Mateusz Morawiecki: Një ekonomi e fortë në shërbim të sigurisë 

283
Sigal

 

  Mateusz Morawiecki

Kryeministër i Polonisë

 

Polonia është një nga vendet e para evropiane që është kthyer në rrugën e rritjes së shpejtë. PPB-ja e saj në tremujorin e dytë të 2021 ka kapërcyer tashmë nivelin e para-pandemisë. Jo vetëm që rimëkëmbja u bë më shpejt nga ç’pritej, por gjithashtu provoi efektshmërinë e masave kundër krizës në vend. Stabiliteti i financave publike ka bërë të mundur krijimin e një tamponi fiskal, që mund të mbrojë interesat e mijëra kompanive dhe miliona punonjësve. Ne kemi arritur të sigurojmë si vendet e punës, ashtu edhe rritjet e pagave, sepse pa rritje reale të këtyre të fundit, PPB në rritje do të ishte një tregues bosh, një kurth që mbart kërcënime ndaj politikës sociale dhe ekonomisë.

Pas vitit 1989, rritja afatgjatë e Polonisë u pasqyrua vetëm pjesërisht në rritjet e pagave. Në vend të një ekonomie thelbi i së cilës do të ishte solidariteti, na u desh të merreshim me një ekonomi që ishte më e prirur t’i nënshtrohej mbizotërimit të fitimeve të kapitalit dhe prandaj, e dënuar për të prodhuar pabarazi. “Marrëveshja e Re” polake, e zbatuar nga qeveria, propozon të ndreqë këtë gjendje. Ne duam që frytet e rritjes të ndahen me respektin për drejtësi sociale dhe për pagat e punëtorëve polakë që më në fund të fillojnë të arrijnë nivelin evropian. Meqë Polonia është e vendosur të jetë një nga promotorët e zhvillimit të Evropës, ajo duhet të largohet nga modeli bazuar në reduktimin e kostove të punës për të shkuar tek konkurrenca e lirë.

Pjesa më e madhe e punës është bërë tashmë në vitet e fundit. Në lidhje me rritjen e pagave, Polonia është ndër vendet kryesore në OECD: paga mesatare duke nisur nga viti 2015 është rritur me 25%, ndërsa mesatarja e OECD-së për këtë periudhë është vetëm 5%. Norma jonë e papunësisë është nga më të ultat në BE. E gjithë kjo shoqërohet me një rritje të rendimentit të punës: nga 2015 në 2019, ai u rrit me rreth 5% çdo vit, që është rezultati më i mirë i të gjitha vendeve të OECD.

Shpejtësia e daljes nga recesioni pas pandemisë është një sinjal se ekonomia polake ka lëvizur në drejtimin e dëshiruar. Tani është gati të përballojë sfidat e botës bashkëkohore. Fillimi i proceseve të riindustrializimit në kuadrin e Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm është vërtetuar i dobishëm në kontekstin e epidemisë që ka prekur më shumë sektorin e shërbimeve. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se fenomene të tjera negative globale në horizont mund të ngadalësojnë efektivisht rimëkëmbjen. Në këtë drejtim, destabilizimi i situatës në Lindjen e Mesme shihet me shqetësim të veçantë; ai mund të shkaktojë ndryshime të mëdha në rajon dhe të ketë një ndikim negativ global, veçanërisht për shkak të dobësimit sëfundmi të  hegjemonisë absolute të SHBA. Ndërsa gjeopolitika e urren boshllëkun, vendin e zënë më parë nga amerikanët do ta marrë dikush tjetër, gjë që mund të rezultojë me një ndryshim në yjësitë e interesave globale.

Prandaj nuk është për t’u habitur që sot kemi të bëjmë me një rivendosje të mendimit mbi ekonominë si një nga themelet e sigurisë së sistemeve politike dhe shteteve. Ashtu si në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë fuqia e një shteti u mat nga potenciali i tij ushtarak, në shekullin XXI  ai do të matet me nivelin e tij të përparimit teknologjik.

Gjithsesi do të ishte gabim nëse do të qëndronim tek mendimi se rritja e potencialit ekonomik mund të bëhet gjithnjë sipas parimeve neoliberale. Nëse duam ta vëmë ekonominë në qendër të mendimit tonë mbi sigurinë, duhet të mbështetemi në si në ekonominë e tregut dhe të shtetit. Çfarë ndodh nëse shteti braktis ekonominë kur shumë nga institucionet e tij janë të paefektshme? Shembulli i Polonisë, e cila ka jetuar prej kohësh nën sundimin e neoliberalizmit, është përgjigjja: në vend që të nxisë zhvillimin e tregut të lirë, shteti krijoi ndërprerje të konkurrencës dhe rritjen e pakontrolluar të krimit të taksave, siç dëshmohet nga përhapja e mafias së evazionit fiskal dhe rimbursimit të TVSH-së, mes të tjerash.

Thembra e Akilit  për Polonisë ka qenë gjithmonë sistemi i taksave me të metat e tij të shumta. Ne vetëm u zgjuam nga kjo letargji disa vjet më parë, duke demonstruar se roli qendror në rindërtimin e efektshmërisë së ekonomisë së tij i përket shtetit. Neglizhenca në këtë çështje ishte kaq e madhe, saqë pagimi i taksave me ndershmëri u mor në Poloni si një aberracion. Për të riparuar financat publike, nevojitej një ndryshim qëndrimi, por edhe kjo nuk mjaftonte. Zgjidhjet konkrete duhej të zbatoheshin me qëllim që të lidhnim sistemin e taksave. Për këtë, ne kemi krijuar Administratën e Taksave Kombëtare, ndërsa fokusohet në digjitalizimin e procesit të kontrollit. Rezultatet nuk vonuan. Nga një nivel prej 24%, vrima e TVSH-së ka rënë në 12%, pra përgjysmë. Nëse i shtojmë kësaj një administratë të efektshme taksash, kuptojmë se fusha e manovrës së shtetit në fushën e politikës sociale vetëm sa është zgjeruar. Në të vërtetë Polonia ka qenë në gjendje të arrijë në të njëjtën kohë tre objektiva që duket se përjashtojnë veten: të ndjekin një politikë ambicioze sociale dhe të investimeve, ndërsa reduktojnë barrën e taksave dhe deficitin buxhetor.

Reduktimi i borxhit publik dhe krijimi i një sistemi të efektshëm financiar publik i kanë mundësuar shtetit t’i përgjigjet siç duhet krizës ekonomike. Sistemi i mbështetjes së mburojës së krizës dhe mburojës financiare vënë në dispozicion të punonjësve dhe bizneseve është provuar vendimtar në ruajtjen e vendeve të punës, programeve kryesore sociale dhe investimeve në infrastrukturë. Kjo është provë pothuajse eksperimentale: nëse sistemi i taksave riparohet, siguria e vendit forcohet automatikisht.

 

Teksti është botuar në të përmuajshmen Ëszystko Co Najëażniejsze (Poloni), si pjesë e një projekti edukimi nga Bursa e Letrave me vlerë në Varshavë.