Neki Babamusta: Dhamë Besën që t’i shpëtonim jetën çdo hebreu!

207
Sigal

Në prill 2015 familja e Neki Babamustës zbuloi të njëjtën fotografi të Nekiut dalë në klasën e parë në shkollën fillore në Kavajë (1941-1942), që ai mbante si kujtim për 74 vjet, të njëjtën foto e kishte ruajtur edhe Gavra Mandil, në atë kohë ishte fëmijë hebre refugjat në Kavajë. Fotot u zbuluan rastësisht në Muzeumin e SHBA-së në Memorialin e Holokaustit në Washington DC duke kërkuar familjen hebre të strehuar në shtëpinë e prindërve të Nekiut, Beqir dhe Rabihane Babamusta dhe hebrejë që kanë qëndruar te Mehmet dhe Fitnete Babamusta.

Nga kjo foto Neki Babamusta kujton mësuesen kujdestare Nusrete Berati, nxënësit e klasës Tahir Verdha, Xhevat Lika, Esheref Xhoi, Vjollca Berati, etj.
“Gavra Mandil është djali i Mosa dhe Gabriela (Konfino) Mandil, lindur me 6 shtator 1936 në Beograd. Familja Mandil ishin burgosur në Prishtinë, (Kosovë, atëherë ish-Jugosllavi) për 10 muaj. Oficerat italianë të burgut transferuan të burgosurit me kamiona në Kavajë, ku dhe familja Mandil qëndroi deri në verën e vitit 1943. Gavra kishte një motër më të vogël Irena, që ishte dy vjet më e vogël. Pas kapitullimit të Italisë dhe me hyrjes e Gjermanisë në Shqipëri, familja Mandil lëvizi në Tiranë. Babai i Gavras u punësua te studio e fotografit Neshed Ismail; familja u strehua në Krujë nga nëntor 1943 deri në tetor 1944 ishte te shtëpia e Refik Veseli, që punonte te studio e fotografisë”. (Muzeumi Amerikan i Memorialit të Holokaustit).
Një fotografi e dytë, po aq e rrallë u zbulua në Arshivën e Muzeumit Memorial të Holokaustit ku tregon një fëmijë tjetër hebre, refugjat në Kavajë, me emrin Jasa Altarac, dalë me Merushe Babamusta, motra e Neki Babamustës dhe Fatime Babamusta, vajza e Mehmet dhe Fitnete Babamusta, të cilët kanë strehuar disa hebrej në shtëpinë e tyre në Kavajë gjatë luftës. Foto është e vitit 1942-19443, në klasën e tretë në shkollën fillore në Kavajë, Aleksandër Moisiu me mësuesin kujdestar Asllan Mesareja.
Beqir (1882-1947) dhe Rabihane Babamusta (1904-1977) kanë dy djem: Qemal (16 vjeç, vdekur gjatë luftës) dhe Nekiu (8 vjeç kur u shpëtuan hebrejtë), si dhe dy vajza, Merushe (ishte 13 vjeç, vdekur) dhe Bukurije (ishte 10 vjeç).
Në vitin 1943, shtëpia e Beqirit dhe Rabihane Babamustës ndodhej 700-800 metra para varrezave në Kavajë. Shtëpia e tyre ndodhej përballë shtëpisë së Mehmet Babamustës, që ka punuar Sekretar te Gjykata e Kavajës dhe ka pajisur me pasaporta/identitet shqiptar familjet hebreje, bashkë më vëllain Isuf dhe Mihal Lekatarin, përmbarues. Shtëpia e Mehmetit është edhe sot, dy katëshe, ku Mehmeti dhe vëllai Isufi jetonin. Sot rruga që kalon tek shtëpia e Beqirit dhe Mehmeti i është vënë emri “Rruga Mehmet Babamusta” për nder të Dëshmorit të Kombit (Mehmet Babamusta). Ndërsa lagja sot quhet “Lagja Zguraj”.
