Prof. Bernard Zotaj: Xhevat Lluri, një jetë në shërbim të Atdheut

182
Sigal

Si aktivist promovoi vlerat e labëve, duke qenë dhe kryetar i nëndegës së ShKA “Labëria”, i Njësisë nr. 3.

Xhevat Lluri – një jetë në shërbim të atdheut

(Homazh për Xhevat Llurin, ushtarakun madhor, anëtarin e denjë të shoqatave, patriotin- zemër zjarrtë)

Prof. Asoc. Br. Bernard Zotaj

Kryetari i shoqatës “Labëria”, Dega Tiranë

“Mirënjohja e Labërisë” për Xhevat Llurin është e përjetshme

 

Vite më parë shoqata “Labëria”, dega Tiranë organizoi një promovim të veçantë, për të vlerësuar dhe nderuar patriotin, veprimtarin e palodhur dhe njeriun fisnik, Xhevat Lluri, me “Mirënjohjen e Labërisë”. Ishte një vlerësim i merituar që ju bë, sepse Xhevat Lluri shquhej si patriot, pasi në tërë veprimtarinë e tij ai nderonte dhe vlerësonte patriotët e vendit dhe të krahinës së tij. Për vite të tëra punoi, studioi, shkroi dhe promovoi figura atdhetare të shquara të vendit dhe të Labërisë. Kështu me punë dhe me përkushtim të palodhur bëri që të përjetësohet në bust prej bronxi patrioti Bajram Ligu (Prongjia), i njohur në historinë e kombit shqiptar si atentatori i vrasjes së bimbashit turk në mars 1908 në Gjirokastër. Kush tjetër më mirë se Xhevati mund ta bënte këtë veprim patriotik?

Xhevati ishte veprimtar i palodhur ku tek ai spikati serioziteti dhe preokupimi i vazhdueshëm, ku si aktivist promovoi vlerat e labëve, duke qenë dhe kryetar i nëndegës së ShKA “Labëria”, i Njësisë Administrative nr. 3. Me nisiativën e tij ngriti nëndegën, që menjëherë ju përgjigjën thirrjes së tij dhe mjaft lebër, që u organizuan në shoqatën “Labëria”. Bashkë me ta punoi dhe ngriti vlerat dhe virtytet më të mira të krahinës së Labërisë dhe të labit në kryeqytetin shqiptar.

Xhevati ishte si lab e njeri fisnik, me veti të larta morale, duke shfaqur në jetën e tij bujari, solidaritet, përkushtim ndaj punës, dashuri për njerëzit, cilësi dhe karakteristika që e bënë të nderohej nga të gjithë, nga shoqata “Labëria”, nga organizatat e veteranëve dhe e Dëshmorëve të Atdheut. Këto cilësi dhe vlera të tij, ne miqtë dhe labët e Tiranës në punën tonë shoqërore të përbashkët i kemi ndjerë, prekur dhe vlerësuar. Ndaj dhe dega e Tiranës së bashku me kryesinë e shoqatës “Labëria” e vlerësuan me meritë me “Mirënjohjen e Labërisë”. Promovimi i këtyre vlerave dhe i këtij njeriu model, si Xhevat Lluri prej shoqatës morën një dimension dhe vlerësim të cilësive të këtij intelektuali dhe veprimtari të palodhur në jetë. E pamatur është jo vetëm dashuria e tij ndaj trevës së Labërisë, por më së shumti, aktiviteti i tij patriotik, që përbën pikën më kulmore të veprimtarisë së çmuar. Kjo mirënjohje është e përjetshme pasi Xhevat Lluri na ka lënë mjaft vepra, kujtime dhe fjalën e ëmbël dhe të mirë kudo ku punoi dhe jetoi…

Jeta e Xhevat Llurit

Xhevat Lluri u lind më 15 qershor 1939 në fshatin Prongji të krahinës së Kardhiqit të rrethit të Gjirokastrës. Familja dhe fshati ku lindi dhe u rrit, e mëkoi me atdhedashuri për Atdheun dhe për patriotët e tij. Familja e tij ka rrënjë të thella patriotike dhe me kontribute për çështjen e lirisë e pavarësisë së Atdheut.

Pasi përfundoi arsimin fillor e 7 vjeçar në Prongji, vijoi arsimin e mesëm në Teknikumin Bujqësor në Fier në vitet 1954-1958, në përfundim  me rezultate të shkëlqyera. Duke ju përgjigjur atdheut, kryer shërbimin ushtarak në vitet 1958-1960, në Elbasan. Pas ushtrisë kreu një kurs profesional, për të vijuar shkollën e oficerëve në Tiranë, ku në vitin 1961 titullohet oficer.

Shërben me korrektësi në organet e Punëve të Brendshme në disa rrethe të Shqipërisë, ku e kërkonte detyra, nderi, Atdheu. Xhevati i apasionuar pas studimeve, përfundon me rezultate të larta Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitin 1976 dhe titullohet “Jurist”. Midis viteve 1971-1992 shërbeu në aparatin qendror të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke marrë nderim, respekt dhe konsideratë nga eprorët dhe vartësit. Koha e demokracisë e gjen Xhevat Llurin relativisht në moshë të re. Pas vitit 1992 del në rezervë me gradën ushtarake “Nënkolonel”. Gjatë punës në ushtri u vlerësua me dy urdhëra dhe një medalje të dhëna nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Pas një karriere ushtarake 36 vjeçare, në vitin 1994 del në pension. Por Xhevati, një njeri i shoqërisë dhe patriot, u angazhua me detyra shoqërore në shërbim të komunitetit në Tiranë, por pa hequr vëmendjen nga krahina e Kardhiqit, nga Prongjia dhe nga Gjirokstra. Menjëherë u lidh me Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it si pasardhës veterani dhe me Organizatën e dëshmorëve të Atdheut, njëkohësisht ishte dhe anëtar i shoqatës “Labëria” në Tiranë. Duke qenë anëtar i kryesisë të Degës Tiranë, në vitin 2016 zgjidhet kryetar i nëndegës së Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, “Nderi i Kombit”, për Njësinë Administrative nr. 3, në Tiranë. Më 8 dhe 9 dhjetor 2018 ka qenë delegat i rrethit të Tiranës në Kuvendin e VI-të të SHAK “Labëria” që u mbajt në Vlorë.

