Prof. Dr. Ago Nezha: Arben Malaj, majë mali e ekonomisë shqiptare. Origjina, gur themeli për identitetin e njeriut

1350
Sigal

Rrënjët e origjinës sa më shumë “vaditen”, aq më shumë e lartësojnë njeriun në identitetin e vet. Origjina e familjes së Profesor Arbenit, është nga fshati Allkomemaj i Tepelenës. Babai i tij Qamil Malaj, është vendosur në Tiranë, para çlirimit të vendit. Ndjenjat e tija patriotike, si një trashëgimi familjare, e shtynë që të marrë pjesë aktive në luftën Nacionalçlirimtare, duke u rreshtuar si partizan në Brigadën e 8-të Sulmuese. I përfshirë në këtë formacion luftarak, ai ka marrë pjesë edhe në luftimet në Kosovë, që vazhduan deri në vitin 1945. Veprimtaria e tij patriotike në fushën e luftës, është motivuar me disa dekorata për sakrificat dhe trimërinë që ka treguar në frontin e luftimeve. Pas mbarimit të luftës, për cilësitë e tija luftarake dhe inteligjencën natyrale, u dërgua në shkollën “Skënderbeg”, që e kreu me rezultate të shkëlqyera. Mbas mbarimit të shkollës ushtarake shërbeu për një periudhë të gjatë në ishullin e Sazanit, ku tregoi aftësitë e tija si ushtarak dhe klasin e tij intelektual. Si shumë kuadro të ushtrisë,

që për motive xhelozie dhe konkurrence, pati fatin e keq që në vitin 1956, të përjashtohet nga partia dhe të lirohet nga ushtria. Gjatë kohës që shërbeu në ishullin e Sazanit, familja e Qamilit, ishte e vendosur me banim në Vlorë. Pas lirimit nga ushtria, duke pasur parasysh përbërjen familjare, me shumë fëmijë, me një kosto të lartë jetese, gjeti si zgjidhje oportune zhvendosjen në fermën bujqësore të Llakatundit, ku punoi si mekanizator. Zhvendosja në Llakatund e familjes Malaj, rezultoi si një zgjidhje e menduar mire dhe me avantazhe për gjendjen familjare të Qamilit. Llakatundi për kohën, ishte një qendër e madhe ekonomike dhe arsimore e kulturore. Profesor Arbeni, tregon me nostalgji për vitet që ka kaluar në Llakatund dhe flet me shumë mirënjohje për cilësitë e larta njerëzore të banorëve të asaj zone, që e kanë inkurajuar e mbështetur në tërë veprimtarinë e tij për tu arsimuar e kualifikuar në fushën ekonomike, si dhe në karrierën e tij të lartë si Deputet e Ministër, në disa ministri.

Arsimimi

 

Profesor Arben Malaj, u lind në 19 Shtator të vitit 1961, në qytetin e Vlorës. Meqenëse dy vëllezërit e tij Selami dhe Muhameti, kishin marrë të drejta studimi nga shteti dhe ishin diplomuar për agronomi respektivisht në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Korçës, Profesor Arbeni, sipas kritereve të kohës u privua nga e drejta e studimit. Në këto kushte të diktuara nga kriteret e kohës, ai u detyrua të vazhdojë arsimin e mesëm ekonomik pa shkëputje nga puna, pranë Gjimnazit “Halim Xhelo” në Vlorë. Njeriut të zgjuar e talentuar natyralisht, sado t’i vesh barriera për ta penguar në rrugën e tij për të marrë dije, ai nuk ndalet, ngjan me lumin e rrëmbyeshëm që merr ç’gjen para e hap shtigje dhe kapërcen pengesa për të dalë në breg të suksesit. Kështu ndodhi dhe me Profesor Arbenin që, edhe pse në kushte të vështira social-ekonomike, arriti që të marrë rezultate të larta, premisë kjo, që i çeli rrugën për në universitet. Në vitin 1986, u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës, në degën e Financës. Rezultatet e tija të larta, prirjet intelektuale që spikatën qysh në shkollë, hapën autostradën e dijes, ku ai do garonte i suksesshëm në çdo hap të jetës së tij.