Prapa shtëpisë së Mehmet Babamusta, ishte shtëpia e tre nipërve të Beqir Babamustës dhe përkatësisht: Halit Babamusta (llogaritar), Ragip Babamusta (rrobaqepës) dhe Qamil Babamusta (shofer). Gruaja e Halitit me origjinë nga Vlora, merrte informata nga familja e saj në Vlorë për familjet hebreje në Vlorë që kishin nevojë për strehim në Kavajë dhe tre nipërit gjenin vendbanim për ta. Haliti, Ragipi, dhe Qmaili koordinonin veprimet me Mehmet Babamustë, Isuf Babamustë dhe Mihal Lekatarin për të gjetur strehim dhe dhënë dokumenta identiteti për familjet hebreje.
Sipas Arkivës së Shtetit 178 hebrej janë shpëtuar në Kavajë. Janë ndihmuar me koordinimin e zyrtarëve të lartë: Ethem Cara (Ministër i Financave), familja e tij persekutuar nga Gjenerali i Gestapos, burgosur me 101 vjet nga komunizmi dhe shoku i tij i ngushtë Ibrahim Babamusta (nip i Beqir Babamusta, Inspektor te Ministria e Arsimit, Tiranë, i persekutuar politik). Ethemi dhe Ibrahimi bashkëvepronin me personat e lartpërmendur për të gjetur strehim, transport dhe shërbime të tjera për famliljet hebreje.
Shqipëria hapi kufijtë për të shpëtuar çdo hebre
Kur Hitleri mori pushtetin në vitin 1933, të parët që i shpalli ‘të padëshiruar’ për kombin gjerman ishin hebrejtë që jetonin në Gjermani, Europë, e kudo. Libri i tij “Kulturkampf” parashtronte idetë famëkeqe të nazistit, ku quante rracën gjermane ariane “si më e pastra dhe e zgjuara, caktuar nga Zoti të pushtonte dhe të sundonte botën”. Të parën në ndjekje, vunë kombin e Izraelit, si popull tepër inteligjent, i shkolluar dhe i pasur. Hitleri fillimisht ndoqi inteligjencën izraelite në Gjermani si dhe shkencëtarët izraelitë, që nga i madhi Albert Einstein, që ka ardhur në Shqipëri me pasaportë shqiptare për t’i shpëtuar përndjekjeve naziste. Më pas Hitleri ndoqi biznesmenët e mëdhej hebrej duke i rrëmbyer pasuritë. Për të shfarosur këtë komb inteligjent, përveç vrasjeve dhe internimeve, Hitleri shfarosi nëpër kampet e përqendrimit në krematoriume (furrat e vdekjes) mbi 6 milionë hebrenj.
Populli shqiptar krenohet për humanizmin e tij sepse shpëtoi jetën e mbi 2400 hebrejvee. Ish Mbreti Zog, për humanizmin dhe inteligjencën që karakterizonte izraelitët, në 1938 nënshkroi marrëveshjen me Europën që nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të sillte në Shqipëri disa mijëra hebrej. Në fillim u instaluan në Vlorë dhe pastaj në tërë Shqipërinë. Qyteti i Kavajës shërbeu si urë kalimi tranziti i hebrejve, nëpër fshatëra dhe qytete të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës. Nëpërmjet detit Adriatik nga fshati Spille i Kavajës, hebrejtë kanë kaluar në Bari të Italisë, ku u shpërndanë në tërë Europën dhe në Amerikë.
Në fazën e parë të ardhjes së izraelitëve në Kavajë në 1943 janë shpëtuar 178 hebrej. (Arkiva Shtetërore Tiranë), punë që vazhdoi edhe me qindra të tjerë, të ardhur në fazat e tjera gjatë vitit 1943 e në vazhdim.
Rrëfim nga Neki Babamusta (Mësues i Merituar) 
Në tetor 1943 në shtëpinë e babait tim, Beqir Babamusta u mirëprit dhe u dha besa për të shpëtuar jetën e një familje izraelite. Familja izraelite u strehua në shtëpinë tonë për tre muaj. Për të siguruar jetesën e tyre në shtëpinë tonë babai bashkëpunoi me dy vëllezërit e tij, Murat dhe Osman Babamusta bashkë me djemtë e tyre, Ibrahimi , Ragipi , Haliti dhe Qamili , të ndihmuar nga dy kushërnj të afër Mehmet dhe Isuf Babamusta .
