Nga Shpresin Kasaj: Patriotët e Armenti dhe heroizmi i tyre për atdheun

683
Sigal

Në Demostratën e 28 nëntorit 1919, Lufta e Parë Botërore kishte mbaruar, por italianët vazhdonin ta mbanin Vlorën të pushtuar, për të patur pozita strategjike në Adriatik dhe kanalin e Otrantos. Edhe qeveria e përkohshme e Durrësit, e kish miratuar këtë synim me nënshkrimin e marrëveshjes italo-shqiptare të 20 gushtit 1919, në të cilën thuhej se krahina e Vlorës mbetej nën varësinë e trupave pushtuese italiane. Kjo e revoltoi shumë popullin e Vlorës, të cilët e kundërshtuan këtë marrëveshje. Patrioti armenas, Osman Haxhiu në bashkëpunim me patriotë të tjerë vlonjatë si Hamza Isai, Jani Minga, Ahmet Lepenica, etj, organizojnë që në muajin tetor një takim të gjerë me përfaqësues të Vlorës dhe të fshatrave, në shtëpinë e Abaz Mezinit. Përveç patriotëve vlonjatë, këtu morën pjesë dhe ata të fshatrave Treblovë, Dukat, Topallti, Kudhës dhe Mesaplik. U krijua kështu, Komiteti i Fshehtë. Ky komitet i fshehtë, i përbërë nga paria e Vlorës dhe e fshatrave, zgjodhi propozimin për heqjen e trupave pushtuese nga Vlora. Kjo kërkesë e firmosur “paria e Vlorës”, iu dorëzua komandantit të përgjithshëm të trupave, gjeneral Piacentinit. Por kjo kërkesë e patriotëve vlonjatë nuk u mor parasysh. Patrioti vlonjat Abaz Mezini, shkoi në Itali, në Ministrinë e Punëve të Jashtme Italiane, për të biseduar me diplomatët italiane, por ata këmbëngulën në planet e tyre për aneksimin e Vlorës.

Më pas, Abaz Mezini u takua me ambasadorin e SHBA-ve në Romë, ku i kërkoi atij t’i dorëzonte kryetarit të delegacionit amerikan në Konferencën e Paqe në Paris, një memorandum të firmosur nga Osman Haxhiu dhe përfaqësues të tjerë të Vlorës. Me të ardhur nga Italia, Abaz Mezini, patriotët vlonjatë u mblodhën tek klubi i patriotit Isa Rrapushi dhe diskutuan për përgatitjen dhe organizimin e një manifestimi në ditën e shpalljes së Flamurit Kombëtar, më 28 nëntor. Me 23 nëntor 1919, komiteti i fshehtë u mblodh në shtëpinë e Osman Haxhiut në lagjen Topana. Aty u vendos:

  1. Të përgatisin flamurë e kombëtar për demostruesit.
  2. Në 28 nëntor, në ballkonet e shtëpive dhe dyert e dyqaneve të mos ngrihej asnjë flamur italian. U zgjodh, edhe një komision që do t’i paraqiste gjeneral Iacentinit programin e festimit të 28 Nëntorit. Në këtë komision bënin pjesë dy patriotët armenas Osman Haxhiu dhe Sali Bedini, si dhe Hamza Isai, Jani Minga e Halim Xhelua. Ky komision ia dorëzoi gjeneralit Piacentin programin e manifestimit të flamurit, më 25 nëntor. Më 26 nëntor, ai lëshoi urdhrin publik që “populli të kremtojë Ditën e Flamurit në vende të mbyllura”. Por, patriotët vlonjatë nuk e përfillën këtë urdhër. Ata vendosën që, ceremoninë e 28 Nëntorit ta bënin në Xhaminë e Tabakëve, por që aty të dilej në shesh me flamuj kombëtarë me këngë e me brohoritje. Dhe ashtu u bë. Mbledhja dhe ceremonia filloi në fillim brenda në xhami, ku myderrizi i qytetit këndoi një lutje për flamurin dhe shpëtimin e Shqipërisë, pastaj mulla Sulejman Demiri, këndoi një lutje për shpëtimin e Vlorës, nga lakmitë e fqinjëve. Pas këtij, mbajti një fjalim të zjarrtë Jani Minga. Kur në xhami zhvillohej kjo ceremoni, sheshi para xhamisë dhe konsullatës italiane u rrethua nga repartet e karabinierisë dhe ushtrisë italiane. Në kryqëzime rrugësh, u vendosën mitralozë dhe topa të lehtë fushorë. Në rrugët e lagjes “Karabash” rrinin në gatishmëri kalorësia italiane. Por patriotët vlonjatë nuk u trembën, por bënë ashtu