 

Biri i Prongjisë nderon Bajram Ligun

Në korrik të vitit 2018, në Prongji të Gjirokstrës u mblodhën bij dhe bija të fshatit për të nderuar e përkujtuar atdhetarin e madh, birin e fshatit Barjam Ligu (Prongjia). Ai u përjetësua në bust prej bronxi. Barjam Ligu si një figurë patriotike, për shumë vite ishte lënë në harresë. Aktiviteti i tij në shërbim të çështjes atdhetare ishte i gjerë dhe i shtrirë në kohë. Veprimtaria atdhetare e tij zë fill si luftëtar i çetës patriotike të heroit Çerçiz Topulli. Ai ka qenë pjesënarrës në të gjitha luftimet e zhvilluara nga kjo çetë patriotike. Figura e Bajram Prongjisë mori përmasa dhe u bë i njohur në kohën kur vrau bimbashin turk në mars të vitit 1908. Aktin e kreu Barjam Ligu së bashku me Hito Lekdushi. Që këtej ata u gdhendën në memorien historike të atdheut. Aktiviteti dhe veprimtaria e Barjam Ligut ka vazhduar deri sa iku nga jeta. Me ndryshimet demokratike pas viteve 1990, vajza e tij, Zilika Xhelili, bëri përpjekje duke grumbulluar dokumente për jetën dhe veprimtarinë e tij patriotike. Ka bërë dhe një kërkesë për ta shpallur “Dëshmor të Atdheut”, por ende kërkesa nuk është shqyrtuar…

Veterani patriot Xhevat Lluri ndërmori nismën për ta përjetësuar në një monument, nisur nga kujtimet e babait, i cili kishte marrëdhënie me Bajramin që nga koha kur ishte luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit. Çeta u strehua në Prongji e ndjekur nga koshadhët turq. Riza Ligu e mori në mbrojtje çetën dhe e strehoi tek shkëmbi i mjaltit. Kjo shpellë sot quhet “Shpella e Çerçizit”. Babai i Xhevatit ka dhënë një intervistë në televizionin shtetëror në vitin 1975, duke shpjeguar hollësisht shumë detaje të jetës së Bajramit dhe momentet e fundit të jetës së tij.

Në vitin 2006 kur u promovua libri mbi historikun e fshatit Progjri, Xhevat Lluri, vendosi për ta përjetësuar figurën e patriotit Barjam Ligu në një bust prej bronxi. Këtë ai e bëri të njohur tek të gjithë bashkëfshatarët, të cilët kontribuan për ngritjen e bustit. Ndihmesë të dukshme kanë dhënë dhe nënkryetarët e shoqatës “Labëria” Agim Çiraku dhe Robert Çelo. Gatishmëria u tregua edhe nga kryeplaku i fshatit Ziver Haxhiu, i cili mundësoi ndërtimin e bazamentit të bustit. Bustin e patriotit Bajram Ligu e zbuloi veterani dhe patrioti Xhevat Lluri.

 

Pse shkrova për Xhevat Llurin ditën e lamtumirës…

E ndiej detyrimin moral për të shkruar për një anëtar të denjë të shoqatës “Labëria”, por dhe për një patriot si Xhevat Lluri, i lindur në Prongji të Kardhiqit, në vatrën e një familjeje patriotike, ku lindi natyrshëm, si djalë i zakoshëm, dhe që eci në rrugëtimin e jetës, dhe të bëhet një figurë e shquar dhe atdhetar i zjarrtë!

Në rrugëtimin e karrierës së tij 36 vjeçare si oficer, dhe më pas në veprimtarinë e tij si aktivist e veprimtar shoqëror, dukshëm u shfaqën cilësitë e larta morale që e karakterizuan në tërë karrierën e jetën, ku spikatën dashuria, dashamirësia e respekti për cilindo, thjeshtësia e rrallë, i vëmendshëm ndaj kujdo e i gjendur për këdo, i sjellshëm, kurdoherë korrekt, i ndershëm, i çiltër, i hapur, i sinqertë me të gjithë. Xhevati ishte një burrë fisnik, një shok e mik i rrallë, ai ishte njeri me mëndje e zemër të madhe.

Në veprimtarinë shoqërore tek ai spikatën kontributi i tij i çmuar në organizatën e Veteranëve lidhur me përpjekjet e vazhdueshme për të pasqyruar edhe me foto të gjithë veprimtarinë e kësaj organizate lavdimadhe, kontrubuti atdhetar në ide, mendime, studime e realizime për figura atdhetare të kombit, si dhe kontributi i shquar dhe i dukshëm në Shoqatën “Labëria”, tashmë të njohur nga gjithë komuniteti lab e më gjerë. Duke ruajtur në memorie figurën e këtij patrioti të kohës, këto fjalë lamtumire i shkrova për Xhevat Llurin, në ditën e largimit nga jeta më 22 mars 2021, i cili bëri vend nderi në shoqatën “Labëria” por dhe më gjerë.