Nëpërmjet kushërinjve Ragip, Mehmet dhe Ibrahim Babamusta sollën për strehim në shtëpinë tonë një familje izraelite rrobaqepës prej 4 vetësh: burrë e grua me dy fëmijë (djalë e vajzë). Edhe pse ishte rrezik i madh nga kontrolli i Gestapos gjermane, i pranuam si miq dhe i dhamë besën për t’i shpëtuar jetën. Para kapitullimit të Italisë (8 shtator 1943) po në shtëpinë tonë u strehuan edhe 6 ushtarë dezertorë italianë dhe mbaj mend që hanim bashkarisht dhe qëroja misër bashkë me to, me dy motrat e mia Merushe dhe Bukurije dhe nënën time Rabihane te magazina jonë e bereqetit, vendi i strehimit.
Unë isha vetëm 8 vjeç në atë kohë, por edhe sot më kujtohen shumë mirë ato ditë kur ndanim bukën në të njëjtën tavolinë me familjen izraelite. Babai im, Beqir Babamusta (tregtar), komunikonte me to në italisht. Nëna ime Rabihane Babamusta, i mbajti izraelitët si pjesëtarët e familjes duke u përkujdesur me dashuri, që të ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Familja na tregoi që pjestarët e tjerë të familjes izraelite dhe shumicën e fisit ia kishin vrarë gestapoja hitleriane.
Ne të gjithë jetonim me frikën e kontrollit sepse po të zbuloheshim që kishim strehuar izraelitë, do na pushkatonin nazistët. Po ashtu jetonim me frikën e zbulimit sepse vëllai im, Qemal Babamusta, ishte partizan në malësinë e Pezës (inkuadruar në çetën luftarake me komandant Jonuz Hekrama), në luftë kundër pushtesve gjermanë, pranë komandës së oficerëve anglezë, që bashkëpunonin me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare.
 
Kontrollet e befasishme naziste
Më kujtohen shumë mirë dy raste tronditëse kur erdhën ushtarët gjermanë për kontroll në shtëpi. Ne na ngriu gjaku të gjithëve nga frika se mos zbulohej familja hebreje. Ushtarët gjermanë përmbysën çdo gjë, duke thyer dhe shkatërruar orenditë e shtëpisë, hedhur përmbys dyshekë, rafte, dollape e gjithçka. Në kishim një shtëpi dykatëshe atëherë, dhe ushtarët gjermanë nëpërmjet shkallëve prej druri u ngjitën edhe tek kati i dytë, duke kontrolluar edhe papafingon nën çati. Prindërit e mi dhe dy motrat e mia (Bukuria10 vjeçe dhe Merushe13 vjeçe) i nxorrën jashtë. Ndërsa unë kisha mbetur i ngrirë dhe i tronditur pranë shkallëve kur 3 ushtarët me oficerin e Gestapos po ngjiteshin lart si të tërbuar për kontroll. Ushtarët ulërisnin duke na kërcënuar me automatikë: “Ku i keni hebrenjtë. Tregoni hebrenjtë se do t’ju vrasim”. Kur nuk gjetën gjë në shtëpi ikën si të çmendur me të bërtitura.
Banorët e lagjes e dinin që ne kishim fshehur një familje izraelite. Kur shikonin lëvizje në lagje, na vinin me vrap dhe na njoftonin për të mënjanuar rrezikun e kontrollit gjerman. Menjëherë ne e fshihnim familjen në vendin e sigurtë, te kasollja. Unë dhe babai im, me ndihmën e banorëve të lagjes, rrinim vigjilentë për çdo lëvizje për të patur kujdes. Shpesh dilja në rrugë për të shikuar lëvizjen e ushtarëve gjermanë dhe për çdo rast lajmëroja nënën për të fshehur miqtë izraelitë, ashtu siç veprova edhe për të shpëtuar ushtarët dezertorë italianë. Askush nuk denoncoi tek komanda naziste për hebrejtë tek shtëpia jonë.