siç kishin vendosur më parë; dolën në shesh me flamuj kombëtarë, me këngë e brohoritje: “Rroftë flamuri!”, “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë Vlora!”, “Poshtë pushtuesit!”. Në fillim u vendosën katër flamurtarët: Rexhep Arapi, Faik Xhaferri, Kaso Aliu (Kasaj) nga Armeni dhe Gjergji nga Shkodra që ishin përpara si më të rinj. Pas tyre, vinin Osmën Haxhiu, Jani Minga, Ibrahim Avdullai, Hamza Isai, Qazim Kokoshi, Myqerem Hamzarai, Ramadan Armeni (Veliu) dhe Sali Bedin Armeni. Sali Bedini mbante flamurin e madh kombëtar, kurse nxënësit e shkollave mbanin flamuj të vegjël, që ua kishin dhënë mësuesit, sipas porosisë së komisionit. Menjëherë u vërsul karabinieria, me në krye majorin Italian Borno, që donte t’i ndalonte demonstruesit të mos dilnin në shesh, me flamurin kombëtar. “Filloi përleshja, Sali Bedini iu vërvit majorit italian të karabinierisë që donte t’i rrëmbente flamurin, e vuri poshtë dhe filloi ta qëllonte, porse në atë çastiu vërsulën nja 15 karabinierë, të cilët ia hoqën nga duart majorin e tyre” (Faik  Xhaferri “Kujtime dhe këngë për luftën çlirimtare të viteve 1918-20 f. 131).

Pranë Sali Bedinit u ndodhën bashkëfshatarët e tij, Ramadan Armeni (Veliu) dhe Kaso Ali Kasaj, që i erdhën në ndihmë. Filloi përleshja me pushtuesit. Italianët qëllonin me kondakët e dyfeqeve, kurse demonstruesit qëllonin me grushte dhe me drunjtë e flamurëve. Osman Haxhiu e qëlloi

me bastunin e tij kapitenin e ushtrisë italiane Çampi, i cili e qëlloi patriotin vlonjat me kondakun e dyfekut. Në ndihmë i erdhën menjëherë Osmanit, Hamza Isai dhe Jani Minga. Patrioti kaniniot Beqir Velua nga Kanina , në kujtimet e tij, shkruan: “Në përleshje e sipër, unë, Sali Bedini nga Armeni, etj, u plagosën shumë rëndë; shokët na morën e na çuan në shtëpinë e Hamza Isait. Meqë u plagosëm shumë rëndë, mbetëm 3-4 muaj të sëmurë”. (“Kujtime dhe këngë për luftën çlirimtare të viteve 1918-20, f.117).

Një vit më vonë, të tre patriotët armenas Osmën Haxhiu, Sali Bedini, Kaso Kasaj, morën pjesë me armë në dorë në epopenë heroike të Luftës së Vlorës, ku tre prej tyre qenë në udhëheqjen e saj, kurse i katërti, ishte luftëtar i çetës së Armenit, të përbërë prej 76 luftëtarësh. Osman Haxhiu ishte kryetar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, Sali Bedini, anëtar i këtij komiteti, Ramadan

Armeni, ish anëtar i këshillit të luftës, të përbërë nga 76 anëtarë, kurse Kaso Ali Kasaj, luftoi me trimëri në luftën që bëri çeta e Armenit, në sektorin Kodra e Risilisë, Gropa e Derrit, Qafa e Topit.

Ky ishte një fragment nga historia e atdhetare e fshatit Armen të Vlorës.