunatën e ve me forcë për të fituar para. Frika e shitjes së nënës së tij, pas vdekjes së babës e shoqëroi gjatë. Në 1918 u vendosën në Shkodër te të afërmit e tyre. Zefi 8 vjeç filloi punë në famulli, ku priftërinjë e trajtonin keq. Në verën e 1921, e nxitur nga serbët, shpallet Kryengritja e Mirditës kundër Qeverisë së Tiranës me pretekstin se Marka Gjonit nuk ju dha ndonjë portofol në qeveri. Kryengritja në fillim pati sukses, zuri rob 200-300 ushtarë, të cilët i çarmatosi dhe i lëshoi. Qeveria e Tiranës dërgoi Bajram Currin si komandant operacional, por e tërhoqi shpejt atë, sepse kishte miqësi me krerët. Komandën e mori Ahmet Zogu, i cili ishte Ministër i Brendshëm.

Daja i Zefit kishte marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës në mënyrë ilegale pasi ushtria italiane kishte garnizonet e saj në Orosh e Lezhë dhe nuk donte që mirditorët të merrnin pjesë në këtë Kongres. Ai e vlerëson “Dajë” Gjokën se ishte i drejtë, i sinqertë, burrë i besës e me ndjenja shqiptarizmi, sa asnjë tjetër në Mirditë në atë kohë. Daja ishte kundër kryengritjes, ai ka bërë debat me Marka Gjonin. Në këtë debat Marka Gjoni i thotë se ne jemi kundër Zogut. Na lidhjet i kemi me Francën dhe ajo na ka thënë me dërgue përfaqësuesit tanë në Lidhjen e Kombeve, për të kërkuar formimin e Republikës së Mirditës. Kryengritja e Mirditës filloi në qershor 1921 dhe u shpartallua prej forcave qeveritare në shtator. Në muajin korrik Zef Ndreca paraqitet në Lidhjen e Kombeve në Paris, i shoqëruar nga mësuesi i tij serb dhe kërkuan njohjen e pavaruar të Republikës së Mirditës. Shtypi Francez e publioi këtë duke bërë edhe një pullë postare me teritorin e Republikës së Mirditës”.

Në 1922 u krijua Nën/Prefektura e Mirditës, në 1922 në Shkodër u çel Konvikti Malet tona ku u rregjistrua edhe Zef Pepaj në moshën 12 vjeçare në klasën e parë. Klerikët e feve të ndryshme ishin kundër krijimit të këtij konvikti që do mblidhte fëmijë me fe të ndryshme nga viset e veriut. Ai përshkruan vështirësitë që hasnin fëmijët në atë periudhë kohe, ndëshkimet që ju jepeshin kur bënin gabime. Tregon se një pjesë të tyre i ka takuar vite më vonë kur ishte me detyra të rëndësishme. Në 1925 përfundoi klasën e V dhe u regjistrua në klasën e VI franceskane. Në atë kohë shkollat ishin të ndara sipas feve. Zefi shquhej për korrektësi, për siguri në vetvete, si inteligjent dhe i dashur me shokët. Kur mësuesit nuk i jepnin notën që i takonte ai sypatrembur dhe i sigurtë në vetvete bënte debat dhe e kërkonte të drejtën deri sa ta fitonte. Drejtor i shkollës atëhere ka qenë Patër Anton Arapi. Në vitin 1926-1927 vazhdoi klasën e parë të gjimnazit të Shtetit në Shkodër me mësues kujdesar Prof. Ismail Anamalin,- si thekson ai- një burrë i pjekur, bujar, shpirtmirë, i matur, i edukuar në sjellje me të gjithë nxënësit…”. Drejtor i gjimnazit ishte Mirash Ivanaj. Në 1927-1928 bursa ju transferua në Gjimnazin Ushtarak të Tiranës. Në përfundim të klasës së VIII ai nuk pranoi të bëjë kursin dy vjeçar që organizonte shkolla, sepse kërkoi së bashku me një grup djemsh të tjerë t’u unifikohej shkolla e tyre me shkollën në Itali. Qeveria e Zogut i dënoi me 20 ditë burg ngaqë këta nuk pranuan të tërhiqen nga e drejta e tyre. Pas burgut u liruan. Zefi e përjetoi keq këtë situatë po si gjithnjë i sigurt në vetvete. Më 20 nëntor 1931 Zef Pepaj largohet përgjithmonë nga jeta shkollore.

  1. Ku punoi Zef Pepaj?

Puna e parë që ju ofrua ishte Sekretar i Komandës së Xhenjos Ushtarake në Milot ku ishte komandant një italian. Nuk pranoi të shkonte prej italianit, të cilët i kishte shumë inat. Fitoi një provim për sekretar komune. Në 1932 takoi Kapidan Gjon Marka Gjonin, mikun e Mbretit Zog, i cili e përgëzoi që nuk ishte ndarë nga shokët, që ishte treguar besnik si një mirditor i vërtetë. Kapidani ndërhyri te Musa Juka.