Pas tre muajsh u bënë përgatitjet për ta nisur familjen izraelite në Itali nëpërmjet fshatit Spille. Në fshatin Spille, në Rreth-Greth dhe Patk-Milot, fisi Babamusta kishte toka, prona dhe bagëti. Fshati Spille ishte një port i vogël, ku fisi Babamusta (babi im Beqiri bashkë me mikun e tij Ramazan Cani) bënte tregti me Italinë dhe Francën. Djali i xhaxhait, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit) përgatiti posaçërisht për familjen 4 pasaporta shqiptare, në bashkëpunim me përmbaruesin e tij Mihal Lekatarin (Mësues i Merituar). Në këtë kohë Mehmet Babamusta punonte në Gjykatën e Kavajës, si sekretar gjyqi, ndërsa Mihal Lekatari punonte tek Gjykata e Kavajës si përmbarues.
Babai im Beqiri bashkë me nipin e tij, Qamil Babamusta e nisën familjen hebre, (veshur si fshatarë për të mos u dalluar), në fshatin Patk-Milot të Kavajës, (afër fshatit Spille), tek miqtë e Babamustëve, Sel dhe Dyl Zyba (atë e bir). Fisi Babamusta me familjen patrioke dhe të persekutuar Selë dhe Dyl Zyba ka patur lidhje miqësore tradicionale. Fisi Babamusta i besoi familjes Zyba, pritjen dhe shoqërimin e Ismail Qemalit për në Vlorë me 26 nëntor 1912, shoqëruar nga forcat kryengritëse të patriotëve Bajram Xhani dhe Ramazan Canit (miqtë e fisit Babamusta). Po kësaj familje të nderuar Zyba i besuam pritjen dhe përcjelljen e familjes Izraelite.

Neki Babamusta, dëshmitar i ngjarjeve të strehimit të hebrejve në Kavajë

Pas tre muajsh u bënë përgatitjet për ta nisur familjen izraelite në Itali nëpërmjet fshatit Spille. Në fshatin Spille, në Rreth-Greth dhe Patk-Milot, fisi Babamusta kishte toka, prona dhe bagëti. Fshati Spille ishte një port i vogël, ku fisi Babamusta (babi im Beqiri bashkë me mikun e tij Ramazan Cani) bënte tregti me Italinë dhe Francën. Djali i xhaxhait, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit) përgatiti posaçërisht për familjen 4 pasaporta shqiptare, në bashkëpunim me përmbaruesin e tij Mihal Lekatarin (Mësues i Merituar). Në këtë kohë Mehmet Babamusta punonte në Gjykatën e Kavajës, si sekretar gjyqi, ndërsa Mihal Lekatari punonte tek Gjykata e Kavajës si përmbarues.
Babai im Beqiri bashkë me nipin e tij, Qamil Babamusta e nisën familjen hebre, (veshur si fshatarë për të mos u dalluar), në fshatin Patk-Milot të Kavajës, (afër fshatit Spille), tek miqtë e Babamustëve, Sel dhe Dyl Zyba (atë e bir). Fisi Babamusta me familjen patrioke dhe të persekutuar Selë dhe Dyl Zyba ka patur lidhje miqësore tradicionale. Fisi Babamusta i besoi familjes Zyba, pritjen dhe shoqërimin e Ismail Qemalit për në Vlorë me 26 nëntor 1912, shoqëruar nga forcat kryengritëse të patriotëve Bajram Xhani dhe Ramazan Canit (miqtë e fisit Babamusta). Po kësaj familje të nderuar Zyba i besuam pritjen dhe përcjelljen e familjes Izraelite.
Për sigurimin e udhëtimit të familjes izraelite nga Kavaja në Patk-Milot, Beqir Babamusta thirri për ndihmë mikun e tij besnik, Spirro Pello, manaxher i pasurisë dhe i bagëtive të fisit Babamusta, në pyllin e madh të Rreth – Grethit dhe Spillesë. Spirro Pello nga Rreth – Grethi, i doli para për siguri Beqir dhe Qamil Babamustës dhe familjes izraelite që në fshatin Kryevidh (45 minuta para fshatit Patk-Milot), për t’i shoqëruar dhe dërguar në vendqëndrimin e dytë në Patk-Milot tek familja e Selë dhe Dyl Zyba. Udhëtimi nga Kavaja deri në Patk-Milot u krye me dy motorra treçikël.