 

Titulli “Doktor i Shkencave Ekonomike” dhe Profesor

Nuk është rastësi, që për një periudhë të shkurtër të ushtrimit të profesionit të ekonomistit, në vitin 1997, arriti të marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike” duke

mbrojtur temën “Ndërmjetësit Financiarë dhe Tregu Informal në Shqipëri”, pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Startin e shkencës, nuk e ndali në këtë stacion, por vazhdoi të

ngjitë me insistim shkallët e kualifikimit në majat më të larta. Me punimet e tija shkencore dhe publikimet e bëra në revista dhe buletine shkencore kombëtare e ndërkombëtare arriti që në vitin

2002, të marrë titullin shkencor Profesor i Asociuar dhe në vitin 2016, titullin e lartë, Profesor Doktor i shkencave ekonomike. I gjithë ky kapital shkencor, që ka ardhur natyrshëm në rrugë

institucionale, e ka pajisur Profesor Arbenin me dije dhe kulturë ekonomike të admirueshme, që sot konkurron në elitën e ekspertëve të ekonomisë kombëtare. Karriera profesionale e Profesor Arbenit është një minierë e pasur, ku gjen përgjigje për shumë probleme të politikave ekonomike në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Aktiv në media

Ai, është tepër aktiv në median e shkruar dhe atë vizive. Merr pjesë gjallërisht në debate e opinione me intelektual të fushave të ndryshme, ku shfaqet gjithmonë me qëndrime të qarta e parimore, pa bërë kompromise klienteliste apo militantiste. Ky prezantim, ja ka rritur prestigjin dhe autoritetin në sytë e opinionit shoqëror, e veçanërisht atë intelektual. Profesor Arbeni, është tejet elokuent dhe me një oratori të shprehur e kompetencë profesionale të admirueshme, që buron nga bagazhi i tij i pasur teorik dhe eksperienca jetësore. Këtë dhunti të fjalës së mençur dhe qartësisht të kuptueshme që e transmeton mjaft mirë te shikuesit, e ka bërë që të pritet me interes dhe kënaqësi nga komuniteti i gjerë shoqëror e intelektual, ndryshe nga shumë ekspertë dogmatik, e anakronik, që paraqiten si kloun partiak të mërzitshëm në ekranet televizive. Cilësitë individuale, i kanë dhënë atij një erudicion të shprehur, me fjalë të qartë, të gdhendur bukur dhe lakonike. Kjo paraqitje vërteton më së miri sentencën e Tolstoit të madh, që thotë se: “Paqartësia e fjalës është paqartësi e mendimit”. Kur shikon CV-në e Profesor Arben Malaj, mrekullohesh dhe befasohesh për larminë dhe shumëllojshmërinë e veprimtarisë së tij, që të ngjall zili, për lartësinë ku është ngjitur, falë punës së tij të palodhur dhe ekzigjencave intelektuale. Performanca e tij intelektuale, është gjithfarëshe. Ka kontribute të çmuara jo vetëm në fushën e ekonomisë, që është një ekspert ekselent, por edhe në fushën e politikës, të arsimit të lartë dhe të shkencës. Kjo nuk është një rastësi. Ai beson, se dija është lokomotiva që e shtyn

shoqërinë përpara drejt majave të suksesit. Nuk ka gjë më të çmuar se kur arrin të jesh vetvetja, falë energjive të tua të investuara dhe kur intelektin tënd e përdor për përparimin shoqëror,

brenda lirisë njerëzore. Fjala të mëson, shembulli të udhëheq në veprimtari pozitive. Profesor Arbeni, nuk ka ditur kurrë që ta ndajë fjalën nga veprat, ndaj është ngjitur shumë shpejt në

majat e arsimit dhe të shkencës, duke fituar shumë tituj të lartë profesional e shoqëror. Gjatë karrierës së tij të pasur profesionale e shoqërore, Profesor Malaj ka dhënë kontributin e tij të vyer si në fushën akademike ashtu edhe në shërbim të sektorit publik.