Zefi filloi punë më 4 shkurt 1932 në Prefekturën e Durrësit, Sekretar komune në Mamurras, N/Prefekturë e Krujës, që varej nga Durrësi. Gjatë kësaj kohe bën një kurs një vjeçar për fanteri. Pas kursit në tetor 1933 emërohet Kryetar i Komunës së Topalltisë të Prefekturës së Vlorës. Vlerëson bukurinë e vendit dhe pasurinë e tij, “Rrugës përsëri u mahnita nga bukuria e ullishtave, vreshtave e kodrinave…shprehet ai! Topalltia kishte 20 fshatra të cilat autori i përshkruan në mënyrë të hollësishme duke u ndalur në pajtimin e grindjeve midis fshatarëve dhe me bejlerët e Vlorës.“Ndeshja ime me bejlerët e Vlorës filloi menjëherë. Syrja beu qëndronte në Vlorë, në pallatin e tij madhështor, ndërsa djali i madh Eqerem beu ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, njeri i kulturuar e i zgjuar, dhelpër e vjetër me pozitë shumë të rëndësishme-vazhdon Zefi. Vëllai i tij Sefa ishte kryetar i Dhomës së Tregtisë Vlorë. Ky ishte i paditur e merrte rrogën kot pa bërë asnjë punë…”.Megjithë presionet nga qeveria Zefi ju dha të drejtë fshatarëve në përplasjet e tyre me bejlerët e Vlorës. Këtu u njoh me At Jorgji Minga vëllai i arsimtarit Jani Minga. Takoi Osman Haxhiun e Luftës së Vlorës, i cili e shoqëroi në takimin me Syrja Bej Vlorën me Rifat Armenin etj. Në periudhën e tij u ndërtuan disa shkolla. Zefi u fejua dhe u martua me të bijën e Tom Stambollës me banim në Vlorë, por me origjinë nga Shkodra.

Në 1937 filloi punën si Kryetar Komune në Dhrovjan, i cili përfshinte fshatrat Muzin, Krongjin, Dhrovjan, Leshnicë, Cerkovina, Janica, Llazat. Një pjesë e këtyre fshatrave janë minoritarë. Kështu Zef Pepaj nga një krahinë e Labërisë shkon në një vend ku nuk i njeh zakonet dhe gjuhën, por ai është mësuar t’u përshtatet njerëzve dhe zonave. Ishte krahinë e pasur me shumë kurbetllinj.“Në këto fshatra kishte popullsi të qytetëruar” – thekson ai. Kishte shumë pak burra mbasi ishin në mërgim. Ishte një fshat intelektualësh të zot, të mirë e të ndershëm. Në nëntor 1938 fillon punë si Kryetar Komune i Klasit të parë në Nën/prefekturën e Himarës. Ja si e fillon përshkrimin për Himarën: “Tashti që fillova të jetoj midis këtyre njerëzve trima, bujarë e të sinqertë, fillova t’i njoh më mirë dhe të shof e ndjej psikologjinë e tyre. Himariotët si burrat dhe gratë ishin trima me karakter e moral të pastër e të lartë, të sinqertë, të dashur e mikpritës”.Himara i kishte shtëpitë si kala. Kishte vreshta dhe ullinj”. Përfshinte Himara lagjen Spile, Pilurin, Kudhësin e Qeparonë. Zefi e fitoi shpejt simpatinë e këtyre njerëzve punëtorë e të drejtë. Ai u përball me përgjegjësin e tatimeve që përcaktonte çdo vit taksat e kafeneve, dyqaneve e sipërmarrjeve të tjera. Ai ua uli dhe një pjese ua hoqi fare tatimet, që kishin paguar dhe këtë gjë e bëri, sepse sistemin tatimor e kishte njohur që në Topallti. “Populli i Himarës – thekson-  më respektoi jashtë çdo mase e natyrisht dhe unë i desha, i respektova e u shërbeva me gjithë zemër”. Pushtimi i Shqipërisë e zuri në Himarë. Oficeri që drejtonte kompaninë e borsalierëve i tha Zefit se kishte respekt për shqiptarët, sepse ai i kishte njohur në Kalabri. Zefi  kur u largua nga Himara për ta përcjellë doli gjithë Spileja dhe shumë burra e gra nga Himara e Vjetër. Nuk qëndroi gjatë në Himarë dhe u transferua në Dukagjin.