Familja izraelite u strehua tek shtëpia e miqve Selë dhe Dyl Zyba për një javë. Ndërsa, burri izraelit duke qenë mekanik i zoti, me fleta llamarine dhe me binarë përgatiti një varkë, me ndihmën e familjes Zyba (Selë dhe Dyl) dhe të Spirro Pellos. Varka u ndërtua në pyllin e Spillesë (pronë e Babamustave), në afërsi të detit Adriatik. Familja izraelite do të dërgohej për në strehim të përkohshëm në Bari të Italisë, tek një familje italiane, miqtë tanë. Me këtë familje italiane, Beqir Babamusta ruante miqësinë e hershme për lidhje tregtare. Miku Italian në atë kohë ishte edhe Menaxher për tregtinë Itali-Shqipëri.
Dëshmia e Qamil Babamustës
Familjes izraelite iu dha si shoqërues për në Itali, Qamil Babamusta (djali i vëllait të babait tim, shofer, mekanik), për të siguruar mbërritjen e familjes izraelite në Bari. Qamil Babamusta, ishte 35 vjeç dhe fliste shumë mirë italisht. Sipas dëshmisë së Qamil Babamustës dhënë xhaxhait të tij, Beqir Babamusta (që m’i ka thënë mua babai im, Beqiri, si dhe Dyl Zyba dhe Spirro Pello):
“Bashkë me xhaxhanë, Beqirin dhe familjen izraelite në dy motora treçikël u nisëm nga Kavaja për në Patk-Milot tek miqtë tanë Sel dhe Dyl Zyba. Në Kryevidh na priti Spirro Pello dhe na shoqëroi deri në Patk-Milot. Pas një jave, ndërtuam varkën me motor në pyllin e Spillesë, pronë e fisit Babamusta. Unë mora burrë e grua dhe dy fëmijët në varkë, dhe i shoqërova për në Bari të Italisë, tek miqtë tanë italianë. Pasi sigurova kalimin në Itali u ktheva në Kavajë i gëzuar dhe i dhashë lajmin xhaxhait tim, Beqirit që amanetin e kreva. Familjen izraelite e çova shëndoshë e mirë në Bari të Italisë”.
Më vonë, kur unë isha mësues në vitin 1956-57 në Rreth – Greth, historinë e familjes izraelite dhe të Ismail Qemalit m’i kanë treguar edhe vetë Spirro Pello (në atë kohë ishte 80 vjeç) edhe Dyl Zyba (i ati i tij kishte vdekur), që ishte mbi 70-vjeç. Këto ngjarje m’i tregonin tek shtëpia e tyre në Rreth – Greth dhe në Patk-Milot, ku më mbanin si fëmijën e tyre.
Si shpëtuan 178 izraelitët e parë
Në tetor 1943 erdhën në Kavajë nga Vlora 178 izraelitët e parë (grupe-grupe), për t’i shpëtuar përndjekjes së Gestapos gjermane. Ndërkohë në Francë, Itali, Spanjë dhe shtete të tjera të Europës izraelitët po persekutoheshin nga Gestapoja e Hitlerit. Shqipëria si popull human hapi dyert për të mbrojtur hebrejtë nga ndjekja naziste. Vatrat shqiptare u bënë vendstrehimi i sigurtë për familjet izraelite, duke i dhënë besën për t’i shpëtuar. Në Shqipëri asnjë izraelit nuk ka humbur jetën dhe nuk i është dorëzuar Gestapos gjermane. Në Kavajë, ish-sekretari i gjyqit, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit), në bashkëpunim me vëllanë e tij, Isuf Babamusta (punonjës në Gjykatën e Qytetit Kavajë) dhe Mihal Lekatari (Mësues i Merituar), përmbarues i dokumentave në Gjykatën e Kavajës – arritën të pajisin me pasaporta shqiptare në fazën e parë 178 hebrej. Pasi u strehuan në familjet kavajase dhe si u pajisën me dokumenta izraelitët kaluan një pjesë në Tiranë-Shkodër-Kosovë, një pjesë në Durrës dhe një pjesë tjetër në Spille të Kavajës për të kaluar në Itali, Europë dhe Amerikë.
Ardhja e familjeve izaelite në Kavajë u mundësua me porosi të dy vëllezërve nga Mehmet dhe Isuf Babamusta, me koordinim veprimesh të përbashkëta me tre nipat e Beqir Babamustës: dy vëllezërit në Kavajë – Halit dhe Ragip Babamusta, dhe nipi tjetër në Tiranë, Ibrahim Babamusta. Ibrahim Babamusta punonte si inspektor në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Ibrahimi bashkëpunonte me Ministrin e Ekonomisë të Shqipërisë, Ethem Cara. Të dy ishin shokë të ngushtë kur ishin studentë në Vienë në vitin 1920.