Profesor Malaj, me profile të ndryshme shoqërore

Jeta dhe veprimtaria e Profesor Arbenit, është sa e larmishme, aq dhe e pasur në koloritin e vet. E ka nisur karrierën e tij profesionale si përfaqësues financiar në Bankën e Shqipërisë, dega

e Vlorës në vitin 1986-1992, ku shfaqi prirjet e tija profesionale gjithmonë në rritje. Është dalluar mes kolegëve të bankës, si një financier me njohuri të thella teorike e praktike dhe aftësi menaxhuese e drejtuese, gjë që e pozicionoi si Drejtor Ekzekutiv të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, dega Vlorë, në vitet 1992-1993, detyrë që e kreu me sukses të dukshëm. Në procesin e drejtimit në sektorin bankar, u afirmua hap pas hapi si një nga ekonomistët më

të shquar të sistemit financiar-bankar, premisë kjo që i hapi rrugën për të filluar si pedagog në vitin 1993, në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Ekonomik. Gjatë periudhës 1993-1995, ka punuar si Drejtor Rajonal për Tiranën i SME. Kalvari i tij i gjatë profesional, ka vazhduar në detyrën e Drejtorit Rajonal për Tiranën i EU Phare Program. Aktiviteti i tij i vrullshëm, është shoqëruar duke qenë Konsulent Financiar për shumë kohë. Në vitet 1995-1997, ka punuar si Guvernator i Shqipërisë për Bankën Botërore. Ai, ka pasur disa detyra të rëndësishme në qeverisje të ndryshme të spektrit të majtë, me ndikime përcaktuese në jetën e

vendit. Do të veçonim ato më pikantet, si Ministër i Financave në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, Mars-Korrik 1997, Ministër I Financave në Qeverinë e Aleancës për Shtetin, gjatë periudhës

Korrik 1997, Shtator 1998. Në vijim ka qenë Kryetar i Delegacionit Shqiptar të Iniciativës së Evropës Qendrore 1999-2001, si dhe Kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Financat,

dhe Privatizimin në vitet 1998-2001, Kryetar i Komisionit Parlamentar dhe Tavolinën e Rrumbullakët Ekonomike për Paktin e Stabilitetit, në vitin 2000. Në vitet 2002-2003, ka qenë Ministër i Ekonomisë. Njëkohësisht ka qenë sërish ministër i Financave Dhjetor 2003- Shtator 2005, duke shërbyer dhe si Guvernator i Shqipërisë pranë Bankës Botërore. Është zgjedhur me vota unanime, Nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat në Shtator të 2005. Në të gjitha pozicionet drejtuese ku është angazhuar në qeverisjen e vendit, ka treguar shkallë të lartë profesionalizmi, njohje të thellë të sektorit që mbulonte, si dhe një frymë të shëndoshë humane. Ka qenë një organizator I talentuar, duke vënë në lëvizje resurset njerëzore dhe kapacitetet intelektuale, për ti hapur rrugën zhvillimeve bashkëkohore të ekonomisë.

Në periudhën 1997-2013, ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ku me performancën intelektuale dhe për cilësitë e tij të spikatura si njohës i thellë i shkencave ekonomike, ka qenë me disa detyra të rëndësishme parlamentare: Si anëtar, zëvendëskryetar dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Në vitin 2001, ai ka qenë Kryetar i Delegacionit të Kuvendit Shqiptar në Parlamentin Evropian. Profesor Arben Malaj, është bashkëthemelues dhe ish-President i Institutit të Politikave Publike dhe Mirëqeverisjes. Prej vitit

2015, është edhe koordinator i Këshillit Ekonomik të Bashkisë së Tiranës. Njëkohësisht si njohës i mirë dhe ekspert i sistemit financiar e bankar, është zgjedhur anëtar i Këshillit mbikëqyrës

të Bankës së Shqipërisë, në Korrik të vitit 2016.