Në shtator të vitit 1939 u transferua në Dukagjin, Nën/Prefekt në Dukagjin në Prefekturën e Shkodrës. Nën/Prefektura e Dukagjinit kishte katër Komuna, Shllakun, Shoshin, Nikaj- Mërturin dhe Shalën. Interesante është këtu se në Shosh ishte Kryetar Komune Abas Shehu nga Bënça e Tepelenës së bashku me gruan e tij, Xhevon. Abas Shehu mori pjesë në luftë ku edhe u vra. Ai është shpallur ‘Hero i Popullit’. Abas Shehun e vlerëson me karakter të fortë dhe trim. Në këto krahina ashtu si në Shkodër lufta fetare është e ashpër, në këtë mënyrë Zef Pepës i duhej të përdorte zgjuarsinë dhe përshtatjen e tij natyrale, të bënte debate ballë për ballë, takime të përditëshme me njerëzit, t’u fliste dhe t’i sqaronte ata, sepse kishte një arsimim më të ulët se në jug ku ai kishte shërbyer për rreth 10 vjet. Ai u përball me Pater Bernardin Palaj, që kishte miq italianët, pasi në këtë kohë Shqipëria ishte e pushtuar nga italianët. Zefi u ndesh me absurditete të tilla saqë kur i lexon sot në libër nuk i beson: “E futën në burg zotërinë, sepse në dasmën e tij vajti një angleze. Kur para okupacionit ishte martuar Zef Kola, i kishte ardhur në dasëm një angleze, që duhet të ketë qënë Mis Durham, që shetiste në këto anë duke mbledhur folklore e ndoshta dhe me traditë spiunazhi si e kanë traditë anglezët. Ajo duke përfituar nga rasti, kishte shkuar në dasëm, kishte bërë shumë fotografi e kishte shkruar këngë e zakone të vendit dhe pastaj ishte larguar. Ja pra për këtë ishte raportuar se Zef Kola ishte mik i Englezëve”. Duhej ndërhyrja e Zefit, oratoria e tij, logjika dhe argumenti, njohjet e shumta, njohja e gjuhës italiane  që ai të nxirrte nga burgu Zef Kolën.

Në muajin maj 1942 u transferua në Nën/Prefekturën e Sarandës. Në atë kohë ajo ka pasur 2000-3000 frymë pasi një pjesë ishin larguar nga lufta Italo-Greke. Buka në këtë periudhë varfërie gatuhej vetëm me miell misri. Zefi fitoi simpatinë e popullatës së Sarandës, kur pezulloi gatimin e bukës së grurit në furrën e qytetit për një pjesë njerëzish të pasur. Nëse doni bukë gruri ju tha gatuajeni në shtëpitë tuaja.

Këtu ndenji pak sepse u transferua në Komunën e Tuzit të Prefekturës së Shkodrës.

Në dhjetor 1940 filloi punë në Nën/Prefekturën e Tuzit, si zonë shqiptare e çliruar nga ana e italianëve. Autori këtu u ndesh me një psikologji tjetër. “U vendosa me familjen në Tuz, dhe nuk do t’i harroj kurrë ato pak ditë që qëndrova atje, që populli ishte i etur për autoritete të gjakut të tij, dhe nuk bëhej dasëm e festë pa qenë edhe neve në mes të tyre, sa pihej kafeja e rakia burrat qanin dhe gratë e fëmijët na përqafonin me dënesë”. Edhe në Tuz, Zefi mbajti një qëndrim të drejtë si me malazezët ashtu edhe me shqiptarët duke zgjidhur me drejtësi konfliktet e hapura midis tyre.

Në dhjetor 1942 fillon në Krujë Nën/Prefekt. Krujën e njihte qysh më herët, sepse kishte qenë nën Sekretar Komune në Mamuras. “Por -thekson- kishte dy veçori, e para ishte qyteti i kryeministrit Mustafa Krujës, kështu që këtu familja Merlika bënte ligjin e vet dhe nuk kishte njeri ta kundërshtonte. Një Merlikas ishte sekretar i Fashios, Reshit Merlika ishte Federal i Durrësit nga varej edhe nënprefektura. Pavarësisht kësaj situate Zefi i vihet punës, si gjithmonë me pasion, përgjegjësi e drejtësi. Krijoi barazi në shpërndarjen e mallrave të pakta. Nuk lejonte që ndokush të privilegjohej në shpërndarjen e tyre pavarësisht nëse ishte vëllai apo nipi i njerëzve me pushtet. Që në muajin e parë ai çliroi nga akuzat tre persona, njera prej të cilave ishte femër dhe e vetmja që në Krujë punonte në punë shteti, në postë. Akuzohej se përcillte ide komuniste te gratë. Zefi takohet me Mustafa Krujën në mars të 1943. Para këtij takimi për festën e Bajramit kishte respekt për kryeministrin, por mbas takimit ndryshoi mendim. E cilësoi si njeri që merret me vogëlsira.