Ibrahimi studionte në Vienë për matematikë dhe më vonë u bë themelues i shkencave ekzante për Shqipërinë (dekoruar me medalje artë të Franc Ferdinantit në Austri). Ndërsa Et’hemi studionte për ekonomi dhe fitoi titullin doktor i shkencave ekonomike. Në kohën e pushtimit nazist, Ethem Cara shpëtoi thesarin e shtetit, duke rrezikuar familjen e tij përpara Gestapos (Arkiva e Shtetit).
Ibrahim Babamusta dhe Ministri Ethem Cara, nëpërmjet kanaleve të brendshme, merrnin njoftim në Vlorë për lëvizjen e izraelitëve. Qëllimi i tyre ishte të sillnin për strehim familjet izraelite nga Vlora në Kavajë. Dy vëllezërit Haliti (llogaritar) dhe Ragip Babamusta (rrobaqepës) koordinonin veprimet e tyre për të sjellë hebrenjtë nga Vlora në Kavajë me Ibrahim Babamustën dhe Ministrin e Ekonomisë Ethem Cara. Informacione për lëvizjen e izraelitëve vinin edhe nga familja vlonjate e gruas së Halitit, Hamide Babamusta.
Mehmet Babamusta, sapo merrte lajmin e mbërritjes së familjeve izraelite në Kavajë Ibrahimi, Ethemi, Haliti dhe Ragipi, bashkë më vëllanë e tij, Isuf Babamusta, fillonte punën në mënyrë të fshehtë për plotësimin e pasaportave shqiptare për familjet hebre dhe për strehimin e tyre. Mehmet Babamusta, si sekretar i Gjykatës së Qytetit Kavajë i bënte fshehurazi pasaportat për izraelitët me emra dhe identitete shqiptare, duke punuar natën që të mos diktohej për këto veprime. Për sigurimin e strehimit të familjeve izraelite në Kavajë, Mehmeti, merrte ndihmë të madhe nga vëllai i tij me ndenja humaniste, Isuf Babamusta, i cili bashkëpunonte me kushërinjtë e tjerë.
Halit dhe Regip Babamusta, Mehmet dhe Isuf Babamusta si dhe Mihal Lekatari binin në kontakt me familje bujare dhe të besës në Kavajë, për t’i gjetur strehim të përkohshëm. Për të mos rënë në sy tek gjermanët, përgatitja e pasaportave bëhej pjesë-pjesë. Më pas, familjet i kalonin në qytetete të tjera të Shqipërisë ose jashtë vendit në Europë dhe Amerikë.
Këto ngjarje m’i ka treguar nëna ime, Rabihane dhe vëllai im i madh Qemali, si dhe kushërinjtë e mi Ragip, Ibrahim dhe Qamil Babamusta, të cilët i bashkë rendonin veprimet me njëri-tjetrin për të sjellur në Kavajë dhe shpëtuar familjet izraelite. Njëkohësisht, Mihal Lajkatari , miku im, kolegu dhe drejtori i shkollës sime të gjimnazit më tregonte se si pajisën izraelitët me pasaporta bashkë me Mehmetin, për t’i shpëtuar nga ndjekja naziste.
Mehmet Babamusta, Isuf Babamusta dhe Mihal Lekatari, pasi i pajisën me pasaporta shqiptare 178 hebrenjtë organizuan kalimin e tyre për në Europë dhe Amerikë. Familjet izraelite ato i shoqëronin me njerëz besnikë për t’i treguar rrugëkalimet, të ndarë në grupe të vogla, në kohë të ndryshme, për të siguruar kalimin pa rrezik. Po kështu u veprua edhe me qindra hebrenj të tjerë që erdhën në periudhat e tjera pas tetorit 1943 të kalimit të hebrenjve nëpërmjet Kavajës.
Përveç pajisjes me pasaporta dhe gjetje strehimi, Mehmet Babamusta ka mbajtur hebre. Po ashtu edhe Mihal Lekatari ka strehuar 5 hebrej (Konforti) në shtëpinë e tyre dhe është nderuar nga instituti Yad Vashem në vitin 1992 në Israel. Në Kavajë në shtëpinë e Mehmet dhe Fitnete Babamusta dhe vajza Fatime Babamusta janë strehuar disa hebrej. Vajza e Mehmetit, Fatime kujton dy raste. Rasti i parë: babai hebre me emër David, vajza e tij me emër Adela (4 anëtarë: David, gruaja e tij, vajza Adele (1-2 vjeç) në atë kohë dhe motra e Davidit). Ato erdhën nga Kosova në Kavajë. Rasti i dytë: Familja e Mehmet Babamustës strehoi dhe një vajzë hebreje, të cilën ekstremistët në atë kohë kërkonin ta rrëmbenin; ajo u strehua te shtëpia e Mehmetit, ndërsa babai i saj, rrobaqepës u strehua në një familje tjetër në Kavajë. Mehmet Babamusta ka rënë dëshmor në Luftën Nacional Çlirimtare më 18 tetor 1944.
Shqipëria, është i vetmi vend në botë që ka patur brenda kufijve të saj më shumë hebrej pas Luftës së Dytë Botërore sesa para fillimit të luftës, ndërkohë kur në shtetet e tjera izraelitët humbën jetën. Ky humanizëm i popullit shqiptar na bën që të ndjehemi tepër krenar përpara gjithë botës së qytetëruar.
Nga fundi i nëntorit të vitit 1944, forcat pushtuese gjermane, u larguan nga Shqipëria të shpartalluara. Edhe pas çlirimit të Shqipërisë qindra familje izraelite, qëndruan në Shqipëri për një kohë të gjatë, sepse vendin tonë, të mbijetuarit hebrej, e vlerësonin me zemër, atdheun e tyre të dytë.
Në vitin 1969, në shkollën “Fiqiri Kurti”, kisha një kolege inteligjente izraelite, Terezina Levi, mësuese e apasionuar. Terezina gëzonte respektin e të gjithë kolektivit arsimor. Bashkëshorti i saj izraelit, punonte rrobaqepës në Kavajë. Kishin dy fëmijë të talentuar, të cilët ishin nxënësit e mi.
Nga mesi i vite 1970-të, familja Levi u largua për në Izrael. Fëmijët tyre, si qindra fëmijë të tjerë hebrej që lindën në Shqipëri, u rritën me qumështin e ëmbël të nënës iliriane.
Familjet hebreje morën me vete testamentin e miqësisë hyjnore, e perjetësuar në analet e historisë botërore. Kjo miqësi shqiptaro-izraelite bazohet në tolerancën fetare dhe mirkuptimin reciprok, në shërbim të paqes mes popujve.
Profesor Neki Babamusta, Dëshmitar i ngjarjeve të tetorit 1943 të strehimit të hebrenjve në Kavajë, Shqipëri
Djali i Beqir dhe Rabihane Babamusta
Historiku i familjes Babamusta 
Që nga viti 1800 fisi Babamusta merej me tregti brenda dhe jashtë vendit, si Itali dhe Francë. Nëpërmjet portit të vogël Spille (Kalaja Vilë-Bashtovë), në Kavajë, dërgonin bereqet, kuaj të egër, buaj, lesh, vaj, mish dhe prodhime bujqësore ku me varka të vogla i nisin mallrat nga bregu i portit Spille për 500 metra, ku më pas i ngarkonin në një anije të madhe tregtare italiane. Po ashtu, fisi Babamusta bënte tregti brenda Shqipërisë në Tiranë, Durrës dhe Elbasan me prodhime bujqësore dhe blektorale që i prodhonin vetë në tokat që zotëronin në Shqipërinë e Mesme, ku kishin magazina dhe dyqane.
Familja Babamusta dhe Cani kanë qenë mbështetëse të lëvizjes patriotike kombëtare për liri, pavarësi dhe ishin baza të Luftës Nacional Çlirimtare (1940-45) me çeta kryengritëse dhe luftëtare.