Në maj të 1943 e transferojnë Nën/Prefekt në qytetin e Fierit. Fieri në atë kohë ishte qendra e terrorit në Shqipëri. Komanda e Ushtrisë Italiane kishte kapur një të burgosur, kriminelin Isa Toska. I kishte vënë në dispozicion tanke e autoblinda, i kishte ndërtuar një shtëpi-kala. Ky kriminel rrëmbente njerëz i vriste dhe ju merrte paratë. Ky njeri masakroi një familje të tërë nga Klosi i Mallakastrës me pretekstin se strehonin partizanë. Zefi këtë ngjarje dhe ngjarje të tjera kriminale ja raportonte të gjitha Ministrisë së Brendshme, por asnjëherë nuk mori përgjigje. Si Isa Toska ishte dhe Thanasi që hartonte vetë letra, sikur ua nisnin prindërit fëmijëve partizanë, pastaj i kapte këta prindër dhe i vriste në mes të pazarit. Në 12 shtator 1943 Italia kapitulloi. Ushtarët i strehoi populli shqiptar, nuk i vrau.”Ah ironi e fatit – thotë autori- që historia duhet ta shkruajë me gërma ari këtë bujari humanitare të shqiptarit. Porositë e partisë ishin që ushtarët janë viktima të fashizmit e pra duhej t’u jepej ndihmë si bij të popullit italian që nuk e donte luftën dhe shtypjen. Në 14 shtator erdhën gjermanët. Menjëherë dhanë urdhër që ushtarët italianë të vendosen në fushë. Bashkë me ta ishte edhe krimineli Isa Toska me të vëllanë i armatosur. Zef Pepaj i thotë me përkthyes Komandantit gjerman se këtu janë dy njerëz të rrezikshëm, kriminela të armatosur. Ai dërgoi tre veta të cilët vranë vetëm vëllain e tij, por që më vonë u vra edhe ky. Të njëjtin fat pësoi edhe Thanasi. Zefi flet për korektësinë e gjermanëve.

Ditë më vonë ai shpëtoi edhe një grup njerëzish, që ushtarët gjermanë i kishin vendosur buzë një rruge dhe deshën t’i vrisnin. Këtu flet edhe për ballistët, që bashkëpunuan me gjermanët. Zefi në bashkëpunim me partizanët për 100 napolona flori morën nga italianët magazinat e mbushura me materiale ndërtimi. Pas çlirimit me atë bazë materiale u ndërtuan dy ura dhe u meremetua edhe një tjetër. Në fillimin e 1944 Zef Pepaj takohet me Rapo Dervishin, përfaqësues i grupit të Mallakastrës ku angazhohet me grupin e grumbullimit të ndihmave për partizanët.

Në gusht 1946 fillon punë si Sekretar i Minierës së Serës në Selenicë deri në gusht të 1948. Këtu e pushuan nga puna. Më vonë i theksuan se ishte veprim i Koci Xoxes me qëllime të caktuara.

Punoi 10 ditë në kripore.

Punoi në Vlorë si llogaritar Konvikti deri në 1950.

Në fund të vitit 1950 filloi punë si Llogaritar Ndihmës i Seksionit Financës në Degën e Plan Financës të Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Në vjeshtën e vitit 1953 u transferua  në Ndërmarrjen e Shtypshkronjave e botimeve Kryellogaritar i Planit Financiar ku punoi deri në 1958. Vazhdoi në Mihal Duri deri në 1961.

Në korrik 1961 fillon punë si Kryellogaritar i Drejtorisë së botimeve shkollore deri në 1971, vit që doli në Pension.

Zef Pepaj vazhdoi punën me plotësim page deri në 31 mars 1982. Në momentin e largimit – thekson-  m’u kujtua një proverb latin.

1.Nosce te ipsun(Njihe vetveten)

2.Memento huomo: Pulvis et numbra eris et in pulvis et umbra riveretis(Mendo o njeri se hi e pluhur ishe e në pluhur e hi do kthehesh).

3.Cotidie mutamur; necfurimin guod hodiesurumus, nec craserimus(Çdo ditë ndryshohemi, nuk qemë dje çka jemi sot, dhe nuk do jemi nesër çka jemi sot)

Çfarë e kanë bërë të lumtur këtë njeri që i shërbeu atdheut nga Tuzi në Dhrovjan?

E para, disa ditë pas çlirimit të Fierit 5-6 nëpunësve Këshilli NaÇl na dha nga 25 kg miser, sepse kishim disa muaj pa paga. E dyta, kur më dha një Fletë Lavdërimi Fronti i Lagjes. E treta, kënaqësi morale shumë e madhe kur më akordoi Kuvendi Popullor “Medaljen e Punës”.