Fisi Babamusta përmendet historikisht dhe është i njohur për patriotizëm dhe humanizëm në shkallë ndërkombëtare. Njihet për mikpritje dhe bashkëpunim me autoritete të dëgjuara kombëtare si: Ismail Qemali (Babai i Kombit Shqiptar, themelues i pavarësisë dhe shtetit shqiptar), Avdi Bej Toptani (Patriot i Rilindjes), Ramazan Cani (Patriot i Rilindjes, Mësues i Popullit), Avni Rustemi (figurë e lartë patriotike kundër feudalizmit, bashkëpunëtor me patriotin Ramazan Cani), Aqif Pashë Elbasani (Patriot i Rilindjes, bashkëpunëtori kryesor me Ismail Qemalin për shpalljen e Pavarësisë dhe me patriotin e Rilindjes Ramazan Cani), Ibrahim Bej Biçaku (Patriot i Rilindjes), Vëllezërit patriot Myslim dhe Shyqyri Peza (luftëtarë për liri dhe pavarësi kombëtare), Mustafa Gjinishi (figurë kryesore e rezistencës anti-komuniste), vëllezërit Bajram dhe Qamil Xhani (patriotë të lirisë për çështje kombëtare kundër komunizmit), Bajram Curri (luftëtar i madh i kombit kundër pushtuesve turq-serb, bashkëpunëtor me Ramazan Cani), etj.
Po ashtu për 100 vite kanë mbajtur lidhje bashkëpunimi midis kombeve Shqipëri-Amerikë-Angli, që fillon pas viteve 1920 dhe veçanërisht u forcuan në vitet e Luftës së II Botërore (1940-45) nëpërmjet organizatës anti-komuniste Fronti i Rezistencës, drejtuar nga Hamdi Frashëri (kryetar), Dill Cani (nënkryetar), dhe Kastriot Cani (ish-adjutanti i Mustafa Gjinishit, i persekutuar politik), Cen Kruja (i persektuar), etj.
Në vatrën Babamusta në Kavajë janë mirëpritur personalitete diplomatike dhe ushtarake, amerikane dhe europiane. Kongresi Amerikan ka vlerësuar dhe dekoruar fisin Babamusta për demokraci, paqe, humanizëm dhe miqësi me Amerikën. Me 22 korrik 2003 Senatori Amerikan Tom Harkin falenderoi dhe dalloi Ermira Babamustën para Presidentit Amerikan, gjatë seancës së Kongresit, për kontributin e saj në demokracinë e kombit amerikan dhe vlerësoi lart punën e saj në Senatin Amerikan (Congressional Record, 108th Congress, 2003, p. 18914).
Në 2 gusht 2004 nga Kongresmeni Mark Kennedy u nderuan: (1) Heroi Popullor Kastriot Cani , si dhe familja e tij, si bashkëpunëtor me Amerikën për vendosjen e demokracisë, nëpërmjet Frontit të Rezistencës; (2) Profesor Neki Babamusta, për forcimin e lidhjeve diplomatike Europë-ShBA; dhe (3) në 21 maj 2004, Ermira Babamusta për shërbimet e shkëlqyera ndaj Kongresit Amerikan për Diplomacinë e Amerikës.
Në 2004, gjatë seancës legjislative të Shtëpisë së Bardhë në Washington DC, Sekretari i Shtetit z. Colin Powell, falenderoi Ermira Babamustën dhe familjen e saj për kontributin që kanë dhënë për Kosovën (Address to the US Congress, 2004). Më 8 mars 2005 Instituti i Paqes Kessel nderoi Ermira Babamustën me titullin “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos”.
Ditën e Pavarësisë të ShBA-së, më 4 korrik 2013 nga Kryetari i Mazhorancës të Senatit Amerikan, Senatori Harry Reid u nderuan: (1) Neki Babamusta, “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë,” për promovimin ndërkombëtar të demokracisë; dhe (2) Ermira Babamusta, “Gruaja Ndërkombëtare Humanitare,” për punën e saj diplomatike në Amerikë, Kosovë dhe botë. Më 21 qershor 2014 Ermira Babamusta mori Çmimin Humanitar në Paradën Dita e Emigrantit në New York, nga Rrënjët Shqiptare.
Në nëntor 2014 Ermira Babamusta u nderua nga Shtëpia e Bardhë, me medaljen e artë të Presidentit Obama, për shërbimin kombëtar në ShBA (President’s Service Award).